top of page

Përparim Hysi: Po si mund të mos jetë e madhe POEZIA SHQIPE?

ree

Po si mund të mos jetë e madhe POEZIA SHQIPE?

Libri me poezi i poetes Arjana Fetahu Gaba

(ese)

Nga Përparim Hysi

Siç e shihni, titullin e kësaj eseje e kam vënë me një pyetje retorike. Si çdo pyetje retorike, pothuajse, lë vend për një përgjigje. Përgjigjen e ka dhënë me kohë përkthyesja polake, Dorotea Horodyska. Kjo përkthyese e ka çuar dy herë në finalet europiane letërsinë shqipe. Vështroni se çfarë ka thënë: “Ndërmjet letërsive të gjuhëve të vogla, poezia shqiptare është e madhe.”

Nëse disa tituj i shkruaj enkas me gërma të mëdha, e bëj që të tërheq vëmendjen e lexuesëve. Vini re: POEZIA SHQIPE! Pra, besoj se e dhashë përgjigjen e kësaj pyetjeje kaq të qëllimshme.

Nëse kam zgjedhur këtë libër me poezi të Arjana Fetahu Gaba, e kam bërë enkas, se poetja është një peshqesh i bukur në mbarë poezinë mbarëkombëtare shqiptare. Këtë “peshqesh” e “kam vjedhur” nga poeti amerikan John Updike, që ka thënë: “Poezia është peshqesh nga Zoti, që vjen si një kartolinë dhe duhet shpërndarë.” Kështu është kjo “peshqesh” që na dhuron me një libër me 208 poezi. Gjithmonë u referohem fakteve dhe nuk shkruaj apriori. E rreshtoj, pa frikë fare, në sërën e poetëve që e kanë bërë të madhe poezinë shqipe.

Nobelisti grek Odiseas Elitis thotë: “Të shkruash lirika sipas modelit të Safos apo Pindarit është sfidë e madhe.” E gjeta sfiduesen: quhet Arjana Fetahu Gaba, që shkruan lirika dashurie (si Safo) dhe patriotike (si Pindari). Asnjëherë në analogjitë që bëj, mos ju shkojë ndër mend që e vendos poeten tonë në të njëjtin nivel me ata që përmenda.

Lirikat e Arjana Fetahu Gaba janë relaks për shpirtin. Të shkruara me një stil të thjeshtë, herë me rimë të kryqëzuar e herë me rimë të puthur, ato të fusin në një botë ku duket sikur hallet e dertet marrin fund. Por jo vetëm kaq. Ajo nuk shkruan vetëm lirika dashurie, por edhe lirika patriotike, ku dashuria për atdheun gati është “klonuar” në një sërë poezish.

ree

Ajo që e rrit dimensionin poetik të kësaj poeteje është një fakt domethënës: ajo është nënë, ka zemrën e një fëmije edhe tani që po shkon 50-vjeçe. Nuk kishte lindur kur u hodh bomba atomike mbi Hiroshima e Nagasaki, por ajo e bën zërin kambanë që këto akte mizore të mos përsëriten kurrë. Në këtë vëllim ka përfshirë 208 poezi dhe, para se të ndalem në disa prej tyre, mund të them thelbësoren: asgjë njerëzore nuk ka mbetur pa u trajtuar. Bota shpirtërore e krijuesve, sidomos e poetëve, është e çuditshme. Tek i lexon, ose të shkon buza në gaz, ose duhet t’i ngulësh në mendje si busull orientuese. Lexon poetin francez Jacques Prévert që i shkruan të dashurës: “Kam shkuar në treg të shpezëve dhe kam blerë zogj për ty.” Luiz Aragon thotë: “Fjalët më morën prej dore.” Ungareti: “Ditën që nuk do ketë poetë, nuk do ketë botë.” Shelley: “Poetët kanë një fill të lidhur me Zotin.” Kur gjykoj për poezitë e Arjana Fetahu Gaba, them: ku e gjeti këtë shkollë poetike? Nobelisti amerikan Bob Dylan thotë: “Frymëzimi nuk vjen kur do, vjen befas — dhe duhet ta kapësh.”

