top of page

Ruzhdi Gole: PYKË NË DIELL.

May 13
6 min read

Ruzhdi Gole: PYKË NË DIELL.


 

      Po shëtisja me Lajmin dhe Hovin në shëtitoren proletare " Pyka." Hovi dukej i lodhur nga vrapi shesh - tv.- shesh me vrundullime të pikura e të acarta gjithandej qysh nga mëngjesi. Lajmi aty ngrysej, aty fshihej pas shpinës sime. Shumë të njohur të tij donin ta takonin, ta përgëzonin, ndoshta ta ftonin për kafe. Dikush tjetër, i çuditur nga sjellja e Lajmit, mund t'i kërkonte atij zanafillën e ngjarjes, vendbanimin, letër njoftimin, të ardhurat mujore, detyrimet dhe borxhet, pagesat e taksave sëbashku me të bërtiturat e të sharat, të pështyrat e shkelmat. Dyshohej se të gjitha këto ishin të plagosura dhe për të shpëtuar kërkohej urgjenca. Policë hollakë e të shëndoshë, të pikur, ende pa rritje page dhe grade, ia behën në shesh të inatosur.

Lajmi, përkrah meje, sa hapte gojën të më ligjëronte të vërtetën, ia plaste një të qarekujë. Veç meje nuk e dëgjonte asnjë. As Hovi, që më rrinte mua afër përkrah.. Pas pak lajmi gazmohej, vërshëllente dhe i. shkelte syrin ndonjë kalimtari.

Mëdyshja turbullohej lehtë, kërcente para ose pas nesh. Mëdyshja e njihte veten, e nderonte dhe e gënjente veten sipas qejfit def, sipas kërcimeve e mjaullimave të vet lajmit.Lajmi i trembej të vërtetës. Shumë guxonit t'ia përplasin në fytyrë të vërtetën reale, të kudondodhur dhe fshehur kudo ku kishte tregtarë, doganierë, kurva dhe monedha vezulluese. Njeriu ndahej mëdysh në gjykimet e tij.  Gjykimi aty dukej i kthjellët dhe njeriu i vendosur, aty lëmshi brohoritës ia bënte më lemsh kokën, leshnajë dhe ai ngatërrohej me të tjerrurat e të çjerrurat. Atëhere lajmi, gjoja i fyer e i kërcënuar, i lyer e i përlyer, i rrahur me vajuthull, ushqyer dhjam e tul, ngjitur e zbritur me kërcime pupthi, donte ta rrëzonte këtë barrë mullari (pa shtatzani.) Me një e dy i qepej pas lajmëtarit. Hovi nisej përpara tij drejt fytyrës titanike të lajmëtarit të dëshiruar prej disave e të mallkuar prej shumë të tjerëve. Mallkimi varfanjak ankohej për kuletën e rrudhur e të rrjepur, për shkrimet pa ortografi e shkërdhimet m'u në mes të qytetit, për rritjen me kokëposhtë të të ardhurave dhe rrezatimet e rrënimin emocional të të ikurve me lajm e me lajme e pa lajme.

(-Ku është ngjarja këtu ? -  më pyeti mbrëmë Ymeri për një prozë timen.

Ngjarja ?.  pas ngjarjes - iu gjegja unë nxitimthi. Ngjarja është monedhë gjaku. 

O, ç'dramë gjysmake- qesëndisi Ymeri.                          Po, aty-aty përgjysmë- binda veten unë. Ngjarja sa ngjizet fillon e shkërmoqet, shkrihet.           

Në mos, copëtohet- foli prerë zëri i Ymerit.

Kjo ndoshta është e vërteta e ngjarjes - këmbënguli ai.

Gjithë e vërteta- fola unë. Ngjarjen kush ta puth e ta shaj i pari, kush ta shkallojë e ta shkallmojë po i pari.

Keq, shumë keq. Po kjo është fyerje pabesi ndaj së vërtetës - ligjëroi Ymeri. Një lajm s'e dëgjojmë njëherë njësoj.     

