Poezia për fëmijë e Anton Çettës


Prof. Dr. Myzafere Mustafa


Përmbajtje e shkurtër: Në punim bëhet fjalë për poezitë për fëmijë të shkruara nga Anton Çetta, i cili veprimtarinë e tij e kishte orientuar në mbledhjen, botimin dhe studimin e krijimtarisë letrare gojore, por gjithashtu në fillimet e punës se tij krahas mbledhjes së folklorit ka shkruar poezi për fëmijë dhe është marrë edhe me përkthime nga frëngjishtja dhe italishtja. Si rezultat i punës në mbledhjen e krijimtarisë letrare gojore ka botuar disa vëllime me prozë dhe poezi. Në vitin 2020 u botua kompleti i veprimtarisë së tij në vëllime, si mbledhës i folklorit, studiues, poet për fëmijë, dhe prijës i pajtimit të gjaqeve, në trembëdhjetë vëllime, botim i Institutit Albanologjik i përgatitur në përkujdesjen e punonjësve shkencorë të Degës së folklorit të këtij Instituti dhe dy vajzave të tij Donikës dhe Agatës.

Në vëllimin e parë të këtij kompleti janë botuar vjershat për fëmijë që profesor Antoni i kishte botuar për herë të parë në vitin 1955, në një vëllim të titulluar “Në prehër të gjyshes”. Këto vjersha për fëmijë i ka krijuar duke e pasur si frymëzim krijimtarinë letrare gojore e sidomos përrallën, gojëdhënën, kallëzimin, anekdotën si dhe format e vogla të krijimtarisë letrare gojore siç janë: gjëegjëza, enigma, fjalët e urta etj. Profesor Antoni ka lënë në dorëshkrim edhe një tufë poezish për fëmijë, të cilat i kishte titulluar “Vjeti gazmuer”.

Përmbledhja “Në prehër të gjyshes”është botuar dhe ribotuar disa herë, ndërsa poezitë e vëllimit “Vjeti gazmuer” si tërësi botohen për herë të parë. Të parat, duke qenë në qarkullim për një kohë të gjatë, janë mirëpritur nga lexuesit dhe kanë bërë ndikimin e tyre, ndërsa këto të dytat nuk janë botuar si tërësi në një vëllim të veçantë, me përjashtim të ndonjërës që ishte botuar në gazetat apo revistat e kohës. Vjershat e vëllimit “Në prehër të gjyshes” ndryshojnë nga tematika dhe subjekti i trajtuar nga vjershat e lëna në dorëshkrim, prandaj edhe janë analizuar ndaras.

Fjalët kyçe: poezi për fëmijë, letërsi gojore, përrallë, gojëdhënë.


Hyrje

Anton Çetta e njihte thellësisht letërsinë gojore, vlerat letrare artistike, pasurinë gjuhësore, vlerat edukative dhe mesazhin që përçon kjo krijimtari. Tematikën dhe motivet e poezive të librit “Në prehër të gjyshes” i mori nga kjo krijimtari, duke e pasuruar sistemin e figuracionit dhe duke e përsosur senzibilitetin poetik të personazheve, të cilat janë më afër botës dhe mentalitetit të fëmijës. Këto poezi lexohen lehtë dhe me kënaqësi, nxisin dhe zgjojnë kërshërinë dhe ndikojnë në formimin estetik dhe në pasurimin e botës emocionale të fëmijës. Falë vlerave letrare artistike, përmbajtjesore, edukative, morale, etike, që janë të rëndësishme për formimin e personalitetit të fëmijës, kjo përmbledhje me vjersha ka hyrë si literaturë e obligueshme në programin shkollor të ciklit të ulët.

