top of page

POEZI NË RRUGË TË MBARË DHE VLERË


POEZI NË RRUGË TË MBARË DHE VLERË

Dr Fatmir Terziu


Kanë kaluar vite nga poezia e saj e parë. Kanë kaluar vite nga koha kur ajo me duart e saj të brishta do të shkruante: “Vendi im do të jetë bosh”. Do të ishte ky titulli i poezisë së saj të parë. Një titull që do të sillte më pas të kundërtën. Do të sillte vendin e saj në mesin e të dashuruarve pas vargut, pas ritmit dhe ritmikës poetike. Kështu erdhi mes poeteve edhe Ardiana Halili Lika me vëllimin e saj poetik të parë “Puthje në mesnatë” (1998) të cilin e shpupuriti mes një stine poetike të begatë. Kur në fakt poezia e saj pa dritën e botimit tek “Jeta e Re” në Shkodër, aty nga viti 1989 ajo ishte një nxënëse dhe kështu profesorët e saj do të shihnin e paralajmëronin që atëherë se rruga e saj ishte poetike.

E lindur dhe e rritur në një qendër të zjarrtë të kulturës dhe edukimit, ku vargu dhe poezia janë binomë jete, po aq e mbrusur me ide dhe edukatë nga një familje e njohur patriotike, vajzëria e saj la pas studimet por nuk la mëjnanë dëshirën e prushtë të poezisë dhe të lëvrimit të saj. Sot teksa ka marë rrugët e emigrimit, me katër fëmijët e saj dhe bashkëshortin ajo ndjehet disi më e përkushtuar dhe më e dashur me të dyja, vargun dhe familjen. Eri, djali saj student, por edhe i talentuar, me punën e tij jashtë shkolle është edhe sponsori i poezisë së mamit të tij, por edhe një shtysë për poeten e ardhur mes një vrulli të ri. Ndërsa bashkëshorti i saj i mrekullueshëm e sheh dhe e ushqen më tej frymëzimin ka një merak të vetëm të citojmë atë që më parë profesorët e cilësonin në ecje e sipër si poeten premtuese.

Ardiana Halili Lika vjen me mbi njëqind poezi në këtë vëllim ku spikasin tematika të shumta. Tematika të shumta lirike si “Ç’ke poet”; “Retushim”, “Brengë e një shpirti të plagosur”, “Çaste gëzimi”, “Dashurinë” etj.

Fjalë për fjalë, poezia e saj lirike gjurmët dhe rrënjët e saj i rrëmben në traditën e lashtë, ku vargrrëfimi i ëmbël i traditës vjen mes një vargu të prushitur frymësisht, një varg që vjen i shoqëruar nga një „instrument‟ me tërë melosin e tij dhe strukturën poetike. Është një varg lirik jetëdhënës. Ajo ndryshe është poezi e dashurisë, poezi e shpirtit që dashuron. Ja si shkruan ajo tek një nga poezitë e saj: “Dashuria” Ti je e lehtë si fllad

Ti je dëshirë e pafund

Ti je ëndërr që cdo natë

Njerëzit i le pa gjumë.

Gjendja e poezisë së saj, sidomos të asaj lirike, mund të përcaktohet vetëm në një nga këto dy mënyra, njëra që lidhet me jetën dhe fatin e saj dhe tjetra me dashurinë. Poezi e autores është në përgjithësi një artform shumë jo-komerciale, me format tradicionale dhe lirike që tregtohen më pak nga të gjitha artformat e saj, por me një destinacion shpirti dhe krijimtarie të dalë nga vrulli i zemrës në lëvizje.

Çfarë është e shitshme sot? Jo shumë. Edhe poetët më të publikuar gjerësisht në botë mezi arrijnë të fitojnë paksa me një poezi që vjen aq sa për një tejshkrim të jetesës. Ata pothuajse të gjithë bien në kategorinë e poetëve modernë, një fenomen i shekullit të njëzetë e një që në thelb ka eliminuar të gjitha rregullat në poezi, duke zëvendësuar ato vetëm me mandatet e vetë-shprehjes dhe nganjëherë të ndërgjegjes shoqërore. Poeti amerikan Laurette Maya Angelou është një shembull i mrekullueshëm i një poeti të talentuar modern i cili flet për prodhimin e saj dhe të trashëgimisë së saj etnike, me depërtim të madh dhe emocion, por punës së tij i mungojnë aspektet strukturore dhe lirike të origjinës poetike. Dikush do të kujtohet pse pikërisht shihet Maya Angelou në një lidhje që ka rreth pesëdhjetë vjet largësi kohore nga tani? Sigurisht. Por kur poezia ka një pikëtakim me vetë jetiken, natyrën e jetës dhe tërë oazin e saj, vrulli i vargut të saj mer jetë dhe flet shumë e shumë.

Nëse ka një të ardhme për poezinë lirike sot, ajo qëndron edhe në fuqinë që vjen nga lëvrimi i saj me teknologjinë e internetit. Për herë të parë në historinë tonë si popull, është një medium relativisht i lirë me të cilin vendoset në dukje një artform jo komerciale me një numër të madh njerëzish. Kjo teknologji dhe shpirti human i disa intelektualëve ka arritur që të bëjë të mundur për cilindo që me vizionin dhe dëshirën dhe përkushtimin për të ekspozuar punën e tij për botën pa pasojë financiare, nëse ai nuk është një sukses komercial (i cili është një e dhënë). Në të vërtetë, ka një dritëz shprese në horizont. Këtu është edhe një pjesë e poezisë së autores që ka patur fatin të botohet edhe tek revista online “Fjala e Lirë” me qendër në Britani të Madhe.

Të gjitha këto në një itinerar kohor të mjaftueshëm flasin për një poezi në rrugë të mbarë dhe premtuese në të ardhmen. Vëllimi i saj “Retushim” flet me mbi njëqind poezitë e tij.

122 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page