Prof. Dr. Fatbardha F. Hoxha: DUKE LEXUAR VARGJET E POETIT FERIK FERRA
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 3 hours ago
- 9 min read

Kohë më parë pas botimit të vëllimeve “Duke kapërcyer shekullin” (2001), “Nën diellin e vështirë” (2002), “Diell i vështirë”, shqip e anglisht (2005), poeti Ferik Ferra do t’i jepte lexuesit edhe dy vëllimet e tij “Ëndrra e bregut tjetër” (2006) dhe “Nata pa agim” (2007) botuar nga shtëpia botuese “Ombra” GVG, Tiranë.
Në rrjedhën e prurjeve poetike të dekadave të fundit, lexuesi kritik provon rrallë befasi të këndshme që të imponojnë vëmendje dhe vlerësim. Tashmë janë të njohura rastet kur poetë të ardhur apo më drejt të përfshirë disi me vonesë në këto rrjedha, sjellin një krijimtari të kristaltë dhe plot vlera estetike. Edhe pse jo unikal, rasti i poetit Ferik Ferra, përcjell në çdo vëllim poetik vlimin e pashmangshëm për të derdhur qetë e qetë dhe pa bujë shumë frymë e shpirt nga qenia e tij, që përmban aq shumë lëndë emocionale, aq shumë perceptime poetike që s’ndalen dhe që shpërthejnë në vargje që të mbeten gjatë në mendje. Leximi edhe i dy vëllimeve të fundit të dhuron kënaqësi dhe të zgjon ndjesi të bukura, jo thjesht me idetë poetike dhe tharmin sa tradicional e modern, por edhe me përftesat poetike sa individuale aq edhe universale të prekshme e të zakonshme për çdo njeri.
Botimi në vëllimin “Nata pa agim”, i kapitullit “Të mbetura në arkiv, rruga nga u nisën vargjet”, e bën të mundshme të njohësh rrugën në të cilën eci poeti drejt rritjes së natyrshme dhe asaj shkalle perfeksionimi që shfaq poezia e tij më e mirë në të gjitha vëllimet. Teksa ke lexuar të plotë lëndën poetike që të ofrojnë vëllimet e tij, nuk ke si të mos mendosh gjatë për atë marrëdhënie të thellë e të brendshme të njeriut modern, të shqiptarit në këtë kapërcyell shekulli dhe mijëvjeçari, të cilin brengat që ka kaluar, jo veç gjatë historisë së tij, por edhe në të kaluarën jo të largët nuk e kanë zbrazur shpirtërisht, por e kanë bërë që ta përcjellë botën me zhvillimet e saj të vrullshme jo si një qenie e ndrydhur, por shumë e ndjeshme dhe e zgjuar, duke u shfaqur si qytetar i botës të cilit pasuritë e saj të pafund nuk ia përthyejnë brishtësinë e shpirtit njerëzor por mbetet përherë dhe thellësisht i tillë. Kjo marrëdhënie nis me fëmijërinë e njerëzimit kur mbruheshin veprat e Homerit, Platonit e Katulit, për të vazhduar me Petrarkën, Danten, e Shekspirin, për të ardhur tek krijuesit modernë, simbolistët e fund-shekullit XIX, tek hermetikët e shekullit XX, nga eposi legjendar shqiptar tek Serembja, Fishta, Poradeci që mbeten poetët e adhuruar të tij. E gjerë dhe e pafund është edhe gjeografia e impulseve poetike të subjektit lirik të poezisë së Ferrës. Ajo shtrihet thellë në kohërat historike. Fillesat e saj i kanë rrënjët në lashtësinë greke e latine, në trevat ilire, në Epir dhe përtej kontinentit evropian. Subjekti lirik i poezisë së Ferrës shqetësohet e motivohet jo nga vogëlima, por nga gjëra të rëndësishme dhe me peshë që identifikohen me vetë qenien njerëzore.
