top of page

Viron KONA: Të gjithë derrat një turi kanë!

  • 2 hours ago
  • 11 min read

Tregimi “Të gjithë derrat një turi kanë!” i Viron Kona paraqet një rrëfim realist me ngarkesë të fortë morale dhe sociale, ku përmes një ngjarjeje në dukje të zakonshme, grabitjes së një emigranti shqiptar në një vend të huaj, ndërtohet një reflektim i thellë mbi natyrën njerëzore, paragjykimet dhe relativitetin e së mirës dhe së keqes. Personazhi kryesor është një figurë tipike e njeriut të thjeshtë shqiptar: i ndershëm, familjar dhe i lidhur me vendin e tij, çka theksohet edhe nga profesioni i tij si agronom dhe nga dilemat e brendshme mbi qëndrimin jashtë apo kthimin në atdhe. Karakterizimi i tij zhvillohet kryesisht në mënyrë indirekte, përmes mendimeve, reagimeve dhe reflektimeve të brendshme, duke e paraqitur si një individ që përjeton një transformim të brendshëm: nga idealizimi i vendit të huaj drejt një kuptimi më realist dhe disi cinik të botës. Në kontrast me të, hajdutët paraqiten si figura të së keqes urbane, të maskuar dhe anonimë, por jo plotësisht të çnjerëzuar, pasi veprimet e tyre mbartin një lloj ambiguiteti moral, gjë që e bën mesazhin edhe më kompleks.

Struktura e tregimit është lineare dhe klasike, duke kaluar nga ekspozicioni ku prezantohet situata dhe personazhi, te zhvillimi me shëtitjen në qytet dhe hyrjen në rrugicën e errët, kulmi dramatik i grabitjes, e më pas reflektimi i brendshëm dhe përfundimi me një sentencë të fortë që përmbledh gjithë përvojën. Kjo strukturë e qartë i jep tregimit një rrjedhshmëri të natyrshme dhe e vendos theksin tek mesazhi, më shumë sesa tek eksperimentimi formal. Një rol të rëndësishëm luan simbolizmi, ku elemente si rrugica e errët përfaqësojnë rrezikun dhe të panjohurën, ndërsa kontrasti mes dritave të bulevardit dhe errësirës nënvizon dallimin mes fasadës së qytetërimit dhe realitetit të fshehur. Maskat e hajdutëve simbolizojnë anonimatin dhe përhapjen universale të së keqes, ndërsa metafora e “derrave” përmbledh në mënyrë të fuqishme idenë se veset njerëzore nuk kanë kufij gjeografikë. Edhe përdorimi i proverbeve popullore e lidh tregimin me një traditë të gjatë urtësie kolektive, duke e bërë mesazhin më të prekshëm dhe më të kuptueshëm.

Imazheria në tregim është e gjallë dhe ndijore, duke krijuar një atmosferë që kalon nga dritat tërheqëse të qytetit në errësirën kërcënuese të rrugicës, ndërsa përshkrimet e hajdutëve dhe të situatës së grabitjes mbartin elemente groteske dhe tensionuese. Halucinacionet që përjeton personazhi pas ngjarjes, me imazhe të turbullta dhe kërcënuese, pasqyrojnë traumën e tij psikologjike dhe thellojnë dimensionin emocional të tregimit. Në thelb, tema kryesore është shembja e stereotipeve dhe kuptimi se e keqja nuk i përket vetëm një vendi apo një populli, por është një dukuri universale, shpesh e deformuar edhe nga mënyra si paraqitet nga mediat. Në këtë kuptim, tregimi sjell një mesazh realist dhe disi pesimist, por njëkohësisht të sinqertë mbi natyrën njerëzore.

