top of page

Përrallë me shtriga




Nga NADA DOSTI


Na ishte një herë një nënë e keqe, e keqe sa një shtrigë, e cila kishte dy bija. Njëra na kishte lindur natën dhe ishte e zezë si nata, tjetra na kishte lindur ditën dhe ishte e bardhë si dita.

Kjo nëna e keqe me shpirtin e zi, donte më shumë bijën e madhe sepse ishte e zezë si vetja. Të madhen e mbante me gjithë të mirat, nuk e linte të prekte punë me dorë, e mbushte me dhurata, e merrte me vete nëpër dasma dhe hare të ndryshme. Bashkë qeshnin e lodronin, kërcenin e këndonin..ndërsa bija tjetër, atë më të voglën e mbyllnin në shtëpi të bënte punët. Kjo e shkreta, nuk kishte ndonjë talent për këngë e valle, por për çdo natë, pasi mbaronte të gjitha punët strukej në shtrat dhe fshehurazi shfletonte disa libra. Librat ishin miqtë e vetëm që kishte, dhe ngushëllim për ditët e netët kaluar vetëm në shtëpi ndërsa nënë e bijë shëtisnin apo rrinin në një tjetër cepë të shtëpisë ku kuvendonin si dy shoqe.

“Çohu silli motrës ujë!”; “Lëvizi ato duar, e mbarove gjellën? I more pluhrat? E fshive dyshemen. Luaji këmbët shko në dyqan merr këtë dhe atë” ishin urdhërat e përditshme që bija e vogël dëgjonte prej nënës së keqe. As motra e madhe nuk e donte të voglën. Madje një ditë, teksa ajo flinte në djep, motra madhe ishte përpjekur ta hidhte nga dritarja. Mirëpo dikush kishte qëlluar aty pari dhe e kishte shpëtuar foshnjen në kohë nga një fluturim i mundshëm për në botën tjetër. Në një tjetër rast, kur foshnja ishte rritur pak më shumë dhe i kishin dalur flokët, siç e donte zakoni, ia kishin prerë një cufël dhe i kishin ruajtur në një copë letër. Motra e madhe, meqenëse nuk e hidhte dot nga dritarja, mori copën e letrës me cuflën e flokëve dhe i flaku. Vetëm sepse ajo vetë kishte flokë terr si nata, kurse motra e vogël flokë të arta si dielli dhe valë valë si deti. Mendonte se po të rritej, nëna e tyre nuk do t’i kushtonte më vëmendje asaj por të voglës. Por përkundrazi, nëna e keqe pati sy e veshë vetëm për të madhen.

Sa herë duheshin blerë veshmbathje të reja nëna e keqe nuk blinte për të dyja, por vetëm për të madhen: “S’ka problem se kur të rritesh dhe pak do mund t’i veshësh dhe ti, se fundja jot’motër është shumë e kujdesshme dhe i ruan gjërat.” i thoshte të voglës. Kështu, bija e vogël nuk e shijoi kurrë kënaqësinë e të pasurit rroba, fustane apo këpucë të reja. Duhej të priste radhën, mjaftueshëm sa motrës së madhe mos t’i vinin më ato gjëra që t’i trashëgonte kjo e vogla. Bija e vogël ishte tepër e urtë për të kundërshtuar, ajo kënaqej me ç’ka t’i jepnin, edhe në qoftë pakëz. Në fund të fundit ajo kishte bërë shumë faje që kur kishte lindur. Po ja përshembull kishte lindur e bardhë, si babai vetë. Ndër të tjera, kishte lindur vajzë kur në fakt të gjithë e prisnin djalë. Edhe pse në fund të fundit të gjithë e kthyen në përfitim këtë lloj belaje. Së paku do kishin një shërbëtore për të urdhëruar për çdo gjë.

Babai i bijave, pra burri i nënës së keqe, një ditë ishte lodhur nga ideja për të pasur tre gra në shtëpi. Sidomos ishte lodhur nga gruaja e tij e keqe, e cila nuk dinte të përkujdesej as për të, as për bijat as për veten e saj. Nuk bënte kurrë punë shtëpie, nuk gatuante kurrë dhe e vetmja gjë që dinte të bente ishte të shëtiste, të merrte pjesë në hare të ndryshme dhe të shijonte jetën si kurrë më parë. Kështu një ditë ai u lodh dhe u largua. Ia mbathi shumë larg, përtej shtatë maleve e shtatë kodrave, madje kapërceu dhe detin.

Sa më shumë rritej bija e vogël aq më shumë i ngjante të atit, gjë që nëna e keqe nuk e duronte dot sepse i kujtonte burrin që e la të vetme të kujdesej për dy bijat. Edhe pse në fakt ajo përkujdesej vetëm për njërën: atë të madhen. Derisa bija e madhe një ditë e kërkuan për nuse në një qytet afër. Mbetën vetëm nënë e bijë. Bija e vogël u gëzua se mendoj më në fund nëna e keqe do t’i kushtonte asaj të gjithë vëmendjen, se më në fund do t’i falte pak dashuri. Por në fakt nuk ndodhi ashtu. Sado bija e vogël përpiqej e mundohej, bënte të gjitha punët, nuk kundërshtonte kurrë, rrinte urtë e butë, nuk e shqetësonte kurrë, nëna e keqe nuk e deshi kurrë. Edhe pse siç thotë populli “Qingji urtë pi dy nëna” bija e vogël nuk arriti kurrë t’ia fitonte zemrën madje as nënës së vetë. Ndërkohë, ajo vazhdonte të shfletonte libra pa fund dhe sa më shumë rritej aq më shumë shumëfishohej numri i librave që lexonte. Një ditë do të bëhej aq e ditur dhe aq e zonja sa nëna shtrigë do ndihej krenare me të dhe më në fund do fillonte ta donte sado pak.

