top of page

PËR FJALËN JANË BËRË LUFTËRA ME PRAZHDË, POR DHE ME THIKA


Thani Naqo

(ese, duket edhe si tregim, por mund të jetë edhe përrallë gojore.)


Nga Thani Naqo


Në trevën e Devollit, por e që nga Voskopoja e gjer në Novoselë, e përpjetë, deri në Velipojë, toponimet sllave janë të pranishme edhe sot e kësaj dite. Padyshim, për shkak të pushtimeve, mardhënieve ekonomike.-sociale dhe luftarake, ndërballkanike. Veshët ballkanase "thëthinin e vazhdojnë të thëthijnë" fjalë midis. Për shembull, ca më larg, ku fillon Rruga e Mëndafshit, emërtimin "novelë" thotë interneti, e kanë përdorur për herë të parë kinezët. D.m.th. "novo" nga sllavishtja, "e re" Mirëpo, sado të mprehta të jenë veshët, ndodh që fjalët nuk thëthihen pe tamami. Gjersa mbrrin në vendlindje, firon ndonjë gërmë a më shumë, dhe mbetet kokoshi një thelkë, thonë andej, nga Devolli i Sipërm ...

Fjala është si lëngu i rrushit. Së pari bëhet musht, pastaj, duke e kulluar, nga një enë në tjetrën, bëhet verë. Dhe bromp, të kam të gjetur, urojmë e çukasim gotat. Gotat janë pe balte apo pe porcelani, që i kanë sjellë luftëtarët e Aleksandrit Të Madh kur pushtoi Mançurinë dhe ra në dashuri me një mançuriane. Por ndodh edhe që mushti nuk arin të bëhet verë. Nga padurimi e pijnë si musht, ose vera del aq e thartë sa "më mirë le të bëhet uthull, se sa të na zërë zdërla...", ngushëllohen ballkanasit. Kthimi i verës në uthull më fanit shpikjen e lojës me nangallka, apo me "nonga"-sllv. = këmbë (pe druri.) Atëherë, veshthithësi, që të marë lëvdatën e lakmuar "Hajde, bre, Kumbar", i shton një bisht kësaj fjale, bisht që përpëlit gjuhën pas dhëmbëve e fërshëllen: "llka-llka-lllka". Sa herë kujtoj lojën me nangallka,më fanitet fjala "gollo" - i zhveshur lakuriq dhe prek gollganin, (pjesë e këmbës mbi gju).

Ose fjala "kopan," fjalë e famshme, që është një çomage pe druri të rëndë, pe lisi, e gdhendur në formën e kopankës të pulës, por që me të janë thyer edhe kërbishte burrash nga gratë nevrike..Me të, me kopanin, de, kur s'kish lavatriçe, rriheshin rrobet e trasha, sidomos qilimat e rrugicat e gunat pe leshi, që të pastroheshin nga pleshtat, morrat dhe nga tymrat e dimrit. Kjo rrahje ndodhte në jazin e fshatit, ose në lumë. Ama, asokohe, që edhe mua më kujtohet, një copë sapun ishte i vlefshëm, ç'ë se kalonte dorë në dorë. Ishte sapun, si e sa një tullë, ama nga soji që ta rrëmbenin laraskat nga dora; ishte sajuar me dhjamë bagëtish e mbante erë kërmë...Kopanin e përdornin edhe për rrahjen e gozhutave, apo për të ngjeshur dheun nëpër lëmenj e gjer tek shtroja me muzgë për patozet e ashefeve e të dhomave përdhese...(Për tërë këtë zinxhirr me fjalë nënnënnëndialektore, nëndiailaktore a dialektore qofshin, nuk ve dorën në zjarr e as betohem se janë tonat, por as betohem se mund të jenë nga ato që thëthijnë veshët e udhëtarëve dhe luftëtarëve me parzmore e heshta e jataganë. Janë luftëtarë e udhëtarë, nga të anës tonë, së këtejmi bregut të lumit veshur me rakita e shelgje, që shtrati të mos zgjerohet më e të na zvogëlojë arat e të na i përmbytë të mbjellat.

Luftëtarët e përkëtej bregut janë më trima se ata të përtej bregut. Forcën e krahëve e të mendjes e vinin në shërbim të perandorëve nëpër ekspeditat ndëshkuese. Siç thonë, prej tanëve kishte edhe në oborrin e carëve të Rusisë; ishin rojet besnike të tyre e të careshave.. Përveç plaçkës të rrëmbyer,apo e të falur, si dhuratë trimërie, luftëtarët e përkëtejmë të bregut, por edhe ata të përtej bregut, sillnin edhe fjalë si dhurata të shenjta për të gjithë. (Nëse tërë këto fjalë, që përmenda më lart, s'janë të thithura me vesh, le ta vërtetojnë etimologët.)

