Roland Gjoza: Duan ta vrasin Xhevon …
- Mar 8, 2025
- 7 min read
Updated: Jun 28

(Arkiva te Fjala e Lirë, Londër, 22 dhjetor 2008, 00:34:04 GMT)
GËZHOJA: Ese për Xh. Spahiun
Duan të vrasin Xhevon. E ndjekin këmba-këmbës për ta vrarë. Ishte një trill, padyshim një fiction, se nuk ta priste mendja të vrisnin një poet. Ishte ‘97-ta. Çdo gjë mund të ndodhte. Xhevo është zhdukur. Ndoshta e kanë vrarë. Ç’kanë me Xhevon? pyeta, po s’mora përgjigje. Atë kohë ishte në modë Beketi. Pritej një Godo të ndante paratë e humbura në piramida. Po Godo qëlloi trafikant, horr, xhelat, ai nuk erdhi dhe nuk ndau asgjë. Paratë u vodhën. Xhevo ishte atje, në sheshe, mbronte turmën. Ishte me turmën. Me të vjedhurit. Kështu ka bërë gjithmonë ai kokëkrisur.
Ecte si i handakosur, sikur t’i kishin borxhe, po më fort ai të kishte borxhe, që ia ngrinin leshrat përpjetë. Ndalonte te kiosku ngjitur me shkallët e Pallatit të Kulturës dhe shfletonte me rrëmbim gazetat. Pastaj shkonte të pinte kafe te Europa. Fliste, broçkulliste, pa fre ajo e shkreta gjuhë. Ç’thoshte? Vargje. Po s’ishin ato të parat, krejt ndryshe këto të dytat, tërë malet e Shqipërisë, nga Tomorri deri te Pikëllima, gremiseshin gjëmshëm në gjoksin e Xhevahir Spahiut. Ai s’kishte më gjoks. Ia kishin prerë, në zgavrën që i dukej menxyrshëm grindeshin erërat e maleve me borë. Keni parë njeri pa gjoks? Ai është Xhevo. Ia kanë marrë në vend të borxheve që ka.
Më besoni për këtë që ju them. Ja si ndodhi. Po shkruaja një skenar për një koncert me këngë të Ardit Gjebresë. Tekstet e këngëve i kishte shkruar Xhevo. I kishte qarë. S’bëheshin më të bukura. Aranxhimet ishin të Gaxibos, këngëtarit dhe kompozitorit të njohur italian. Në skenën e Pallatit të Kongreseve ishin vënë dy shandanët e mëdhenj të katedrales së re, përplot me qirinj të ngulur në hi. Ishte si një requiem. Xhevoja nuk dukej gjëkundi. E ndiqnin. Po ç’kanë me Xhevon, xhanëm? Pas shumë përpjekjesh arrita ta takoj. Në shtëpinë e Arditit. Një klandestin. Për të kishte filluar qyshkur koprifuoko. Sa binte muzgu i parë, në 4 pasdite. Rrinte në këmbë pranë pianos, me një fytyrë të mprehtë nga rreziku. Ishte vërtet në rrezik. Më tregoi gëzhojën. Ja, këtu, m’u pranë shtëpisë së Arditit më qëlluan. Donin të më vrisnin. Unë nuk di ç’u kam bërë. Thashë të vërtetën. Gjysma më quajti hero, gjysma tjetër tradhtar. Ata budallenjtë kujtojnë se do të më thyejnë. Unë jam regjur me ndëshkimet.
Zgjimi i thellësive, libri me poezi, iu bë karton. Më duket se ishte viti ‘76. Unë isha në Pukë. E bleva librin në librari. Të nesërmen erdhi urdhëri të futej libri në thes dhe të dyllosej. E kishte kritikuar Enver Hoxha. Që atëherë Xhevos nuk iu besua si më parë. E kishte marrë goditjen në gjoks. Ia kishin hequr një pjesë. Nga Zëri i Popullit në Lidhjen e Shkrimtarëve e prej andej në prodhim. Po kush mund t’i rezistonte poezisë së Xhevahirit? Ai edhe Kaligulën do ta kishte bërë një çast njeri. Njeri me dobësi delikate. Madje dhe kalin e tij. Poetëve të mëdhenj koha u bie ndër gjunjë.

Ai brenda në atë gëzhojë kishte futur një poezi. Pak a shumë ishte kjo: që kur vritet populli, bashkë me të vriten dhe poetët e tij. E nxori fletushkën, ma lexoi me tronditje dhe emocion të ankthshëm dhe sërish e futi në gëzhojë.