Në krahasim me autorë bashkëkohorë europianë si shkrimtari francez, Michel Houellebecq, apo shkrimtarja italiane, me pseudonim letrar, Elena Ferrante, vërehen si ngjashmëri, ashtu edhe dallime. Ashtu si te Houellebecq, edhe këtu shfaqet një zhgënjim ndaj realitetit modern dhe një vështrim kritik ndaj shoqërisë, ndërsa si te Ferrante, kemi një theks të fortë në botën e brendshme të individit dhe përjetimet e tij psikologjike. Megjithatë, ndryshe nga këta autorë, Kona përdor një stil më të drejtpërdrejtë dhe më didaktik, duke u mbështetur në proverba dhe përfundime të qarta morale, ndërsa letërsia bashkëkohore europiane shpesh karakterizohet nga ambiguiteti, fragmentarizimi dhe shmangia e moralizimit të drejtpërdrejtë. Një krahasim mund të bëhet edhe me Herta Müller, ku gjejmë përdorimin e imazherisë së fortë dhe përjetimeve traumatike, por ndërsa Müller priret drejt një simbolike më abstrakte dhe poetike, Kona mbetet më konkret dhe narrativ. Në përfundim, tregimi i Konës qëndron më afër traditës realiste dhe moralizuese, duke ruajtur një qartësi të fortë në mesazh dhe duke ofruar një reflektim të drejtpërdrejtë mbi universialitetin e së keqes në shoqërinë njerëzore. (F. Terziu)

 

Viron KONA: Të gjithë derrat një turi kanë!

  -tregim-

 

     Në atë klinikë të huaj ai u prit ngrohtë dhe, ajo që ishte më kryesorja, nga personeli mjekësor u trajtua me seriozitet dhe me përkushtim të plotë. Gjithçka kishte përfunduar me ndërhyrjen kirurgjikale, e cila doli e suksesshme dhe pa probleme të mëtejshme. Gjatë kohës së qëndrimit thuajse tre mujorë, ai kishte arritur të mësonte të fliste e të merrej vesh në gjuhën e atij vendi. Fillimisht, “mësuesja” më e mirë kishte qenë nevoja për të komunikuar, për të kërkuar diçka apo për të pyetur, kurse më pas kishte qenë edhe një fjalor i mirë, që përmbante dialogë, fjalë e shprehje të përdorimit të përditshëm...

     Herë - herë ai mendonte se nuk do të ishte keq  sikur pas një kohe të vinte përsëri në këtë shtet për të jetuar e punuar. Nga profesioni ishte  agronom dhe, me sa kishte dëgjuar ata kishin nevojë për specialistë të asaj fushe. Por pa kaluar pak çaste e kundërshtonte atë mendim apo dëshirë, “më mirë më pak dhe në vendin tim”, - thoshte me vete, duke kujtuar  njëherazi edhe proverbin e njohur të popullit: Guri i rëndë peshon në vendin e vet”.  

      Këto mendime vërtiteshin në mendjen e tij teksa shëtiste në bulevardin kryesor të atij qyteti të madh. Ishte dita e fundit e qëndrimit dhe, me pak para, që i kishte hequr mënjanë pak e nga pak, ai donte të blinte ndonjë dhuratë për familjarët e tij, bashkëshortes ndonjë varëse të thjeshtë, vajzës tre vjeçe ndonjë kukull të lezetshme, kurse dy djemve shtatë dhe nëntë vjeç, që kishin qejf futbollin, secilit nga një bluzë apo kostum sportiv. Bëri buzën në gaz kur përfytyroj gëzimin e tyre kur të takoheshin e pastaj kur t`u jepte dhuratat. “Ndërkohë, edhe shëtis, edhe shikoj për ndonjë dyqan që shet me çmime të arsyeshme”, - tha me vete.

      Në krahun e djathtë të bulevardit, që llamburiste nga reklamat dhe dritat e shumta, iu shfaq një rrugë dytësore, edhe ajo ndriste nga reklamat shumëngjyrëshe. U fut në atë rrugë dhe nisi të ecte mes vezullimit të dritave. Kalonte në krah të dyqaneve të pafundme industriale e ushqimore, restoranteve e bareve, farmacive...dyqaneve kozmetikë, atyre të veshjeve, të mobilieve, të lodrave për fëmijë...” Kjo duket që është zonë e shtrenjtë”, - thoshte me vete dhe vijonte më tej. Ja, përball iu shfaq një rrugicë më e ngushtë, që ishte më shumë si një shëtitore me lule e drurë të shumëllojshëm në të dy anët. Aty frynte një fllad i freskët, që mbushte ajrin me aromën e gjineshtrave që, me sa dukej rriteshin të dendura në faqen e një kodre përballë. Nga profesioni e dinte se gjineshtra, veçanërisht gjineshtra e Spanjës, ose gjineshtra me aromë, në muajin maj përhapte një aromë kundërmuese...Si për çudi dritat e rrugicës sa vinin e zbeheshin. Dukej që disa llamba ishin thyer apo djegur. “Eh, fëmijët e përkëdhelur, me siguri ata i kanë thyer!” - tha me vete. Gjatë atyre tre muajve nuk kishte dëgjuar për vjedhje e krime në atë qytet, ndryshe nga vendi i tij, ku spikerët i çelnin emisionet me lajme vrasjesh, vjedhjesh, krimesh, zjarre-vënie të qëllimshme, ndjekje kriminelësh nga policia, shumica e të cilave përfundonin me: “krimineli u zhduk në drejtim të paditur!” Aq shumë përsëriteshin në stacionet televizive  ato lajme dhe pamje të zymta e ndjellakeqe, saqë krijohej padrejtësisht mendimi, sikur në vendin e tij, vetëm krime bëheshin...