Në gamën e gjerë të përjetimeve të subjektit lirik të poezisë së tij tërheqin mjaft poezi që shprehin variacione idesh dhe emocionesh, por gjithsesi duhet pohuar, se si të gjithë poetët e vërtetë ai nuk i shmanget motiveve historiko-qytetare që përbëjnë, për mendimin tonë, një nga vlerat e veçanta të poezisë së Ferrës. Dhe në trajtimin e kësaj teme ai ruan optikën e tij të veçantë origjinale. Tragjeditë e kombit ndër shekuj, dramat e sotme të shqiptarëve që të drithërojnë e të tronditin thellë në shpirt janë realizuar në një varg poezish. Në ciklin e lirikave qytetare që përbëjnë edhe një vëllim me peshe në poezinë e tij, ku do të përmendim “Natë ilire”, “Rozafa”, “Epiri”, “Albanoi”, si vijim i tyre qëndrojnë “Otrantonox”, “Dialog janari në det”, “Ëndrra e bregut tjetër”, ku subjekti lirik ka mpiksur aq shumë ndjeshmëri dhe brengë, aq shumë dashuri dhe mirësi që buron nga një shpirt i madh human që ka bërë të vetën, jo veç brengën e dhimbjen, por edhe ëndrrën dhe dëshirën e pafund të shqiptarëve për ta fituar lirinë, jetën më të bukur, më të mirë. Në këtë cikël gjithsesi do të veçoja një lirikë “Kombi” të botuar tek vëllimi “Ëndrra e bregut tjetër”, jo thjesht për ngarkesën emocionale qytetare që sjell, por për të shënuar se për shqiptarët, siç po e vërteton katërcipërisht edhe realiteti aktual, tema qytetare edhe këtë kapërcyell mijëvjeçari nuk resht së qeni aktuale, nuk resht së tërhequri artistët e të gjitha llojeve të artit. Ajo vazhdon të ngacmojë vetëdijen krijuese të shkrimtarëve dhe artistëve që nuk reshtin së sjelluri zbulime të reja estetike që receptohen, për arsye që dihen mirë nga të gjithë, me një intensitet ndjeshmërie për t’u lakmuar.
Në historinë e letërsisë shqiptare të kultivuar siç dëshmohet, tema qytetare mbetet temë kyçe. Krijuesit shqiptarë i kanë blatuar asaj shumë dritë nga shpirti i tyre, duke dhënë përjetime dridhëruese që nuk i zbeh asnjëherë koha. Do të kujtonim fillimisht shqiptarin e madh evropian Marin Barleti që do të trondiste vetëdijen humaniste të kohës së tij me mesazhin që artikulonte atë kohë kur hidheshin themelet e atdheut kombëtar, në Evropë. Humanisti do të shpallte atë që fare mirë mund të qëndronte si kryefjalë e çdo kohe për çdo njeri në botë: “Për atdheun asnjëherë nuk duhet menduar se është bërë shumë, se është derdhur tepër gjak, sepse dashuria për të, ia kalon çdo dashurie tjetër.” Me këtë porosi historiani shkrimtar do të hidhte tharmin që do të gjallëronte përherë letërsinë shqiptare.
Nuk mund të mos përmend edhe një tjetër poet, adhures të Lukrecit dhe të Katulit, shqiptarin evropian Mikel Maruli që ve para detyrimit moral të paret e vet, që kaptuan udhën e hidhur dhe të vështirë të mërgimit, me të cilin veprim, siç dëshmon tërë poezia e tij, ai nuk u pajtua asnjëherë, nuk u ndje i qetë. Dhe në portretin njerëzor që krijoi për nënën, ajo ndrit në parafytyrën e tij poetike, ajo fal gëzim, shpërndan dritë, se siç thekson në fund të poezisë Maruli ajo mbi të gjitha është “Gruaja që me shpirt donte atdheun”. Po ashtu mjafton të kujtojmë vargjet e Naim Frashërit të urtë teksa u fliste jo vetëm shqiptarëve në atë epokë të artë të Rilindjes Kombëtare për atë gjënë e shtrenjtë për të gjithë njerëzit në botë me mençurinë e filozofit dhe delikatesën e poetit: “Se njerëzit gjithë vdesin/Po jeta s’mbetet e shkretë/Gjuha, mëmëdheu mbesin/Të patundur për jetë” Dhe poeti Ferra “i falet” këtij rregulli të pashmangshëm për të gjithë njerëzit, por sidomos për shqiptarët. Në poezinë me titullin “Kombi”, me konceptimet e tij, me anaforën që përsërit fjalën që përbën argumentin poetik që zhvillohet si ide poetikisht përmes një vargu metaforash të arrira më shumë përmes intuitës së poetit të tipit “Mjalti që rrjedh në gjuhën e nënës”, “Trëndafil i gjakut midis shpatës e plumbit”, “Mishi i gurit” etj., ai u drejtohet të gjithë njerëzve, pavarësisht nga vendi apo koha me mesazhe që kanë shtrydhur deri në palcë përvojën shekullore të kombit të vet, duke dhënë një poezi vërtet emblematike, ku përmbajtja është formë dhe forma përmbajtje e mirëfilltë, që e bën krijimin të veçantë për vlerat e tij.