-Eh, lajmi vjen nga barrikada, vjen nga gjithë ato pusi për të arritur gjer tek ne.   -Lajmi qëllon lajmin përballë, anash, pas krahëve. Ndonjëherë plagos edhe veten- foli me keqardhje Ymeri.               

-Ja pra, pse ngjarja deri diku është monedhë gjaku- fola qetë unë.)

 

... Lajmi shkundi supet me glasa zogjsh dhe lëvore vezësh. Bëftë afër hovit ia behu mallkimi. Ngjethej mallkimi. I merreshin këmbët, qëllonte kotkoti ajrin, i cili nga ana e tij kishte mushkëri të pastra. Jo shumë të pastra bash në krye të qytetit. Aty, siç ua kam thënë nja dy ditë me parë edhe në një rrefenjëz tjetër, rrithte një llangaricë, bënte llum e shkumë sheshin e kasnecëve, i njohur për atentate qysh krismën e parë. Për krismën e parë krenoheshin të gjithë. Zemëroheshin të gjithë. Jo të gjithë. Kush e shkrepi, kur e shkrepi, pse e shkrepi, kë trembi, kë plagosi e vrau por...pordh...pordha...

Tani nuk dihej kush do krenohej për krismën e fundit. Më shkoqur akoma : sa herë do t'u kriste mendja njerëzve të qëllonin e të qëlloheshin? Nuk kris vetëm koburja, Jo... Kris lajmi, krekoset, shquhet, shquhet e shqyet shalësh, pështiroset, pështyn e p'shtyhet. Disa e lajnë e shplajnë lajmin. I presin thonjtë, e pudrosin, e lyejnë me gëlqere,ia fshijnë rruginën nga protesta dhe bajgat, dhe o le, le, le nga prezervativat.

Hovi më këqyrte mua, por unë s'e kisha vënë re. Fytyra i dukej më njerëzore, më e freskët dhe më pak e gëzuar nga pankartat e parrullat gjatë ditës. Hovi sillej e përsillej gjithandej si njeri, vet njeriu, paçka se disa prej nesh i rrëzonin pa të keq përtokë fytyrat që kanë dhe bëhen e besojnë kokëgdhë mushkën kokë gënjeshtër. Triumfi parakalon përkrah, përpara pas hovit. Kjo varet sa e gjerë a e ngushtë është rruga. Rruga s'mund t'i nxerë njëherazi të gjithë. Rruga mund t'i verë e shpesh i vë përballë njerëzit. Ata fillimisht të qetë e bujarë në buzagaz midis tyre ia plasin një rrëmujë aq të shkalafitur e të ububushme sa çdo bubullimë do prehej motake pas krahëve të tyre. Lajmi, hovi, mëdyshja, mallkimi, triumfi, liria me të vërtetë bindëse dhe jo lara shplara e leqendisur janë frymorë kokekëmbë, pacientë spitali, rrojtarë pylli, alpinistë himalajesh dmth. betejash, pabesish, bestytnish e.....(lerë thurrjen epiko- lirike - qortova unë veten.) Kush isha unë? Fantazia, fushqeta, fishkellima? A fundi i pafundëm i të epërmve, i të ndriturve kallp? Ndoshta dhe.qymyri i djegur.

Pashë Hovin e m'u u duk sikur e pashë si një të panjohur ose si një mik që t'afrohet, por s'të ngjit më. Më solli një mbështjellje të baltosur, të grisur, të shqyer. Hovi mori frymë thellë afër një vashëze me sutjena të tejdukshme dhe ma zgjati para hundëve gris'shqyerjen e baltosur:

Kjo është xhaketa jote, vetëm jotja, o mik - belbëzoi me një qeshje të sinqertë.

Po pse belbëzoi kaq ngadalë, me zë të ngjitur e fishkur Hovi, miku im?

-Xhaketa ime kjo? Unë e kam veshur xhaketën. A s'e sheh, o Hov?

