Prof. Dr. Fatbardha Fishta Hoxha: VEPRA E GJERGJ FISHTËS NË VLERËSIMIN E ERNEST KOLIQIT
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 7 hours ago
- 8 min read

Ne vitin e 85-te te ndarjes nga jeta te Fishtes(1940)
Mendimet dhe vlerësimet e Ernest Koliqit per Fishten zënë një vend të veçantë, me të cilin Koliqin e lidhnin shumë gjëra, por ai do të mbetet që nga fillimet e kontributit të tij letrar adhurues i mjeshtrit dhe i veprës së tij, përkthyes, kritik e studiues i saj. Konsiderata e parë për veprën e Fishtës është shprehur nga Koliqi në një fjalë të mbajtur si konferencë më 18 Janar të vitit 1931 në Salonin Saverian e të botuar më pas në revistën “Leka” me titullin “Misioni i letrarëve të rinj shqiptarë”. Në këtë fjalë, Koliqi e quan Fishtën “ma i mbrami poet epik i Europës”. Pothuajse shumë afër në kohë, Koliqi i kushtoi Fishtës një poezi në 60-vjetorin e lindjes së poetit. Ajo u botua në tetor të vitit 1931 tek revista “Hylli i dritës”, ku përmes vargjesh sintetizon vlerat jo të zakonta të kontributit të Fishtës. Koliqi ka derdhur në to nderim të rrallë dhe ngrohtësi njerëzore në vargje që shprehin ndjesi të fuqishme si këto: “Kangëtar, o prijës muzike, o shpirt me njimijë zane, / buza t’u dridh nga ambëlsija, ... / dhe hiret e gjuhës sonë ti krejt ia shpike, për t’kndue nji zoj fisnike qi ty shpirtin bujar me bukuri ta rrëmbeu. / e u shkrine herë në gëzim e herë në vaj, për të vetmen dashuni, e i thanë, o Fishtë, Shqipni...” Një vit më pas më 1932, Koliqi boton tek “Minerva” një studim për dy këngë të Lahutës, me titullin Marash Uci. Duhet shënuar se pas botimit në Shkodër më 1925 të një studimi të hollësishëm dhe me shumë vlera nga Cordinjano nën titullin “Epopeja kombëtare e popullit shqiptar”, që i kushtohej këngëve të Lahutës, Koliqi mund të numërohet nga të parët studiues të veprës madhore të Fishtës, në një kohë kur ajo nuk kishte njohur botimin e parë integral. Ky shkrim i parë i Koliqit mbetet ndër më të mirët e shkruar në receptimin kritik të veprës së poetit. Që në këtë studim vërehet njohja e thellë e veprës së poetit. Ai e dallon Fishtën nga autorët e tjerë të romantizmit shqiptar, sepse siç vëren Koliqi atë nuk e intereson peizazhi por e intereson heroi, bota e malësorit shqiptar, çfarë e bën atë të veçantë dhe autentike. Në këtë artikull tërheq vlerësimi i saktë i kodit krijues të Fishtës. Ndonëse në fillim të studimit ai flet për monotoninë që mund të sjellë përdorimi i vargut tetërrokësh që e quan varg kombëtar, vëren se në dorë të një mjeshtri si Fishta ai shkëlqen. Për këtë shkruan: “Ryma e fortë e ritmit të 8-rrokshave habit menden. Veshi i ledhatuem lëshohet në andje të harmonisë së rrokjeve dhe shpirti ndien vetëm atë dridhje të pacaktueme qi na falë muzika. Fjala shihet në veprën e Fishtës si tingull mahnitës dhe jo si shprehje krijuese.” Në këtë shkrim për veprën e Fishtës, Koliqi e gjen të udhës të shtjerë në punë teza të psikanalizës dhe të intuitivizmit në kritikë, teksa flet për rolin e intuitës dhe frymëzimin e poetit që buron nga thellësitë e nënvetëdijes dhe që mrekullisht shkrihen në artin e tij të pashoq. Koliqi nga të parët mbron