Kur lexon vargjet e Ferrës, nuk ke si të mos vësh re faktin se subjekti lirik, i ka të gjitha përmasat. Ai është qytetar i vendlindjes së tij dhe në të njëjtën kohë dhe qytetar i botës, që ndjen thellë të bukurën kudo që ajo shfaqet. Si të gjithë poetët e vërtetë njohja që ka për artin, letërsinë dhe historinë evropiane apo më gjerë, nuk e bën atë të ketë komplekse e aq më pak të nënshtruar ndaj asaj pasurie kulturore që afron njerezimi, përpos adhurimit që e provojnë shqipërimet e bukura të Ferrës që do të meritonin një studim të veçantë krahasues. Teksa lexon poezitë e tij, gjithnjë e më tepër njihet rregulli, që nuk përjashton poetët e vërtete, se të njohësh, vlerësosh identitete të tjera, nuk do të thotë të humbasësh identitetin tënd, përkundrazi, do të thotë ta pasurosh e ta përtërijsh në mënyrë të habitshme atë identitet të parë. A nuk kishte ndodhur kështu me Barletin, De Radën, Naimin, Samiun, Konicën, Nolin, Koliqin, Pipën dhe Camajn e të tjerë. Këtij rregulli i bindet edhe Ferra në poezinë e tij që vjen pa zhurmë dhe bujë, por me plot vlera. Dhe një fakt tjetër është i pashmangshëm për një sy të vëmendshëm. Për këdo që njeh sado pak jetën e poetit jo pak e trazuar në një të kaluar jo të largët, krijon respekt e vërteta, që poezia e tij ka fare pak hije nga ajo e kaluar që dallohej nga mungesa totale e lirisë. Poeti në kohët e lirisë që jetojmë sjell shumë më tepër dritë se hije. Poezia e tëra vibron nga ndjesi njerëzore që shprehin papajtueshmëri me pengimin e lirisë, por kurrsesi mllef a urrejtje që buron nga një shpirt i madh ne gen i poeti. Poezia e Ferrës ndonëse ka dimensione të ndryshme është një poezi ku mendimi dhe ndjenja shkrihen natyrshëm, duke krijuar formatin e një krijimi modern. Ajo është plot e përplot me asocacione që çlirojnë kuptime nga më të hapurat e më të larmishmet gjatë leximit, duke mundësuar më shumë se një të tillë. Vargjet e tij janë të pasura me përfytyrime dhe shqiptimë shprehëse, ku simbolet, metaforat janë të gjetura dhe të befasojnë.
Ai ka diçka nga simbolistët francezë të shek. XIX-të apo hermetikët italianë të shekullit XX, të cilët dhe i përkthen si Ungareti, Koasimodo, Montale. Po ai ka po kaq shumë nga filozofia dhe estetika e folkut shqiptar. Por ajo që vërehet anë e tej vargjeve të tij, është krijimi i strukturave dhe i mikrostrukturave të shumëfishta kuptimore, që tejkalojnë kuptimet e drejtpërdrejta gjuhësore. Nëse poezia është detaj, është figurë, kjo është e prekshme në vargjet e Ferrës, të cilat dendur të kujtojnë atë që pohonte mjeshtri i simbolistëve francezë, Stefan Malarmé: “Sikur fjalët të kishin vetëm një kuptim, atë të fjalorit, sikur një gjuhë e dytë të mos i ç’rregullonte dhe lironte ‘siguritë e ligjërimit’ nuk do të kishte letërsi”. Poeti Ferra luan mrekullisht me kohët e foljes në poezinë “Mjegulla”. Nëse në dy vargjet e para ai synon të japë një realitet spontan të përfunduar që ai e realizon me të kryerën e thjeshtë të foljes “me fshehë” si: “Mjegulla fshehu pyllin/Pylli fshehu vilat”. Në vargjet që pasojnë, që zbulojnë sipas një leximi tonë, realitete njerëzore të vetëdijshme, ose që janë produkt i tyre, për të arritur në realitete virtuale, ku përballet e mira me të keqen, që poeti i metaforizon me ditët dhe netët, siç ndodh në vijim, duke vënë në funksion të tashmen e foljes së lartpërmendur: “Vilat fshehin njerëzit/njerëzit fshehin ëndërrat/ëndërrat fshehin ditën/dhe ditët fshehin natën”. Dhe konceptimi i vargjeve që ndahen me presje si pjesë të një periudhe, kërkon të nënvizojë idenë e një realiteti kompleks e të pandërprerë dhe thuajse pashmangshëm kontradiktor e të papërputhur.