-Atëhere kjo mund të jetë lëkura jote kaq e rrëmujshme, rrjepur e fluturuar andej këndej rrahur nga kondakët sa... 

-Sa të budallallepsi dhe ty, o Hov Hutaqi.

Hov Hutaq Hovi, (Hutaq i quanin të atin, tashmë përtej të njëqindave, ) u tërhiq pak mënjanë plot mërmëritje.

Lajmi u gëzua që ia plasa, pa më plasur, në sy të tij, ngaqë  për të fituar trofeun lokal të akrobacive njeri prej tyre duhet të mbërrinte i pari aty ku mbërrinin bataretë, batërditë, bagëtitë e therrura, bejtet e thurrura me çuka e çika.

Hareja i afrohej Lajmit, lajmi ledhatohej e joshej prej saj. Edhe vet hareja u bë lajm. I hipi një e qeshur të gjithëve, një e qeshur brambullitëse. Festë, o ç'festë? Lumthi ne! - sikur gazmonin tavernat, klubet, hotelet.

Mjerisht, plehrat shtypnin kokat e tyre shtrirë andej-këndej duke i sjellë në hundë një erë mbytese qytetit.

-Uauaua, ç'është kështu, ç'është kjo, kë po lajnë, kë po krehin me kaq zulm e zallamahi?

-Ooooo, erdhi dynjaja me daulle të hedh përpjetë veten.

-Ooiiiioiiii, ç'dimër i zi. A nuk e shihni? A nuk ju tremb?.

Ç'të shohim? Kush na tremb? - pyeti I merakosur Hovi.

Diellit nuk i dihej nga udhëtonte sot.Shiu po lante të vjellat e qenve fjalamanë, të cilët pasi kishin pshurrur gjithandej me lehje e bisht ndër shalë po kacafyteshin me njeritjetrin se kujt i takonte fitorja e të lehurës më të lebetitshme dhe kafshimit më të thellë kockor në sheshin "Pyka" ose më saktë

në sheshin e triumfit "Pyka s'ha pykë."

Nuk e kisha vënë re as unë, as Hov Hutaqi  rënien e menjëhershme përtokë të lajmit, kokëkrisjen e tij, gjakun. E qëlluan? Kush e qëlloi? Me urdhër të rastesishëm apo me rastësi urdhëri ? As krismat, as helmi, as ngasja, as rrasja, as tehu, as plagosja, as vdekja, as groposja (më në fund, sosi sosja) nuk vijnë me urdhër. S'i thërret kush. Ato vijnë rastësisht, për hir të detyres e të bindjes, mbi kokën e njeriut. Kjo është e tmerrshme, rrëngjethëse ta besosh. Gjithçka është urdhër, gjithçka është kupolë. Rastësitë janë kërcënuese, por shpesh kalimtare, të befasishme por hera herës të bindura.

Ndoshta të tjerë e parandjenin të fiktit e Lajmit. Dikush si zymti e dikush si humor, si krenari lokale e si kërcënim, dikush si kreshtë e si kërrusje dikush. Kujt t'i besoja ?

-Oooo, ku e kam xhaketën, ku e kam? Ma vodhëm prapë. Po aty kam koburen, siguracionet, kontratat...

-kontratën e vdekjes sime?- foli një zë, i cili shfryu nga arkmorti duke mbajtur me njerën dorë kapakun prej druri.

-Vdiq lajmi, o Hov, o Hov Hutaqi, vdiq. Me se do të rrojmë ne tani?

Asnjeri s'm'u përgjigj atypari.

-Ku je mbyt, o maçok, o maçoku im? Ku po pispillosesh, ku po kërcen def?

Atypari askush s'm'u gjegj.

Dyshova...Lajmi e mori Hovin me vete në arkmort ? A thua se i mbanin mëri njeri - tjetrit apo e donin marrëzisht apo hovi ia kripi mirë kokën lajmit dhe ma përplasi mua mbi tavolinën e TV.-së.?

Gjithçka këtu qënka pykë, ëëë ...

13 MAJ 2026,

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page