top of page

Plutarku, Pani, Pelodi dhe Piluri


Timo Mërkuri

Plutarku, Pani, Pelodi dhe Piluri


Nga Timo Mërkuri


1-‘’Një mbrëmje, gjatë lundrimit, kur era kishte pushuar dhe shumë udhëtarë, që sapo kishin ngrënë bukë, po pinin, nga ishulli i Paksosit u dëgjua papritur një zë që thëriste; ’’Thamos’’. Zëri ishte aqë i fortë, sa që u habitën të gjithë. Ky Thamosi qe një pilot që pakkush në anije ja dinte emrin. Ai nuk ju përgjigj as thirjes së parë dhe as thirjes së dytë, por vetëm të tretës. Atëherë zëri u bë edhe më i fortë e tha;

-Sa të mbërish te liqeni Pelod, lajmëro se Pani i Madh ka vdekur.

Të gjithë ata që dëgjuan atë zë, mbetën të tmeruar dhe pastaj zunë të diskutonin, në se duhej që Thamosi të bënte sa i qe urdhëruar, apo më mirë të mos e përfillte atë porosi. Thamosi vendosi që, po ta kishte erën të mbarë, të mos e përfillte fare.

Mirpo kur arriti barka te liqeni Pelod, pushoi era dhe deti ra në fashë. Atëherë Thamosi, duke u drejtuar nga toka, thirri me zë të lartë se Pani i Madh kishte vdekur. Sakaq u dëgjua jo një, por shumë rënkime të thëlla, sikur shumë qënie vajtonin së bashku.

Meqë shumë njerëz qenë dëshmitarë të kësaj ngjarjeje, lajmi mori dhenë dhe ariti gjer në Romë. Tiberi, perandori i asaj kohe, thirri Thamosin. Aqë përshtypje i bëri tregimi i tij, sa që urdhëroi ta gjenin se kush ishte ai Pani. Letrarët , që nuk ishin të pakët reth tij, thanë se do të ishte ai që kishte lindur nga Penelopa (bija e nimfës Driopë-shën.im T.M.) e Hermesi’’.

Këtë tregim të bukur për Panin e Madh e lexon te Luigji Ugolini, në librin e tij ‘’Butrinti’’ v 1936, ku ai thekson se e ka marrë nga Plutarku. Dhe po nuk e gjetët dot librin e mësipërm të Kont Ugolinit, këtë tregim, pak më të shkurtër do ta gjeni edhe te ‘’Fjalori Mitologjik’’ i vitit 1987 i T.Dhamos ose edhe te libri i I.Gjonit ‘’Mardhënie të miteve dhe kulteve të Bregdetit Jonian’’ fq 73-74 Botim i Milosao Sarandë.

Te Ovidi mund ta gjeni Panin duke ndjekur Siringën, po për këtë do flasim më von.

Të gjithë këta autorë i referohen vetëm Plutarkun, dhe mjafton ky emër për të besuar absolutisht në seriozitetin e burimit të legjendës.

2-Por gjithsesi, disa pyetje na lindin gjatë leximit të kësaj legjende dhe pikërisht;

-Pse u dha lajmi në liqenin Pelod për vdekjen e Panit të Madh? Ç’ishte ky liqen dhe ç’lidhje kishte Pani vetë ose vdekja e tij me këtë vënd?

-Kujt i interesonte dhënia e këtij lajmi këtu dhe kush e priti ?

-Kush vajtoi dhe pse vajtoi për Panin e Madh, i cili as kishte lindur, as kishte banuar dhe as kishte vdekur pranë liqenit Pelod.?

Sipas kësaj legjende, në një vend të panjohur dhe të painteresuar (liqeni Pelod) nga dikush (Thamosi) që, gjithsesi s’do ta kumtojë njoftimin e marë prej disa banorë të një ishulli rastësor (ishulli Paksos), jipet lajmi i një vdekjeje të dikujt, që dhe ai vetë nuk e njeh, dhe kjo vdekje paska ndodhur diku larg, ku as ai vetë nuk e di.

Normalisht ky lajm duhej të pritej me indiferentizëm nga vendasit, por kjo nuk ndodh.

