top of page

Prof. Dr. Fatbardha Fishta Hoxha: EQREM ÇABEJT PËR GJERGJ FISHTËN

ree

KONTRIBUT I EQREM ÇABEJT PËR PERSONALITETIN DHE VEPRËN E GJERGJ FISHTËS

 

Prof. Dr. Fatbardha Fishta Hoxha:

 

Sadoqë më i pakët në vëllim, kontributi kritik letrar në veprën e dijetarit të shquar Eqrem Çabej është po aq i rëndësishëm për historinë e kulturës shqiptare. Ky kontribut i Eqrem Çabejt fillon me një shkrim kritik për poezinë e Lasgush Poradecit, në 1929, vazhdon me botimin me vlerë të tekstit për shkollat e mesme “Elemente të gjuhësisë dhe të letërsisë shqipe” më 1936, për të arritur në dy studime magjistrale “Për gjenezën e letërsisë shqipe”, më 1938-1939, dhe “Romantizmi në Evropën Lindore Juglindore dhe në letërsinë shqipe”, më 1945, dy vepra fondamentale në fushë të albanologjisë me vlerë të jashtëzakonshme për kohën e më pas.  Fakti, që, dijetari ynë i shquar do ta gjente veten më tepër në disa disciplina gjuhësore për të realizuar studime klasi, nuk do ta shmangte atë përfundimisht nga fusha e studimeve letrare. Pas interesimit dhe impenjimit për të kontribuar për personalitete të spikatura të letërsisë si Jeronim De Rada, Naimi dhe Gjergj Fishta, ai nuk do të mungonte të jepte konsiderata të mirëfillta letrare për personalitete si Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Jeronim De Rada dhe Fan. S. Noli. Në këtë linjë të pandërprerë interesimesh edhe letrare që realizojnë profilin shumëdimensional të filologut, Çabej ka meritën të ketë kontribuar nga të parët studiues në njohjen dhe publikimin e vlerave të personalitetit dhe të veprës së Gjergj Fishtës. Vjen ky kontribut kur Fishta ishte në kulmin e famës së tij poetike. Impresionet e tij për veprën e Fishtës, dijetari i shquar i ka shprehur në një letër, që ai i dërgonte mikut të tij të ngushtë, Lasgush Poradecit, ku i shkruante: “Lexova ‘Lahutën e Malcisë’ dhe u mahnita”(1)

Se çfarë do ta tërhiqte në veprën e Fishtës, Çabej do ta shpaloste në veprën e tij, që, jo vetëm do ta bënte objekt studimi, por, do ta përdorte lëndën e saj gjuhësore për të argumentuar gjurmimet e tij etimologjike, çfarë nuk përbën objektin tonë në këtë shkrim, edhe pse një argument tepër interesant.  Për Fishtën dhe veprën e tij ishte shkruar edhe nga të tjerë më parë, por paraqitja, që i bëri Çabej në librin “Elemente të gjuhësisë dhe të letërsisë shqipe”, është një sintezë e ngjeshur dhe e plotë. Duke vlerësuar në tërësi veprën, duke i dhënë asaj një vend të konsiderueshëm në pjesën antologjike, Çabej ka bërë përcaktime klasifikuese që i kanë qëndruar kohës si:  “Me Lahutën e Malcisë, Gjergj Fishta na tregohet poet me fuqi epike të lindur, “rrëfimi i tij është plot gjallëri dhe rrjedhje”, “talenti satirik i Fishtës i afrohet sigurisht fuqisë së tij si poet epik”, “…ai është bërë përfaqësuesi më i parë i letërsisë së sotme shqiptare”.(2

Por kontribut të veçantë Eqrem Çabej do të japë në njëvjetorin e vdekjes së Gjergj Fishtës. Shkruan një artikull, në gjuhën e studimeve, në gjermanisht “Poeti shqiptar Gjergj Fishta” (Der Albanisches Dichter Gjergj Fishta) të publikuar në 12 faqe të revistës prestigjioze “Kërkime juglindore” (Südest Forschungen) në Mynih (Munchen), dhjetor 1941.(3) Artikulli sjell një informacion të pasur dhe të hollësishëm mbi jetën dhe veprën e Fishtës. 