Para se të ndalem në analizën e poezive për fëmijë të Anton Çettës shkurtimisht do ta bëj një rishikim të disa shkrimeve, kritikave që janë shkruar me rastin e botimit apo ribotimit të tyre si dhe të disa punimeve të studiuesve të letërsisë. Është me rëndësi të theksohet se kritikat lidhur me këtë tufë vjershash janë shkruar në varësi të rrethanave politiko shoqërore dhe në frymën e kritikës letrare që ka mbizotëruar në kohën e botimit të tyre. Duke qenë se këto poezi u botuan dhjetë vite pas Luftës së Dytë Botërore, më 1955 kur Kosova kishte mbetur nën sundimin e Jugosllavisë, e cila i takonte shteteve të kampit socialist edhe letërsia e asaj kohe shkruhej në frymën e realizmit socialist. Sipas realizmit socialist tradita e mëparshme kombëtare dhe kulturore duhej të mohohej dhe çdo gjë duhej nisur nga fillimi për të glorifikuar vlerat e “jetës së re” socialiste.

Meqenëse, Anton Çetta tematikën e poezive për fëmijë e kishte huazuar nga trashëgimia letrare gojore, kritika e parë e shkruar në shtypin e kohës në vitin 1956, vëllimin e poezive nuk e kishte vlerësuar aq pozitivisht. Një kritik, i cili ishte njohës i mirë i letërsisë, shkruante: “Në shkollë dhe përgjithësisht në jetën e sodshme fëmijt hasin në ma shum të vërteta jetësore dhe sod asht anakronike me dhanë vjersha me këso motivesh anakronike”.

Ishte kjo një kritikë ideologjike në frymën e realizmit socialist që i bëhej autorit dhe veprës së tij. Ai madje e kritikon autorin edhe për titullin e librit. Megjithatë, duke qenë i vetëdijshëm për vlerat letrare artistike, për tematikën dhe motivet universale, për gjuhën e pasur të vjershave dhe për mesazhin që e përçojnë ato, përkundër vërejtjeve që u bën, ai shkruan: “Sidoqoftë, libri i Anton Çettës ka mjaft anë pozitive sa me e marrë si kontribut të çmueshëm të letërsisë sonë fëminore. Si të këtillë duhet me theksue formën, vargun e rrjedhshëm, gjuhën e lehtë dhe të kuptueshme. Mandej në këtë libër ka poezi me të vërtetë të bukur, urtësi të lehtë, t’ambël, me të cilën duhet me mësue të vogjlit në formim, ka të vërteta artistike.”[1]

Më 1964 ky libër me vjersha u ribotua nga ndërmarrja e atëhershme botuese Rilindja. Për këtë ribotim një kritik i asaj kohe, shkruante se autori i poezive e ka marrë subjektin nga përrallat dhe fabulat. Për të nënvlerësuar këto poezi ai fillimisht nënvlerëson përrallën si krijim letrar. Për përrallën shkruan: “S’do mend se rrëfimet fantastike të këtilla që janë krijue në kohë të ndryshme të zhvillimit të shoqnisë njerëzore, sot kanë ma shumë randësi historike se sa artistike e letrare. N’anën tjetër çdo vepër e krijueme ma vonë simbas klisheve të këtilla klasike na duket si diçka e vonueme, si diçka që e ka shkelë koha...”. [2]


Përkimet e krijimtarisë letrare të Anton Çettës me krijimtarinë letrare gojore, kritikët e asaj kohe i konsideronin si anakronike dhe të pa vlefshme. Mirëpo, vlen të theksohet se nga krijimtaria letrare gojore u frymëzuan krijues të njohur të letërsisë botërore. Në letërsinë shqipe janë të njohur shumë shkrimtarë dhe poetë të letërsisë së vjetër, letërsisë së Rilindjes shqiptare[3] dhe të letërsisë bashkëkohore që u frymëzuan nga letërsia gojore e sidomos nga përralla dhe gojëdhëna. Disa nga romanet me famë të Ismail Kadaresë, janë të frymëzuara nga gojëdhënat shqiptare. Shkrimtarët dhe poetët e kosovarë kanë shkruar romane dhe poezi të bukura, të frymëzuara nga krijimtaria letrare gojore[4].

