Vangjush Saro
Pse legjendarizohen disa krijues?
Përndryshe: Për një vështrim më në gjerësi të panoramës në Letrat Shqipe
Kur platitet disi zhurma e sajuar për aksh shkrimtar të njohur, tërhiqesh në studio dhe mendon që ajo (zhurma) s’mund të jetë veçse për bujë. Po dal në temë: Ndonjëherë të bëhet sikur jemi ende në dekadat e dikurshme, kur në lëmin e letërsisë, emrat e I. Kadaresë dhe D. Agollit ishin padyshim më të përkëdhelurit e kohës; sado që shkrimtarë shumë të mirë. Për çudi, kishte një prirje për t’i legjendarizuar ata; madje, e ca më shumë çudi, kjo prirje është gjithë njësoj edhe sot. Pa dyshim, e meritojnë vëmendjen dhe më shumë se aq; por jo legjendarizimin. Ndjekësit e tyre nuk lënë rast pa publikuar: Fotografi (ku kanë pozuar edhe vetë, duket sikur duan diçka të përfitojnë nga kjo); kujtime, ku gjithashtu janë edhe ata ‘protagonistë’; shënime të sforcuara, ku flitet për mendimet e vyera; përshtypje emfatike nga vizitat në rrethe, kur ata ishin me detyra në LSHA, etj. Dhe kështu, lëvdatat e teprimet marrin qiellin.
Por ndodh që ndaj tyre teprohet edhe në litotë… Bie fjala, botuesi i Kadaresë dhe, njëherësh, i gazetës letrare ExLibris - kam respekt për z. B. Hudhri, është njeri serioz dhe botues serioz - poston pothuaj gjithnjë të shtunave foto të shkrimtarit të njohur teksa mban në duar gazetën në fjalë, a thua nuk ka gazeta të tjera vendi, nuk ka në rajon ndonjë gazetë a revistë tjetër letrare të njohur, në mos asi që mund t’i vijnë atij nga atdheu i dytë, Franca (!) Mund ta kem gabim, por kësisoj, Ismaili i madh zvogëlohet. Ndonjëherë kjo ndodh edhe me Agollin.
Në këto kohë me shumë kakofoni - kur edhe ata që i shajnë si të çmendur, edhe ata që i lëvdojnë si të marrë, më duken harbutë, kurse ata që i qëllojnë nga ‘frëngjitë’ janë thjesht skutha - do zgjedhur një rrugë e paanë për të vlerësuar dhe, njëherësh, për të vënë në dukje teprimet në qasjet ndaj tyre; madje jo vetëm ndaj tyre. Pa shumë fjalë, ata janë krijues që nuk kanë nevojë për kujtimet e përkëdheljet që u cekën më lart; lexuesit kanë vlerësuar në vijëmësi krijimtarinë e tyre letrare. Edhe një pjesë nga ne (që gjithashtu shkruajmë) nuk jemi kursyer për të vënë në dukje arritjet e tyre të rëndësishme, madje edhe për t’i mbrojtur kur shumëkush u ka hapur luftë, rëndom së koti*. Çështja është që ajo ‘dyshe’, ashtu si në kohën e Realizmit Socialist, edhe sot e gjithë ditën, veçohet në një mënyrë të sforcuar; ndaj tyre ka aq shumë dashuri (sigurisht, së shumti e shtirur) e deri servilizëm.
Respektoj drejtpeshimin, një parim fisnikësh. Kam qenë dhe do të jem gjithnjë edhe kundër atyre që - për një mijë motive, përfshi edhe raportet vetjake e krijimtarinë në rendin e shkuar - përpiqen t’i denigrojnë apo t’ua mpakin e devijojnë vlerat. Disa vepra të tyre, edhe të asaj kohe, treguan se ata ishin krijues që e praktikuan zgjerimin e tematikës dhe këndvështrimin mbi dukuritë e kohës: Zhurma e erërave të dikurshme, Mësueset e fshatit, Përbindëshi, Nëpunësi i pallatit të ëndrrave, etj. Pas ‘90-ës, sigurisht që do të shkëlqenin edhe më shumë. Veças, Kadare dha prova të një talenti të madh e të një kapacitetit letrar të pazakontë.
