top of page

Proza e Petraq Zotos - ndër pasuritë e letërsisë dhe kulturës shqiptare


Vangjush Saro

Proza e Petraq Zotos - ndër pasuritë e letërsisë dhe kulturës shqiptare

Po i rikthehem në këto radhë njërit prej prozatorëve më të njohur të letërsisë për fëmijë e të rinj, i suksesshëm dhe interesant edhe në letërsinë për të rritur, Petraq Zotos, duke marrë shkas nga disa prej botimeve më të fundit të autorit, të publikuara nën kujdesin e bashkëshortes së tij, znj. Tatiana. Është fjala për librat “Perria me brirë” (përralla), “Vetëm veten jo” (tregime) dhe “Dashuri e ndërprerë” (roman). Duke mos pretenduar një analizë të zgjeruar, shteruese, të veprës së shkrimtarit, çka do të kërkonte një lexim më të thelluar, si dhe më shumë pranëvënie, i shoh këto radhë si një qasje përshëndetëse, por ku do të formulohen mbase disa vlerësime ekstra e karakteristika të krijimtarisë së Petraq Zotos.

Duke përcjellë te lexuesit një pasqyrë të këtyre botimeve të fundit, po përpiqem të bashkalidh vende-vende edhe mendimin tim vetjak për stilin, përzgjedhjet tematike dhe qendrueshmërinë e autorit në gjini e zhanre të caktuara, si shprehje e profilit të tij artistik. “Perria me brirë” është një libër me përralla, ku bien në sy rrëfimi i shtruar, tërësor, klasik, thjeshtësia e të shkruarit, gjuha e pasur, e ndriçuar nga shprehje dhe fjalë popullore. Përralla dhe rrëfimi ngjallin gjithnjë kureshtje ndër lexuesit e vegjël, sado që po aq interesante mbeten për çdo moshë e kategori lexuesish. Petraq Zoto e shkruante mirë edhe këtë lloj proze; kujtojmë që disa nga romanet e tij mbështeten mbi motive animistike. (Do të veçoja romanin “Burimi i drerit”.) Përralla e rrëfime si “Shkolla e ujkut”, “Ku je, ku…”, “Perria me brirë”, etj., janë krijime të shkruara gjithë në stilin e tij të veçantë, brenda të cilit dallojnë thjeshtësia, qetësia dhe humanizmi, tipare e shfaqje të spikatura në gjithë krijimtarinë e autorit dhe në vetë jetën e tij.

Libri “Perria me brirë” shënon gjithashtu një vlerë më shumë për prozën shqiptare për fëmijë e të rinj, veçanërisht për zhanrin e përrallës dhe rrëfenjës, ku sollën krijimet e tyre të mrekullueshme Mitrush Kuteli e, më pas, edhe Bardhyl Xhama, Pandeli Koçi dhe autorë të tjerë.

Në përmbledhjen me tregime “Vetëm veten jo” vjen edhe më i qartë profili i autorit si prozator, veçanërisht si një nga tregimtarët e mirë të letërsisë shqiptare. Petraq Zoto ra në sy që herët për tregimet e tij jetësore. (“Mësuesi im i parë”, “Dritat nuk u shuan”.) Autori i romanit të njohur ‘Verka” - që edhe pse i shkruar në kohë të rregullave të ngurta, përcjell vlera artistike dhe gjuhësore, sikundër edhe përmbledhja me tregime “Gjahu i dielës”, një tufë rrëfimesh plot gjetje e kolorit letrar - e shpie më tej bisedën e tij me lexuesit përmes librit “Vetëm veten jo”. Nga skicat më të thjeshta (“Kur mendoj Pandin”, etj.) te tregimet për emigrantët, ato me personazhe historike (“Bredhi i gjelbër”) por edhe ato trill (“Loti i heshtjes”, “Inati i mirë”, etj.) autori mban të njëjtin ritëm, kërkesat për kompozicionin e krijimit dhe gjuhën e përzgjedhur janë një.

Mënyra se si ai tregon dhe se si i ndërton karakteret, të kujton ‘ekipin’ më të qendrueshëm të prozës shqiptare, duke filluar nga Sotir Andoni, Naum Prifti, Dhimitër Xhuvani, Vath Koreshi, etj. që kanë ‘mësuar’ nga Kuteli i madh. Përmbledhja me tregime “Vetëm veten jo” është një libër ku ravijëzohen tiparet më të qenësishme të autorit si prozator, në një rrëfim natyral, pa patetizëm, me një gjuhë të pasur e të pastër, si dhe duke i dhënë përparësi ‘vizatimit’ të peizazheve.

