Mihal Gjergji: BALADË PËR MESTAN UJANIKUN
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 17 hours ago
- 1 min read

Nga Mihal Gjergji
Shfryn’ Baba Tomorri
pyet Ujanikun:
Ku humbi Mestani
që s’e njihte frikën?
Krismat e një trimi
kujt i prishën punë?
Në s'i shkonte fjala
kisha shkrepur unë...
Si s'gjete vend varri
afër perëndisë?
Pse t’u bë Skrapari
si shkëmb i Skithisë?
Në një portë balade
të pret çeta plakë
Me një zë komande
shtigjet ndizen flakë
Pas të ndjek jot shoqe
foshnjën brenda djepit
Fatin e mbërtheve
tek rryp i dyfekut
Sipër tradhëtia...
ja nxinë jetën birit
Për ty Shqipëria
dhimbje brenda gjirit
Heshti Kahremani (!)
s’folën skrapalinjtë
Nxin katil fermani
që nxirosi bijtë
Brenda një bodrumi
busti yt bën gjumë
S’derdhet Ujaniku
dhe t’i mbyt si lumë!
Lisat tundin krahët
mbi honet e thella
Ku shkuan bajrakët
që mbronin kështjella?
Tok me kujen tënde
klithin mijëra zëra
Bashkë me 'Çetën plakë"
I humbëm të tëra!
(Skrapar, Korrik 2017)
P.S: Mestan Ujaniku, luftetar i shquar, komandant i çetës plakë të Skraparit, mbas çlirimit dënohet si pjesmarres me "grupin e deputetëve" dhe vdes ne burg. Eshtrat e tij ende s'janë gjetur. Busti i ketij atdhetari s'ështe pranuar nga drejtuesit e pushtetit vendor të Skraparit (!), edhe pse Mestani eshte vleresuar nga Presidenti i Republikes A. Moisiu.
Komentar