Megjithatë, ajo që më duket shqetësuese është ‘vizatimi’ i tyre me linja më shumë se të forta, duke ua ndriçuar figurën në mënyrë vanitoze, nga çdo kënd e për çdo aspekt të jetës a veprës. Kjo bëhet edhe më e dukshme, marramendëse, në ndonjë përvjetor a ditëlindje të tyre. Dhe kështu - pa asnjëlloj xhelozie a mungesë simpatie por thjesht për të treguar vetëpërmbajtje - formulohet vetiu pyetja e pafajme: A thua të tjerë autorë të njohur nuk kanë ditëlindje e përvjetorë? Ku janë ata në mendjen e njerëzve dhe në vëmendjen e mediave dhe institucioneve?
Gjithë në këtë temë, edhe pse thuhet që s’duhen ngritur mite, shkruhej rreth leksioneve të shkrimtarit I. Kadare për letërsinë moderne (në fakultetin Histori-Filologji): Me të vërteta, por edhe me zmadhime. Është e vërtetë që në ato leksione vinin shumë studentë nga fakultete të tjera, vetëm për të dëgjuar atë. Është e vërtetë që nuk e donte regjistrin (me mbajt mungesat) dhe thoshte pothuaj nëpër dhëmbë… s’ka problem, ju nuk mungoni; dhe s’e zinte me dorë fare regjistrin. Por ndërkaq… edhe pse kam qenë gjithnjë, s’kam parë ndonjëherë 140 vetë (!) në një sallë që mund të mbante (ne) 70 studentët e Kursit dhe disa pak të tjerë që vinin për të ndjekur ato leksione dhe… nuk di pse duhet legjendarizuar ky episod. Kujtoj gjithashtu që në ato leksione kishte edhe ndjekës më pak patetikë se ne dhe se shkruesit e papërmbajtur: Bie fjala shoku im K. Broka, student në Fakultetin Ekonomik (vinte rregullisht për ta dëgjuar) njëherë na tha: Vërtet kaq e parëndësishme është letërsia ‘dekadente’ (?) siç i thoshin atëherë asaj që ishte e ndaluar dhe që shkrimtari na e tregonte ‘me pikatore’, se aq ishte programi. (Ky pasazh gjendet edhe në librin tim “Shqipëria në dy kohë”.)
Të vërtetat janë të gërshetuara. Disa vepra të tyre janë të mbushura me moralizime, të tjera janë krijime mirëfilli të Realizmit Socialist: Dasma, Kështjella, Shqiponjat fluturojnë lart, Komisari Memo, Nënë Shqipëri, ku u thuhet atyre të ‘grupeve armiqësore’: “Shkoni hapni kanale në Pukë, ndryshe s’ka bukë”. Mirëpo shko e fol me një shkrimtar shumë të njohur dhe shumë patetik, që rreh të blatojë përdhunshëm termin ‘rilindas’, ashtu si kohë më parë çirrej që të propozohet për çmimin Nobel aksh shkrimtar, në fakt një prozator si shumë të tjerë (!)
Të kthehemi te ‘legjendat’ për ta shtruar bisedën. Në vështrimin letrar e të vizionit, ata asnjëherë nuk e ngritën zërin për konceptime ndryshe, më realiste, ca më pak për krimet ndaj poetëve, për ndonjë ‘pranverë’, sikundër ndodhte në vende të tjera gjithashtu nën diktaturë, por me një frymëmarrje ku e ku më të gjerë për artet. Mendoj se duhet ta njohim edhe këtë aspekt të krijimtarisë dhe sjelljes së tyre si liderë të atëhershëm të artit. Po ashtu, jetët si shkrimtarë a si persona zyrtarë. Ndonjëherë ata duhen ulur në tokë; nuk shkohet gjithnjë me brohoritje, thoshte Molieri.
Po. Flitet e shkruhet për ta me brohori, (sikur të kish zbritur aty Perëndia). Kujtoj, në një Konferencë të Talenteve të Reja, ndërsa dikush po fliste për poezinë me një patetizëm të pështirë, poeti N. Gjetja ndërhyri dhe duke u drejtuar nga paneli tha se mirë ishte ‘të mos dëgjonim hartime’. I. Kadare dhe A. Kondo, që drejtonin seancën, papritur iu hodhën Ndocit me duar e me këmbë, i bërtitën të mbyllte gojën, të zhdukej… Nuk mbaj mend tjetër ç’i thanë, por ata m’u dukën tejet të ndërkryer. Kjo ndodhte sepse ishin atje për propagandë dhe, ndërkaq, nuk se e duartrokisnin poezinë ‘e vështirë’ që po sillnin disa autorë, edhe Gjetja.
