top of page

Robert Martiko: SHTEGTIMI I KRILLAVE

SHTEGTIMI I KRILLAVE


Nuk bëri zë kur e rrëmbyen.

Fytyra e tij mbeti siç ishte — e kthyer nga dritarja,

ku një rreze në mbrëmje shuhej ngadalë në murin e zhveshur.

Ai nuk deshi t’i shmangej ligjit,

por as nuk e njihte.

Në heshtje, e ndoqi hijen e vet në korridorin e gjatë,

si të ishte ajo gjykatësi i vetëm që e pranonte.

Brenda tij kishte nisur prej kohësh Procesi —

i heshtur, pa aktakuzë, pa datë,

një Mister që e shoqëronte si hije.


Kurse të tjerët —

të njohur si zëra të vendosur, me flamuj nëpër festa —

që sot i gjen në hollin e ndërtesave të vjetra,

me përkthyes pranë,

me dosje nën sqetull,

duke shpjeguar bindjet e djeshme si strategji të ditës.

Nesër ndoshta do flasin për një ideal të ri,

nën një tjetër emblemë, me një tjetër titull.


E shtegtimi i tyre nuk ndalet:

nga një pushtet te tjetri,

nga Buran i akullt te Zefiri i butë,

përherë me informacionin në buzë.


Spiuni ngjan me lëvizjen e përjetshme të krillave,

tufa të pafundme, që rrjedhin pa ndjesi nën det,

të udhëhequr jo nga mendimi,

por nga një ftohtësi e thellë,

një instinkt i vjetër sa qiejt e lëngët.


Por Ai, — ai që s’e mbrojti as veten,

e që s’mori rrugë tjetër veç asaj që i qe caktuar,

ai mbeti aty, në mes të pyetjes që nuk mbaron:

a është e mjaftueshme ndershmëria,

kur koha vetë është një mospajtim i thellë?

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page