top of page

QENDRA NËNË TEREZA E SALEMIT NË SHBA



(MOTHER TEREZA OF SALEM, ADULT HEALTH

DAY CENTRE)

Krijuar e drejtuar nga zoti Agron Gjerasi dhe

Bashkëshortja e tij zonja Eriselda Gjerasi


Kur flasim për shtëpitë e pleqve, apo per azilet, siç i quajnë disa, menjëherë na krijohet imazhi i qendrave të vogla apo dhe të mëdha ku çojnë të moshuarit e mbetur vetëm për arsye të ndryshme se fëmijët nuk munden se kanë punën apo fëmijët e tyre për t'u ndenjur mbrapa, apo janë larg me punë, ose rastet kur të moshuarit kanë mbetur vetëm e fillojnë të mos urdhërojnë dot veten e plot arsye të tjera. Dhe jo rrallë ndodh që këto shtëpi kanë shërbime të njëanshme dhe herë herë skarso, apo trajtime të padëshirueshme.

Qendra e të moshuarve "Mother Tereza of Salem, Adult Health Day Centre" (Qendra ditore e shëndetit për të rritur, Nënë Tereza e Salemit) në shtetin Massachusetts në SHBA, është krejt ndryshe nga këto shtëpi, në një nivel shumë më të lartë,

një qendër e kompletuar, që nuk ngjan fare me shtëpitë e mësipërme, gati në qendër te qytetit Salem, qytetit të njohur për festën e madhe të Halloween.

Kjo qendër është ngritur dhe drejtohet nga zoti Agron Gjerasi bashkë me bashkëshorten e tij dhe njëkohësisht kolegen Eriselda Gjerasi. Pata rastin dhe mundësinë ta vizitoja dy ditë rresht këtë qendër të mrekullueshme dhe do të thoja një qendër e rrallë jo vetëm në SHBA por në gjithë botën dhe me siguri do të kthehem me kënaqësi sa herë të më jepet rasti pranë bashkëatdhetarëve të mi të dashur dhe këtyre drejtuesve të mrekullueshëm, me kulturë të lartë, me ndjenjë të lartë patriotike dhe humanizmi, dhe me insiativë veprimi të pashembullt.

Ndërtesa e qendrës është e madhe, me shumë dhoma, plotë dritë e ajër, ambjentet komode dhe të përshtatshme për të gjitha aktivitetet e shumta që zhvillohen këtu për të përmirësuar e lumturuar në vazhdimësi jetën e të moshuarve, numri i të cilëve vjen e rritet çdo ditë.

Duke e pyetur zotin Agron Gjerasin, themeluesin dhe drejtuesin e kësaj qendre, se si i ka lindur kjo ide, ai na shpjegon se kishin kohë që shikonin një fenomen të trishtë që vinte gjithmonë në rritje: fenomeni i shtimit të të moshuarve tanë, shqiptarë, dhe mbetja e tyre vetëm në shtëpi duke u vrarë shpirtërisht dhe duke u mërzitur përherë e më shumë. Ishte një gjendje për të ardhur keq e aq më tepër kur shteti amerikan jep shumë mundesira dhe shumë mbështetje në shërbim të jetës e shëndetit të njerëzve. Gjithashtu Agroni kishte vënë re se kishte dhe disa shqiptarë të moshuar që kishin vajtur në shtëpitë që kishin ngritur amerikanët për njerëzit e tyre, por sigurisht atje ishin mes të huajve, mendoni pastaj se nuk dinin as gjuhën që s'arrinin dot për moshën që kishin dhe nga kjo u lindi idea që të ngrinin ata shtëpi të tilla për bashkëatdhetarët tanë që ta ndjenin veten si në një copë Shqipëri. Një ide që kërkon guxim, impenjim, vullnet, këmbëngulje, një staf të mirë drejtues si dhe njerëz për aktivitetet e ndryshme, për guzhinën, mjete për trasportin e të moshuarve dhe shofera të zot e të kujdesshëm.

e mbi të gjitha të njihej mirë ligjet e këtij shteti që të dije ku të kërkoje dhe si të kërkoje që të mbështetnin nga ana financiare për shpenzimet jo të pakta të Qendrës.