3-Dhënien e lajmit të kobshëm e favorizojnë edhe forcat e natyrës, siç është ndalimi i erës pranë liqenit dhe krijimi i një qetësie të frikëshme, për t’u dëgjuar qartë dhe larg kumti i mortshëm. Ky favorizimi i forcave të natyrës, është ndoshta sinjali i pare, se kemi të bëjmë me një kob dhe jo me një vdekje dosido, të ndonjë plaku të shkuar në moshë.

Në qoftë se gjer tani epitetin ‘’I Madh’’ e kemi interpretuar si moshë e madhe, tani, në këtë qetësi absolute kuptojme se kemi të bëjmë me një ‘’person të Madh’’ të rëndësishëm, me një hyjni. Mosnjohja e tij prej njerëzve, s’ka lidhje me vlerat e tij, por me njohuritë dhe dijet e udhëtarëve, të cilat paskishin qënë me mungesa.

-Hipotezën se, ndoshta jipej njoftimi për t’u pregatitur vendasit për kryerjen e varrimit të Panit pranë këtij liqeni, nuk e mbështet asnjë e dhënë, në daç te kjo legjendë apo dhe te legjenda të tjera. Nuk jipet gjëkundi dhe arsyeja se pse duhej të bëhej këtu, te liqeni Pelod varimi i këtij Pani të Madh, si dhe asgjëkundi nuk thuhet që Pani u varos këtu .

Këtu vetëm u vajtua për Panin e Madh dhe ..asgjë tjetër.

4-Pra, lajmi, jo vetëm që nuk u prit me indiferentizëm, por përkundrazi, provokoi një gjëmë kolektive në brigjet e këtij liqeni, një vajtim kolektiv, një ‘’të qarë me bot’’,

siç ndodh rëndom në vdekje të rënda, nëpër gjëma.

Kjo tregon se ky Pani i Madh që paska vdekur diku larg, qënka tepër i njohur dhe tepër i dashur në brigjet e këtij liqeni. Aqë i dashur, sa që nimfat bukuroshe të liqenit, të mbidhen kokë më kokë e të zënë vajin me ligje e rënkime, me të çjerura të faqeve e të shkulura të flokëve. Tamam siç vajtojnë gratë e fshatit tim nëpër morte.

Pse ka ndodhur kjo? Ç’është ky vënd ku vajtohet kësisoj për një Pan që, nuk e njohin fare as udhëtarët dhe as ai që kumtoi mortin.

Duke qënë se shumë emra perëndish të Olimpit shpjegohen me gjuhën shqipe, le të përpiqemi të shpjegojmë pak emrat e përdorur nga Plutarku, me mendimin se ndoshta gjejmë ndonjë dritare nga ku të shohim misterin e legjendës.

5,1-Ishulli i Paksosit ishte emri i një ishulli të vogël në jug të ishullit të Korfuzit. Po të duam ta shpjegojmë edhe në lidhje me këtë tregim, është tepër i pranueshëm kuptimi ‘’sos, arij, mbrij për pak, për një kohë të shkurtër’’ te objektivi, te liqeni Pelod.

Dhe vërtet, distance nga Liqeni Pelod (Butrinti i sotëm) tek ishulli në fjalë, është e ‘’pakët’’, po të kemi parasysh miljet e shumta detare të lundrimeve të zakonëshme.

5.2-Piloti quhej ‘’Thamos’’ ose po ta ndajmë në rokje na del ‘’Tha-mos’’. Domethënë është ai që tha Mos. Pra mos e thuaj atë fjalë, mos e jep atë kob, mos e thuaj që ai vdiq etj etj.

Le të rikujtojmë hezitimin e tij të parë për tju përgjigjur thirjes që ju bë në emër nga të panjohurit e ishullit Paksos si dhe hezitimin e tij për të kumtuar porosinë e dhënë.

Shpesh herë dhe sot, kur na jipet befas ndonjë lajm i rëndë ose kur shohim ndonjë veprim të papranueshëm,vetvetiu na del thirja ‘’mos’’. Mos e bën atë veprim, atë gjest. Mos e thuaj atë fjalë.