      Vijoi rrugën, por ajo sa vinte e errësohej më shumë, madje vuri re se në atë rrugë thuajse nuk kishte lëvizje, kurse fundi i saj dukej krejt i errët…”Po unë, ku po shkoj?” - qortoi veten dhe bëri të kthehej.

     E, pikërisht atëherë, pa dy hije të zeza që dolën me shpejtësi nga prapa një trungu të trashë dhe, ai, si pa kuptuar e ndjeu veten mes atyre dy hijeve. Ishin të dy të gjatë e trupmëdhenj dhe me fytyra të mbuluara me maska të zeza si nata. Nuk pati kohë të shmangej, sepse ndjeu  një tytë pistolete në qafë dhe një majë thikë të mprehtë, që po i depërtonte mes rrobave. Kishte rënë në një grackë hajdutësh.

       -Oh, ju lutem, më lini në hallin tim! - mundi të thotë, por ndjeu se tyta e pistoletës iu ngjesh më  fortë pas qafe, kurse maja e mprehtë e thikës depërtoi më në brendësi të rrobave.

       -Mos fol, por na i jep të gjitha paratë që ke me vete! Shpejt! - i foli ai që i mbante pistoletën pas kokës. Zëri i hajdutit ishte i ngjirur, teksa fryma i mbante një erë të rëndë qepe. Lëvizi pak kokën dhe vështrimi i ngeci te maskat e tyre të  zeza. Ja tek  u dukën sytë e grabitqarëve, që lëvrinin brenda zgavrave si larva kënetore. Ata donin para. Ata mendonin se ai kishte para. Doemos që do të kishte.  S`vjen tjetri nga ana e anës për t`u kuruar në një klinikë shëndetësore të huaj, pa një lekë në xhep! E pra, te shuma e parave të tij, ishte edhe pjesa e tyre! Hajde, shpejt, paratë! 

        -Ju lutem, sapo jam operuar. Sot dola të blej ndonjë dhuratë të vogël për familjarët e mi dhe nesër në mëngjes nisem për në atdheun tim. Ju lutem, nuk jam pasanik. Këtu, për t`u kuruar më ka dërguar shteti...

         -Oh, oh, oh! Qenke i rëndësishëm ti! – ia bëri ai që i mbante fryma era qepë dhe vijoi egërsisht: -E di ti që ne  të mbajmë peng, nëse nuk na bindesh?     

         -Por, edhe po s’të mbajtëm peng, do të të bëjmë një operacion të dytë! - i tha duke u zgërdhirë ai që i mbante thikën ngjeshur pas cipës së barkut. - Dhe, ti e kupton, ne i bëjmë operacionet pa narkozë, kështu që luaj dhe nxirr paratë që ke me vete, të gjitha, pa fjalë, përndryshe do të zhveshim këtu dhe do të lëmë krejt lakuriq, si peshku në zall. Hajde, luaj...!     

         Ata nuk largoheshin pa i marrë paratë, madje mund të ndodhte edhe më e keqja, se, ja, ato çaste maja e thikës sikur po i shponte cipën e barkut, kurse tyta e pistoletës po ia bënte  qafën plagë...

         Futi dorën në xhep, nxori portofolin dhe u përpoq të nxirrte paratë, por ai që i mbante pas qafe pistoletën ia  rrëmbeu portofolin.

         -Ju lutem, kam pasaportën dhe dokumentet aty, ju lutem...!

         Hajduti kërkoi  në portofol, nxori paratë dhe ia dha atij që kishte thikën. Dukej që ai ishte shefi.

         -Ky qenka kripë fare, vetëm pesëqind e pesëdhjetë dollarë paska me vete! Eh, ç ‘natë tersi kjo e sotmja! - Nga zëri dukej  krejt i zhgënjyer.        