Eh, Xhevo, a harrohet ai djaloshi i gjatë, i hajthëm, shtrirë gjatë e gjerë në vagonin e trenit Tiranë-Durrës, aspak i ndrojtur, tejet provokativ; “O djema, shkruani përditë?” Ç’pyetje! Natyrisht që shkruanim përditë. “Unë”, tha ai, “kam nëntë muaj pa shkruar poezi. S’vjen frymëzimi.” Ç’poet është ky, thamë ne. Dhe qysh prej asaj kohe e mora zet, më dukej poet i zakonshëm. Nuk i kushtova vëmendje. Unë isha për lëmimin e fjalës, estetikën e saj. Po libri që iu bë karton, ai i anatemuari Zgjimi i thellësive, krijoi trysni tek unë, më bëri të ndërroj mendim. Ciklet e tij nëpër gazeta ishin gati ngjarje si poezitë e Kadaresë. Ai njohu vetëm ngritje, me një jetë tejet të trazuar, që e ngacmonte vetë, e ndillte si demin në korride.
Ai mbante në dorë gëzhojën. Në pëllëmbën e tij me vija fati të prera kryq e tërthor. “Patjetër do të flas”, tha, “është koha të flas për plumbin që s’më mori, nuk kam frikë të vij atje.”
I kishte kthyer dy-tri gota, se Arditi të priste shumë mirë. I shkëlqenin sytë, jo me urrejtje, po me dashuri të krisur, poeti që harron, ngaqë e mund furia magjepsëse e frymëzimit ngadhënjyes. Ajo raki e Skraparit ishte ilaçi. Arditi qeshte, i vinte shishen në dorë, Xhevo deklamonte vargje, i papërmbajtshëm, rebel i pandreqshëm, gati për flijën e turmës. O Zot, fatet ishin të paracaktuara.
Ishte vjeshtë, era merrte plehrat e rrugës dhe i përplaste kuturu, pluhur, duhmë shishqebapi, bërxolle, thartirë, vetmi, ankth, kotësi, ecja pa qëllim ku të më çonin këmbët, doli Xhevo nga një klub dhe ma bëri me dorë. Hyra brenda. Një djalosh province me torbë në krah, krejt i hutuar, e shikonte me përvuajtje si murgu i ri Dalai Lamën. Në tavolinë ishte një shishe dylitërshe me raki të nisur, një kokërr qepë e madhe e qëruar dhe e shtypur me grusht. Ca kripë, ca piper i kuq. “E shikon, mo Roland, vjen nga larg për të takuar Xhevon, i ati e ka çuar, i ka dhënë këtë rakinë ballë kazani për Xhevon dhe ky djalosh, një mësues i ri, ç’nuk më thotë, më quan poet kombëtar… nuk e njoh as babanë, as këtë…” Ishte krejt në dalldi. Pinte si i shkalluar nga mirënjohja, i prekur tronditshëm në damarin e çmendur të poetit, që e bëjnë foshnjë fjalët e mira. E pyeta djaloshin: “Ç’punë bën babai?” “Mjeshtër hardhish, bën rakinë më të mirë në botë. Më tha: çoja Xhevahir Spahiut dhe thuaji që është poet kombëtar si Dritëro Agolli.” Nuk e kisha zili Xhevon, sepse për mua ai ishte vërtet i tillë, po nuk e kuptoja ç’kishte pushteti me të. Ata ia bënë karton librin, këta e kërcënonin me vdekje. Kur dolëm jashtë, rakinë që mbeti në shishe Xhevo ma la mua. Ta shikonit si më pa djaloshi, pastaj si pa Xhevon me zhgënjimin e murgut të ri për një idhull të rremë. Unë isha një përfitues i padenjë dhe kjo s’duhej të ndodhte kurrsesi, se prishej amaneti i babait. Ma mori nga dora shishen dhe ia dha Xhevos: “Është vetëm për ty”, i tha. Xhevo e kuptoi, e mori shishen dhe e ftoi djaloshin në shtëpi.
Tani ai rrinte i mbështetur te pianoja e Arditit dhe dëgjonte vetveten. Shpikte vargje, krijonte një poezi të re, me ca qirinj të tkurrur, me një natë plot rreziqe, trokiste portë më portë dhe, si hapeshin, trokiste në hënë dhe brofte agullimi, një natë me shumë agime, që vinin veç për të zbardhur detin e zi, që s’zbardhej gjithsesi. Një natë me ullishta që kalonin detin bashkë me të ikurit, një natë… A e mban mend, Xhevo, këtë poezi?