5.3-Liqeni Pelod është pranuar nga të tërë që është Liqeni i Butrintit, në Jug të vendit. Por ama fjala Pelod, e ndarë në rokje na jep Pe-lod. Po të shohim rokjen e parë ‘’Pe’’ është artikulim i ‘’Prej’’, qe përdoret edhe sot në krahinën e Konispolit. Psh , në vend që të thuhet ‘’Poçe prej balte’’, shqiptohet ‘’Poçe pe balte’’ etj etj. Vetkuptohet që bëhet fjalë për banorë pa arsim të mjaftueshëm. Por ama është e folme e përditëshme dhe e përgjithëshme e një komuniteti të madh e trashëguar ndër shekuj.

Rrokja e dytë e emrit Pelod që është “lod” mendoj se ka kuptimin e lotit dhe në këtë mënyrë emri “Pelod” i liqenit të Butrintit do të thotë “Liqeni prej loti”.

Kjo nuk është figurë artistike, sado e bukur që të jetë. Ky është realiteti i këtij liqeni dhe jo më kot këtë legjendë të bukur të vdekjes së Panit të Madh e kanë vendosur këtu.

Liqeni i Butrintit është krijuar kryesisht nga derdhjet e lumit Bistrica.

Por lumi Bistrica, si burim të tijin ka Syrin e Kaltër. Dhe dihet që nga sytë apo nga syri (pavarësisht nga ngjyra e tij apo e tyre) derdhen vetëm lotë. Pra, liqeni Pelod është krijuar nga lotët e derdhur nga Syri i Kaltër.

Këtë ndjesi ta përforcon edhe fakti se uji i Liqenit të Butrintit (Pelod), ka një shije të athët, si e ujit pakëz të kripur.

Kjo shije nuk i vjen, nga që lumi i Bistricës kalon sot dhe kalonte edhe dje nëpër zona kripore, si në afërsi të Dhrovjanit, ku është ndërtuar në vitet ‘70 miniera e kripës së gurit dhe ujëmbajtësi i Hidrocentralit të Bistricës. Miniera është ndërtim i kohëve moderne, por ama kripa ka qënë në tokë dhe në kohën e Plutarkut apo të Panit.

Por shija e athët e kripës, ujit të liqenit i vjen më shumë nga dy faktorë;

a-Nga burimet me ujë të kripur të detit, brenda dhe në periferi të liqenit

b-Liqeni i Butrintit është në një nivel me detin dhe ujët e tij lëviz sipas baticave dhe zbaticave, gjashtë orë nga liqeni në det dhe gjashtë orë nga deti brenda në liqen.

Pra, dhe po të mos jenë burimet me ujë të kripur që ja japin ujit të liqenit shijen e kripës, është vetë uji i detit që futet në liqen në kohën e baticës. Baticat dhe zbaticat në këtë liqen, si pasoje e nivelit të tij të ulët ose të barabartë me detin, kanë qënë edhe shkaku i egzistencës së kënetës së Vurgut, bonifikimi i të cilës u bë në vitet ’60.

Jam dakort që këto shpjegime janë tepër prozaike për një legjendë me përmbajtje poetike si kjo e dhënë nga Plutarku, por ama në asnjë vënd tjetër nuk mund ti gjesh bashkë të gjithë elementët jetësorë të një legjende, si kjo e Panit.

-Kaqë shumë kanë qarë nimfat e Liqenit (ose gratë e Pilurit), për vdekjen e Panit të Madh, sa që uji i Liqenit mori shijen e athët të lotëve. Po nuk më besoni mua, shkoni dhe provojeni vetë në Butrint, ose më mirë në Liqenin Prej Loti.

-Teritori reth Liqenit Prej Loti është i mbushur me kallamishte. Por kallami nuk është gjë tjetër veçse bukuroshja Siringë, pas së cilës qe dashuruar Pani i Madh. Nimfa e bukur, e ndjekur nga Pani i Madh i dashuruar me të, u tmerua nga pamja e tij e përbindëshme..

6-Këmbët si të cjapit, brirët po ashtu, sokëllimat e tij lemeritëse, nuk të afronin as hijen më të vogël të një djaloshi të dashuruar. Ndaj dhe hyjneshat e prekura nga tmeri i vajzës së bukur, për ta shpëtuar atë, e shndruan në një kallam.