Me tejkalimin e frymës së realizmit socialist ky libër me poezi u vlerësua pozitivisht nga kritika letrare. Deri në vitin 1989, këto poezi për fëmijë, u botuan shtatë herë. Në vitin 2004 përsëri u botuan nga Enti i Mjeteve Mësimore të Kosovës dhe me 2010 u botuan nga botuesi Piramida. Në parathënien e shkruar nga redaktori dhe kritiku letrar Shefqet Riza, ndër të tjera thuhet: “Krijimet janë të frymëzuara nga krijimtaria jonë popullore. Si njohës i mrekullueshëm i folklorit, A. Çetta krijimet për fëmijë i rrëfen nga prehri i gjyshes(...). Këtu përfshihen gjithsej shtatë vjersha apo poemtha(...). Vjershat e kësaj përmbledhjeje kanë vlerë edukative dhe letrare për fëmijë. Në to trajtohen me anë të vargjeve të bukura tema e bashkimit, tema e përtacisë dhe e punës, çështja e lakmisë(...). Secila nga këto shtatë vjersha shton interesimin dhe kërshërinë e fëmijës për t’i lexuar. Thënë shkurt, ky libër shënon një kontribut të çmueshëm në fushën e letërsisë për fëmijë ”.[5]

Në vitin 2001 Astrit Beshqemi në librin Historia e letërsisë për fëmijë shkruan: “Ky libër me përralla në vargje i Anton Çettës u drejtohet fëmijëve të grupmoshës së ulët shkollore. Përrallat që përfshihen aty trajtojnë motive për kafshët dhe për njeriun. Edhe pse të frymëzuara nga përrallat popullore, autori i ka ripunuar me kujdes ato. I ka zhveshur nga folklori i vjetër barbarizmat dhe i ka pasuruar me elemente të gjuhës artistike. Kësisoj ato na dalin krejt origjinale “.[6]

Studiuesi i letërsisë shqipe Yrjet Berisha, për poezitë Në prehër të gjyshes shkruan: “Brumi i këtyre krijimeve mbështetet në përralla popullore, shkruar në formë medituese, që kanë motive shoqërore, filozofike, etike, etosi etj.(...). Poeti nuk lë anash edhe një lloj nënteksti artistik që estetët e quajnë lojë fjalësh ku në brendësi zbulohet bota komplekse medituese e rrëfyer nga gjyshja e zhdërvjelltë(...)”.[7]

Sipas studiuesit të letërsisë gojore Anton Berisha “Krijimin e veprës Në prehër të gjyshes mbi bazën e krijimtarisë sonë letrare gojore e dëshmojnë jo vetëm tematika e motivika, ngjarje e objekte të ndryshme të njohura nga kjo krijimtari, por edhe mënyra e shtjellimit të krijimit letrar si strukturë gjuhësore shprehëse, si metër e si ritmikë e vargjeve, pastaj përsëritjet dhe formulësimet etj. (...). Idetë kryesore të krijimeve të veta poetike, Anton Çetta i shqipton shpesh në formë përmbledhëse, që zakonisht marrin formën e urtive popullore (...)”.[8]