Vitet kalonin, dhe i erdhi koha edhe bijës së vogël të shkonte nuse. Sa më larg të shkonte ndoshta aq më i madh do ishte malli për të bijën, andaj vendosi të ikte larg. Pas dymbëdhjetë kodrash e dymbëdhjet malesh. Duke kaluar dete dhe oqeane. Mirëpo përsëri nuk ndodhi ashtu. Bija e vogël i dërgonte dhurata, i dërgonte letra, ku i tregonte për titujt dhe çmimet që kishte fituar, sa shumë libra kishte lexuar… por më kot. Derisa bija e vogël një ditë u bë vetë më fëmijë: solli në jetë një djalë të bardhë si bora, me flokë të arta si dielli dhe onde si deti.

Që prej asaj dite bota u ndal, të gjitha vuajtjet dhe lodhjet u harruan. Harroi për dhimbjet dhe plagët nga nëna e keqe dhe motra e madhe. I vetmi qëllim tashmë ishte të falte të gjithë atë dashuri që nuk arriti kurrë të marrë.

Nënë e keqe u sëmurë me një sëmundje të keqe. Sëmundja as kishte mjekim as nuk kishte shërim. Meqenëse vdekje shumë shpejt do ta vizitonte, filloi t’i bënte hesapet me veten. Një ndjenjë pendimi e kaploi. A thua vallë kishte qenë e drejtë me të dyja bijat? Cfarë kishte lënë pas vetes, si do të kujtohej, a do të luteshin ato të dyja njësoj apo njëra do lutej e tjetra do e mallkonte? Si do e qaste varri me kaq shumë padrejtësi dhe borxhe për të larë?

Kështu vendos të përgatitet për udhëtim. Bën gati shtatë trasta me ushqim, veshmbathje, lodra dhe libra. Kalon me vështirësi, edhe pse e sëmurë, dymbëdhjetë kodra e dymbëdhjetë male, kalon dete dhe e oqeane me shtatë trasta me vete. Kujdeset për lehonën dhe për foshnjen, i ushqen dhe i lan të dy. Në shtatë ditë e shtatë netë mundohet të falë shtatë fishin e dashurisë që ia kishte borxh bijës së vogël.

Bija e fali sepse për të e shkuara nuk kishte më rëndësi. Mjaftonte që të njëjtin mallkim mos t’ia përcillte foshnjes së vetë. Ishte betuar se nëse do kishte dhe një fëmijë tjetër nuk do t’i ndante kurrë dhe do t’i donte dhe do të sillej me të dy njësoj.

Fundja nëna e keqe nuk kishte faj pse ishte ashtu. Shumë kujtime nga e kaluara iu shfaqën para syve se si nëna e nënës së saj, kryeshtriga, e cila kishte tre fëmijë, të madhen e trajtonte shumë keq. E madhja ishte shërbëtorja e dy të tjerëve, mjaftonte që dy të vegjlit të dëshironin diçka dhe dëshira e tyre kthehej në realitet. E madhja, nuk kishte kohë të ëndërronte, as të lexonte, as të donte. Mundimet e shumta, punët e shtëpisë, përkujdesja për dy të vegjëlit… Derisa dy të vegjëlit u rritën dhe morën rrugë të gjata, kryeshtriga mbeti vetëm me bijën e madhe, e cila përpiqej vazhdimisht por kurrë nuk e fitoi dot dashurinë e saj.

Kur e kërkuan nuse, nuk dëshironte gjë tjetër vetëm se të pushonte. Të pushonte nga lodhjet dhe mundimet e shumta, më në fund mos të bënte asnjë punë, mos të përkujdesej më për dikë tjetër, as për burrin por sidomos për fëmijë të vegjël. Përveç bijës së madhe tek e cila shihte veten dhe realizonte të gjitha ëndrrat që vetë nuk i arriti dot. Duke shpëtuar bijën e madhe më në fund do shpëtonte veten dhe kështu do gjente paqen e shumë kërkuar. Nuk është e vërtetë se nuk e donte të voglën sepse ishte e bardhë apo ishte vajzë, por donte më shumë të madhen sepse ngjante me veten: e zezë si vetja dhe fëmija e madhe siç kishte qenë ajo vetë dikur. Nëna e keqe nuk qe kurrë aq e keqe, faji i saj i vetëm ishte se nuk dinte të falte dashuri me drejtësi, sepse askush nuk ia mësoi këtë.

Por vdekja është mësuesja më e mirë, t’i hapë sytë dhe të falë mësime përjetësie.

19 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page