Përgjithësisht Pani trajtohet si hyjnia e fundit e Olimpit. Unë mendoj se trajtohet si i tillë, për vetë faktin se vetëm për këtë hyjni kemi një legjendë vdekjeje, ndërsa për hyjnitë e tjera kemi plot legjenda lindjeje, dashurie e dashuriçkash, martesash e tradhëtish bashkëshortore, trimërish e marrëzish. Për vdekje, vetëm Pani paska vdekur. Por po të shohësh portretin e tij gjysëm njeri e gjysëm cjap, me gjenitalet të ngritura, atributin e tij si hyjni i bagëtisë e kullotave dhe i pjellorisë, atëherë atij i bie të jetë ndër hyjnitë më të herëshme të Olimpit. Siç duket e kanë spostuar në radhën e fundit se mos u prish bukurinë e spektaktlit të Mis Olimpit.

Por ne le të vazhdojmë me Panin që ndjekj Siringën e shndruar në kallam. Pani i dashuruar, në dëshpërimin që shkakton humbja e dashurisë, preu kallamat në gjatësi të ndryshme, i bashkoi ato me njeri tjetrin, i pastroi nga brenda, vrimat e shpirtit të tij i rihapi te kallamat duke bërë kështu një fyell. Ca thonë që bashkoi vetëm dy kallama, duke bërë kështu fyellin dyjare. Ca thonë bashkoi katër kallama. Po ç’rëndësi ka kjo. Rëndësi ka fakti që ai i binte fyellit ‘’me të qarë’’ për Siringën e tij të bukur, që aqë shumë e donte. I binte fyellit dhe nuk kishte të pushuar. Dhe do dëshironte t’i binte përjetësisht.

Të mos e hiqte nga buzët fyellin (Siringën) e tij të dashur.

Prandaj dhe skulptorët e kanë përjetësuar Panin këmbëcjap, duke i rënë fyellit.

Dhe me që përmëndëm fjalën ‘’këmbëcjap’’, këtu le të ndalojmë pak.

7-Qysh në fëmini, nga gjyshja ime kam dëgjuar se ne, pilurjotëve, na quajnë ‘’bij të këmbëcjapit’’, domethënë bij të Panit të Madh.

Në fillim, s’di se si më dukej ky epitet, si një tallje për jetën baritore apo për shtegëtimet e shumta, shpesh duke mbartur gjithë familjen me vete. Më dukej si një ofendim për banorët e fshatit tim. Por më von, duhet të pranoj se nisa të mendoj seriozisht për të.

‘’Pilurjotët i dallon gjallëria,shkathtësia dhe shpejtësia e lëvizjeve në ecje. Ata ngjajnë sikur kërcejnë mbi gur, sikur vallëzojnë nën një ritëm vetëtime, sikur nuk duan të rëndojnë mbi dhe ‘’ shkruan historiani Minella Gjoni.

Homeri shkruan për Panin;-Ky hyjni, dashamirës i zhurmës, i pëlqen të vrapojë mbi gurrë…

Edhe pilurjotët s’janë aqë të urtë xhanëm, sa të mos i vëshë re ku janë e ç’farë bëjnë, shto këtu edhe cilësimet e mësipërme të historianit.

Pani është perëndia e bagëtive, kopeve, kullotave, muzikës etj etj.

Pilurjotët janë blegtorë të mirë, barinj të sprovuar, mirëmbajtës të kullotave etj.

Sa për këngë e muzikë, shok kemi vetëm veten.

Ndoshta këtu duhet të shtojmë faktin se, Piluri u bë i njohur brenda një dite falë këngës së bukur ‘’Bejkë e bardhë’’ të kënduar nga grupi i fshatit në një festival folklorik.(Bejkë i thonë qingjit femër që porsa ka kaluar periudhën e ushqimit me qumësht të deles, pra të porsakëputur nga nëna). Dhe që nga ajo ditë, ky grup u bë i pa aritshëm në suksese, dhe emri i fshatit automatikisht u bë i paharueshëm..

Por vazhdojmë më tejë.

Pani i Madh i bie fyellit ‘’me të qarrë’’ për Siringën e tij të bukur.

Fyelli dhe dyjaria janë pjesë e pamunguar e inventarit të shtëpive e familjeve pilurjote.