Simbolika, vlerat letrare artistike dhe edukative, intertekstualiteti


Anton Çetta jo rastësisht vjershat e tij i titulloi “Në prehër të gjyshes”. Prehri i gjyshes është simbol i ngrohtësisë dhe dashurisë së gjyshes, përkatësisht nënës për fëmijën. Qëllimi i poetit ishte që nëpërmjet këtyre vjershave ta përçojë ngrohtësinë dhe dashurinë për fjalën e bukur të traditës letrare gojore, të përçojë mesazh se vjershat e tij kanë lidhshmëri me krijimtarinë letrare gojore, përkatësisht me përrallën, kallëzimin, anekdotën dhe me zhanret e tjera, të cilën krijimtari gjyshet dhe nënat tona e kanë përcjellë nga një gjeneratë në tjetrën deri në ditët e sotme. Këto krijime letrare fëmija i dëgjon nga gjyshja apo prindërit në ngrohtësinë e prehrit. Prehri simbolizon lidhjen emocionale të fëmijës me gjyshen, përkatësisht nënën, e cila me dashuri dhe pasion e ka bartur dhe ruajtur traditën letrare gojore, ndërsa te fëmijët ka kultivuar dashurinë dhe ndjesinë për artin letrar.

Vjershat “Në prehër të gjyshes“ cilësohen para së gjithash me vlerat letrare artistike, me gjuhën e pasur dhe të zgjedhur, me mjetet apo figurat stilistike, të cilat kanë rol në formimin estetik të lexuesit, përkatësisht receptuesit të tyre, që letërsinë ta ndiejnë si krijimtari të nivelit të ngritur artistik, si krijimtari që krijon kënaqësi gjatë dhe pas leximit. Por duke qenë se këto poezi janë shkruar për fëmijë, autori ka pasur parasysh edhe komponentë të tjerë që kanë rëndësi në formimin e fëmijës e ata janë: komponenti edukativ, etik dhe moral, didaktik etj.

Vëllimi Në prehër të gjyshes përmban gjithsej shtatë poezi apo vjersha më të gjata të shkruara në formë të rrëfimit në vargje. Titujt e vjershave janë: Shtatë thuprat; Kush punon ha; Breshka; Urithi; Ditët e plakave; Unë i ngirë miku i ngirë; E Vërteta del nga pusi. Në këtë rast do t’i analizoj disa nga vjershat e kësaj përmbledhjeje të cilat reprezentojnë vlerat e këtyre vjershave.

Subjekti i vjershës Ditët e plakave është huazuar nga gojëdhëna popullore për muajin mars. Përmbajta shkurtër e gojëdhënës është: Një plakë, i gëzohet pranverës para kohe. Ajo vendos të dalë me dhi në bjeshkë, bashkë me burrin e saj, më herët se zakonisht, meqë ishte nxehur moti. Në rrugë e sipër prishet moti. Plaka dhe plaku ngrijnë nga acari bashkë me dhitë. Kjo ndodh sepse plaka sfidon natyrën me ngutinë dhe mendjelehtësinë saj. Sipas kësaj gojëdhëne marsi i huazon tri ditë nga shkurti e prish motin, shkakton ngricën dhe plaka bashkë me plakun dhe dhitë mbesin të ngrirë në rrugë. Autori e njeh mirë strukturën e gojëdhënës, prandaj edhe e mbindërton poezinë në frymën e saj. Në hyrje mjeshtërisht dhe me dell poetik përdor kronotopinë e përrallës [9] e pastaj të gojëdhënës. Poezinë e fillon me formulë hyrëse:

Në kohë të lashta\ (siç tregojnë të vjetrit)\ janë bërë ca ndryshime\ ndër muajt e vitit.\ At’herë më i shkurti\ ndër gjithë shokët tjerë\ ish muaji i marsit\ i pari në pranverë. [10]


Rrëfimin poetik e vazhdon në frymën e strukturës rrëfimtare të kallëzimit gojor,[11] me një varg me ritëm dinamik : N’një shtëpi të vogël\ jetonin n’vetmi\ një plakë dhe një plak\ pa asnjë fëmijë.\ Pasuri e tyre\ ishin disa dhi. [12]

Në vjershë dominon rrëfimi në veten e tretë, që është veçori e stilit narrativ epik i gërshetuar herë - herë me dialogun, i cili rrëfimit i jep një dinamikë dndërsa teksti fiton dramaticitet. Poeti e vë në funksion dialogun për të reflektuar gjendjen emocionale të dy personazheve të kësaj vjershe, të plakës, e cila me mendjelehtësinë e saj nuk e vëren rrezikun që u kanoset dhe gjendjen brengosëse të plakut që e parandien rrezikun nga të ftohtit: Paj çka t’ zinë ke\ Që rri zymtë o plak?\ Pse kaq fort mendohesh| E nuk flet aspak?\ Pse je kaq i mrrolur,\ Fol,ç’të ka brengosur?(...........)

