top of page

PSE HESHTIN KAMBANAT?


Mumin Shutaj

Kadri Tarelli, shkruan:


Poezia është art i veçantë dhe i pavarur, që ka një llogjikë të brendshme. Poezia e gjen realizimin e vet në format më të bukura.

Aristoteli.

PSE HESHTIN KAMBANAT?

Mumin Shutaj, në një libër të ri.

- Pse heshtin kambanat? - Një pyetje që lindi vetiu kur mora në dorë librin “Heshta e kambanave”, të autorit Mumin Shutaj. Ishte një bisedë e zakonshme në Durrës, me shkrimtarin dhe studiuesin Shpendi Topollaj, lidhur me letërsinë që krijohet në trojet shqiptare, në Dardani dhe në Ilirida, ku shpreha një mendim lidhur me stilin e vargut të thyer, apo varg i lire, etj, etj. Nuk më çudit fakti që ka shumë emërtime, të cilat më duken si sajesa për t’i dhënë më shumë hapësirë teorive mbi mendimin poetik, medemek të çliruar nga korniza e metrit dhe vargut klasik. Teoritë nuk i shtojnë vlera librit apo formës së krijimtarisë. Janë thjesht hallakatje diskutimesh, në udhë të ngushta me shumë dredha.

Nuk them se e njoh me themel këtë lloj krijimtarie nëpër botë, në Dardani apo në Shqipëri, megjithëse edhe këtu në Durrës ka disa poetë që ndjekin po këtë stil të shkruari, si të “shkujdesur”. Kam përshtypjen, ndaj dhe nuk dua të gaboj, se mjaft krijues nga Dardania dhe Ilirida, e pëlqejnë goxha mirë këtë formë dhe, si të thuash kanë gjetur vetveten. Me që unë njoh disa prej poetëve të sotëm të dardanas, po përmend: Agim Desku, Sokol Demaku, Bajram Muharremi-Bistrica, Adem Zaplluzha, Maxhun Osmanaj, Idriz Gashi, Emine R. Hoti dhe tash së fundi, Mumin Z. Shutaj, etnolog, studiues dhe poet, për të cilin, Shpendi Topollaj nuk priti gjatë dhe më zgjati librin “Heshtja e Kambanave”, një nga 16 librat e botuar, ku shtatë prej tyre janë me poezi.

Më vjen mirë që Shpendi i ka kushtuar një shkrim-vlerësim të mirëfilltë këtij autori, titulluar: “Mumin Z. Shutaj, poet, studiues dhe folklorist i shquar atdhetar”. Ku mes të tjerave, thotë: Të gjithë autorët kanë për atdheun një mall të pashuar. Përsa u takon njerëzve të letrave, ata e ndiejnë si detyrë të japin kontributin e tyre në forcimin e kësaj dashurie, në evidentimin e vlerave tona kulturore, apo për problemet e pazgjidhura kombëtare. Portali “Fjala e lire”. Londër.

Duke përmendur kaq libra të botuar, besoj se çdokush e formon një bindje të shëndoshë se ka të bëjë me një krijues me kulturë të gjerë, do të thosha të ngjeshur fort dhe të thekur në njohjen e historisë, letërsisë, traditës dhe formave “moderne” të poezisë bashkëkohore. Nuk u gabova, sepse shpejt u binda, se kam në dorë një libër që ka vlera poetike dhe njëherazi filozofike. Libri në vetvete përmban rreth 103 poezi të ndara e të grumbulluara në katër rubrika. Sa për njohje po them pak fjalë për secilin grup:

I pari: Qëndrime, mendime dhe ndjesi mbi jetën në tërësi, si rastësi, përpjekje dhe filozofi.

I dyti: Jepet prerë kumti i mençurisë, që udhëton me pjekuri për të shijuar një çast lumturie, por jo mbi valë të dalldisura që diku vallëzojnë e diku të rrëmbejnë.

I treti: Grupimi më i madh me poezi për dashurinë, si qenësi vlere që ringjall e vret dhe, kur të deh të lumturon dhe nga qielli të zbret.

I fundit: Janë disa poezi të përcaktuara, kryesisht për atdheun dhe për figura të shquara të kombit tonë, si “Nëna Tereza”, “Don Mikeli”, “Dritero Agolli”, etj, etj.

