top of page

RRËFIM NË VETËN E TRETË


Vargje nga Luljeta Lleshanaku


Disa poezi të shkëputura nga vëllimi poetik “Fëmijët e Natyrës”, Luljeta Lleshanaku, shtator 2006


AUTOPORTRET NË SILIC

Portreti im nuk ka ndryshuar edhe aq, me kokën pak të anuar sikur kërkon ndjesë. Ndjesë për se, ndjesë për çfarë ndjesë se ndodhesha në vendin e gabuar, në kohën e duhur apo në vendin e duhur, në kohën e gabuar apo të dyja bashkë? Ndjesë se isha prani atëherë kur më ishte kërkuar të isha e padukshme. Mos e kërcit lugën kur ha, mos ëndërro me zë, atje ku digjesh- mos bëj tym, atje ku lahesh- mos bëj shkumë, atje ku shkërmoqesh- pendët merri me vete, atje ku shpirti rrëzohet me lastik të këputur nëpër këmbë, ik e mos i dil për zot, dhe, besomë, jeta është më e lehtë nëse je i padukshëm. Dhe unë ndoqa atë rrugë që mu tha. Qelq. Fillimisht isha xhami plot sharje i dritareve të shkollës fillore, që lexohej veç në ditë pluhuri. Më pas një monokël-ajo ç’ka besonte njëri sy, tjetri e vinte në dyshim. Dhe vonë fillova të shkruaj… Isha xhami i trashë i një teleskopi, që yjet t’i jep në pëllëmbë të dorës. Syri i njeriut po ai- i lodhur, dhe yjet po ato miliona vite dritë larg gjithsesi unë nuk jam një lajm i rremë, por, veç i parakohshëm, mashtrimi im është vetëm distancë. Mbase ndonjëherë nuk do të jem më qenia e padukshme, kufiri dredhacak midis dy botëve, do të kem zë, ngjyrë, e lexueshme edhe në një ditë me shi unë që e di mirë se një përkulje e ndrojtur koke para fotografit është vetëm alibi.

RRËFIM NË VETËN E TRETË

Ajo zë fill kur fillon të kërkosh një errësirë të ngjashme me veten, si rimën në vargun pasues, për pak muzikë, apo shkëmbim karboni si lulet në mbrëmje, ajo- njdesia e të qënit dyzet vjeç. Dhe është vetëm çështje stili, mënyra se si ato vendosen mbi njëra- tjetrën. Sepse nuk pritet më përplasje, dhe as zhurmë, goditja më e fortë tashmë është marrë, si statujat, së pari, e marrim atë në hundë. Një grua afër të dyzetave është një hije në kërkim të objektit një e folur në vetën e tretë; varg mësimesh, me shënime të vockla të kuqe djathtas, dhe nënvizimesh. Zbrazëtitë midis rreshtave janë mishi, si trupi -vendpushime të shkurtra, pas derës së dentistit nga ku hyn edhe del duhma e arsenikut. Përvojë.., përvojë.., përvojë, Zigzage të vogla, dhe sensi i së plotës me të cilin, krimbi i mëndafshit bren gjethet e manit duke u nisur nga maja. Ajo bën paqe me gjithçka: mban sirtarët në rregull, dhe bën joga, duke praktikuar shpirtin si një start ngjitjesh dhe zbritjesh. …kur i afohesh të dyzetave, Ose më mirë: nëse i afrohesh të dyzetave, sepse të jesh dyzet nuk është një ligj nganjëherë, por, një zgjedhje siç zgjedhim në park atë stolin me shpinë nga rruga nëse nuk presim dikë.

LIDHUR ME HIPER METROPINË

Mos më vër faj, nëse kam humbur sensin e të shikuarit afër. Jam rritur pa një puthje në ballë në mbrëmje para gjumit si gjiri i detit pa një liman. S’kam dëgjuar kurrë hapa të fshehtë poshtë dritares, dhe rrallëherë përshpërima në vesh. Ullinjtë në oborr, ishin pronë e shtetit; Kanotjere e bërë shoshë nga vrimat- gjatë dimrave më të begatë, dhe asnjëra prej kokrrave nuk mbërrinte në tryezë. Dhe s’jam trembur kurrë nga një gotë e thyer me shenjat e mia të buzëve- mund të kishte qënë një bestytni, -asgjë nuk thyhej, enët laheshin atypëraty. S’kam patur kurrë një sirtar që të mos lehte si kone e rrahur sa herë që futja duart. Dhe s’di se ç’është farfurima e një këmishe nate fshehurazi midis dhomave. dhe as se ç’është ngrohtësia e drunjtë e gjërave posesive si parmakët prej druri, që të çojnë gjithmonë pagabueshëm në katin ku ëndërrohet…,prekja e mendafshtë e astarit.., -sendet të cilat unë u përkas dhe më përkasin. Që atëherë, forca ime nuk vjen nga brenda por, së jashtmi, -një copë mish i tymosur në mëshirë të kripës dhe acarit. Dhe s’e kam ndjerë ndonjëherë shijen e ëmbël të fajit mbi vete dhe as atë të athtën e pendimit. Përderisa dhe ai, ndahej si hallva në ditën e përshpirtjes, me të tjerët.