Pa rri urtë lum gruaja\ Mos me lodh me fjalë!\ Ky udhëtim kaq heret\ Keq do të na dalë.\ N’fund të marsit, t’ ftohtit\ Krejt nuk është larguar;\ Mund të kthehet bora\ dhe era e tërbuar.[13]

Për ta shqiptuar mendjelehtësinë e plakës poeti e vë në funksion figurën e personifikimit. Plaka i drejtohet marsit si një krijese të gjallë duke e shpotitur atë me ironi fëmijërore:

Tërci, tërci\ Mars i v’shtirë\ Në prill dola\ sh’ndosh e mirë.\ Shporru qafe,\ mars i mjerë!\ Tani jemi\ në pranverë.[14]

Vjersha përçon mesazhin se nuk bën të ngutemi e të marrim vendime para kohe dhe të nxitojmë pa pasur arsye, apo ta shpotisim dikë pa nevojë, se pasojave nuk iu dihet dhe çdo veprim duhet të bëhet në kohën e duhur pa qesëndisur e nënçmuar të tjerët. Poeti e përfundon vjershën: Kur ndoj pune ia synojmë\ duhet mirë ta mendojmë.\ Mendjelehtas po t’veprojmë,\ Keq shpeshherë mund të mbarojmë.\ Kjo përrallë ka një mësim\ Që është lehtë të mbahet mend-\

S’ duhen folur me nxitim\ fjalë t’pamira e pa vend.[15]

Sikurse edhe në vjershën Ditët e plakave, në poezinë Breshka poeti e ka huazuar subjektin nga gojëdhëna, sipas së cilës pula ka pësuar metamorfozë dhe është shndërruar në breshkë. Por shndërrimi, pra metamorfoza e saj ka një histori, që korrespondon me një ves të keq njerëzor e ai ves është grykësia. Gojëdhëna tregon se si kanë jetuar dy vëllezër së bashku duke çuar jetë të lumtur. Por njëra nga gratë e tyre kishte prerë një pulë për ta ngrënë fshehtas pa e ndarë me anëtarët e familjes. Rastis që burrat e shtëpisë, të kthehen në shtëpi më herët. Gruaja e fsheh pulën në magje duke e mbuluar me një enë të dheut të quajtur çanak. Kur shkon më vonë për ta marrë e sheh se pula ishte shndërruar në breshkë.

Vjersha fillon me një tablo të kontaktit të parë të çupës me breshkën, pastaj vazhdon dialogu në mes të çupës dhe gjyshes. Kureshtja e vajzës bëhet shkas i vazhdimit të rrëfimit, përkatësisht shpjegimit të historisë apo besimit lidhur me shndërrimin e pulës në breshkë. Vjersha është shkruar në veten e tretë, përshkrimi bëhet me fjalor të zgjedhur poetik nga leksiku i gjuhës popullore, vargjet tingëllojnë rrjedhshëm e bukur me një ritëm dinamik dhe të natyrshëm dhe me +-rimë të tipit AB, AB. Vjersha e artikulon natyrshëm gjendjen emocionale të vajzës, e cila e sheh për herë të parë breshkën:

Sa fort gjyshe| Jam frigua!| S’ish e madhe –| Sa ‘i çanak,| Mbi shpinë kishte| një kapak;\ një rasë ashti\ kish nën bark.\ Rasë përfund, \Rrasë përmbi-\ Rrinte brenda\ Si n’ kuti. [16]