
SHPENDI TOPOLLAJ
POHIMET E PANDERSHME TË VIATÇESLLAV MOLOTOVIT DHE
MOLOTOVËT TANË
Për librin e Felix Tchouevit (Feliks Tuçev) “Biseda me Molotovin”, botim i EXTRA dhe përkthyer me shumë kompetencë nga Pranvera Hoxha, nuk ka sesi të mos pajtohesh me gjykimin e akademikes Helene Carrere d`Encausse, se ai “është i mrekullueshëm, i papritur, i bujshëm dhe gjithmonë befasues në shumë aspekte për lexuesin e sotëm.” 140 intervista të dhëna gjatë 17 viteve, kur Viatçesllav Mihajlloviçi ishte në pension dhe thuajse i harruar, me kthjelltësinë, saktësinë, konçizitetin dhe renditjen e pagabueshme kronologjike, të bindin se ai ka qenë jo vetëm një protagonist i rëndësishëm i ngjarjeve të mëdha për një kohë të gjatë, por edhe një intelektual i një formati të jashtëzakonshëm. Dhe po të nisemi nga portreti i tij prej babaxhani, me atë vështrimin e butë dhe të ëmbël dhe modestia që tregon për rolin që ka luajtur në histori, ku dallon një tis i gënjeshtërt sinqeriteti e thjeshtësie, aty për aty, sepse të krijohet përshtypja e rreme se gjithsesi, Molotovi ka qenë një idealist i bindur, besnik i vendit dhe popullit të tij, aspirues i një sistemi të përparuar shoqëror. Informacioni që marrim nga pohimet e këtij burri shteti për udhëheqësit komunistë të rangjeve të larta në ish Bashkimin Sovjetik qysh para revolucionit të Tetorit, apo ata të vendeve të tjera, nisur dhe nga marrëdhëniet dhe intimiteti njerëzor me ta, apo përshkrimi i ndodhive me rëndësi botërore e bëjnë këtë libër më se interesant. Por deri këtu… Më tej ndryshon katërcipërisht puna. Dhe ja përse: Sikur gjithçka të kishte mbetur si dëshmi e së kaluarës dhe sikur qëllimi të ishte pendesa për krimet monstruoze të bëra, dështimet e atij sistemi utopist dhe dëshira që pësimet të bëhen mësime, natyrshëm që reagimet do ishin të matura. Por kur vëren se edhe nën dritën e të vërtetave të hidhura dhe të pakundërshtueshme, dhe sikur pas kongresit të XX - të të PKBS të mos ketë ndodhur asgjë, dhe sikur sistemi socialist të mos ketë dhënë njëherë e mirë shpirt, ky bolshevik i orëve të para, ka mbetur po ai dhe se të tillë, ata që i quajmë nostalgjikë, të mos i kishim ende nëpër këmbë edhe në vendin tonë, nuk ka sesi të mos i shohim me sy kritik vlerat e këtij libri. W. Çërçilli, të cilin vetë Molotovi e quante më të fortin e më të zgjuarin ndër udhëheqësit e vendeve aleate, ka thënë mjaft bukur një të vërtetë të madhe: “Defekti i natyrshëm i kapitalizmit është ndarja jo e barabartë e të mirave. Virtyti i natyrshëm i socializmit është ndarja e barabartë e mizerjes së tij.” Lind pyetja: si është e mundur që Çurçilli nga jashtë e konstaton kaq drejtë mjerimin ku të shpie teoria dhe praktika leniniste - staliniste, kurse Molotovi, nga brenda këtij sistemi, endet në letargjinë topitëse të dogmave të Marksit? Vërtetë funksionet e tij partiake dhe shtetërore ishin shumë të larta, aq sa konsiderohej figura numër dy, pas Stalinit. Vërtetë ai kishte një veprimtari të dendur revolucionare qysh nga koha e Leninit. Ishte pikërisht ai që kishte firmosur lista të tëra pushkatimesh, internimesh