Po përmend gjithashtu vizitat e D. Agollit në rrethe. Krahas detyrimit për të mbështetur Degën e LSHA, por edhe krijues të veçantë, një ndër motivet e ardhjes së tij në Gramsh, dy herë me sa mbaj mend, ishte të rregullonte një mikun e familjes së vet, muzikant, që në fakt aty e përndoqën, si dhe për të kthyer në Tiranë I.K., djalin e E. K., që ai e kishte shok të ngushtë; madje më pas, po për këtë punë, dërgoi në Gramsh edhe N.N., gjithashtu shok e klan i tyre. (Këto dhe të tjera episode, edhe më pak të këndshme nga ç’u tregua më lart e që kishin të bënin sidomos me rivalitetin ndër kolegë, anipse i di nga afër, s’është vendi t’i trandim më tej; i lëmë, se nuk shkojnë me karakterin e autorit të këtyre radhëve.) Sidoqoftë, nga njëra anë, unë thosha dhe prapë them ‘i lumtë’ që kujdesej për fëmijët e shokëve; nga ana tjetër, s’mund t’i idealizoj e zmadhoj vizitat e tij, a thua po ‘digjej’ për letrarët dhe artistët atje; nuk më duket shumë bindës motivi në fjalë… Gjithsesi, fjalori popullor por shumë i pasur, motivet e kapshme që prekin njerëzisht, humori i natyrshëm, sinqeriteti dhe ngrohtësia në të shkruar, heraherës edhe guximi për aq sa mundej (“Apasionata” “Shkëlqimi dhe rënia e shoku Zylo”, etj.) i dhanë atij emër dhe i siguruan një profil letrar të veçantë e të respektueshëm. Kaq. Ai, ata, nuk ka pse të legjendarizohen. Mos jam duke e tepruar?
Ky trend legjendarizimi merr të përfshijë ndonjëherë edhe krijues të tjerë tek-tuk, si M. Zeqo a Xh. Spahiu, që padyshim kanë vlera të qendrueshme si poetë, por në vështrimin tim mbeten atje ku janë edhe shumë kolegë të tyre në ato dekada: J. Bllaci, F. Reshpja, A. Papleka, N. Gjetja, K. Petriti, Gj. Kurtiqi, P. Koçi, S. Bejko, Sh. Karadaku, etj. dhe nuk e di pse ndaj të parëve ka njëlloj zelli për t’i zmadhuar më shumë nga ç’janë. Në një shënim të një të përditshmeje, Zeqo vihet në krah të Nolit dhe Migjenit. Më vjen keq, mendoj se është herët për paralele të tilla. Sigurisht, kam respekt për krijimtarinë e poetit dhe eruditit në fjalë, por ai nuk është ‘epokë’. Noli ishte një epokë, Migjeni gjithashtu. Ata kanë secili një profil letrar të dukshëm dhe që i dallon menjëherë nga krijuesit e tjerë të kohës, të çdo kohe. Por nuk është e lehtë t’i shikosh të gjithë si një ‘vizatim’ krejt më vete, si personalitete me profil të qartë dhe të ndryshëm nga bashkëkohësit. (Siç mund të themi për Poradecin nga njëra anë dhe Migjenin nga ana tjetër. Janë kaq të veçantë, të ndryshëm nga njëri-tjetri dhe lehtësisht të dallueshëm: në tematikë, në stil, në gjuhë.) Është pak e vështirë pra, ta themi këtë për krijues që, patjetër, kanë arritje, janë të suksesshëm, kanë shenja të një profili letrar, por jo në klasin e atyre që përmendëm më lart.