Kështu ka ndodhur edhe me Arjanën: sa rritet në moshë, bashkë me të rritet cilësisht edhe poezia. Kur shoh poezitë e saj lirike, sidomos ato të dashurisë, më shkon mendja te nobelistja Ernaux që thotë: “Dashuria dhe të shkruarit janë dy gjërat që mund të duroj. Çfarë mbetet, është errësirë.” Pastaj, ndalem në disa poezi të saj…

I dashuri  Gjysmë

I dashur,gjysma ime më e mirë

Çerek shekulli mbushëm sot me kalendar

Dy të panjohur,në të njtin stacion

Dy  bashkëudhëtarë

::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::

Unë gjithçka e kam ndarë me ty

Jetën,zemrën,shpirtin jo më pak

Jemi nga ato dashuri që  s'digjen

Kurrë nëpër flakë

                        Mos  harro!

Erë trendeline më hidh trupit

Dy yje më zbrit për këta sy

Buzët i kam të paprekura

Të presin ty.

                        Moj  MOLLË e PANGRËNË

Kur më ngjitesh,vajzë

Në kalldrëme zalli

Gusha trëndelinë

Oh,ç'më ndezi mallin

                   Kam filluar të të ngjaj

Me gjithë fuqitë që ka një puthje

Në qiell më ngre magjia e saj

Më tej ,harrohemi e shkojmë më tutje

Ty kam filluar të  të ngjaj.

Poetja është e mërguar dhe ka afro 30 vjet që jeton në Amerikë. Malli për atdheun e “ha” pak nga pak, siç ha mola trarin. Temat për atdheun janë si të qara me lot. Veçanta: harta e mallit të saj shkon deri në Çamëri, aty ku ka rrënjët. Në poezinë “Zonjë e tokave të mia”, ajo thotë:

ZONJË E TOKAVE TË MIA

       Unë që jam këtu,erdha pa ftuar

       Në tokat që gjyshërit lanë me gjak

       Në trarët e djegur,varur legjendë

              Rri brengë e një poopulli,i dëbuar pa shak.

                  Por nuk mbaron kështu kjo poezi kaq patriotike:

   Erdha të shoh ÇAMËRIA ime

   Unë,tumankuqja, nga SHQIPËRIA

    Nuk jam e vetme,por janë mijlra

   JAM ZONJË e tokave të mia.

"Ah,shtëpiza ime,që më thuaj një fjalë/si ti e kam shpirtin dhe nuk flas dot/Ti më kupton:mërgimi qe një hall/ Më bloi ashtin mokrra dhe sa nuk qaj me lot/.

Poetja, edhe pse larg, me mendje e shpirt është në Shqipëri. Ajo denoncon padrejtësitë në poezinë “Ujqërit”, ku mesazhi është i qartë:

A mbahen ujqërit në vathë?

Në tokë janë,kanë nxjerrë brirë

Nuk mund t'i fshihemi kafshimi

I kemi fare pranë,të lirë

 

I ngjen salloneve mondane

Kolltuqeve ku i ulëm ne.

Të kollarisur jer në grykë

Të gjithë pa fe;të gjithë pa fre.

 

I gjen nëpër televizione

Në tempuj mbajnë ligjërime

S'kanë dhimbje për ty e për mua

Na lajnë,na lyejnë me mashtrime.

................................................................

Ujqërit me turi njeriu

Nuk ngopen veç kanë uri

Një ditë do kenë 7 kokë

Po nuk u zgjuam unë e ti.

Poetët janë gjithmonë opozitarë dhe nuk lëpijnë jargët e pushtetit. Para se ta mbyll, dua t’i bëj një kortezi bashkëshortit të poetes, Alban Gaba, i cili ka treguar qytetari dhe është pa dyshim pjesë e suksesit të saj.

 

Kush është Arjana Fetahu Gaba:

 

Ka lindur në Fier (1977). Jeton prej 30 vitesh në SHBA. E martuar, nënë e tre djemve. Fituesja e Çmimit Ndërkombëtar nga Bashkia Brindizi (1993). “Ambasadore e Paqes”, 2024. Anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Ka botuar në shumë gazeta e revista. E përfshirë në disa antologji. Ka botuar 5 libra me poezi. I uroj krijimtari të mbarë, për ta pasuruar edhe më poezinë mbarëkombëtare shqiptare!

Tiranë, 24 dhjetor 2025

(Korrektoi, redktoi dhe përshtati sipas origjinalit: Fjala e Lirë)

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page