Edhe pse më parë kanë shkruar për Fishtën albanologë austriakë e gjermanë, si N. Jokli, Veigandi, shkrimi i Çabejt është më i plotë dhe i drejtohet mediumit shkencor evropian. Po këtë vit me botimin e Enciklopedisë kroate me krijimin e Mbretërisë Kroate, ai boton ndër zëra të tjerë edhe një zë dy faqesh për poetin, që në një farë mënyre i drejtohej mediumit kulturor ballkanik.(4)

Por kontribut për veprën më të çmuar të poetit, Eqrem Çabej do të japë në studimin shqip “Epika e Fishtës”, që i drejtohej gjithë hapësirës shqipfolëse brenda dhe jashtë trojeve etnike. Shkrimi do të botohej në numrin përkujtimor “Gjergj Fishta” nën kujdesin e revistës “Shkëndija”, Tiranë, më 1941.(5) 

Duke iu referuar këtij studimi kritik, estetik e krahasues të Çabejt, kur për veprën e Fishtës, ishin botuar jo pak shkrime, ai shënon një nga shkrimet më serioze që buron nga vizioni i hapur shkencor i studiuesit erudit, i cili shfaq metodën e tij historiko-kulturore-estetike të vëzhgimit, interpretimit dhe krahasimit.                                                                                                              

Duke afirmuar idenë e origjinalitetit të veprës së poetit të madh, ai do t’u përmbahet kërkesave të shkollës klasike që përfaqëson dhe me intuitën e tij të rrallë do të përthithë prirjet më moderne në rrafshin shkencor e kulturor.

Një nga vlerat e qëndrueshme të studimit është përcaktimi që i bën Çabej Fishtës “i rrënjosur thellë në vendin e vet”, “bir i vërtetë i polemit (popullit) të tij, që fuqitë njerëzore poetike i thithi prej kësaj toke”, duke futur në përdorim këto përcaktime nyje, të shprehura përmes fjalëve tokë e polem me një regjistër konotimi të hapur, siç do të veprojë më vonë me fjalët vatër e botë në një kuptim të disafishtë.por edhe simbolik duke shqyrtuar vlerat e poezisë së Jeronim De Radës.  

Po me një regjistër të hapur konotimi ai i jep autorit të Lahutës, atributin e poetit kombëtar, duke e krahasuar edhe me Naimin, pranimi i të cilit si i tillë nuk e kundërshton,por përkundrazi e plotëson fenomenin në ndryshueshmëri. Duke mos përjashtuar, ai di të pranojë dhe spikatë të veçantën e poetëve të mëdhenj, që, pavarësisht se jetojnë në kohë të ndryshme nuk e ngushtojnë por e pasurojnë konotimin e gjerë të përcaktimit poet kombëtar.  

Duke arsyetuar kështu, logjika e mprehtë e Çabejt do të sfidonte çdo moskuptim apo keqkuptim të djeshëm por edhe të sotëm. Është me rëndësi fakti, se meritën mbi të gjitha dhe para gjithkujt Çabej ia njeh shpirtit luftëtar të kombit. “Ky shpirt, shkruan studiuesi, vlente të këndohej prej një poeti kombëtar, ky poet doli me Gjergj Fishtën.” (6)  

Në qendër të punimit të Çabejt është fakti se “duke u nisur nga ngjarje me bazë lokale”, të cilat Çabej thotë nuk kemi të drejtë t’i përflasim, “ai bën një epope kombëtare”.(7)   

Tezën se Fishta krijoi një epos kombëtar, Çabej do ta përsëriste katër vjet më vonë në studimin për romantizmin, teksa flet për veprën “Historia e Skënderbeut” të Naimit.Por për Çabejn “kjo vepër nuk u bë dot epope kombëtare,këtë shqiptarëve ua fali më vonë Fishta”.(8)                                                                                                               Dimensionin kombëtar eposit fishtian, sipas Çabejt, ia jep “njësia më e vogël e fisit nga niset poeti, për të mërritur tek njëria më e madhe e kombit, nga bariu i moçëm Marash Uci tek Abdyl Frashëri në Lidhjen e Prizrenit”.(9)

Përmasën kombëtare, veprës së rrallë, ia jep pasqyrimi me besnikëri i rrojtjes dhe i fizionomisë së veçantë shqiptare, psika, zakonet, pasuritë shpirtërore të trashëguara, mitologjia, folklori që u kanë gdhendur shqiptarëve fytyrën e mvehtësishme etnike, çfarë e pat vënë re Çabej në studimin për gjenezën e letërsisë shqipe. Falë kësaj substance plot gjallëri jete popullore që sjell poeti, Çabej çmon se “poemi i tij përbën përtej artit një dokument etnografik të jetës shqiptare”(10), duke i paraprirë me këtë ide tezave të teorisë moderne të antropologjisë kulturore në studimet e sotme letrare shqiptare.