e ndëshkimesh të tjera mjaft të rënda për mijra e mijra fatkeqë e familjet e tyre, shpesh edhe shokë drejtues me kontribute në themelimin e partisë, në revolucion, përpjekjet për ndërtimin e socializmit e deri fitoren në Luftën e Madhe Patriotike. Ai vetëm gjatë viteve të Terrorit të madh, pra 1936 - 38 kishte firmosur 373 lista pushkatimesh, pra 11 më shumë se Stalini. Vetë ai i përgjigjet intervistuesit se Stalin ka gabuar kur ka thënë se kemi internuar 10 milion kulakë; ata ishin 20 milion. Shtoj se vetëm në vend lindjen e tij në Viatka gjatë periudhës së Terrorit të kuq, pra nga shtatori në tetor 1918, brenda vetëm një jave, Çeka e Uraleve e F. Xherxhinskit pranonte se kishte ekzekutuar 23 ish xhandarë, 154 kundrarevolucionarë, 8 monarkistë, 28 anëtarë të partisë konstitucional - demokrate, 186 oficerë dhe 10 menshevikë, pra gjithsej 409 njerëz. Mendoni pastaj se ç`është bërë në gjithë Bashkimin Sovjetik gjatë viteve të pafund të sundimit të komunizmit. Kuptohet që Molotovi nuk e ka lexuar “Librin e zi të komunizmit”, pasi ai është botuar pas vdekjes së tij në moshën 96 vjeçare. Por nuk e di se si do t`u përgjigjej ai atyre gjashtë autorëve që nëpërmjet shifrash e faktesh na japin të vërteta rrëqethëse, që as Dante Aligerit nuk ia rrokte fantazia kur shkruante “Ferrin” e tij. Krimet e komunizmit rus nuk kanë të numëruar. Ato nisin me humbjen e çdo të drejte njerëzore, asgjësimin e lirisë së mendimit, të shprehjes dhe besimit, vdekje masive nga uria, rrëmbime të pasurisë së individëve, përdhunime, deportime në kufijtë e genocidit, arrestime pa asnjë akuzë, tortura mesjetare, etiketime “armik i popullit” për absurditete, çuarje në të ashtuquajturit Gulakë, ku punohej në kushte skllavërore dhe prej nga fare pak u kthyen gjallë, e deri te varjet e pushkatimet sipas tekave të punonjësve të shërbimit të fshehtë të zgjedhur mes njerëzve më të egër, sipas porosisë së Leninit të cilët kishin dorë të lirë dhe asqë donin t`ja dinin për rregull e ligj, mjaft të zbatonin direktivat e udhëheqsit për të eliminuar kundërshtarët pa dallim dhe që aq qartë e jep deklarata e Latzit, njerit nga shefat mizorë të policisë politike se “Ne nuk bëjmë luftë kundër një njeriu në veçanti. Ne do të zhdukim borgjezinë si klasë. Mos kërkoni gjatë hetimeve, dokumente dhe prova mbi atë që i akuzuari ka bërë, me vepra ose me fjalë, kundër shtetit sovjetik. Pyetja e parë që ju duhet t`i drejtoni është se cilës klasë i përket, cila është origjina e tij, edukata e tij, shkolla e tij, profesioni i tij.” Dhe kryekriminelët e gjithë kësaj batërdie që mori përhapje në shumë vende të botës, kuptohet që ishin Lenini dhe Stalini, dy vagabondë të pashoq që çuan në burg, pushkatim e varje edhe shokët e tyre më të afërt. Asgjë nuk qenë ligjet e jashtëzakonshme të Musolinit më 1926 pas atyre atentateve të njohura që shumë - shumë çuan në largimet e opozitarëve nga Italia. Sipas Renzo de Feliçes “miti” i udhëheqësit fashist edhe pse shpesh thuhej “Ah sikur ta dinte Duçja”, nisi të bjerë kur filloi lufta. Kurse në B.S. edhe pas lufte Stalini u bë