top of page

Ra ky tërmet si kismet ...


Ilir Levonja

Ilir Levonja

Ra ky tërmet si kismet për Edi Ramën

Me mbylljen e firmave piramidale dimrin e viteve 1997-'98, njeriu më i njohur i kaosit social u bë Farudin Arapi. Mund të ndaloje kë të doje në rrugë dhe ta pyesje se a njeh këtë person, menjëherë do të pohonte se po, është kumbara i lekëve. Atë kohë qeveria e Fatos Nanos ngriti një grup pune për menaxhimin e fondeve të bllokuara dhe e caktoi zotërinë në fjalë si mbikëqyrës të këtyre parave. Afërmendsh një veprim i drejtë pasi kryeministri duhet të lirohet dhe të ndjekë axhendën e shtetit me një performancë 100%. Njeriu më i publikuar në televizion, thuajse në të gjitha lajmet, ishte pikërisht Farudini. Gjithkund tema e lekëve, kaosi i ditës. Kaos është edhe sot, por nuk njeh ndokush ndonjë Farudin të emergjencave civile. E kam fjalën që dil dhe ndalo dikë në rrugë dhe ta pyesësh se kush është mbikëqyrësi i tërmetit, i emergjencave civile etj. A njihni ndonjë si ai Farudini i lekëve dikur etj? Me siguri që do të thonë Edi Rama ose Erion Veliaj, por asesi emrin e zotërisë që mbulon këtë post. Kjo jo për faj të tij pra personit përgjegjës për emergjencat civile, por për shkakun e qëllimshëm, uzurpimim e gjithçkaje nga kryeministri i vendit. Ai që të çan sytë kudo në televizione është Farudin Rama, një masiv që di gjithçka, që bën gjithçka, gjithkënd, mbikëqyrësin, sizmologun, inxhinjerin, psikologun etj. Do mendoni se po lavdëroj Fatos Nanon..., jo vetëm ai, por të gjitha qeveritë e deritanishme, sado firove të korrupsionit, kishin pak sharm demokracie sidomos në ndarjen e sundimit a balancimin e pushteteve. Në fund të fundit edhe partitë vendosnin forumet, vendimet në një masë të konsiderueshme ishin kolegjiale, jo vula me forcë të njëshave. Në mos gaboj një ditë para tërmetit, në shpalosjen e ligjit për KÇK në versionin one man show, Edi Rama u tha anëtarëve të partisë në sy të shqiptarëve se kush nuk e voton këtë ligj është i përjashtuar nga partia. Ky është rasti më flagrant që shqiptarët e kalojnë në heshtje, po ashtu edhe milituesit brenda një force etj., por definitivisht ka përcaktuar publikisht lindjen e liderit one man rule, një person vendos dhe vulos për gjithçka dhe jo forumet. Dhe tërmeti, kthejeni si të doni, me gjithë dhimbjen e rasteve si familjet e shuara, ku plot humbën shtëpinë a gjakun e djemve në kurbet, e ku plot të tjerë humbën jetën pasi të dalësh nga shtëpia është njësoj sikur ke humbur jetën..., kthejeni nga të doni Edi Ramës i erdhi si kismet nga qielli. Gjithçka e ka kthyer në një fushatë përkujdesje elektorale duke na parashtruar po publikisht sikur të jemi të gjithë anëtarë të rilindjes, atë që nëse nuk bëjmë e pranojmë atë që thotë ai jemi të përjashtuar nga Shqipëria. Shkurt vendi im sot ka një model të përkryer të Hosni Mubarakut, Sadam Huseinit, Gedafit, Bashar al Asadi, Llukashenkos, Rexhep Taip Erdoganit etj. Të gjithë modele liderësh të lindjes, nga fushat e rërës dhe opiumit, jo andej nga militon shoqëria shqiptare, perëndimi. Sot webet Edi Ramës po çahen me lajme nga Stambolli, dy siamezët u takuan. Turqia, më falni jo Turqia se Turqia është tjetër gjë, por Erdogani dhe binjaku i tij masivi Edi, do ndërtojnë disa lagje me nga 500 shtëpi, por afërmendsh edhe nga një xhami midis. Ta gëzoni ndihmën me pykë se xhamitë na duhen, jo shkollat.


22 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page