top of page

Prof. Dr. Fejzulla Berisha: Qeveria Kurti dhe padrejtësia ndaj çlirimtarëve

ree

Nga ekstaza politike në penalti kombëtare: Qeveria Kurti dhe padrejtësia ndaj çlirimtarëve

Nga Prof. Dr. Fejzulla Berisha

– 27.Tetor 2925-Washington DC


Qeveria Kurti sot po e përjeton në mënyrën më të dukshme penalitetin e vet historik – një penalti që nuk është as juridike, as administrative, por morale, politike dhe kombëtare. Ajo është pasojë e drejtpërdrejtë e një qasjeje që, në vend se të afirmonte vlerat e lirisë, zgjodhi të glorifikonte antagonizmin politik dhe të rrëzonte nga piedestali moral figurat e luftës çlirimtare.


1. Ekstaza politike si simptomë e narcizmit ideologjik

Nga momenti i ardhjes në pushtet, Qeveria Kurti u shfaq në një ekstazë të vetëadhuruar politike, duke e paraqitur veten si “shpëtimtarin” e vetëm të shtetit dhe duke ndërtuar një narrativë të rreme moraliteti. Retorika e saj populiste u shoqërua me një përpjekje sistematike për të rishkruar historinë politike të Kosovës.

Në këtë diskurs, Ushtria Çlirimtare e Kosovës – forca që mishëroi idealin e rezistencës kombëtare dhe themelin e shtetit – u portretizua si e tejkaluar, madje si pengesë për “republikën e re”. Kjo qasje nuk ishte as naive, as e rastësishme; ishte e qëllimshme dhe ideologjikisht e ndërtuar mbi distancimin nga trashëgimia çlirimtare.

Ky fenomen nuk është i panjohur në historinë politike evropiane. Regjimet që përpiqen të krijojnë legjitimitet përmes mohimit të vlerave të mëparshme, përfundojnë të izoluara nga populli i tyre. Ashtu siç ndodhi në disa vende postkonfliktuale të Ballkanit – ku elitat politike të reja tentuan të krijonin “mitin e pastërtisë morale” duke demonizuar forcat e çlirimit – edhe në Kosovë, kjo tentativë dështoi për shkak se historia nuk mund të rishkruhet nga narcizmi politik.


2. Injoranca institucionale ndaj UÇK-së dhe heshtja ndaj Hagës

Asnjëherë pas vitit 1999, një qeveri e Kosovës nuk ka mbajtur një qëndrim më të ftohtë dhe më të distancuar ndaj luftëtarëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë.

Kjo heshtje institucionale, e cila nganjëherë mori formën e një qëndrimi përbuzës ndaj drejtësisë selektive, dëmtoi rëndë imazhin moral të shtetit. Në vend që të mobilizonte diplomacinë shtetërore për të ngritur zërin kundër standardit të dyfishtë të drejtësisë ndërkombëtare, qeveria zgjodhi të heshtë — ndoshta nga frika se çdo solidaritet me çlirimtarët do të interpretohej si “ndërhyrje në drejtësi”.

Në kontrast me këtë qëndrim, kujtojmë se Kroacia, gjatë procesit të Hagës kundër oficerëve të saj të ushtrisë, organizoi një mbrojtje shtetërore të koordinuar, me fonde, përfaqësim ligjor dhe diplomaci aktive. Ndërsa Kosova, në vend që të shfaqte unitet, prodhoi ndasi, me deklarata që shpesh krijonin përshtypjen se UÇK-ja ishte fajtorja që duhej harruar për t’i hapur rrugë “republikës së re”.


3. Penaltia politike dhe rënia e legjitimitetit moral

Çdo qeveri e ka një moment reflektimi, kur arroganca politike përplaset me realitetin e historisë.

Qeveria Kurti sot po përjeton këtë përplasje. Penaltia që ka marrë nuk është nga opozita apo nga ndonjë faktor ndërkombëtar, por nga vetë ndërgjegjja kombëtare.

Në popullin që dikur e besoi si simbol të ndryshimit, po zë rrënjë ndjenja e zhgënjimit, sepse nuk mund të ketë drejtësi të re duke mohuar sakrificën e vjetër. Nuk mund të ketë liri politike pa mirënjohje historike.

Në aspektin e politikës së jashtme, Kosova është futur në një izolim të heshtur diplomatik.

Marrëdhëniet me aleatët tradicionalë janë dobësuar, komunikimi me SHBA-të është bërë formal, ndërsa mosangazhimi në mbështetje të të akuzuarve në Hagë ka krijuar perceptimin e një Kosove që ka harruar vetveten.

Në këtë kuptim, penaliteti që e përmend populli nuk është metaforë – është realitet politik: një qeveri që mohon bazat e shtetit, përfundon e penalizuar nga vetë logjika e shtetësisë.


4. Historia si gjykatë e fundit

Nëse një qeveri mund të manipulojë diskursin e përditshëm, ajo nuk mund të manipulojë historinë.

Historia është gjykata e fundit e kombeve dhe ajo tashmë ka filluar të flasë. Brezat e rinj po kuptojnë se Kosova nuk u bë nga partia, por nga gjaku dhe sakrifica e atyre që luftuan për të.

Një shtet që nuk e nderon themelin e vet moral – UÇK-në dhe çlirimtarët e saj – humbet jo vetëm identitetin, por edhe legjitimitetin për të përfaqësuar kombin.


5.Nga penaliteti drejt reflektimit kombëtar

Sot, kjo qeveri duhet ta kuptojë se nuk po dënohet për gabime administrative, por për gabime themelore në raport me kombin dhe historinë.

Në vend të mohimit, nevojitet reflektim kombëtar.

Në vend të retorikës, nevojitet ndërgjegjje.

Në vend të ndasive, nevojitet bashkim mbi një të vërtetë: se Kosova e lirë ekziston vetëm falë atyre që dhanë gjithçka për të.

Pa UÇK-në, s’ka shtet; pa mirënjohje ndaj çlirimtarëve, s’ka dinjitet; dhe pa dinjitet, s’ka komb që mund të mbijetojë.

Prandaj penaliteti që po përjeton kjo qeveri është në fakt një mësim historik për çdo pushtet që harron se liria nuk është dhuratë, por amanet.


Nga Washington DC, si pjesë e diasporës shqiptare që ndihet e lidhur ngushtë me fatin e atdheut, unë shoh me shqetësim këtë penalti moral dhe politik. Por shpresoj se edhe ky është një moment reflektimi dhe rikthimi te vlerat e vërteta që e bëjnë Kosovën një shtet të drejtë dhe dinjitoz – jo për një qeveri, por për kombin që ajo duhet të përfaqësojë.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page