E shikoja shpesh të vetmuar, po jo melankolik, shpërfillës, shpërthyes, asnjëherë ankues, përherë revoltues, opozitar i pakorrigjueshëm, s’hante pykë, se mbante, po e nxirrte fjalën, fjalën e lirë, mjerisht të përgjakur, sepse liria ende s’ka ardhur. Ai është opozitar i përjetshëm. Edhe vetë Krishti të vijë e të vendosë drejtësi, ai do të kundërshtojë dhe Krishtin. Atë e keqkuptojnë gjithmonë. Dhe gjithmonë kanë për ta keqkuptuar. Pse? pyes veten, ai nuk është konformist, as komunist fanatik, që të bëjë keq, siç duan t’ia sajojnë ca partipoetë, që iu ka marrë koka erë, ai mund të jetë i majtë, siç janë përgjithësisht artistët, se iu dhimbset i dobëti dhe vuajnë nga padrejtësitë. Xhevo është i bezdisshëm, aspak komod, mban një kostum me të njëjtën ngjyrë gri me qiell të përzier bashkë, bëhet copë për tjetrin, i qan zemra për Tomorrin, fshatrat e humbëtirave varur në brinjë e bokërrima, është me atë që s’është trilluar ende, me partinë e poetëve, që s’vjedh, po jep, që s’gënjen, po thotë të vërtetën, që s’fshihet, po del në shesh me turmat dhe, në qoftë se populli vdes, vdes dhe ai dhe mbetet. Se poeti mbetet. Po sot poeti është i përjashtuar, ai nuk i duhet kurrkujt, më mirë të zërë vend te qiejt e Darkës së Fundit të Mikelanxhelos. Ai i takon përjetësisë. T’i lërë vdekëtarët të hanë si krimba bananen e pushtetit dhe të kombit, ç’të bëjnë tjetër ata të gjorë, të përkohshmit, pa atë shenjën blu, që i pret balta, po jo memoria e popullit. Kjo është lufta.
Fillon koncerti, digjen qirinjtë si në një requiem, këndon këngëtari vargjet e poetit që mban në dorë gëzhojën e plumbit, të atij plumbi kobzi që donte ta vriste. I vjen radha poetit të tregojë historinë. Ç’do të thotë ai? A i ka poetët me vete sonte? Po njerëzit e thjeshtë që e kujtojnë me ndonjë peshqesh fshati?
Sot bëhet ç’është e mundur që të harrohen poetët. Ata lihen të vuajnë për bukën e gojës. Cironka proverbiale e De Radës llapashitet në gotën e pijetoreve të pista. Bëj një pyetje të thjeshtë: Ku do të botojë sot Xhevahir Spahiu, në cilën gazetë mund të dalin ciklet e tij? Kush më përgjigjet?
Koha më e keqe për poetin. Koha më e çmendur.
Të jesh poet i madh dhe të ndjehesh i përjashtuar. Edhe kur të bëjnë akademik. Një titull bosh. A është në gjendje ky titull t’i rikthejë poetit autoritetin e vjedhur? Të mos jesh në gjendje të bësh një jetë normale, pa privacione vulgare ekzistenciale. Të mos jesh në gjendje për asgjë. Edhe kur pi një kafe a një gotë raki të të dridhet dora, megjithëse je akademik. Poetit të gjorë nuk i shkon mendja si të bëhet i pasur, po si ta bëjë vargun sa më të bukur, sa më të ndjerë, sa më të vërtetë. A hahet sot kjo logjikë e krisur? Po, kjo është logjika e kostumit gri me qiell të përzier bashkë.
I vjen radha poetit. Nxjerr gëzhojën dhe e mban lart me dy gishtërinj. Tani do të tërheqë fletushkën me poezi që është aty brenda, mendova, do të lexojë vargjet e mrekullueshme. Ai tha:
“Përballë këngës ky plumb nuk vret më. A i shkon mendja njeriut të vrasë sonte? Jo, nuk të lë Arditi, Gaxibo, grupi popullor, ky publik. E flak këtë gëzhojë, që s’vrau dot, se e vrau më parë poeti.”
Nuk e harroj atë natë. Vërtet ai plumb nuk e vrau Xhevahir Spahiun, po ciflat e tij e përzhitën.
Me ciflat e tij ka punë ai, kemi dhe ne.








Comments