Dhe siç na shpjegoi z Agron, në kërkesat e tyre gjetën mbështetjen ligjore dhe ekonomike nga shteti i Massachusetts i SHBA, të këtij shteti të fuqishëm dhe human që jo vetëm i kushton rëndësi punësimit të rinisë, zhvillimit të perspektivës dhe karrierës së tyre, por dhe rëndësi të vecantë i kushton dhe moshës së tretë.

Përvoja e Z Agron rreth 30-vjeçare në SHBA dhe të shoqes së tij u dhanë guximin ta merrnin këtë nismë me shumë dëshirë dhe optimizëm duke e parë këtë veprimtari në radhë të parë si një detyrë të rëndësishme patriotike me vlerë të madhe humanitare e pastaj si biznes. Sa familje do ta falenderonin, sa fëmijë, të afërm, nipoj e mbesa të këtyre të moshuarve do t'u thurnin lavde e nderime!

Agroni tregon se kjo është shtëpia e dytë që kanë hapur. Të parën kanë disa vite që e kanë hapur në një qytet tjetër dhe sigurisht ishte dhe më vështirë, si hera e parë e çdo aktiviteti.

Sigurisht, tregon e shoqja, zonja Eriselda Gjerasi, fillimi pati vështirësitë e veta si çdo nismë në këto përmasa, vështirësi qoftë ato të organizimit por dhe të besimit të njerëzve se shumë e quanin azile si gjithë të tjerat, si shtëpi pleqsh të zakonshme, por pasi e provuan njeri pas tjetrit u bindën dalëngadalë: "Dhe ja sot e shikoni!" më drejtohet duke më treguar sallën plot me të moshuar.

Dhe vërtet ta kish enda t'i shikoje të gjithë të qeshur e të gëzuar, duke luajtur e qeshur me njeri tjetrin si në nje familje të madhe shqiptare. Dhe stafi është gjithë shqiptarë, i zgjedhur dhe i trajnuar me kujdes nga zoti Agron dhe Zonja Eriselda.

Zoti Agron më njohu me stafin dhe më sugjerojë të bisedoja me ta dhe me vet të pranishmit, për t'u njohur më gjërë me jetën dhe aktivitetet e Qendrës.

Nga stafi takojmë zonjën Eralda Skenderasi, një zonjë e re gjithmonë e qeshur por ndjehej që ishte e preokupuar për detyrën e re që po trajnohej si një nga drejtueset e ardhshme të Qendrës, e cila na drejton tek zonjushja Adela Osmenaj, një tjetër pjesëtare e stafit që na flet gjatë për aktivitetet që zhvillohen në qendër. Në radhë të parë, na thotë se i kushtojnë kujdes shëndetit të pjesëmarrësve në qendër dhe na bën të ditur se qendra është e pajisur me pikë infermierie dhe infermierë. Të pranishmëve u matnin presionin dhe kujdesen për probleme të tjera të shëndetit që mund të kenë dhe në rastet e nevojshme u japin ndihmën e parë dhe po që se e shohin të arsyeshme i shoqërojnë në spitalin më të afërm.

Së dyti na tregon se zhvillojnë aktivitete kulturore si orët letrare për t'u njohur me artin e kulturën dhe historinë e vendit tonë. Një tjetër aktivitet i dobishëm dhe i kënaqshëm për të gjithë janë dhe orët e mësimit të anglishtes që dhe të moshuarit të mos ndjehen ngushtë në ambjentet ku flitet anglisht.

Gjithashtu bëjnë dhe kurse vallëzimi, ku profesionist të ndryshëm vinin herë pas here sipas një programi të caktuar nga stafi.

Kanë sallën e madhe të bibliotekës dhe një raft plot me libra të ndryshme shqip.

Një tjetër variacion i bukur është edhe shëtitja nëpër parqe, nëpër vende historike, nëpër pazare.

U japin ndihmën në plotësimin e dokumentave të ndryshme që u kërkohen nga zyrat për probleme të ndryshme, u japin ndihmën si përkthyes kur ky shërbim nuk afrohet nga zyrat etj.