Romani “Dashuri e ndërprerë”, krahas romanit të mëparshëm “Genta” vjen si një akt i rëndësishëm në krijimtarinë letrare të autorit. Një njeri fatgremisur, pothuaj i syrgjynosur në provincë dhe raportet e vështira me realitetin, mbijetesa e dhimbshme, ku dashuria ‘e ndaluar’ zë një vend të pakonkurrueshëm… Heroi i romanit është një viktimë e vanitetit të kohës, e pamundësisë për të thyer mediokritetin. “Dashuri e ndërprerë” përcjell te lexuesi jetë të vërteta dhe mesazhe të rëndësishme. Krahas krijimit të figurave e karaktereve (si Fredi, Cava, etj.) si gjithnjë, në stilin e autorit, bien në sy dialogu jetësor, përshkrimi bindës i mjediseve, çka bën që lexuesi të ndjehet komod me atë subjekt ku, realizmi dhe sentimentalizmi bëjnë një pakt. (Ndërkaq, sa për një saktësim, në kopertinat-shtesë të romanit “Dashuri e ndërprerë” gjenden fragmente nga shkrimi im i mëparshëm për krijimtarinë e Petraq Zotos. Është fjala për shënimin me titull “Ikja e një prozatori të spikatur”)

Petraq Zoto ishte një klasik, ndoshta edhe pak konservator në të shkruar. Ai nuk shkonte pas manierave, rrëfente ngadalë e shtruar dhe asnjëherë nuk pëlqeu një ritëm fals apo skema letrare të ‘kamufluara’; ai ndiqte tragën e vështirë të prozatorit epik, por që heraherës aplikon thyerje në stil dhe në rrëfim. (“Burimi i drerit”, “Vetja tjetër”) Humanizmi dhe besimi për jetën, kërkimi i së vërtetës, mbështetja në natyrë, mandej gjuha e thjeshtë dhe mjetet artistike tepër bindëse, karakterizojnë gjithë krijimtarinë e tij, nga librat e hershëm tek ata më të fundit.

Të qenit gjithnjë pranë prozës, pranë një proze të qetë e të thellë, ishte një nga tiparet e krijimtarisë së tij artistike. Kohët e fundit, vëmë re që edhe autorë deri diku të njohur, për arsye që nuk mund të shpjegohen në këto radhë, kërcejnë nëpër gjini e zhanre pa asnjë inspirim të vërtetë. Po bëj këtu një parantesë. Kam lexuar së fundi disa ‘poezi’ për fëmijë të një prozatori të njohur, të cilin madje disa e kanë fiksim - poezi që ‘fituan’ edhe një shumë lekësh në një projekt të MK - dhe kam ndjerë keqardhje për autorin, sa edhe për organizatorët e këtyre eventeve, ku rëndom gëlon mediokriteti, tarafet, interesi i ditës dhe zelli a fiksimi për ca fitime qesharake. Në krijimin e profilit artistik, nuk bëjnë punë çmimet e sajuara, një çek apo një dekoratë, por veçanësia dhe mjeshtëria në të shkruar, pse jo edhe qendrueshmëria në ato gjini, lloje a zhanre, ku autori vërtet ndjehet me peshë, ndërkohë që ‘ndjehen’ po kaq mirë edhe lexuesit e tij. Petraq Zoto ishte për vite të tëra drejtor i një prej teatrove më të njohur të vendit, me një repertor të gjerë dhe shumë lehtë mund të sillte në skenë ndonjë dramë… Por ai qëndroi rigoroz në prirjen e tij të natyrshme që ishte proza; jo pse nuk mund të provonte edhe në gjini të tjera, por sepse ishte një autor serioz, që e dinte mirë ku mund të mbështetej për të bashkëbiseduar me lexuesin.

