Pse duhej menduar vdekja?


Pse duhej menduar vdekja?

Nga Fatmir Terziu


Ajo ishte një ditë e shtrydhur. E tërë lagështia e mbarsur nga govatat grirame të Gushtit kishte përfunduar në gropëzat e porëta të tokës së koklavitur e të pangopur të Shtatorit londinez. Në rrugën buzë Tamizit ujëtrazuar nga anijet e radhës ecte ai me gruan e tij të dashur për krahu. Qeshnin të dy me çdo gjë që kalonte aty afër. Edhe kur nuk ishte për të qeshur, diçka i bënte të bënin të kundërtën. Të dy ishin sinkron i asaj simptome që i kishte kapluar qetazi e pa u ndjerë. Dhe kështu bënë deri sa u gjendën në dyert e spitalit të Uaterlusë.

Ajo kishte për të bërë një skan, që në fakt për të ishte një nervgoditje e pllakosur. Skan në trupin e saj?! Të dy ishin afër monitorit më në fund. Shikonin në të. Një imazh bardhë e zi flikërronte e pulsonte para e pas, duke të kujtuar skenën e Kapedan Sulos tek filmi i mirënjohur shqiptar, kur ai kërkon të hakmerret me gratë.

Por në vend të fytyrës së aktorit shqiptar, Albert Verria, të rregulluar e të plastifikuar për atë rol, dilte nga glumi i brendshëm, një vogëlsi humane, që kishte jetuar kushedi sa ditë a javë në brendësi të barkut të gruas së tij. Ai nuk e dinte se si kishte hyrë e dergjej në atë bark të butë të gruas së tij, dhe habitej njëkohësisht se si ajo grimëz lëvizëse me afërsi humane mund të dilte që aty.

Mëgjithë avantazhet e mjekësisë, që i lexonte në muret e asaj ndërtese, edhe mjekët dhe stafi i kishin thënë se ata nuk ishin në gjendje të largonin atë krijesë në barkun e gruas së tij para Janarit. Dukej mjaft e paqenshme kjo situatë në barkun e gruas. Por ajo e mbante atë për mrekulli brenda saj. Nuk kishte as arsyet e ditëve të parambërritjes së asaj krijese në brendësi të barkut të saj, të ikte, dilte e të vonohej netëve për pije alkoolike në pubet me zhurmë e shoqëri të njohura e të panjohura. Ishte një vizitor i paftuar, i panjohur, por për çudi gruaja e trajtonte mirë. Madje e mbante me kujdes në barkun e saj. Edhe netëve më shumë ia qaste kohëdëshirat atij, se sa burrit. Ai foli me vete. S’besoj se është Sidroma e Stokholmit!


Dhe kështu, nisi të pëshpëris e të flasë në heshtjen e tij të turbulluar. Dukej se ai në kushte të tilla, do të duhej të ishte baba. Një baba pas gati njëzetë e tetë vitesh martesë. Në një moshë 57 vjeçare, pa gjashtë muajt e kapërcyer, që kapen me moshën reale të tij, duket se ai do të jetë një baba, dhe më tej kur ai të kapërcejë të 67-at do të jetë një gjysh ndoshta e ku i dihet sa do jetë..., a do të jetë në fakt për të qenë stërgjysh. Kështu e mundonte të qënit i moshuar, jo aq shumë sa ajo ftesë e papritur në barkun e gruas së tij. Por në të njëjtën kohë shihte nga vetja dhe mendonte se të qënit i tillë, baba apo edhe gjysh do ta mbante të tillë dhe më të ri. Pra do të ishte një baba, apo gjysh me mendjen e tij të shtrydhur nga Gushti i kaluar, që do të duhej të quhej rinosh i një situate të paftuar e të padëshiruar. Të paktën kështu dukej për të.

Ai kishte dhe shqetësime të tjera. A duhej mbajtur ai fëmijë gjallë? Dhe si do të mbahej ai gjallë, kur ishte misterioz në barkun e gruas së tij? Ndoshta nuk do të kishte menduar kështu nëse do ishte ndryshe. Ai do të ishte planifikuesi dhe realizuesi i bebes. Ai do të ishte baba... Tani kush do të ishte babai? Kush?! Dhe kjo e shpinte në një kornizë të vogël. Ajo ishte e pavarur në mur, por në trurin e tij. Aty brenda ishte morali, njeriu, fjala, rregulli, jeta, arsyeja, bindja, forca, jeta... Mungonte vetëm vdekja. Ajo ishte më misterioze se ajo krijesë e paftuar në barkun e gruas së tij të dashur.

Gruaja ishte në koma. Salla e reanimacionit ishte bërë shtëpia e saj në javën e shtatë të shtrimit. E ai sillej me memecërinë e arsyeve nëpër rrugët e Londrës. Ishte jo më optimist si më parë. Disa herë kishte blerë tufa lulesh dhe i kishte flakur në kazanët e plehrave me kapakë të rrëndë. Dhe miliona mendime i shfaqeshin e i zhdukeshin pa mbërritur mirë në stacionin e duhur. Ai ishte një shofer i dehur që i shpinte ato mendime në salla të tjera reanimacionesh. Nisi të bënte një arsye. U ndal, mendoi një çast. Është jetë. Pse duhej menduar vdekja? Ajo është jetë...

I erdhën nëpër mend brendësitë e asaj jete. Niste në mitër. Atje brenda gatuhej dhe bëhej gati të dilte në skenën ku ishte ai. Ku ishin biliona të tjerë të dalë nga rrugë të njohura. Kjo ishte rrugë e pashkelur për të. Nuk dinte hyrjen. Nuk dinte daljen. Dalja dihej me një perceptim. Diheshin dhe flokët në një krijesë të ardhur nga ai rrugëtim. Dhe ai pastaj do të kishte udhëjetën e tij..., ndoshta edhe deri në Hënë, apo stratosferë me anijet e kohëve misterioze. Dhe atje do të fliste për jetën në Tokë... Ai do ishte diku duke e dëgjuar...

Iu duk si të ishin ëndrrat e Adam Sandlerit. Në atë moment askush nuk ishte aty. Gruaja i kishte lënë një libër, një gonxhe dhe një gotë me ujë afër kokës ku ai ishte shtrirë dhe kishte fjetur gjatë. Pastaj fshiu sytë dhe pa nga dritarja. Piu pak ujë, mori gonxhen, dhe nisi të lexonte librin ... Fjalët dilnin e bëheshin lule të tjera, e ashtu rrokagurthi mblidheshin në vallëzim në sheshin e gjerë para ndërtesës.

Në moment kompjuteri i skanit ishte i ftohtë. Fëmija godiste me shkelma nënën e tij... Ndërsa ai ia mbante duart me forcë dhe betohej se kurrë më nuk do të vinte i dehur në shtëpi. Doktori i ADN-së buzëqeshi dhe tundi kokën me dënesë...


#terziu #fatmir

6 views

Shkrimet e fundit