Tani, që po shkruaj këtë ese, biçim tregimi a përralle, më fanitet jariçka (zog 2-3 muaj, pe pule), e prerë në 15 pjesë. Pjesët që pëlqejnë shumica, ku hyj edhe unë, janë kopankat, krahushkat, qafa dhe mëlçiçka..Shtesat, me ushka e içka, nuk i sajova unë, porse janë sajuar ehu, qëkuri. Mbase që në epokën kur u shpik loja me nangallka ose ca më vonë se novela kineze. Kjo fenomë, e prapashtesave me ushka e içka, ka të bëjë me dëshirën për ta lezatuar shijen e mishit të pulës apo dythundrakëlve, e gjer tek lezatimi i nuseve e dhëndurëve, pa harruar edhe nëproduktet e qumështit. D.mth.,marifetet për t'i vënë sinore fjalës së thëthirë me vesh, që ajo të dukej sikur qe e fshatit të tyre, e mbulonin me vellon tradicionale të fiseve. Pra, njëlloj pra, siç mbuloheshin e mbulohen nuset e ardhura nga larg, dhe ato bëheshin pjesë e fisit dhe e krahinës.... Mirëpo, nga që kishte vështirësi në përcjelljen e fjalëve nga një breg në tjetrin, fajiin ia hidhnin lumit të rrëmbyer, por dhe zërit e buzëve..😁

Ata, të përtej bregut, gjer ku mund të afroheshin me nangallka, thërrisnin e çirreshin, "heeeej kokëzhënga, u ardhi fjala apo jo? Hapeni gojën se do vijmë andej e tua bëjmë kurizin më të butë se barkun!"... Këta, të përtejshmit, e mernin fjalën siç e dëgjonin, me jehonë e të përzjerë me klithmat e shpendëve mishngrënëse, por dhe me llok-llok-et llokovitjjeve të ujrave nëpër pragje. Përpos kësaj, të ujrave, shto e klithmat e grarisë. Kot a për inat, a për qejf, fjaleve që vinin nga përtej bregu, u shtonin edhe ca "allka" e "içka", paçka se ato nuk kishin nevojë për bishtra. Ama, të përkëtejbregut, kur qeshnin e këndonin, edhe në valle qofshin të dehur, u kishte lezet gurgullima e lumit, nga që vërshonte nga grykat e qeshura. E qeshura ngjasonte sikur nga grykat e tyre derdheshin ortekë me aliçka dhe guriçka ..

Bravo u qoftë, ama, edhe atyre u qoftë, se kur grindeshin për fjalën, "e solla unë e jo ti" e nxirrnin thikat e jataganët dhe...Dhe griheshin mes vedi për fjalën më keq se për sinoret e arave, të livadhe, të korijeve, e për vijën e ujit, njëllo, bile ca më shumë se mbrojtja e nderit të femrës...Megjithatë, ato, bishtat e fjalëve, më tingëlloret, kapërcenin lumin dhe shkonin gjer në veshët e atyre të përtej bregut. Veç atëherë, kur shtrati i lumit ngushtohej dhe mund të kalohej me nangallka, vinin disa nga ata të përtejshmit, si pajtimtarë të sherreve.

Pas pajtimit, pranonin se edhe perandorët nuk këmbëngulin se aksh fjalë e kishin shpikur dhe pagëzuar ata. Atëherë bishtat nuk dëgjoheshin si tam-tame e dum-dume,por tingëllonin si këmborka e zilka magjike... Tërë kjo katrahurë, për fjalën, binte në heshtje dhe paqe. Por, mjaftonte një klithmë me jehonë, "oreeee- ja është e jona, ore-jaaaa"" dhe kaq ishte pajtesa midis. Për këtë thirrmë, të përtejshmit këmbëngulinin "oreeeee-ja dhe dale-daleeee, janë tonat dhe jo tuajat." Turp të kini o hajdutë të fjalëve e të thirrjeve"..."

Mos na çani kokën, shumë nga fjalët që llomotisni juve, janë tonat, Hajde, pranojeni, përndryshe do ta kapërcejmë lumin si qukapikët dhe do t'ua bëjmë kokën me vrima e me xhunga"- thërrisnin të përkëtejmit e bregut. E, pra, për shkak të këtyre, mosmarëveshjeve për fjalët e thëthira me vesh,,fillonte lufta me prazhda. Fërshëllenin aliçët dhe ali-çkat e lumit nga njëri breg në tjetrin dhe...Dhe tërë kjo histori a përrallë,tregohet gojarisht që nga Perandoria Otomane, por dhe ca më thellë, para se të lulëzonte Perandoria Romake dhe ajo Bullgare... Unë jam i pari që po e përcjell të shkruar, ashtu siç e kam dëgjuar dhe nuk ve dorën në zjar e as në zemër se sa e vërtetë është kjo që po lexoni...😁

Prill, 2020

133 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page