Dikur, në rini, poet i dëgjuar, Tani lodhte ditët tej, n'anëdet,
Me gruan në krah, të dy të motuar,
Dimrit të jetës ecnin pa siklet.
I bukur, i mençur dhe i lakmuar,
Pa ndizte flakë pas hijes së vet,
Me ato flakë vajzat dashuruar,
Tretur në puthje, ai ndihej Mbret.
S'i duheshin paret, as pasuria,
Një ditë do ta linte këtë botë,
Në djall të braktisej dhe "ndershmëria",
Kush e ka takuar, le të më thotë.
Pa buzët, alkoli dhe shoqëria,
Të gjitha bashkë s'i gjen dot kollaj,
Nëpër dete vrullesh noton rinia,
Edhe shpirtrat harlisen skaj më skaj.
Dikur, në rini, poet i dëgjuar,
Sonte po shëtit në qejfin e vet,
Një i ri , që kurreshtjen mbante zgjuar,
I qaset, buzëgaz e përshëndet.
Ndali hapin poeti i motuar,
U çel balli, si dielli nga retë,
Dorën i zgjati djali dhe shpenguar
E pyeti : " Ç'thotë mosha e tretë? "
Ngriti supet plaku, drojtur e pa,
" Po ja, mbrëmjes shëtis me miken time,
Kjo jet' e pabesë kështu e ka,
Të harron, të plagos, lë pas zhgënjime.
Më thonë ke patur fat, ke dashuruar
Vajzat e bukura që kish qyteti,
S'them dot sa ishin, s'i kam numëruar,
Po veç për njerën qan shpirti, i shkreti.
U hodh plaka : " E ka fjalën për mua,
Që e kisha të parën dashuri,
Me të tjerat si era u mësua
Bredharak, pa mure e pa çati."
Qeshi plaku dhe i tha :" Jo moj grua,
Diku gjetkë mbeti peng shpirti im,
E përgjëroja, i thosha : Të dua!
Mbeti në ëndër i largët burim.
Të gjitha puthjet, epshet, u harruan,
Për ato që merr, nuk ke kërshëri,
Sytë e saj më tretën, më verbuan,
Po kurrë s'qëlluan sytë e mi.
Dikur isha poet i dashuruar,
Edhe tani më jep gjithçka kjo grua,
Ato që më deshën, i kam harruar,
Njerën që doja, nuk më donte mua."
Pajtim Xhelo, 17 tetor 2019
Comentarios