Prof. Dr. Bardhosh Gaçe: KU DRAMACITETI DHE FATI PËRMES MISTERIT TË TIJ GJEJNË IDENË E DRITËS
- 6 hours ago
- 7 min read

PROZA E PETRAQ P. PALIT –
Shkrimtari Petraq Pali u lind dhe u rrit në një familje me tradita kulturore e atdhetare në fshatin Qeparo të Bregut të Detit. Qysh në vitet e rinisë, në shkollen Pedagogjike Jani Minga të Vlorës, u shfaq talenti i tij, në vitet 60-70 të shek. XX, ku thuri e botoi poezi në shtypin e kohës.
Tashmë, pas viteve ’90, ashtu si mjaft bregas të tjerë, ai emigroi në Korfuz (Greqi) e më pas në SHBA, ku u përfshi edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve Emigrantë në SHBA, gazetar i Radio Sofjas, si dhe ndër themeluesit e gazetës “Himara”. Krahas vëllimeve poetike “Jam larg” 2001, “Një tufë vjersha nga Qeparoi” 2002, “Bronz përmbi stërkala” 2003, “Eci nëpër vite” 2005, “Vij mes jush me krahë malli” 2007, “Vise dhe njerëz” 2006, ka lëvruar edhe prozën: “Gjëma e madhe” (tregime) 2005, “Aventura për liri” (tregime) 2006, “Gruaja me të zeza” (roman) 2007, “Nata e fundit” (tregime) 2008, “Maja e luleve” (tregime) 2009, “Zhdukja misterioze e B. Memës” (roman) 2010, “Një natë pa hënë” (tregime) 2011, “Shpirti i zjarrtë në orën e hijeve” (roman) 2011, “Greku Kondo” (tregime) 2012, “Patkoi” (roman) 2013, “Misteri i kosovares së bukur” (roman) 2013, “Dasmë morti” (novela) 2014, “Goja e natës” (roman) 2015, “Apokaliptik” (roman) 2018, “Joana” (novelë) 2019, “Hija e atij tjetrit” roman 2020, si dhe “Shtëpia në përrua” (Novelë) 2020.

Novela “Shtëpia në përrua” fillon me figurën komplekse të Andon Papës, një bregas, i cili pasi kishte kaluar një jetë të tërë në minierat e egra të Alaskës, kthehet në fshatin e tij të lindjes, i ngarkuar me flori, por me një shpirt të vrarë nga një peshë që nuk e linte të flinte: vrasja e gruas së tij, Amalisë, në rini. Për të gjetur një lloj paqeje me ndërgjegjen dhe për të treguar fuqinë e tij, ai ndërton një shtëpi madhështore buzë përroit, një godinë me stil alpin dhe dritare në formë harku, që ngjante si një kështjellë e huaj në mes të varfërisë së fshatit.
Mirëpo, ajo shtëpi, megjithëse e ndërtuar me muret më të forta, dukej se mbante brenda një mallkim, pasi burrat e familjes nisën të shuheshin njëri pas tjetrit, derisa e gjithë pasuria dhe përgjegjësia ranë mbi mbesën e tij, Marën, një grua me karakter të hekurt dhe një fisnikëri që rrallë shihej në ato anë. Mara jetonte në atë shtëpi të madhe pothuajse e izoluar, duke rritur e vetme vajzën e saj, Sofinë, dhe duke u përballur me vetminë e një shtëpie që kishte më shumë dhoma sesa njerëz.
Kthesa dramatike e historisë vjen përmes një momenti mistik: Marës i shfaqet në vegim shpirti i katragjyshit, Andonit, i cili i jep një porosi që do të kthente përmbys fatin e tyre. Ai i kërkon që shtëpia të mos qëndrojë më si një monument i mbyllur i mëkatit, por t’i hapë dyert për njerëzit që do të sjellin ndryshim. Ky amanet merr jetë kur kryeplaku i fshatit, Taqo Qëndro, i troket në derë me një kërkesë të pazakontë: të kthente shtëpinë e saj në shkollën e parë të fshatit, e cila do të financohej nga fondacioni i bamirësit të madh Vangjel Zhapa.
Mara, duke kuptuar se ky ishte misioni i saj për të shlyer borxhet e të parëve, pranon me një bujari të pashembullt, duke i hapur dritaret e asaj godine alpine për të mirëpritur 53 fëmijë zbathur, të cilët deri atëherë njihnin vetëm punën e rëndë të fshatit. Me hapjen e shkollës, atmosfera në fshat ndryshon rrënjësisht. Ardhja e dy mësuesve çamë nga Paramithia, vëlla e motër, Jorgo dhe Fedra Papas, sjell me vete jo vetëm librat dhe alfabetin, por edhe një frymë qytetërimi, arti dhe atdhedashurie që fshati nuk e kishte njohur.