mendimin për mbështetjen e Fishtës, që në krye të herës në epikën popullore shqiptare tepër të pasur, tezë të cilën do ta zhvillojë më tej gjatë vepres studimore. Cordignano pat shkruar që më 1925 se “Për me gjykue plotësisht një poem kso dore (është fjala për Lahutën, (shënimi im, F.H.) do të njihet kultura mbarë e Ballkanit” (Epopeja Kombëtare e popullit shqiptar*, Shkodër, 1925, f. 77). Duke ecur më tej në këtë udhë, Koliqi është ndër të parët që flet për ndikim tek Fishta të poetëve kroatë Kaćiq e Mazhuranqi, duke nënvizuar idenë se me përvojën e tij origjinale ai krijoi një stil të ri epik që mund të thirret ballkanik sepse në pëlhurën e poezisë të tij ndërthuren në mënyrë befasuese epika me lirikën dhe satirën, çfarë i jep trajtë krejt të mvetësishme artit të Fishtës, në kryeveprën e tij. Në interpretimin e vlerave të veprës së Fishtës, Koliqi është ndër të parët studiues që arrin të zbulojë kompleksitetin e veprës së poetit, pas argumentit historik, konfliktit ndër-etnik tepër i mprehtë veçmas për shqiptarët, ta shohë veprën në aspektin letrar-kulturor si pjesë e historisë kulturore shqiptare por edhe si pjesë e historisë kulturore ballkanike. Që në këtë punim, Koliqi evidenton lidhjen e veprës së poetit me mitologjinë, aftësinë e habitshme të mjeshtrit në funksionalizimin e modelit dhe lëndës mitologjike “duke i paraqitur njerëz dhe ngjarje të sotshme, siç thotë Koliqi, të rrethueme me avullime lashtësije”,duke cekur kështu një nga tiparet e rëndësishme të veprës së poetit, vështruar në rrafshin e kritikës moderne. Në përmbledhjen e botuar në njëvjetorin e vdekjes së poetit nën kujdesin e revistës Shkëndija më 1941, Koliqi boton syzimin “Fishta interpret i shpirtit shqiptar”. Sipas tij, çdo poet ka vokacionin e tij krijues, të cilët ashtu si kombet kanë individualitetin e vet. Tek Fishta ai sheh një individualitet të spikatur sepse ai ndryshe nga të tjerët, “zbuloi jetën ma karakteristike shqiptare, jetën e malësorëve”. Në veprën e poetit është pikëzuar shqiptari i bukës së misrit. Sipas Koliqit, “forca poetike e rrallë e Fishtës, depërtimi në jetën shqiptare e bën veprën e tij të konsiderohet një enciklopedi e vërtetë e botës genuine shqiptare”. Ai thekson në mënyrë të veçantë rolin e trajtës poetike të veprës së Fishtës, sepse siç shprehet Koliqi, “edhe fjalët edhe frazat në veprën e Fishtës të duken si të gufueme nga goja e popullit”. Tezat e Koliqit për veprën e Fishtës të shtruara në fillim të viteve ‘40 si “enciklopedi e vërtetë e botës shqiptare” dhe si “përpjekja ma vigane qi shqiptari bani deri tash për t’ia zbuluem vetvetes botën e vet” mund të konsiderohen ndër mendimet më me vlerë në receptimin kritik të veprës së poetit, në një kohë kur ai jetonte kulmin e famës së tij. Do të mjaftonin këto studime për t’i dhënë Koliqit një vend të spikatur në vlerësimin e Fishtës. Por është po kaq me vlerë fakti që për më shumë se 40 vite të mërgimit politik në Itali, Koliqi mban peshën kryesore në publikimin e emrit dhe veprës së Fishtës, të mohuar e të anatemuara në atdhe. Dhe këtë e bën në një mjedis shqiptar dhe jo shqipetar. Ai punon pareshtur për përkthimin e veprës së