Megjithatë, kjo e gjitha është njëlloj trajtese; nuk ngul këmbë. Tekefundit, këto qasje janë punë shijesh e simpatie vetjake, në ndonjë rast, pse jo, edhe këndvështrime të gabuara; prandaj po e lë me kaq. Por duke pasur parasysh të katër autorët e nderuar, të legjendarizuar, sidomos dy ‘më të mëdhenjtë’, s’mund të mos shtoj që kjo dashuri e madhe nuk duket kund për të tjera ‘legjenda’, bie fjala S. Spase, J. Xoxa, P. Marko, K. Trebeshina, nga prozatorët më të veçantë në letërsinë tonë; disa prej tyre, përpos të tjerave, me kalvar vuajtjesh gjatë gjithë jetës. Kjo qasje nuk mund të anashkalojë gjithashtu emra të spikatur të Diasporës si M. Camaj, etj. Një sërë autorë të nderuar ofruan në letërsi më të mirën e tyre: S. Çomora, Q. Buxheli, M. Greblleshi, A. Abdihoxha, B. Dedja, M. Kallamata, F. Arapi, S. Andoni, Dh. Qirjazi, T. Laço, V. Koreshi, etj. që, pa le a përmenden ndonjëherë, veç në ndonjë shënim të miqve të tyre (!) V. Ziko e N. Prifti, në një krijimtari të plotë e të gjerë, me tipare të veçanta, i pari në poezinë lirike dhe tjetri në tregimin klasik, edhe sot e gjithë ditën aktivë në krijimtari e në Mendimin Letrar, janë gjithashtu krijues ndaj të cilëve vëmendja mund të jetë më e madhe.
Gjithnjë veçohen produktet më të mira në art; por pasi i hidhet një vështrim tablosë. Në dekadat që po jetojmë, një sërë autorë të tjerë po shkëlqejnë; një pjesë, kanë krijimtari edhe në gjuhë të huaja. Ka asi që ranë në sy në ‘kohën tjetër’ e vazhdojnë të krijojnë edhe më mirë sot (N. Lera, K. Kosta, Z. Çela, F. Kongoli, R. Marku, etj.) të tjerë filluan karrierën pas viteve ‘90. Nuk e zgjeroj këtë tablo për shkak të leximeve të pjesshme që mund të çojnë në subjektivizëm. (“Nëse lista e shkrimtarëve i ndihmon lexuesit, unë jam mbrojtës i saj. Por siç dihet, çdo listë është e mangët…” H. Bloom)
Në çdo rast e në çdo nënvizim sa më sipër, përshtypjet dhe simpatitë mund të jenë vetjake; edhe teprimet e, mbase, nuk ka ndonjë gjë të keqe. Por duhet nënvizuar se vlerësimi real dhe nderimet janë detyrime që zyrat dhe institucionet, mediat gjithaq, nuk mund dhe nuk duhet t’i anashkalojnë. Ato duhet të kenë e të respektojnë një kalendar po themi; nuk mund të shkojnë pas berihajt (!) Duke thënë këto, shfaq e do të shfaq gjithnjë respekt të palëkundur për shkrimtarët e spikatur (e ndër më të njohurit) që u përmendën këtu; për këdo që ka krijuar një profil letrar, që e ka shpënë letërsinë dhe artin edhe në botën e huaj; pra nuk u heq asnjë presje fjalëve të mira e vlerësimeve. Por ndërkaq, shkenca letrare, antologjistët, mediat, vetë institucionet e specializuara duhet të kujdesen që ndaj tyre të mos thuren legjenda, por të flitet e të shkruhet me sens, të vihen në vendin që u takon, krahas gjithë krijuesve të tjerë në këtë lëmë. Kjo do të ishte në nderin e atyre vetë, por edhe një sjellje korrekte e profesionale për t’u marrë në konsideratë kur flitet për Letrat Shqipe.
……………………………………………………
*Shkrimi im “Liliputë përqark staturës madhore të Kadaresë” (Flasshqip.ca) është botuar ndërkohë që krahas ‘tanëve’, çuditërisht, mbi shkrimtarin u vërsul si i marrë një palo-gazetar amerikan, motra e të cilit qe komuniste, ai vetë gjithashtu pat qenë komunist dhe mbështetës i Bashkimit Sovjetik dhe kish ‘lundruar’ një kohë midis stalinizmit e trockizmit, pastaj ishte gjendur mysliman - në foto ish veshur si haxhi - kush po pyet, por fliste broçkulla…
Comments