Për këto probleme na flet gjërë e gjatë edhe zonja Arjana Misha e cila është në stafin e Qendrës që me fillimin e saj. Ajo thekson mbi të gjitha se për çdo problem u gjenden pranë të pranishmëve tamam si në një familje të mirë deri edhe në pastërtinë e higjenën personale si në prerjen e flokëve, prerjen e thonjëve e tj. dhe shtoi se që në ditët e para të ardhjes në qendër ndryshon humori i të ardhurve; bëhen të qeshur, ndjehen të lumtur, nuk duken më të stresuar dhe u rritet besimi për të ardhmen sado të papritura të sjell ajo se dinë që kanë një mbështetje, dinë që na kanë neve por dhe që kenë dhe njeri tjetrin në krahë.

Zonja Arjana na tregon se vijnë këtu rreth orës tetë të mëngjesit dhe rrinë deri në dy mbasdite. Këtu bëjnë fiskulturën e mëngjesit, hanë mëngjesin, bëjnë aktivitetet që përmendëm më sipër, lojra të shumta: domino, shah, letra, bilardo etj. dhe para se të ikin hanë dhe drekën. Gjithashtu shton se për t'i marrë nga shtëpia dhe për t'i çuar i bëjnë shoferat e qendrës me mjetet e Qendrës.

Na flet për stafin e guzhinës që gatuajnë me cilësi e çdo ditë gjëra të ndryshme me zgjedhje të ndryshme.

Këto na i përforcojnë pjesëmarrësit e qendrës që vërtet duken të qetë, të qeshur, të lumtur dhe në marrëdhënie me njeri tjetrin si në një familje.

Është një zgjedhje shumë e mirë për moshën tonë, ideale, thotë Sami Gjinishi, këtu sikur rinohemi, gjejmë ngrohtësi tek njeri tjetri dhe koha kalon pa u ndjerë dhe aktivitetet janë të kënaqshme e të shumta sa nuk të lënë të mërzitesh. Dhe stafi me zotin Agron në krye është i mrekullueshëm.

Kjo qendër është e domosdoshme, thotë Ylli Kurti, dhe shumë e rëndësishme për aktivitetet dhe kujdesin që tregon ndaj nesh dhe aq më tepër me një staf të tillë të kulturuar dhe shumë të sjellshëm.

Vladimir Misha shton se këtu gjejnë gjithë zgjidhjet e problemeve që kanë dhe është i lumtur që bën pjesë në këtë qendër.

Më shumë i kënaqur nuk mund të ndihesha se këtu shprehet Aleksandër Shahini, këtu programet janë të shumta e të larmishme dhe e rëndësishme është se jemi gjithnjë në kompani.

Athina Mërtiri thotë se janë shumë te kënaqur nga shërbimet

dhe aktivitetet që kryhen këtu

po ke4shtu dhe zonja Frosini Zaimi shprehet se janë shumë të kënaqur që janë mbledhur në një qendër të tillë që ngjan tamam si një copë Shqipëri ku diskutojmë e kalojmë kohën në shoqëri të gjithë bashkë.

Si këta dhe shumë të tjerë shprehen kaq pozitivisht e të lumtur për këtë qendër gjë që tregon qartë me sa rëndësi e vlerë është për këtë moshë.

Dhe jo vetëm kaq por është për t'u theksuar se këtu pjesëmarrësit e qendrës nuk paguajnë asgje. I paguan shteti dhe përveç këtyre u jep dhe ndihma në të holla për ushqime, ndihma në të holla (një quotë të caktuar që mund ta përdorësh si të duash) dhe mjekësinë falas.

Ja, kjo është Amerika që ndihmon hallexhinjtë, që mbështet dhe financon nismat si kjo e patriotit tonë me shpirt të madh humanist z. Agron Gjerasi dhe të bashkëshortes së tij Eriselda Gjerasi, këto nisma që vënë në plan të parë njeriun, trajtimin dhe kujdesin e shëndetit dhe të lumturisë së tij, ndaj e pëlqejnë dhe e lakmojnë e gjithë bota Amerikën.

Lavdi e nderime SHBA për mbështetjen e bashkëatdhetarëve tanë.

Lavdi e nderime patriotëve tanë me shpirt të lartë inisiative, veprimi e ndjenjë të lartë humanizmi si çifti i nderuar Agron Gjerasi dhe Eriselda Gjerasi për këtë vepër të mrekullueshme që do marrin urime në breza.

Kujtim Hajdari

32 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page