Retrospektiva e një eventi
REPORTAZH NGA BUNECI NË PROMOVIMIN E NJË LIBRI.
Nga Agron MEMA
Jemi mbledhur miq dhe shokë pikërisht aty ku buron lumi dhe zë fill lugina e grykës së Bunecit. Nën freskinë e lumit burimor autokton të Bunecit, ku rrjedhat e tij përshkojnë luginën deri në plazhin e bunecit, tek lokali i Niko Memit, nën hijen paqësore të ullinjve, freskinë e shelgjeve, hijeshinë e pjekjes së frutave të stinës, të shumëllojshme përreth, promovojmë librin e mikut tonë, Mentor Serjani. E shfletojmë vëllimin, pasi ende nuk e kemi lexuar, dhe nëpër tituj dhe rreshta gjejmë gjurmën e rrugëtimit të jetës së poetit, ndjesitë, përjetimet, kujtimet, dedikimet, dashuritë e ëndërruara dhe të realizuara. Në rrjedhën e lumit të Bunecit kridhemi “ në rrjedhën e lirakeve të jetës”, vëllim poetik i mikut tonë të mirë Mentor. Një harmonizim rrjedhash mes valëve lumore dhe lirikave poetike. Ndjehemi mirë. Trokitje gotash në tryezën e bollshme me meze dhe pije të perimetrizuara në urime miqësore , urime që rrjedhin nga shpirti dhe zemrat tona. Një takim që kalon përmes rrjedhash; rrjedha të valëve lumore, rrjedha lirikash, rrjedha urimesh, rrjedha kujtimesh, rrjedha përshkrimesh, por edhe rrjedha brengash të djeshme e të sotme, rrjedha mendimesh e opinionesh për të sotmen e për të arthmen. Rrjedha e vetëm rrjedha, sepse po rrodhi lëviz dhe ku ka rrjedhur do pikoj. Poezia është evolucion dhe ushqim i shpirtit. Në krye të trapezit kemi të urtin e të mënçurin Etem Memi me buzëqeshjen dashamirëse , vështrimin e ëmbël dhe bisedën plotë klorofil filozofik popullor të tij që vjen tek brezi ynë si një përvojë e vyer jetësore. Në krah i rri Qëndrim Rezvani, energjik dhe debatues për problemet e kohës. Autori Mentor Serjani merr pjesë hera –herës si katalizator i debatit jetësor dhe artistik. Në krah të tij është ulur ish kreu i komunës së Lukovës , Vladimir Kumi, njeriu që me dashamirësinë e tij dha kontributin e vyer e të çmuar në promovimin dhe mbështetjen e vlerave artistike e letrare të zonës.
Mes nesh është edhe biznesmeni Agron Papagjika me këndshmërinë e një dollixhiu dhe muhabetçiu tradicional. Mes të gjithve djali i poetit me një vështrim thithës si letër lakmusi ndaj bisedave tona. Por kemi dhe lezetin e trapezit, se ëmbëlsira lihet për në fund; poetin dhe fabulistin e njohur Vasil Gjivogli, i urtë, dashamirës dhe aktiv në promovime, mbështetës të talenteve të rinj dhe ish mësuesi ynë i letërsisë. E shohim si i lodron në sy krenaria dhe lumturia për nxënësit e tij dhe nuk nguron ta shpreh mes gotës së urimit nëpërmjet mijëra dritza kënaqësie nga bebja e syrit. Është edhe publiçisti dhe liriku Ideal Serjani, krijuesi enigmatik dhe proverbial, filozofik dhe opinionist, vëllai i autorit. Një tryezë e këndshme nën magjinë e artit dhe dashamirësisë dhe respektit miqësor. Buneci rrjedh dhe mendimet tona zhyten si padashur në rrjedhën historike të tij.
Aty heshtin gjëmat, bëmat dhe trimëritë, mirësitë dhe prapësitë, pse jo dhe “mëkatet” e rinisë, ndaj zoti i ka dhënë një terren me pesë kaskada se me një nuk i rezervonte dot të gjitha. Dhe të gjitha këto dalin prej valëve të lumit freskues duke vallëzuar qiejve të zemrave tona, duke mbjellur vetëm lule në sytë tanë, vetëm dritë dhe liri me aromë paqeje. Dhe neve të gjithë aty , duke trokitur gotën ju themi valëve : Të paqtat tona, ju paçim përherë, ora juaj në çdo kohë troket si për kujtesë sepse as gëzimi dhe as dhëmbja nuk kalohet vetëm duke e dëgjuar. Gëzimi dhe dhimbja marrin kuptimplotin emër vetëm kur na prekin në ndjesinë tonë, në zemër. Mes historisë së Bunecit të gjithë aty fikim llambat dhe ndezim sytë. Kështu e shohim më mirë historinë që vjen që nga mali i Lavanit, nga xhamia e Harcës tek rrjedha e lumit, nga pikëllimi që fusha e luginës, dje hambar pemësh drufrutor, sot , një demon i padukshëm ose siç thotë poeti Ideal Serjani “manipulator të djallëzuar që djallëzinë e shesin për mënçuri” e kthyen parajsën jeshile joniane në një vend të shkretë ku vetëm disa ngrehina përpëliten të flasin me gjuhën e turizmit.
Si çdo fillim që ka një fund, edhe ky takim miqësor merr fund. Rruga e kthimit për në Sarandën tonë zhurmëmadhe në sezonin veror, nuk mund të përshkohet pa përsëritur ndjesitë dhe përshtypjet tona nga ky takim promovues. Dhe natyrisht edhe falenderimin për sebeplliun, Mentor Serjani. Urime dhe suksese miku ynë, sepse thamë se do rrije mënjanë nga tre vëllezërit e tu, po e plase më në fund “gjylen e madhe”. Them këtë se vëllezrit e tu janë shërbestarë gojëart të shpirtit njerëzor; Ideali poet dhe shkrimtar, Ajeti në mjekësi shëronjës jo vetëm me medikamente po edhe me fjalë, Jakovi piktor dhe publiçist, tani ju bashkove dhe ti si poet, duke krijuar familjen e madhe të artit, jo vetëm në fshatin e vogël Sasaj, po në Bregdetin e madh e më tej. Urime të përzemërta!
תגובות