Ramazan Hushi: Pasqyra
- 2 days ago
- 8 min read

Sapo kishte dalë klienti i fundit nga lokali i tij i vogël, por luksoz, dhe berberi, i kënaqur si duket, sepse punët e kishin ecur mirë, po thoshte me vete ta mbyllte e të shkonte në shtëpi për pushimin e drekës, befas u fut brenda një person i çuditshëm. Fytyrëqeshur, me sy të shndritshëm e të pafajshëm, aq sa nuk mund ta ktheje mbrapsht. Dukej i nxituar. Kishte hedhur në krah një çantë të bukur sportive, por edhe vetë ashtu ishte veshur, sportiv, gjë që i shkonte shumë. Mund të ishte rreth pesëdhjetë vjeç a diçka më tepër, por i mbajtur mirë dhe i pashëm. Ai përshëndeti natyrshëm “Mirëdita!” dhe pyeti në se mund t’i harxhonte të zotit të lokalit nja dy- tri minuta, sa të shikonte veten në pasqyrë. Pastaj shtoi me çiltërsi se për këtë veprim natyrisht ai do ta paguante, kurse berberi, një mesoburrë, aty e aty në moshë me të, me flokë të lyer me bojë të zezë dhe me favorite të gjata, duke pasur përshtypjen e parë se kishte të bënte me ndonjë maniak a narcist, i tha me mirësjellje “Posi!”, pastaj me takt u largua pak më tutje, duke bërë sikur rrëmonte diçka në një sirtar komodine.
Klienti qe përqendruar tashmë përpara pasqyrës, prekte me gishtërinj faqet e tij, mjekrrën, gushën, veshët, flokët; e kthente kokën sa majtas-djathtas, kurse berberi e këqyrte me bisht të syrit dhe po i përforcohej ajo përshtypja e parë për këtë klient të rrallë. Atëherë mendoi: duket që është leshterik, përderisa vjen e futet në një berberhanë vetëm sa për t’u parë e për t’u rregulluar në pasqyrë! Kishte edhe aty në qytet, tek-tuk, tipa të tillë, që ishin klientë të tij, por që e bënin shpesh këtë veprim, ata madje bëheshin edhe të mërzitshëm, sepse i kërkonin ustait edhe ndonjë shërbim “të vockël”, si, fjala vjen, t’i priste me gërshërë pak leshrat mbi vetulla, në hundë apo në veshë, t’i rregullonte pak mustaqet a favoritet, dhe largoheshin prej aty vetëm me një “faleminderit”. Mund të ishte edhe narcist. Hëm, po thoshte me vete berberi, këto “faleminderit” nuk më shërbejnë për t’u blerë bukë kalamajve! Pastaj ai si duket e humbi durimin, sepse drejtoi kurrizin e sytë i nguli nga klienti. Kurse ky ishte përqendruar krejt përpara pasqyrës, diçka mendoi, pastaj u kthye nga berberi e i tha me ton gazmor:
-Po sikur t’i fusim një të rruar kësaj mjekrrës time, usta? (Berberi ngriti supet.)Unë vërtet u rruajta sot në mëngjes, por duket se për pak orë qimet më kanë mbirë prap! Hë, si të duket ty?
Berberi iu desh ta hetonte më hollë për pak çaste me vëmendje nëpër faqe dhe deshi t’i thotë “Mua më duket se nuk ke nevojë për...megjithatë..”, por e pa të udhës më mirë t’ia plotësonte dëshirën. Mund të shkonte pak më vonë në shtëpi. E mori këtë vendim, jo se ishte kurrnac, që s’donte ta humbte rastin t’i largohej i ardhuri, por atij iu duk se klienti dëshironte me ngulm të ishte sa më i rregullt në pamjen e tij e, sidomos, të fytyrës dhe për këtë ai, si berber, e gjykoi të drejtë kujdesin e tij. Ai u thoshte shpesh klientëve që vinin e uleshin në kolltukun e tij: “Kujdesi dhe respekti i njeriut për të tjerët, por edhe për veten përcaktohet nga fakti se sa herë shkon e futet ai në berberhanë dhe sa herë e sheh veten përpara pasqyrës.”
Me uljen e klientit në kolltukun e berberit, fillon akti i dytë, që nis me pyetje e përgjigje të shkurtra, në fillim të përgjithshme, pastaj personale (Nga të kemi? Nga vjen? Çfarë pune bën? Përse ke ardhë këtu?..) e më pas kalohet në tematika të ndryshme, si për sportin, politikën, për emigracionin, për aksidentet e shumta, për vjedhjet, divorcet etj, etj. Tashmë ajo ndrojtja e aktit të parë, e hyrjes në lokal, largohet shpejt, pa u ndier fare. Por berberi nuk deshi ta pyeste se nga ishte e përse ndodhej ai njeri në qytetin e tyre, (dikur një klient i tillë, tip psikopati, ia kishte kthyer mbrapsht përgjigjen: “Pse, mos je nga ata të sigurimit ti, që më kërkon mua të tregoj se nga jam e përse kam ardhë?! Ti bëj punën tënde dhe unë për atë të paguaj!”), por fjalët e para të tij ishin rutinë:
-Kohë e bukur sot. Këto janë shenjat e beharit.