         -Qenka shqiptar! - i tha tjetri, duke i hedhur një vështrim të shpejtë dokumenteve, - Kam njohur disa nga këta, janë varfanjakë, “thes” i grisur, dhe s`di nga t`i kapësh...! Por, edhe me pesëqind e pesëdhjetë dollarë s`jemi fare pa gjë. Këta shqiptarët kanë një fjalë të urtë, “S`ke pulën, do hash sorrën!”, kështu që, sonte le të kënaqemi me sorrën! - tha ai që mbante paratë në dorë.

         Përreth  s`shihej e s`dëgjohej këmbë njeriu. Shefi bisedoi diçka me hajdutin tjetër dhe ia kthehu dokumentet viktimës.

         -Këto merri, nuk na duhen, por, meqenëse sapo ke dalë nga klinika, po të japim edhe një bakshish, ne i ndihmojmë të varfrit.

         -Qenkeni si Robi Hudi! - u tha ai me ironi.

         -Merre, or, merre këtë monedhë 50 dollarësh, kurse ironinë dhe përrallat me Robin Hudin tregojua kalamajve. Ne po t`i japim se po na vjen keq, - i tha hajduti dhe ndërkohë i kërkoi celularin.

         -Shpejt, nxirre dhe na i jep!

         -Me këtë celular unë do të flas me familjen, ata bëhen merak, ju lutem, ju lutem shumë, s`kam mënyrë tjetër komunikimi.

         -Nxire celularin dhe lëri fjalët! - i bërtiti ai që i vinte fryma era qepë, duke vazhduar t`i mbante pistoletën pas koke, - Po s`na i dorëzove celularin, do të t`i marrim përsëri dokumentet dhe pasaportën, kështu që duket se do të të kushtoj shtrenjtë ai celular.

         Deshi s`deshi ua dha edhe celularin. Ata e panë markën dhe qeshën me zhurmë.

         -Ç`e do këtë celular, - i tha hajduti që i rrinte përballë. Pastaj, duke u zgërdhirë, e shkeli celularin me këpucë disa herë dhe e shkelmoi drejt një pellgu me ujë që ndodhej pak metra larg tyre.

         -Tani, ik ! Nëse hap gojën dhe tregon, ne të gjejmë kudo që të futesh, kudo që të shkosh, s`ka vrimë miu që nuk e dimë! Hajt, vijo rrugën qetësisht sikur s’të ka ndodhur gjë! – Të dy hajdutët i ranë krahëve viktimës, gjoja sikur po përcillnin “një mik” që kishin takuar rastësisht.

         Në pakë sekonda ata sikur i përpiu thellësia e natës.

         -Po kjo, ç ‘ishte!? - tha ai me vete. Djersët po i thaheshin në trup, kurse po ndiente një dhimbje të mprehtë në cipën e hollë të barkut. Mori rrugën e kthimit drejt klinikës, teksa ndihej i zhgënjyer dhe i poshtëruar. Më mirë që nuk reagova fizikisht, - tha me vete, - përndryshe mund të më ndodhte më e keqja, për aq para, ata lloje  njerëzish mund të më vrisnin dhe pastaj ia mbathin në drejtim... të paditur! Dhe, atëherë, emri im, si i çdo viktime të mjerë, do të përfundonte në një lajm të shkurtër të ndonjë gazete, apo do të përmendej fare pak sekonda në ndonjë radio a televizion dhe...aq. -Eh! - psherëtiu. Ndjente  zemërim të thellë për atë fund krejt të  papritur, pas asaj gjithçka-je të mirë që i kishte dhënë ai vend i huaj, mjekët dhe ata njerëz miqësorë e bujarë që kishte njohur. Por zemërimin e kishte edhe me veten, “Ç’mu desh që u futa aq thellë në atë rrugicë pa krye? Doja të blija më lirë dhe më doli shumë më shtrenjtë. Jo vetëm që s`bleva dot dhuratat që doja për më të dashurit e mi, por edhe rrezikova jetën. Eh, s`ka pyll pa derra, jo! Edhe ky vend i zhvilluar, me njerëz aq humanë  e me bukuri të pasosura, paskësh “derrat” e tij! E pra, derra s`kishte vetëm në vendin nga vinte ai. Mbase ndryshimi ishte që mediat televizive të atij vendi mik nuk i përcillnin te shikuesit gjithë krimet që bëheshin. Mbase e bënin këtë për të mos krijuar pasiguri te turistët e shumtë, që venin e vinin si vizitorë në atë vend të begatë, mbase? Ato çaste, kushedi pse iu kujtua rrëfimi i një refugjati shqiptar, që kishte shkuar për të punuar në një nga vendet fqinje. Në televizionet e atij vendi fqinj, u fol shumë dhe shpesh për një bandë vjedhësish... “shqiptarë”. Te banorët e asaj zone u krijua një atmosferë e rëndë ankthi dhe frike, ndërkohë që policia u vu në ndjekje të asaj bande kriminale e famëkeqe. Aq e rëndë ishte atmosfera e frikës dhe e pasigurisë, saqë çdo refugjat shqiptar shikohej me dyshim, si të ishte pjesëtar i asaj bande të rrezikshme... Pas një jave, gjithçka u sqarua, banda u zbulua, veçse, ndër pjesëtarët e asaj bande s`kishte asnjë shqiptar. Atëherë në lajme u tha se, ata ishin “një grup adoleshentësh” të atij vendi, që, më shumë se nga mania dhe qëllimi për të vjedhur, ishin të ndikuar nga aventurat dhe filmat horror...

