
QIRIRI PREI UJI
Ky lum është një qiri prej uji
Që pret të digjet në altarin e qytetit.
Por askush nuk guxon
Të shkrepi një xixë zjarri.
Ah! U mundova njëherë ta ndizja
Me xixën e një vetëtime
Po Zoti tështiti atë çast
Dhe xixa u shua në dorën time.
Lumi mblodhi 1000 shira
E vërshoi brenda meje me tërbim.
Nga ajo ditë
Edhe unë jam një lum
Që pres të digjem
Në altarin e qytetit tim.
VJEDHJA E URES
Ra mjegull e dendur në qytet
Si sofër hajdutësh.
Dhe qentë
Filluan të kuisnin nëpër natë.
Kur u gdhi
Njerëzit pan të tmerruar
Se kishin vjedhur
Urën e tij të vetme.
Qentë
Ishin kthyer aty – këtu
Në statuja mermeri
Me kuisjet e ngecura në fyt.
Ç’mëkat…,ç’mëkat, përshpërisnin
Ndërsa Zoti i tyre i fundit
Mundohej t’i qetësonte
Duke u betuar për hakmarrje
E premtonte
Një urë të re, të bukur…
Më të bukur se ato që kishte patur ky qytet
Prej shumë e shumë vjetësh.
Ra mjegull e dendur në qytet
Si sofër hajdutësh.
ECI PER KARSHI
Eci për karshi hijes tënde
Dhe vështroj me kujdes
Gjurmët e lagështa që lë mbi dhera.
Shumë njerëz kërkojnë të të shohin në sy
Për të njohur botën e mistershme
Unë nuk kam kohë, as vullnet, as besim
Vetëm dua të djersij i lodhur
Për të njohur gjurmët që lë mbi tokë
Hija jote e lagësht
E thjeshtë, udhëtoj i motivuar për karshi.
Asnjë obelisk nuk është ngritur deri më sot për hije të tilla
Asnjë qiri nuk është ndezur nëpër tempuj për adhurim.
Unë
Derdh djersën time të lodhur
Thjeshtë, si përkushtim…
Te tria poezite me ngacmuan estetikisht. Te ndjera, te fresketa, befasuese dhe origjinale ne konceptim. Urime te perzemerta. Myslim Maska.