Klienti vetëm sa pohoi me kokë, për mirësjellje, por dukej qartë që tashmë i kishte shkëputur kontaktet pamore me pasqyrën dhe mendjen e kishte tjetërkund. Këtë gjë e kuptoi si duket edhe berberi. Sepse, gjykonte ai, çdo njeriu mund t’i ndodhë nganjëherë, që aty përpara pasqyrës i ka ngulur sytë, kurse mendja, pa përfillur askënd, i del nga topthi i kokës e i fluturon diku larg, duke lënë në baltë kështu miqtë e saj më të çmuar, sytë.
Atëherë, si të gjithë berberët, ai “ndezi gramafonin” e tij dhe nisi t’i jepte të ardhurit informacione të shkurtra për qytetin dhe njerëzit e tij. Po i thoshte që në qytetin e tyre kishte njerëz të mirë, të ditur e mikpritës, por kishte edhe batakçinj, hajdutë, mashtrues e intrigantë, qylaxhinj, kishte hipokritë e debila, kishte njerëz që vuanin nga komplekse e delire, kurse klienti ia preu shkurt vrullin, gjithnjë me atë tonin e tij gazmor, se kjo ishte diçka e natyrshme në të gjithë botën, se një qytet nuk rron dot pa këta njerëz, se jeta në qytet do të ishte tepër monotone pa të tillë njerëz, se duhet të ekzistojnë këta tipa, që të ushqehen një armatë policësh, avokatësh, hetuesish, deputetësh, sekserësh, pronarë lojërash fati a pijetoresh, botuesish, librarësh etj. Pas këtyre fjalëve, klienti si duket u zhyt thellë në dallgët e mallit e kujtimeve të së kaluarës. Në këto rrethana, berberi futi në punë imagjinatën, për t’ju afruar sa më shumë së vërtetës për arësyen e ardhjes së tij në qytet, duke marrë shkas nga dy rruarjet e mjekrrës brenda katër-pesë orëve etj. Por një shprehje e rastit e klientit “Ka ndryshuar shumë ky qytet!” sikur i hoqi një pikëpyetje berberit nga hamendjet e tij. Pra kishte të bënte me një klient, që mund të ishte ndoshta bashkëqytetari i tij, i larguar para disa vitesh në emigracion. Ose po kalonte tranzit nëpër qytet, kishte për të takuar aty ndonjë mik a kushëri dhe pastaj do ikte për diku. Por për një gjë ishte gati i sigurtë: ai njeri po shkonte në një takim! Për ta bërë më të afërt praninë e tij, berberi e spërkati atë me parfum lehtë nëpër faqe, kurse tjetri, i kënaqur nga ky veprim i tij, jo vetëm i dhuroi një “faleminderit” të ngrohtë, por i dha edhe informacione të tjera për veten, ndonse të papërcaktuara: -Po më duket vetja sikur më bëre dhjetë vjet më të ri, usta! Të lumshin duart! Kështu dua të dukem sot: i ri, i bukur, me erëra të mira. Njeriu gjithmonë dëshiron të jetë i bukur në jetë, apo jo? Jo vetëm kur është i ri, se në atë moshë e ka të shkruar gjithandej bukurinë, por edhe kur plaket, madje atij i pëlqen të jetë i bukur edhe kur është në grahmat e fundit të jetës. Sidomos në një takim. Apo jo? Pikërisht pas këtyre fjalëve të klientit, berberi e pati në majë të gjuhës atë pyetjen që e bëjnë të gjithë berberët për klientët e panjohur “Për ku je nisur kështu?”, sepse tjetri i kishte dhënë vetë rast. Por, për çudi, këtë radhë buzët nuk i lejuan këto fjalë të dilnin nga goja e tij. Mund të ishte emigrant e po kthehej në shtëpi? Ose po shkonte në takim me ndonjë grua të bukur, që e kishte ta dashur prej kohësh? Ose në ndonjë banket familjar? Ndoshta po shkonte në ndonjë takim me ish-shokët e shoqet e gjimnazit, pas tri a katër dekadash? Ose mund të ishte nga ata beqarët e vonuar e po shkonte në takimin e parë me ndonjë femër, me të cilën ishte njohur nëpërmjet telefonit në programin “Aldo morning.”? Jo, jo, tha pastaj me vete berberi, se në fytyrën e tij ka një lloj lumturie të veçantë, në sytë e tij mezi lexohet një lloj malli i fshehtë, ku nuk shquan dot nuanca erotizmi, as nuanca atërore. Të gjithë hamendësimet e tij kishin të përbashkët fjalën “takim”. Dhe dihet, që çdo takim mbart me vete emocione, pozitive ose dhe negative. Para çdo takimi, njeriu shkëputet nga realiteti dhe bëhet rob i imagjinatës. Koha dhe hapësira marrin të tjera përmasa dhe ai pret me padurim të përjetojë ndjenja dhe emocione të reja.