Shtëpia buzë përroit mbushet me zhurmën e këndshme të fëmijëve dhe me energjinë e mësuesve, duke u kthyer në një vatër të vërtetë drite.
Në këtë mjedis të ri, mes Marës dhe Jorgos lind një dashuri e pastër dhe e pjekur, një lidhje që i jep Marës shpresën se jeta e saj mund të kishte edhe ngjyra të tjera përveç zisë dhe sakrificës. Megjithatë, ky progres dhe kjo lumturi personale bien ndesh me errësirën e forcave konservatore. Prifti i fshatit, i cili e shihte shkollën si një kërcënim për pushtetin e tij mbi mendjet e njerëzve, fillon të thurë intriga të ulëta, duke përdorur thashethemet për të njollosur moralin e Marës dhe figurën e mësuesit.
Tensioni arrin kulmin kur këto intriga rrezikojnë të mbyllin shkollën dhe të dëbojnë mësuesit, por forca e Marës dhe mbështetja e burrave të mençur si Taqo Qëndro bëjnë që e vërteta të triumfojë. Në një skenë emocionuese në kishë, lidhja e Marës me Jorgon zyrtarizohet, duke u dhënë një goditje përfundimtare gojëve të liga. Rrëfimi mbyllet me një ndjenjë të thellë trashëgimie; Mara, pasi përmbush misionin e saj, largohet drejt Çamërisë për të mbyllur vitet e fundit të jetës, por ajo lë pas një testament, ku shtëpia dhe e gjithë pasuria e familjes Papa i dhurohen kauzës së arsimit.
Edhe pse koha kalon dhe njerëzit vijnë e ikin, “Shtëpia në përrua” mbetet në kujtesën historike si simboli i shndërrimit të madh: vendi ku një pasuri e vënë me gjak dhe dhimbje u shndërrua në një burim të pashtershëm dritësimi për të gjithë kombin. Ky rrëfim është një homazh për dinjitetin njerëzor dhe për personazhet që guxojnë të sakrifikojnë rehatinë e tyre për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë.
Karakteristikë kryesore e kësaj novele është se ngjarjet njohin kthesë të fortë dhe kuptueshmëria e fatit vihet në një balancë të papritur dhe kështu fati merr kthesën e duhur. Ngjarjet lidhin kohë të ndryshme dhe kanë një vijueshmëri të gjerë në kohë. Petraq J. Pali ndërton një novelë, ku ngjarjet i vënë përpara njerëzit dhe njerëzit e formojnë karakterin dhe sjelljen e tyre përmes ngjarjeve. Kështu realiteti përputhet me kufijtë e tyre, duke u hedhur këtyre ndodhive vellon e një legjende ku njeriu kërkon t’i dalë kundër fatit dhe kur e kupton se ai më shumë se çdo gjë ka nevojë për njerëzit- dhe mbase këtu kemi një fill të shndritshëm humanizmi dhe dashurie-gjetjen e fillit të jetës.
Misteri, frika dhe dija- bëhen tre komponentë ideorë që mbajnë ngrehinën e narrativës, e cila është e rrjedhshme. Ndjenja e përmbushjes së misionit dhe mesazhi fundor për arsimin sjellin çdo gjë në favor të dijes dhe prosperitetit, duke na treguar se njeriu e shikon më tepër fatin dhe mbrothësinë në jetë përmes dijes dhe vetëm asaj. E shkruar me një stil dramatik në vlerësimin e situatave dhe paralajmërimeve misterioze të fatit, novela lexohet me një frymë, në këtë aspekt të stilit të përmbushjes së tij, vjen në ndihmë edhe një frazë e rrjedhshme, koncize, pa zbukurime të tepërta që komunikon natyrshëm në marrëveshje të heshtur me realitetin e treguar.
Shkrimtari Petraq Pali, që ka botuar një opus të tërë prozash edhe këtu shpërfaqet mjeshtër i gdhendjes dhe i vendosjes së duhur të personazheve, duke na dhënë ato natyrshëm sipas pikave të lidhjeve subjektore dhe sipas episodeve që lidhen zinxhir dhe krijojnë harmoni në ritmin e të rrëfyerit. Ai na jep Marën të vendosur, bujare që e lë shtëpinë për shkollë pa asnjë përfitim,. Ajo mbetet e guximshme për t’u përballur me paragjykimet e fshatit dhe njëkohësisht di të ruajë dinjitetin e saj dhe të familjes edhe në kohërat më të vështira. Kjo grua me një botë të thellë shpirtërore shpërfaqet një personazh simpatik, që i mbetet në mendje lexuesit e krahasueshme me modelin e grave më të mira të trajtuara në letërsinë tonë. Lidhja e saj dashurore është një rrjedhë e fortë lirike në kontrast me situatat dramatike dhe misterioze, që zhvillohen në novelën e sipërpërmendur. Po kështu, kjo linjë sjell gjithnjë filozofinë e dashurisë që vihet përkundrejt të pamundurës. Dashuria gjithnjë e hap një dritare drite në muzg.