Fishtës në italisht, artikulon teza të reja të rëndësishme rreth origjinalitetit krijues të mjeshtrit të madh, rreth vendit të rëndësishëm që ai zë në yllësinë e shkrimtarëve më të mëdhenj shqiptarë. Dhe të gjitha këto i publikoi në shqip e në gjuhë të huaj, por kurdoherë me objektivitet të habitshëm, larg njëanshmërisë dhe me një sens polemike tepër të kulturuar. Vetëm në revistën “Shejzat” që e botoi për 18 vjet rresht, ai botoi gjashtë këngë të Lahutës në një përkthim mjeshtëror italisht, botoi pjesë nga proza e Fishtës si dhe botoi dhe ribotoi rreth dhjetë syzime dhe studime që formojnë një gjerdan të artë në receptimin kritik të veprës së mjeshtrit, dhe të gjitha këto realizuar në një kohë kur vepra e poetit ishte ndaluar dhe përjashtuar dhunshëm në atdhe. Ai perkujtohet në faqet e revistës në 20 e 25 vjetorin e vdekjes, në 90 e 100 vjetorin e lindjes, nga të cilat vlen të veçohen shkrimet: “Tre poetët më të mëdhenj të Shqipërisë”,“Apostullata Kombëtare e Fishtës”,“Fishta asht i gjallë midis nesh”,“Zani i poetit kombëtar”,“Fishta si njeri dhe si poet”,“Fishta në shërbim të politikës kombëtare”. Mendimet e shprehura në këto shkrime si: “Fuqia poetike fishtjane që derdhet e vërshon në Lahutë e ka burimin në thellësitë e letërsisë gojore”,“Za i pashoq i mbarë një kombi”,“Kush mohon Fishtën, mohon idenë e qenësishme të Rilindjes Shqiptare”,“Pak poetën në botë pësuen fatin paradoksal të Fishtës”,të shtruara dhe të argumentuara nga Koliqi, kanë marrë tashmë vlerën e përcaktimeve unike për objektivitetin dhe originalitetin e tyre shkencor letrar. Epërsinë e Fishtës si poet epik (me këtë gjini të veprës së poetit u muar më shumë) Koliqi e gjen në gjallërimin e vitalitetit të shqiptarëve asnjëherë të nënshtruar edhe kur historia i vuri para provave të vështira që vinin në pyetje qenien e tyre.Por ata qëndruan dhe janë aty do të pohojë Fishta me kryeveprën e tij “Lahutën”, duke e njomur veprën e tij me ndjenjën e një dashurie të rrallë për atdheun dhe njerëzit e vet. Pikërisht këtë shpreh edhe kjo konsideratë e Koliqit: “Tjerë poetë na prekin e joshin me magjinë muzikore, me vezullimin metaforik, me thekimin poetik, me epërsinë e mendimeve, por asnji si Fishta nuk zgjon dhe ngacmon brenda nesh tharmet cilësore që ndryen në vetvete misterin jetik i gjakut arbënuer”. Nje vend te vecante ne kontributet e Koliqit si studiues i letersise ze punimi “Dy shkollat letrare shkodrane” qe filloi të botohet tek “Albanie libre” më 1953. Ka në këtë punim unik që u kushtohet kontributit të Etërve Jezuitë dhe Etërve Françeskanë, informacion dhe të dhëna me vlerë mbi zhvillimin e letërsisë, mbi kuptimin dhe funksionimin e saj, mbi raportet e krijuesit me lexuesin, mbi autorët dhe veprat e shquara që i takojnë dy shkollave. Siç do të pohonte dhe vetë Koliqi, ajo mund të njehet skeleti i një vepre më të vëllimshme, por që mjerisht mbeti pa u krye. Sipas dëshmive, Koliqi iu vu punës për realizimin e saj, por vdekja e papritur e ndërpreu atë. Vendi dhe vlerësimi i Fishtës në kontributet e rëndësishme të shkollës letrare të Françeskanëve është qendror dhe i veçantë. Ai me veprën e tij mishëron gjithë prirjen