         U përpoq ta largonte nga vetja atë ankth, ndërkohë që po i merreshin mendtë dhe po i erreshin sytë. U ulë te një stol druri dhe një copë herë ra në një gjendje përgjumjeje.. I bëhej se ndodhej  mes një gjeratoreje të turbullt lumi, e cila sikur e vërtiste sa andej-këndej, teksa hije të zeza venin e vinin përqark tij, zgërdhiheshin, tundnin thika dhe hanxharë në ajër dhe diçka  i kërkonin me britma të çjerra dhe ulërima... Halucinacionet e kishin përfshirë të tërin dhe ai s`po dilte dot nga ajo gjeratore...  Befas u përmend dhe, ashtu, mendje turbullt i mbeten sytë te vezullimi i pareshtur i dritave dhe reklamave... Sikur po qetësohej, po vinte në vete dhe po ndiente një si lehtësim: “E po, ata mund të më merrnin gjithçka, madje edhe jetën, por, ja, ata, vetëm më grabitën, dokumentet m`i lanë të paprekura, edhe 50 dollarë m`i lanë...  Pata fat, pata fat!, - përsëriste ai me vete, - ata nuk më lënduan, jo, nuk më lënduan, e keqja kaloi...” -Sado neveri, përbuzje dhe urrejtje që kishte për ata dy hajdutë, kushedi pse, brenda vetes po ndiente një si ndjenjë mëshire, ata s`po i dukeshin dhe aq të këqij, jo, se po të ishin aq të këqij...

         I gjori njeri, përpiqej të gjente një ngushëllim sado të vogël për atë që sapo i kishte ndodhur, të lehtësonte sado pak veten nga poshtërimi, si të donte të shpëlante ndyrësinë që ata sapo i kishin hedhur përsipër! Në çast e përfshiu përsëri vala e urrejtjes dhe zemërimit: Çfarë, ai po tregonte anën e dobët të shpirtit të tij, po përpiqej të zbuste veprimin keqbërës të atyre dy vemjeve të pështira? Nga leximet, kushedi pse iu kujtuan fjalët e Krishtit për ata që po e kryqëzonin: “O Atë, fali se s’dinë ç `bëjnë!” - Pse, - tha ai me vete, - ata hajdutë, nuk e dinin se çfarë po bënin, kur mu vërsulën aq dhunshëm...? Sa njerëzve të tjerë paqësorë, ata mund t`u ishin vërsulur po aq dhunshëm, madje mund edhe t`u kishin marrë jetën? Ata i ishin futur një jete parazitare me vetëdije të plotë, duke imituar gjarpërinjtë helmues, që rrinë në heshtje e në përgjim dhe presin viktimat e radhës. A duhej të tregohej ai me shpirt aq të dobët ndaj tyre, vetëm sepse i hodhën si lëmoshë pak para, që edhe ato ishin nga paratë e tij? Jo, jo, ai s`duhej as t`i mëshironte dhe as t`i falte, ata doemos e meritonin ndëshkimin? “Të gjithë derrat, edhe andej, edhe këtej, një turi paskan!” - tha me vete ai,  duke u dhënë kështu fund lëkundjeve  dhe  nxitoi drejt rajonit më të afërt të policisë...

 

 

 

 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page