Andon Papa është një personazh tjetër, i cili ka veçoritë e tij dalluese, ndoshta personazhi i pikës fillestare të kuptimit prej nga nisin ngjarjet në novelë. Punëtor i palodhur (bëri pasuri në Alaskë), por i vrarë në ndërgjegje. Ai jeton me pendimin e një krimi të rinisë dhe përpiqet ta shlyejë atë përmes pasurisë dhe ndërtimit të shtëpisë, duke u shfaqur si një urë lidhëse mes të shkuarës dhe të ardhmes. Por ai nuk ia gjen fillin jetës. Fillin jetës ia gjen Mara. Ndoshta nga kjo del ideja se në raportin midis krimit dhe pendimit, pendesa nuk e mund krimin dhe shtëllunga e ngushëllimit nuk tretet lehtësisht.
Sidoqoftë përmes retrospektivës dhe aktuales këtu bëhet një lidhje e bukur artistike me anën e së cilës shpaloset një ekspoze e ngjarjeve në novelë që e gjejnë pikën e lidhjes te dashuria midis Jorgos dhe Marës. Jorgo është i arsimuar-idealist dhe nuk është thjesht një mësues i zakonshëm, por një njeri që beson se ndryshimi fillin përmes dijes dhe vetëm përmes saj. Njeri i butë dhe i ndershëm në ndjenjat e tij ndaj Marës, ai mbetet një personazh i gdhendur me dashuri nga shkrimtari dhe i realizuar artistikisht me lirizëm e me ndërthurje të rrethanave të ashpra, por që nuk ia zbehin assesi këtë karakteristikë si personazh.
Siç e thamë, novela ka një narracion të rrjedhshëm dhe një strukturë organizative të mirëmenduar, ku ngjarjet dhe episodet si dhe linjat e zhvilluara e gjejnë një mënyrë të natyrshme harmonizimin e tyre. Po kjo vlerësohet edhe përmes një gjuhë të pasur figurative, ku krahasimet përdoren për të dhënë kuptime më të thella e të drejtpërdrejta. Mund të përmendim disa shembuj: “Vatër e dritës” – Shkolla quhet kështu sepse shpërndan dije në një vend ku sundon padija (errësira). “Barrë e rëndë në ndërgjegje” – përshkruan fajin e Andon Papës, që rëndon mbi të si një peshë fizike.
Kështu, krijimi i imazheve vizuale që ndihmojnë edhe në përshkrimin e karaktereve mund të sillet përmes shembujve të tillë si: “Shtëpi alpine” – përshkruan arkitekturën e huaj dhe të veçantë- “Grua e hekurt” – përshkruan forcën dhe qëndrueshmërinë e Marës. “Gojë të liga” – përshkruan njerëzit intrigantë dhe thashethemet e fshatit. Në gjuhën e autorit gjejmë simbole, objekte apo vende që mbartin një kuptim më të madh se vetvetja. “Shtëpia në përrua” – vetë shtëpia është simbol i kalimit nga një e kaluar me krime e pasuri të ftohtë, në një të ardhme me dije dhe shërbim ndaj komunitetit. “Përroi” – Simbolizon rrjedhën e kohës dhe pastrimin (larjen e mëkateve).
Dhamë vetëm disa shembuj, por proza e Petraq J. Palit është e mbushur me shembuj të tillë dhe tregon se autori e njeh mirë gjuhën e përditshmërisë, frazeologjizmat popullore dhe di ta përshtasë atë bukur e ta funksionalizojë, qoftë me përshkrime, qoftë duke e vënë në gojën e personazheve për të treguar karakteristikat e tyre apo botën mentale që ata mbartin.
Duke e lexuar novelën “Shtëpia në përrua”, nuk ka se si të harrohet mesazhi, se dija është e vetmja pasuri që nuk humbet dhe e vetmja rrugë që fisnikëron shpirtin njerëzor e përparon shoqërinë. Po kështu, këtij mesazhi mund t’i shtojmë idenë tjetër që e përforcon dhe e lartëson më shumë atë se pasuria e madhe, nëse nuk vihet në shërbim të komunitetit dhe dijes, mbetet e ftohtë dhe e zymtë. Vetëm kur shtëpia (pasuria) kthehet në shkollë, ajo merr vlerë të vërtetë dhe sjell lumturi.








Comments