Duke ia nënshtruar veprën një shqyrtimi kritik estetik nga më të arrirët dhe interesantët ai e vlerëson veprën në të gjithë risinë artistike që ofron, që nga funksionalizimi i lëndës mitologjike e folklorike për të cilën shkruan: “Bota e lashtë e zbehtë e përrallave po na ngjallet rishtas e njëmend në jetë me magji prej një poeti të vërtetë”. Krahasimet, përqasjet, paralelet midis përbërësve artistikë të poemës me variante këngësh popullore të krijuara në Veri dhe në Jug të Shqipërisë, figurat e fjalorit, sintaksit dhe të mendimit poetik me shtrirje të gjerë burimore që i japin jetë idesë poetike të qëndresës shqiptare në momente dramatike për fatet e kombit, janë bërë objekt i shqyrtimit rigoroz të studiuesit ku ai zbulon potencialet e brendshme dhe të jashtme të veprës së Fishtës që mbeten model sot e gjithë ditën.

Përfundimet e Çabejt se: “Vepra e Fishtës i ka rrënjët në tokën e në jetën popullore të Shqipërisë...Veçse ç’i fali vendi poetit, ky ia përligji në trajtë të fisnikëruar të artit..., vepra e tij u bë pasqyrë besnike... fytyra e kthjellët e gjithë vërtetësisë etnike... gjuha kokërr larg çdo ëmbëlsie të tepruar”, mbeten edhe sot absolute në vlerësimin e veprës së Fishtës.                                                                                                        Le të shënojmë, që, ai e vështron veprën e Fishtës në një kontekst gjithë shqiptar dhe ballkanik. Kështu kur flet për zakonin e të nisurit të të vdekurit, që e gjen në vdekjen e Tringës, të cilën zanat e malit e veshin si nuse, Çabej vëren se këtë zakon e kanë edhe popujt e tjerë të Ballkanit dhe se e ka studiuar edhe Musinea. Ndërsa për të provuar afëritë e eposit fishtian në folklorin shqiptar ai përqas këngën e kënduar në Jug të Shqipërisë “Përtej Urës së Qabes”, me këngën që i thur poeti Mican Lekës të vrarë në luftë dhe lidhur me të vëren “…vragën e fortë të poezisë popullore tek Fishta”, por dhe “atë të njësisë shpesh herë të injoruar, siç shprehet dijetari, të poezisë popullore shqiptare”. Ai thekson se Gjergj Elez Alia që e gjejmë në poemën e Fishtës është “trim i thjeshtë shqiptar, gati kombëtar, i cili me emrin shqiptar ka shtegtuar në Bosnjë e Maqedoni”. Studimet e mëvonshme për veprën e Fishtës dhe ndër ato të Ernest Koliqit, do të provonin një mbështetje të gjerë krijuese të poetit në pasurinë shpirtërore të popullit, në mitologjinë, folklorin, psiken, gjuhën etj.

Në këtë kuadër është me interes kontributi që sjell Çabej për të vlerësuar veprën e Fishtës përtej eposit kombëtar. Nëse Koliqi që më 1932 pat folur për një stil epik ballkanik, teza e Çabejt është më e thellë, më e rëndësishme. “Kjo epope, shkruan dijetari, është ndonjëherë në një farë kuptimi edhe një epos ballkanik: përbri shqiptarëve dalin malazezët të cilët poeti i bën të rrojnë e të lëvizin krejt si shqiptarë.”(11)

    Me këtë Çabej nxit dhe shtron udhën që ta shohim veprën e Fishtës në perspektivën e sotme të leximit jo thjesht e vetëm si pasqyrë e konfliktit ndëretnik por si pjesë e historisë kulturore shqiptare e asaj ballkanike njëherësh. Në studimin e tij Çabej ndër të tjera nuk u shmanget problemeve të hapura jo pa nuanca kompleksesh nga studiuesit kroatë lidhur me veprën e Fishtës. Që në vitin 1925, F. Cordignano që e çmonte veprën e Fishtës pat shkruar: “A ndoq poeti gjurmët e rapsodive sllave?” dhe duke e sjellë, me sa duket vështirësinë e zgjidhjes së këtij problemi arsyetonte “Për me gjykue plotësisht nji poem kso doret duhet të njihet kultura e mbarë Ballkanit”.(12)   

Qëndrimi i Çabejt ndaj këtij problemi është i qartë, i prerë dhe i pavarur. Ai buron nga njohuritë e gjera të dijetarit për historinë, kulturën dhe letërsinë e Ballkanit, të cilat ka patur rast t’i shfaqë në studimet e tij letrare për Gjenezën... dhe Romantizmin...                                                                                                                        Çabej afëritë ose pikëtakimet e eposit fishtian me veprat epike të autorëve kroatë apo malazezë i sheh më thellë, më larg, në vijimësinë e racës dinarike, që shfaqet në trajtën e mirëfilltë shqiptare apo të sllavizuar, i sheh në nënshtresën ilire dinarike që për fat të keq, pohon studiuesi, nuk njihen mirë.                                                                                                                                                              Si argument ai sjell mungesën e këtyre veprave epike tek sllavët e tjerë të Jugut, ndërsa afëritë i gjen të shprehura në ndjenjën epike të jetës që gjallon njëlloj tek shqiptarët dhe sllavët me prejardhje dinarike, siç ekziston dhe një epos i ngjashëm popullor ndër to. Përfundimi i Çabejt është i vetmjaftueshëm.   