Me interes të veçantë është edhe cikli i poezive që poeti u kushton poetëve të mohuar ose të përndjekur, si lirikat kushtuar Fishtës (Nata e vdekjes së dytë), përkthyesit e shkrimtarit Gjon Shllaku (Në burgun e Iliadës), poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka (Korijeve të hënës), piktorit S. Ahmeti (Yje në grusht të greminës), të cilat shprehin një dashuri të pafund njerëzore dhe homazh për këta artistë martirë.
I ndjerë ndonëse larg vogëlimave, spikat edhe cikli me motive personale i poetit që është ndër më të realizuarit në këto botime dhe ku është fokusuar me plot finesë bukuria, kuptimi dhe vlera e jetës njerëzore. Të pashlyera mbeten lirikat që sjellin gjallërinë e jetës, rropamat dhe sakrificat e saj siç ndodh në poezine “Agimin qe nuk e pe”,”Duart”, “Nen shkemb te nates”, “Kenget e Danielit”, “Do te vije nje dite”, “Ne seline intime”, ku pas elementit personal subjekti lirik nenvizon ndjenjen univesale njerzore. Ne mjaft poezi te Ferres e ke te veshtire te dallosh kuptimin tematik, sepse shume syresh e kane gati te pamundur. Ato fare lehte mund ti konsiderosh deskriptive, kur jane po aq dhe lirika mendimi, apo me shume elemente te tilla. Le te sjellim njeren prej tyre: “Lule limoni/flladi pupla engjejsh/arome terri ne pranvere/prushi i henes se kuqe/ku endrra pjek/floririn e frutave/i kuqerremte klorofili/deri ne vuajtjet e gjetheve/qe padashur gerricin,gervishtin,shpupurisin prushin e henes...” Ne lirikat e Ferres ka vertete gjera te krijuara me fantazi dhe finese poetike qe sjellin vlera kristalore te shume planeshe,por asaj asnjehere nuk i mungon ndjesia njerezore e thelle dhe e perjetshme sa eshte vete njerezimi. Jane jo te ralla rastet kur poezia arrin nje perceptim dhe shqiptim poetik me vlere,ato jane lirika te holla dhe delikate dhe qe japin mundesi te pafundme leximesh sic ndodh per shembull me liriken “Lulet kendojne”: “Kendojne lulet/mahnisin ngjyrat vetvehten/ku neper rreze/krehin driten ne shtat/e nuk ngopin veten/as me ere as me ngjyra”. Ne poezine e Ferres luan nje rol te papare fluksi i ngjyrave qe u jep drite hare poezise se tij.Spektri i ngjyrave i poezive te tij eshte tejet i pasur,ai te kujton simbolistet franceze,te cilet Ernest Koliqi i quan “vizatues me lapse ari”.Ngjyrat ne poezine e tij fitojne tejdukshmeri te ralle vecmas kur perdoren si atribute te fenomeneve abstrakte te blerte apo te gjelber,tingellim gri,etj. Dhe simboli mbetet nje interesante qe me sa kuptohet shpreh nje lloj antropomorfizimi te natyres moderne.Vetem keshtu mund te perfytyrosh gishtat e shiut apo duart e eres qe jane perberes te atyre lirikave me prirje te dukshme meditimi. Bota lirike e subjektit te poezive te Ferres eshte e gjere dhe e hapur si vete bota qe ate e rrethon,me te cilen ai krijon raporte te brendshme,te thella dhe jetesore. E ardhur mire si lirike e mirefillte ajo ka ditur qe te fuse ne perdorim krahas leksikut te standartit gjuhesor letrar edhe fjale dhe kuptime te dialektit verior qe e pasurojne dhe e gjallerojne leksikun poetik te Ferres. Eshte teper e veshtire,te thuhet nje fjale perfundimtare per nje krijimtari te vellimshme,por eshte pothuaj i dukshem fakti se duke lexuar e rilexuar keto vellime,bindesh per prurjet plot risi poetike dhe e ndjen se poezise bashkohore i shtohet edhe nje poet me vokacionin e tij te vecante qe e meriton te vleresohet per kontributin e sjelle ne rrjedhen e poezise sone me te arrire.









Comments