atdhetare e moderne të kësaj shkolle që vuri në themelet e krijimtarisë gjithçka të çmuar të visarit kombëtar, mendimin, shijen estetike, folkun dhe gjuhën e pasur të shqiptarëve të thjeshtë, duke i bërë kështu një nder dhe shërbim të rrallë kombit të vet. Në këtë punim Fishta është personaliteti për të cilin Koliqi shpreh e mbron konsideratat e tij duke afirmuar vlerësimin si poet kombëtar. Ndërsa në studimin e shkruar italisht “Tre poetët më të mëdhenj të Shqipërisë”, vlerësimi i poetit për Fishtën bëhet krahas De Radës dhe Naimit që kanë secili vokacionin e tyre të veçantë, burime dhe përkatësi të ndryshme të formimit, rol të ndryshëm në zhvillimet letrare por ajo që thekson Koliqi në vlerësimin e tyre është: “Këta poetë të ndryshëm janë gjuhë e një spiritualiteti të flakët, tri degë të një rrënje të vetme, të trungut tradicional. Ata janë zë i sinqertë e i mrekullueshëm i shpirtit të popullit ku Islamizmi, Ortodoksizmi, Katolicizmi harmonizohen në zërin e gjuhës së vjetër të përbashkët dhe në rrënjët e një gjaku trim të përbashkët”. Koliqi vizionar ka meriten se jo vetëm studioi, mbrojti, botoi e përktheu veprën e Fishtës, por edhe paralajmëroi rilindjen e famës së poetit pas anatemimit të gjatë. Ai pret një kohë tjetër për Fishtën që “bani me lulëzue mrekullisht vegimin e Shqipnisë shqiptare në shpirtnat tonë”. Bindja e tij e habitshme profetike e pret dhe përjeton këtë kohë kur shkruan: “Por si mundet me humbë në heshtje zani i Lahutës qi din të gërmojë në mshefsinat e shpirtnave tonë, për të zgjuë ndjenjat ma të çmueshme tipikisht shqiptare, ushqye nga gjaku ma i pastër i yni?” Fishta, për Koliqin e meriton plotësisht këtë, sepse “na mësoi me e dashtë Shqipninë si nuse shpirti” dhe se është “Za i pashoq i mbarë nji kombi”.
BIBLIOGRAFIA
1. E.Koliqi, Misioni i letrarëve të rinj shqiptarë, “Leka”, viti III, nr.2,1931,Shkoder
2. E.Koliqi, Për At Gjergj Fishtën, “Leka, nr.10, 1931, Shkodër.
3. E.Koliqi, Marash Uci, “Minerva”, nr.3, 1932, Tiranë dhe në “Shejzat”, nr.9-12, 1967.
4. E.Koliqi, Fishta interpret i shpirtit shqiptar, (botuar në përmbledhjen me rastin e një vjetorit të vdekjes së poetit me titull “Gjergj Fishta”, Tiranë, 1941.
5. E.Koliqi, Përvjetori i njizetë i vdekjes së Fishtës, “Shejzat”, nr.9-12, 1960, Romë. 6. E.Koliqi, Tre poetët më të mëdhenj të Shqipërisë, botuar italisht, “Shejzat”, nr.1-2, 1961. 7. E.Koliqi, Apostullata kombëtare e Fishtës, “Shejzat”, nr.9-12, 1961, Romë.
8. E.Koliqi, Fishta asht i gjallë midis nesh, nr.1-2,1966, Romë. 9. E.Koliqi, Zani i poetit kombëtar, “Shejzat”, nr.1-4, 1966, Romë.
10. Hilushi (E.Koliqi), Eklipsi ose të zanunit e dritës së poezisë fishtjane, “Shejzat”, nr.1-3, 1971, Romë, (tek Bisedime të lira).
11. E.Koliqi, Lahuta e Malcis e ka burimin në thellësinat e letërsisë gojore, “Shejzat”, nr. 4-6, 1971, Romë, (tek Bisedime të lira).
12. E.Koliqi, U kremtua në Palermo 100-vjetori i lindjes së Fishtës, “Shejzat”, nr.5-8, 1972, Romë. 13. E.Koliqi, Gjergj Fishta në shërbim të politikës kombëtare, “Shejzat”, nr.9-12, 1972, Romë.
14. E.Koliqi, Dy shkollat letrare shkodrane, Botim i kishës së Shën Ndoit, Prishtinë, 1998.
Comments