Ajo që më bën përshtypje që në titull, është goditja e befte dhe pritshmëria, sepse mendja më shkoi menjëherë tek “kambanat e dashurisë”, që strehohen e kumbojnë në zemër. Do të thosha: Sa keq që tashmë nuk po rrahin dhe tingulli u tret në pafundësi, si shumë të vogla dashuri. Paskam gabuar! Titulli është një metaforë e fshehtë, që të shtyn të hysh më thellë e të pyesësh:

Pse heshtën kamabanat? Mos vallë u shembën tempujt? Nuk e besoj, sepse autori as që ndjen nga ai vesh.

Atëherë ç’ kumt përcjell? Mos është rrëfim dhe paralajmërim, si qetësi para tërmetit, stuhisë dhe tufanit? Nuk marr dot përgjigje dhe nuk jap shpjegime.

Në thesin e hapur të pyetjeve, po shtoj: Kujt i drejtohet, - Kombit? Shumë arsye më shtyjë të mendoj: - Po! Mijëra vjet u lodhëm dhe nuk u bëmë kurrë bashkë, por mbetëm të përçarë, njëri-tjetrin duke vrarë, kush të jetë i parë dhe bota mprehu hanxharë, pesë copa na ka ndarë, për hunde na tërheq zvarrë. Dhe ne bëjmë sehir.

Mos vallë i drejtohet vetëdijes kombëtare? - Edhe kjo qëndron: Ku është kushtrimi i rilindasve, sikur nuk dëgjohet më? Na duket sikur vjen si zë i mekur nga thellësia e shekujve, si ofshama e psherëtima të shkëputura, që nuk bëhen bashkë, që të buçasë mali e fusha, deti dhe qielli, kështu të dëgjojë dheu ynë e mbarë bota.

Mos vallë i drejtohet politikës dhe politikanëve tanë, që as pyesin dhe as guxojnë të dëgjojnë zërin e kombit, para karriges, pasurisë, babëzisë dhe marrëzisë? – Mbase!

Më shumë shtyhem të besoj, se u drejtohet dijetareve, të mençurve e atdhetarëve tanë, që heshtin dhe zemër thyer, struken në ndonjë qoshe, të nëpërkëmbur e të trembur, sepse nuk i pyet, nuk i përfill dhe nuk i dëgjon njeri. Jam i bindur, se autori ka parasysh edhe të tjerë ushtarë të mëmëdheut, që u dhimbset vatani dhe nuk po gjejnë qetësi dhe mundësi të ngrihen e të dëgjohen. Megjithatë dilema është e madhe, ndaj nuk e di, sa këto dy vargje i mbyllin shterueshëm hamendësimet e cilitdo lexues, që pyet trishtueshëm: Pse heshtin këto kambana?: “…. Ca flasin me perënditë mitike, / pinë kohën e dehen me ëndrra dite”.Poezia. “Heshtja e Kambanave”

Në faqet e para të librit, vë re një dukuri sa të bukur letrarisht, aq edhe të dobishme shqiptarisht: një bashkëpunim i autorit me disa pena të fuqishme nga Tirana dhe Durrësi. Më këtë rast dua ta përgëzoj miqësisht autorin, sepse ka zgjedhur personalitete të letrave shqipe, si Albert Z. Zholi, i cili veç detyrës si redaktor, ka bërë hyrjen e librit, duke i kushtuar një analizë letrare dhe shkencore me mjaft vlera njohëse. Këtu përfshihet edhe Dr. Prof. Salajdin Saliu dhe znj. Mimoza Erebara, një shkrimtare, poete, kritike, pedagoge dhe njohëse e shkëlqyer e letërsisë bashkëkohore, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare. Ata, mjaft të përkushtuar, nëpërmjet recensave, kanë dhënë mendimet, por më shumë kanë hyrë thellë në udhëtimin filozofik të poetit, si në zgjedhjen e temave ashtu edhe në shtratin e vargjeve, me plot frymëzim çasti.

Nuk e njoh sa duhet bashkëpunimin mes krijuesve të dy anëve të “gardhit shqiptar”, me të cilin një shekull më parë, të mëdhenjtë e botës, na ndanë pa ju dridhur dora. Gjithsesi këtë gjykim të mençur të autor Muminit, e vlerësoj së tepërmi, jo thjesht për gjuhën dhe cilësinë letrare të veprës, por si veprim të pastër atdhetarie e shqiptarie. E vlerësoj më së shumti edhe për shembjen apo mbushjen e këtij hendeku, që politika po e mban ende në hapur, si sinor i pronave dhe i “bejlerëve” të sotëm.