Më duhet të shtoj, gjithashtu, se shkrimtarë si Petraq Zoto, për shumë arsye, duket sikur kundërshtojnë teprimet dhe mbivlerësimin, që jo rrallë ua blatojmë njërit apo tjetrit... Gjithnjë kam kujtuar - nuk po shkruaj ‘thënë’, se mund të mos jem i pari që jam ulur në këtë temë - se e rëndësishme është të dihet çfarë ka të veçantë tek X shkrimtar, cilat janë vlerat reale që ai ka përcjellë në publik, pra, me pak fjalë, cili është profili i tij artistik. Duke mos lënë mënjanë teprimet e disa krijuesve për njëri-tjetrin ose për letrarë në ‘nxemje’ e sipër - rëndom komplimente e përfundime patetike - mund të them se janë edhe më keq të shkruarat dhe pranëvëniet e llojit ‘krahasimor’, pa le ato të shkallës sipërore, si: ‘më i madhi, më i shquari’, etj. ‘Lufta’ bëhet për të qenë shkrimtar dhe për të qenë i veçantë, për profilin artistik apo çka do ta quaja ‘pasaportë letrare’ që mund të ‘kompozohej’ duke iu përgjigjur pyetjeve nëse ai/ajo ka veçanësi në përzgjedhjen e temave; në qasjen te gjini, lloje a zhanre të caktuara; në aftësinë për të sjellë gjetje; në përsosmërinë e të shkruarit; në gjuhën letrare që përdor dhe në veçori të tjera të stilit; në llojin dhe cilësinë e botimeve; në mënyrën se si ka reaguar tregu dhe mendimi letrar për krijimtarinë e tij. Etj.

Në të gjithë historinë e letërsisë, vështirë të gjesh nënvizime me theks ‘sipëror’, edhe pse antologjistët dhe studjuesit e letërsisë kanë pasur edhe ata dobësitë e tyre. Ja si shprehet Jevtushenko: “Biografia e një poeti është poezia e tij. Të gjitha të tjerat janë poshtëshënime.” Kurse Oskar Uajld: “Debatojnë vazhdimisht ata të cilëve u ka shteruar inteligjenca.”Skulptorja amerikane Ani Truit, thotë: “Jemi artistë, sepse jemi vetvetja...” Duke shkruar për takimet me Beketin, shkrimtari i njohur franko-rumun Emil Cioran kujton: “Ajo që ai (Samuel Becket-V.S.) s’e toleron kurrë, në asnjë rast, janë bisedat e llojit: Mendoni se kjo apo ajo vepër do mbijetojë? Mes X dhe Y kush është më i madhi, kush do mbetet? Vlerësime të tilla ia plasin shpirtin, e mërzisin. “E ç’kuptim ka e gjitha kjo?” më pyeti pas një darke po aq të shpifur, ku diskutimi në tryezë i ngjante variantit grotesk të Ditës së Gjykimit.”

Shkrimtari Petraq Zoto është fitues i disa çmimeve të rëndësishme letrare. Vepra e tij është marrë në konsideratë edhe në një nga librat më të njohur që shqyrton krijimtarinë letrare për fëmijë e të rinj dhe ndalet në emrat më të spikatur të kësaj krijimtarie; është fjala për librin “Profile letrare” (studime) të autorit Milaim Nelaj. Krijimtaria letrare, proza e shkrimtarit Petraq Zoto, është një nga pasuritë e çmuara të letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Më në fund, po e them pa doreza, kam pritur të shkruhet më shumë për të; nga kritika letrare, nga kolegë të zhanrit, nga autorë të tjerë e, pse jo edhe nga miq të tij; kujtoj se me sa cinizëm është folur jetë mot për ndonjë tipar të krahinës dhe qytetit ku ai shkoi jetën - është fjala për termin ‘lokalizëm’ - çka nuk e kam parë dhe kështu, dyfish më ka brengosur, sepse këto ‘thashetheme’ i konsideroj primitivizëm. Me sa duket, krijuesit rëndom ngarendin pas egos letrare… Kjo mungesë vëmëndjeje nuk është ndonjë gjë e re për letrat shqip dhe për kulturën shqiptare në tërësi. Koha do të tregojë emrat dhe vlerat për të cilat mund të kishim qenë më të ndjeshëm dhe më të drejtë, por hë për hë, ne gjendemi në një hartë pellgje-pellgje e ku pjesa e pakët e shkrimtarëve më të afirmuar dhe më seriozë nuk ndjehen mirë, ndërkohë që kjo nuk mund të thuhet për disa kategori të tjera më të ‘lumtura’, grafomanët nga njëra anë dhe snobët nga ana tjetër, një nonsens, një dukuri e çrregullt, ku duhet të ndalemi njëherë tjetër. Filozofi britanik Frensis Becon thoshte: “Në errësirë, të gjitha ngjyrat duken si një.” Pikërisht duke iu qasur më shumë shkrimtarëve seriozë, ngushtojmë hapësirën për grafomanët dhe snobët, duke përmbushur sadopak detyrimet ndaj tablosë reale të letërsisë dhe kulturës mbarëkombëtare.

107 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page