Ndërgjegja shkencore e dijetarit të shquar dallon njohjen, admirimin nga ndikimi dhe imitimi. Pa përjashtuar faktin se çdo krijues është i përfshirë në një sistem të caktuar marrje dhe dhënie vlerash ai pohon: “Reminishencat sllave të Fishtës kanë të bëjnë me një model, me një zgjim, me një shtytje, me një të hequr të vërejtjes drejt pasurive të njëjta, te vatra e vet, se sa me një ndikim të thellë poetik. Njëherë i zoti i vetvetes, poeti rrahu me fuqi të veta atë rrugë që pat filluar së pari.”(13) Studimet e mëvonshme e kanë provuar këtë konstatim me vlerë të Çabejt. Ato kanë folur veç të tjerave për përmasat disa herë më të mëdha të veprës së Fishtës nga veprat e autorëve nga të cilët pretendohej të ishte ndikuar dhe shumë e shumë anë të tjera që provojnë identitetin krijues origjinal të poetit tonë edhe në këtë vepër si dhe në veprat e tjera.(14)                                                                                                                                                            Nëse flasim për kontributin e shquar të Eqrem Çabejt në shqyrtimin e vlerave të veprës së Fishtës, nuk mund të lëmë pa përmendur portretin e realizuar nga studiuesi, që dallon në shumë portretizime, që i janë bërë Fishtës nga bashkëkohësit. Fjala e bukur shqipe e Çabejt i ka gdhendur profilin e papërsëritshëm autorit të Lahutës, që do të mbetet në kujtesën e kombit si një relike e çmuar.“Tani poeti na la. Të gjithë ata që e patën njohur vdekja e poetit dhe njeriut ka lënë një vragë zie të thellë. Buri me pamje madhështore, qe në të folur i dashur dhe i kthjellët, mik i kallzimeve të këndshme. Aq tërheqës si njeri sa ka qenë origjinal dhe i madh si shkrimtar”.(15)

Si përfundim do të duhej të theksonim se nuk është rastësi që teza të promovuara dhe të shtruara nga Çabej për Fishtën si “përfaqësuesi i parë i letërsisë së sotme shqiptare”, në një kohë kur De Rada dhe Naimi nuk jetonin më, si “poet kombëtar” në një kuptim ndryshe të pasuruar dhe se “Lahuta e Malcisë” është vepër arti e plotë, e përsosur dhe e përkryer”, janë bërë pika referimi për studimet letrare shqiptare, sidomos të këtyre viteve të fundit kur edhe mendimi letrar ka shënuar arritje të reja.

 

REFERIME:  

1. Duka-Gjini Pal, Gjergj Fishta, jeta dhe veprat, Tiranë, 1998, f. 258.                                                                                

2. Eqrem Çabej, Elemente të gjuhësisë dhe të letërsisë shqipe, Tiranë, 1936, f. 51, 52.                                          

3. Eqrem Çabej, Der albanische Dichter, Gjergj Fishta, “Südost Forschungen”, VI, 3-4, 1941, Munchen, f. 638-647. 

4. Hrvatska encikolopēdija, Zagreb, 1941, f. 181-182

5. Gjergj Fishta, numër përkujtimor “Luarasi”, Tiranë 1941. 

6. Eqrem Çabej, Epika e Gjergj Fishtës, Jeta e Re, nr. 4, viti I, korrik-gusht 1998, f. 696.                                               

7. Eqrem Çabej, Vepër e cituar, f. 697.

8. Eqrem Çabej, Romantizmi në Evropën Lindore, Juglindore dhe në letërsinë shqipe tek shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, Tiranë 1944, f. 109.                                                                                                                  

9. Eqrem Çabej, Epika e Gjergj Fishtës, tek Jeta e Re, nr. 4, korrik-gusht 1998, f. 698.                                                                          

10. Eqrem Çabej, Vepër e cituar, f. 698.  

11. Eqrem Çabej, Vepër e cituar, f. 697.                                                                                                                                                       

12. Fulvio Cordignano, Epopeja kombëtare e popullit shqiptar, Shkodër, 1925, ,fq 272

13. Eqrem Çabej, Epika e Gjergj Fishtës, vep. e cituar, f. 695.                                                                                                    

14. Seminari XVIII Ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, Tiranë 1996.                                                    

15. Epika e Gjergj Fishtës, vep. e cituar, f. 703.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page