Unifikimi i kombit kurdoherë është i dobishëm, por për ne shqiptarët i domosdoshëm, madje kambana e kushtrimit duhet tundur fortë, e të dëgjohet larg, sepse vonesa është vrastare. Dhe, këtë më mirë se kushdo e bën letërsia, arti, shkenca, sporti, e veçanërisht shkolla, arsimi. Besoj se edhe poet Mumini e ndjen shqetësimin po aq mirë sa të gjithë intelektualët në trojet shqiptare, që nuk reshten të ngrenë zërin, të shkruajnë e të veprojnë, kurdoherë me guxim, siç u thotë zemra dhe urdhri i kombit.

Nuk dua të analizoj vlerat letrare të këtij vëllimi poetik, sepse i takon lexuesit të shijojë e të përtypë metaforat dhe mendimet e mençura. Më pas të vendosë, për ta vënë mbi tavolinë, në raftet e bibliotekës, në çantën e shkollës apo të punës, në xhep të palltos ose xhaketës, apo në ballë të oxhakut. Po mjaftohem vetëm me tre-katër vargje: “Kur kambanat heshtin,/ ngrin valsi timbrik qiellor………/ Flen kozmosi ynë i plakur,/ flen njeriu ynë në udhëtim”. Më poshtë vazhdon: “Kur kambanat heshtin. Hesht dhe ciceroni./ Zërat e dhimbjes mistifikohen, s’kanë dritë”. Poezia “Heshtja e Kambanave”.

Unë nuk jap dot gjykim të prerë, është domeni i teoricienëve, studiuesve apo kritikëve, por mendoj se kjo formë të shkruari poezi, kërkon një lexues të stërvitur dhe të bredhur nëpër ugaret dhe lëndinat e letërsisë dhe poezisë moderne. Me një fjalë kërkon lexues të kultivuar (Në Korçë, Kolonjë e Devoll, i thonë të kënduar), që i nuhasin, i gjejnë dhe i prekin figurat letrare, sidomos metaforat e fshehura, që kumbojnë apo kulmojnë nëpër vargje.

Kam përshtypjen, se autori nuk e ka të vështirë të krijojë në poezi klasike, me metrikë dhe rimë të përcaktuar mirë dhe bukur, si melodi e kënduar apo vërshëllyer në vetmi. Bindem, kur e ve re disa vargje shtrirë në poezi kushtuar dashurisë: “Barti etjen si hamall, ndër rrebeshe çalë,/ sublimim ndjenje përherë ruajti t’ia falë”. Poezia “Në të shpirtit fole”. Ose: “Dikur vuri sy mbi një ikonë, idhull dashurie./ E deshi si i marrë, vlerësuar figurë madhërie,/ që u tret e vërdallisur në të sajën pavetëdije./ Tip shpirti që ia fali motet, i vrarë dorë djallëzie”. Poezia: “Dashuruar kishte”.

Poetët nuk pranojnë këshilla. Ata rrinë në fron perëndie dhe vetëm vendosin e vulosin. Por besoj, se lexuesi do dëshironte në këtë libër, disa poezi që t’i këndojë edhe pasi ta ketë mbyllur librin. “Fjala nga pena dhe shigjeta nga harku, po u lëshuan, nuk kthehen më”. – thotë një i ditur. Unë thjesht shpreha një dëshirë, për libra të tjerë në të ardhmen.

Në fund të librit, fuqishëm më kumbojnë në veshë kambanat, që ende nuk kanë heshtur, për ata që mendojnë e gjykojnë në thellësi. Ato gjëmojnë e kulmojnë me zërin e tyre të fshehtë, si fjalë perëndie, për ata që dëgjojnë dhe kuptojnë, dëshira dhe detyra atdhetarie, qytetarie, dashurie, mirësie njerëzie dhe shqiptarie.

Në mbyllje të këtij shkrimi, ku më ngacmon kjo hulli mendimi, po shtoj nga xhepi im dy vargje:

“Pse kambanat heshtin, gjuhë në tingull tretur?

Nuk i dëgjoj.

Mos u shembën tempujt, pa perëndi mbetur?

Nuk e besoj”.

Urime dhe suksese Mumin!

Vepra të tjera presim, ku të shpërfaqet madhërisht, arti, fjala dhe poezia shqipe!


Kadri Tarelli

Durrës. Vjeshta e tretë. 2021.

38 views1 comment

1 Comment


kadritarelli
Nov 09, 2021

Pershendetje Fatmir dhe "Fjala e lire", qe publikoni me dashuri shkrimet tona. Jeni nje dritare me shume per ta percjelle kulturen shqiptare neper bote. Urime dhe mirenjohje!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page