-Ah, mezi po pres..- shqiptoi si me vete klienti, duke përkëdhelur me mollëzat e gishtave faqet e tij të buta e të parfumosura. Në ato çaste edhe vetë berberit iu duk ai njeri vërtet dhjetë vjet më i ri. Po ç’ishte ai takim që e bënte atë të dukej i lumturuar, nga gishtat e këmbëve deri në majat e flokëve? Ç’ishte ai adhurim për pasqyrën, si të ishte pasqyra magjike e përrallave të vjetra, që tregonte gjithçka? Berberi ia dinte mirë vlerat pasqyrës në zanatin e tij, por ai nuk e dinte që aty para pasqyrës njerëzit padashur shfaqen me gjithë sinqeritetin e naivitetin e tyre. Aty ata nuk mund ta fshehin dot asnjë të metë që kanë brenda vetes, gjë që në jetën e përditshme e kanë shumë të lehtë ta bëjnë këtë.
Tashti vjen dhe akti i tretë: jemi në çastin delikat, kur klienti futi dorën në xhep dhe nxorri kuletën të paguante; u panë një çast sy në sy me berberin, të dy buzëqeshën në heshtje e mirëkuptim për njohjen e shkurtër që patën, emocionin që i bashkoi në ato pak minuta dhe atëherë klienti, i cili kishte mbetur i kënaqur nga i zoti i lokalit, bëri një shaka të natyrshme: -Po ti çfarë berberi i çuditshëm qenke, që nuk më bëre as edhe një pyetje, siç e kanë zakon të gjithë berberët? Një pyetje të bëje, të paktën! Nuk do ta besoj kurrë të ketë berber në botë, që mos t’i bëjë pyetje klientëve.
I zoti i lokalit buzëqeshi mirësisht dhe deshi t’ia kthente atij me shaka: “Por edhe ti nuk më the asnjë përshtypje për pamjen luksoze të dyqanit tim, gjë që ma thonë të gjithë! As për shërbimin që të bëra me zemër të pastër, sepse më bëre për vete me çiltërsinë tënde!” Sepse vërtet ai qe prekur thellë nga fjalët e tij të sinqerta, por u ndie edhe ngushtë brenda vetes përballë çiltërsisë së klientit. Ngriti pak supet dhe tundi kokën në mënyrë të papërcaktuar, gjithnjë me atë buzëqeshjen e tij të kuptimshme, si t’i thoshte tjetrit: “Ti ke të drejtë, or mik, por nuk doja të hyja brenda ndjenjave të tua, brenda gëzimit tënd! Më vinte mirë që të shihja kaq të lumturuar aty para pasqyrës, kaq të dëshiruar për një takim, të cilin e ke pritur me aq padurim.” Klienti i dha në dorë një pesëmijëshe të vjetër, berberi deshi t’i kthente reston, por tjetri nuk ia pranoi. Pastaj i rrëfeu shpejt e shpejt që kishte ardhë nga Amerika, për ca dokumente pronësie, jetonte atje prej disa vitesh, i martuar e me fëmijë të rritur, punonte dizenjator në një fabrikë të madhe atje dhe ndiehej shumë mirë.
-...Në shtëpi këtu më pret nëna, se babai na ka vdekur, ka disa vjet, - vijoi të fliste klienti.- Ah, më ka marrë malli shumë për nënën time. Ti e kupton se çfarë do të thotë mall e dashuri për nënën! Ke në gjak e ndër deje gjakun e saj, ndien çdo çast që je pjesë e mishit të saj. Edhe në Amerikë, në këtë moshë, po i tillë ndiehem dhe gjithnjë më tingëllojnë ndër veshë fjalët e saj të ëmbla, kur isha i vogël: “I bukuri i nënës, i miri i nënës!...” Kam ardhë edhe me qëllimin që ta marr me vete në Amerikë nanushen time!
Ai u shikua edhe një herë kalimthi në pasqyrë, jo me merakun se si dukej në pamjen e tij, por sikur u përshëndet me të, i shtrëngoi dorën të zotit të lokalit dhe u largua kokulur. Por berberi e vuri re që ai nuk i fshehu dot lotët. Ndoshta ato lot ai përpiqej t’i mbante brenda zgavrave të syve, mirëpo kuptohej që ata ishin përmbytur. Natyrisht, nuk është gjë normale kur përlotet një burrë, por në një takim malli me nënën, lotët nuk ia ulin burrërinë, por e bëjnë më fisnik atë.








Comments