top of page

QEN BIR QENI!



Mihal GJERGJI


Besoj se ndajmë të njejtin mendim, qentë janë shtuar. Sa herë lëviz, më dalin para. Shumica janë qimekuq, nuk di pse është shtuar kq shumë rraca e kësaj ngjyre. Qen që zgjatin kokën nga xhamat e makinave luksoze, qen që shëtisin trotuarëve, qen që rrufisin kupat me akullore, qen me llogari bankare në emrin e tyre, qen që kafshojnë qytetarët dhe kalimtarët. Ndoshta është nxitimi për të shkuar në Evropë, sikur Evropa të ishte kontinenti i qenërve. Mesa duket, njerzit kërkojnë të kemi dicka të përbashkët me evropianët. Mbase s’kanë faj. Vetën në qytetin e Parisit shpenzohen cdo vit rreth 100 milionë dollarë për qentë. Kuptohet, jo për qentë e rrugës, ata janë tjetër kategori. Edhe në Londër bëhen shpenzime të mëdha. Thuajse në gjithë botën është bërë mënyrë jetese prania e kafshve shtëpia, kryesisht e qenëve. Zonjushat dhe zonjat i marrin në xhiro, i shëtisin në këmbë apo me vetura. U blejnë ushqime të zgjedhura, rripa, zinxhira, syza, jelekë, karroca, lodra e shumë gjëra të tjera. Njeriu e shikon njeriun si qen, ndërsa qenin e shikon si të ishte njeri. Vërtet interesante. Mendoni një cast, sikur qindra milonë dollarët e shpenzuar të shkonin në ndihmë të atyre që flejnë poshtë urave, nën kurorat e palmave apo bambuve, në stacionet e trenave, në depot e amballazheve dhe gjetiu. Ata s’kanë bukë, s’kanë veshje, s’kanë strehë. Dikur futej miku në dhomën e pritjes, tani s’ka miq. Ajo derë qendron e hapur për qentë. Dikur thuhej se pushka dhe qeni janë rojtarët e njeriut. Tashmë ka ndryshuar gjithcka. Njeriu e ruan qenin, e fut në shtrat, e afron pranë ekranit të sheshtë të shikojë filma me kafshë. Janë hapur edhe shkolla për qentë, si për fëmijët. Me qentë shqiptarë është ndryshe puna. Vazhdimisht i kemi sharë, apo ai që të shanë të do? Njeriut të poshtër i themi; Qen i pabesë, më keq akoma; Qen bir qeni. Pastaj revoltohemi dhe bëjmë betimin: Ia tregoj unë, qenit. Shumë sharje ka në gjuhën tonë, enkas për qentë. Kur s’na pëlqen ushqimi, themi- Bukë qeni, kur duam të vlerësojmë njeriun e palodhur themi- Punon si qen, punon jashtë mase. Pastaj i kthehemi sërish traditës- Qen i rrahur, Qen rrugësh, zorraxhi apo sahanlëpirës. Jo të gjithë qentë meritojnë sharje, p.sh, ka dhe nga ata që i cmojmë, sic janë qentë e stanit. Mirëpo ka edhe stan pa qen. P.sh, stanin tonë cilët qen e ruajnë? Apo këtu s’e njeh qeni të zonë? Qeni dhe njeriu sikur janë bërë për njëri-tjetrin. S’ia ha qeni shkopin, është shumë i zgjuar e i zoti, nuk ia hedh dot njeri. Apo kur themi për ndonjë të vobektë- S’kishte ku e zinte qeni. Pse kemi zgjedhur ta krahasojmë njeriun me qenin? E shikoni që kam të drejtë. Na pëlqen të etiketojmë, ta ndajmë gjindjen; -Luante si qeni i kallajxhiut, kështu themi. Për ndonjë vrasës a hajdut që deln ga burgu, themi si qen i lëshuar nga zinxhiri. Edhe kur dy njerëz grinden me njeri-tjetrin, përsëri nxitojmë të themi se ata të dy, shkojnë si qeni me macen. Sic duket, jemi të detyruar ta pranojmë që jetojmë në një botë qensh. Në këto rrethana, jo qeni, por njeriu shkon si qeni në vresht. Domosdo, edhe qeni ka gjëra të përbashkëta me njeriun. P.sh, mosmirënjohja jonë shfaqet në forma të tjera te bota shtazore, konkretisht edhe Qeni leh atje ku ha. Fjalëshumi e punëlumi, apo Qeni që leh nuk të ha. E që të mos zgjatemi shumë,do ndalojmë vetëm një cast. Qentë le të lehin, karvani shkon përpara, kështu thotë filozofi popull. Po kur qentë të jenë në krye të karvanit, si i bëhet hallit? Ja që ndodh. Prandaj janë bashkuar zërat dhe kërkojnë mbrojtjen e qenëve të rrugës, gjoja