perëndi dhe askush nuk guxonte ta vinte në dyshim fjalën e tij. Paradoksalisht edhe Molotovi vetë survejohej, shkarkohej, përjashtohej nga Partia e shmangej, kurse gruan e tij, Polina Xhemçuzhina, një staliniste e thekur e burgosnin pa pikën e gajles me akuza të sajuara dhe e ndanin nga i shoqi. (Kurse N.S.Hrushovit, Stalini i paskej pushkatuar djalin). E megjithatë, Molotovi përsëri përgjërohej për Stalinin dhe e thotë hapur se vetëm Stalini dhe ai ishin leninistë të vërtetë, kurse të tjerë armiq e tradhtarë të B.S. agjentë të imperializmit të huaj. Mirë kur ky gogol mizor ishte gjallë, kapriçioz dhe i paparashikueshëm, njeri që mundohej nga paranoja, dhe u kishte futur dridhmat jo vetëm një populli të tërë, por dhe gjithë atyre që e rrethonin, por në kohën kur ai kishte vdekur, përse Molotovi duhej ta konsideronte atë monstër, zot të popullit sovjetik dhe të vendeve vasale komuniste? Kjo është pyetja që mbetet pa përgjigje në planin psikologjik dhe që ndofta e ka shpjegimin ose te mungesa e kurajos, ose te distancimi nga përgjegjësia para historisë, pra te nevoja për të refuzuar të vërtetën, për të cilën Nitzsche thosh se “Të refuzosh të shikosh një gjë që shihet, të refuzosh të shikosh një gjë siç shihet.” Dhe jo vetëm kaq; por Molotovi gjatë gjithë përgjigjeve të tij e justifikon terrorin e kryer, madje shprehet se pak kemi bërë, d.m.th. pak kemi vrarë e prerë pasi revolucioni e ka të domosdoshme atë. Ja ç`thotë ai rreth spastrimeve: “Mbas revolucionit, ne vramë e premë majtas e djathtas dhe sollëm fitoren”. Këtë deklaratë nuk besoj ta kenë bërë as Hesi e Geringu me shokë në gjyqin e Nurembergut. Ose duke folur rreth asgjësimeve brenda llojit ai pranon: “Si t`i verifikonim? Kishte shumë mosbesim dhe dyshime.. . kishte dhe shumë njerëz të dobët, që u mungonte vendosmëria në zbatimin e vijës së partisë dhe te të cilët nuk ishim të bindur që, në momente kritike nuk do të tradhtonin, nuk do të tërhiqshin mbrapa.” E më tej: “Shumë komunistë të ndershëm vdiqën. Nuk ka tym pa zjarr. Por duhet thënë që çekistët u treguan tepër të zellshëm. U ishte ngarkuar një mision dhe ata e kryen pa vënë në punë arsyen. Për këtë shkak, shumë njerëz të ndershëm vdiqën.” Hajde gjeje llogjikën e këtyre lloj udhëheqësish tani. Sikur çekistët të mos vareshin nga këta vigjilentë dhe të mos merrnin urdhra e direktiva prej tyre. E ku është ndryshimi me atë që ngjau në Shqipëri në kohën e komunizmit? A nuk u kopjuan pikë për pikë ata edhe te ne? Dhe përse heshtet rreth atyre krimeve të tmerrshme që ju bënë popullit tonë dhe që ndofta për specifikën që kishim ishin edhe më të përbindëshme. Edhe mëkatarët tanë, si V.M.Molotovi mendojnë se nuk kishte asnjë faj as stalinisti kokëfortë Enver Hoxha, as ata e as leninizmi që i polli? Dhe nuk duan ta kuptojnë se mosnjohja e përgjegjësive, përbën gjithashtu një krim tjetër të shëmtuar. Kjo është edhe arsyeja se përse u mora me këtë libër për të cilin, vlerësimit që i bën akademikja franceze e sipërcituar do t`i shtoja dhe fjalët “që i jep dëshmi dhe mësime të vyera lexuesit të sotëm.”
Comentarios