DUKE NDJEKUR FILMIN E MBRËMJES

Duke u përkundur në kureshtjen e filmit të mbrëmjes të katër, ne , ngjajmë me copëzat e të njëjtit objekt të mëdha e të vogla, mbi një sitë të imët arkeologësh. Brinjë, bërryle, supe, gjunjë të mbështetur tek njëri- tjetri lirshëm dhe një iluzion që projektohet dridhshëm nga ekrani në arkitekturën tonë jonike prej mishi. “Ne mund të kishim qenë të lumtur” thua ti me të njëjtën dhimbshuri si të ishte fjala për qenin e shtëpisë, të lidhur në oborr, në një natë të frikshme kur vetëtimat ecin këmbëzbathur mbi thëngjij. Fikim dritat. Bëhemi gati për gjumë. Mendjet tona zverdhin si dy limonë në errësirë Të thartë, të hidhur, të pakënaqur nga vetja “Ne mundet të…, sikur…..! E fshihemi në një përqafim të pafrymë thjesht për të mos folur thjesht nga frika se do të na duhet të tregojmë një histori që ende nuk e njohim, ndërsa nuk ka asnjë të lehur qeni, në oborr.

VONESA E TURPIT

Thuhet, se qenë pikërisht parfumet, ngurrim për të lënë Versajën pa aromat e saj të preferuara trupore (kur kuajt hingëllinin rrezikun në oborr), shkaku që i mori jetën Maria Antuanetës. Një herë bagazhi im Mbërriti dy ditë pas meje në Dublin. Të brendshmet, këpucet numër 37, takëmi i higjenës tharësja e flokëve, këmisha e natës, valiumet, norvela e përthyer në faqen me gërma korsive dhe fustanet medium-petite, vërtiteshin të hutuara, analfabete në trasportierët e boshatisur të aeroporteve transit. Trupi është i ngathët; vështirë se të befason me kontinente dhe njerëz të cilët imagjinata jonë i kish zbuluar me kohë. Dhe gabimisht mund të mendosh se kur je i ri, i bukur e gjithë shëndet, është trupi që paraprin. Kujto sa herë ai është lënë i vetëm në qilimin e kuq si aktor episodik, nën zhgënjimin e kamerave. I ngathët, por dinak, ai gjuan rastin për të të mbërritur. Ja kështu, në momentet e mia të hezitimit erdhën në jetë fëmijët. Dhe kopshti mu zgjerua me të tjera stinë, tabela, dhe të tjera mëdyshje.


***

Luljeta Lleshanaku u lind më 1968 në Elbasan, dhe u rrit në një familje në internim, për shkak të oponencës ndaj regjimit të imponuar nga diktatura komuniste shqiptare. Ka mbaruar studimet e larta për Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës dhe ka qenë kryeredaktore e revistës së përjavshme “Zëri i rinisë”. Më pas, ka punuar për gazetën letrare “Drita”.

Në vitin 1996, merr çmimin për librin më të mirë të vitit nga shtëpia botuese “Eurorilindja”. Në vitin 1999 merr pjesë në “International Writers Program” në Universitetin e Iowas. Është autore e katër koleksioneve me poezi; një prej librave është përkthyer në anglisht nga Henry Israeli, me titullin “Fresco” botuar në New York, nga shtëpia botuese “New Directions 2002”. Jo vetëm gjuha angleze ka ndërmjetësuar njohjen e poezisë së saj dhe jetës shqiptare jashtë kufijve të Shëipërisë, por edhe përkthimi në gjuhën italiane, kroate, polake të disa prej veprave të saj.

Peter Constandinë shprehet për poezinë e Luljetës :

“Pra, një nga elementët që e dallon poezinë e Luljeta Leshanakut nga të tjerat është mungesa e ndonjë komenti politik apo social. Larmia e pashoq e tematikës së poezisë së saj, që shmang reagimet sempliste ndaj të kaluarës së tmerrshme dhe të tashmes dhe të ardhmes së pasigurt, ndoshta përbën një nga cilësitë që ju siguron veprave të saj një vend ndër klasikët bashkëkohorë të letërsisë botërore. Ajo ju flet intimisht lexuesve, gjë që përbën tiparin dallues të poetëve të vërtetë, të aftë të tejkalojë çdo kohë e kulturë.”

439 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page