në emër të humanizmit. Shpesh dëgjojmë të thuhet se burri është shoku i qenit. Po gruaja? Edhe atë s’e lëmë pa gjë, nxitojmë ta etiketojmë si buce apo kuckë. Sharjet janë bërë jorgani me të cilin mbulohemi, s’bëjmë dot pa to. Para disa vitesh vizitova babin e një mikut tim. Dergjej në shtrat dhe s’vinte gjumë në sy. Edhe mjekët e kishin vizituar, i kishin dhënë qetësues, por më kot. Dhe ashtu në përhumbje thoshte të njëjtat fjalë; lidhni qentë, lidhni qentë! I biri më shikonte ngultas në sy si të kërkonte ndihmë. I afrova një zgjidhje. Cojeni te shtëpia që keni në fshat dhe gjendja e tij do ndryshojë menjëherë. Ashtu bëri. I gjori plak u qetësua. Ju largua zhurmës së qytetit dhe turmave që bënin mitingje. Ishte kohë fushate. Këtë gjë donte të thoshte plaku, kishte gjetur një mënyrë për të shprehur rrevoltën e tij. Seicila qënie e gjallë shkon tek të ngjajshmit, ose në të njëjtën shoqëri. Në rininë time, mbasi kisha përfunduar gjimnazin, kërkoja të drejtë studimi. Vendimin e merrte organizata bazë. Njëri nga shokët e kësaj organizate ngulte këmbë që mos ta fitoja atë të drejtë, sepse sipas tij, dajua im ishte dënuar si armik i partisë dhe pushtetit popullor. Dhe kjo punë zgjati. Një dashamirës ma rrëfeu atë cfarë u diskutua brenda dyerve të mbyllura. Kisha zgjedhur durimin si këshilltar dhe heshtjen. Që të mos përfundoja në burgun e shtetit, kisha burgosur fjalën time. Ju e keni dëgjuar atë shprehjen e Cerciz Topullit: - Hapma rrugën, more qen i Anadollit! Një ditë prej ditësh takova një mikun tonë, rreth 90 vjecar. Ai burrë i mbuluar nga thinjat, në rininë e tij kishte provuar kurbetin e largët. E kuptoi zemëratën time dhe më tregoi një histori interesante lidhur me qentë. Një tufë me dhen shtegtonte në kullotën dimërore. Pas barinjve shkonin edhe qentë e stanit. Njëri prej tyre ishte plakur dhe s’kishte fuqi as për të lehur, jo për të ruajtur tufën. Gjithsesi barinjtë e ushqenin sepse ndjenin keqardhje. Ndanë një rruge, qendroi në strehën e mullirt të fshatit, i humbi nga sytë barinjtë dhe tufën. Mullixhiu e futi brenda dhe e ushqeu. Kaluan disa ditë dhe e mori veten. E ndërsa i zoti futi dorën atje ku derdhej mielli i bluar, për të parë cilësinë, qeni e kafshoi. –Pse më kafshove, ju drejtua Mullixhiu, unë të shpëtova, do kishe ngordhur? E dini cila ishte përgjigja e qenit? Po jua rrëfej. –Ti bëre njerëzllëkun tim, ndërsa unë do bëj qenllëkun tim. Dhe miqësia e tyre u ndërpre pikërisht këtu. Ju e kuptoni simbolikën e ngjarjes. Ndoshta qentë e Sharit s’i meritojnë këto fjalë, por s’mund t’i ndajmë nga shokët e tyre. Kemi shumë rraca njerëzish; të bardhë, të verdhë, zezakë, sepse larmia e tyre plotëson tablonë e planetit; afrikanët, arabët, aziatikët, arixhinjtë, evgjitët e kështu me radhë. Edhe rracat e qenëve janë të ndryshme, jo vetëm nga ngjyra. Qentë e gjahut ngjasojnë me njerëzit spinë. Këta të fundit i kemi me tepricë. Hajde pastaj dhe thuaj se qeni është kafshë besnike. P.sh, qentë qimekuq ngjasojnë me njerëzit që kanë të njëjtën qime, dhe janë të rrezikshëm. Duket sikur zoti i ka shenjuar për të na thënë; kujdes prej tyre, hapni sytë. Sado të ruhesh prej tyre, ata gjejnë mënyrën dhe të dalin para. S’kemi c’bëjmë. Jetë qeni, thuaj. Edhe lehja e qenëve është e ndryshme. Shumë njerëz lehin si qentë, jo vetëm në rrugë, dhe në tribuna. Ju e dini se cfarë ere mbajnë dhe cfarë fundi i pret. Shkojnë për dhjamë qeni. Ata duhen zbuar me kuc e me mac, për të mos i patur nëpër këmbë, ndryshe, pleshtat e tyre do na mbulojnë trupin.

131 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page