Pani i Madh, me një të bërtitur, i fut tmerin, panikun, (Pan-ikun) një ushtrie të tërë.

Edhe Pilurjotët, s’kanë mësuar akoma edhe sot të flasin me zë të ulët, mandje as nëpër biseda tavoline e jo më në pazar. Lere kur janë në mal që i sokëllijnë njëri tjetrit sa që dëgjohen gjer në Himarë. Po të mos e dishë, mund të kujtosh se janë bubullima.

Babai i Panit, Hermesi na paskësh qënë edhe perëndia e hajdutëve.

E, po tani sikur e tepëruat. Kur shejtani flë, ti ç’ke që e zgjon.

Se, gjynah mos paça, por edhe ne pilurjotët s’mbetemi mbrapa në zanatin e hajdutit.

Po deshët hollësira, keni plot te sprova ime ‘’Hajdutët e Pilurit’’ botuar te libri‘’Vesa mbi këngë’’ botim i Neraida Tiranë,2009.

Unë mendoj se ka të drejtë dhe I.Gjoni kur shkruan;-Në se do shihnim karakteristikat kryesore të mitit, karakteristikat tipike të Pilurjotëve, duke i shtuar edhe karakteristikat gjeografike të vendit, arijmë në konkluzionin se Piluri është vendi më adapt ku Pani mund të kishte vendkultet e tij. (Shih I.Gjoni,Mardhëniet e miteve… fq 71).

Veçse unë do të ndërhyja e do shtoja;- se Piluri dhe pilurjotëtjanë vendi dhe njerëzitmë adapt ku Pani mund të kishte vendkultet e tij.

Por duhet parë problemi dhe në një këndvështrim tjetër. Dhe pikërisht në atë të lashtësisë së pilurjotëve dhe vendbanimit të tyre.

8-Që t’u ngjitej pilurjotëve epiteti ‘’bij të këmbëcjapit’’ do të thotë që ata janë banorë të hershëm në ato treva. Në mos bashkëkohës të krijimit të legjendës së Panit të Madh, jo dhe shumë të largët nga ajo. Aqë më tepër që kjo legjendë nuk është dhe aqë e vjetër. ‘’Sipas priftërinjve të krishterë,vdekja e Panit ishte fundi i paganizmit që u zvëndësua nga krishtërimi’’ thekson Dr Vaso Tole. Pra nënkuptohet diçka te shekulli i parë i erës sonë. Kjo është koha kur perandor në Romë ka qënë Tiberi, hollësi që e përmënd legjenda.

E po, pretendimet tona, për jetë ne Pilur, shkojnë diçka më thellë.

Homeri te Odisea përmënd Himarën dhe burrat trima të saj. Piluri, ndonëse është fshati më i afërt me Himarën, vërtet nuk përmëndet, por ama, qyngat qeramikë të ujësjellësit romak, tavolina dhe sargofagë mermeri të zbuluara në fushën e Vanovës, varret e jelimëve të vëndi i quajtur Trapi i Jelimëve, dhe antikat e gjetura ne Vumlo, në mos janë pasaporta diplomatike, janë domosdo çertifikata e lashtësisë së etnisë sonë.

Shtojmë këtu faktin se të gjithë historianët pranojnë pa ekuivok, që në Pilur nuk ka të ardhur, veçse ç’janë larguar prej fshatit për arsye të ndryshme, kudo nëpër botë.

-Por le të kthehemi te Pani i Madh dhe vajtimi për të në Liqenin Prej Loti nga grupi i nimfave..

9- Mjafton ky fakt, vajtimi në grup, që nënkupton vajtimin me bot, me ligje e ligjërime, sipas disa regullave e regullsive të vajtimeve me grup. Vetkuptohet nuk pretendohet për ligjërime me nivel të lartë artistik, por ama për vajtime me gjithë shpirt as që diskutohet.

Ku e ka burimin ky vajtim? Pani nuk dallohej për bukuri, mandje ishte i shëmtuar.

Nuk përmëndet gjëkundi ndonjë trimëri e tij, veçse lihet të nënkuptohen ca të ‘’sokëllitura’’ e ca të ’’ulëritura’’ për ti futurë ‘’panikun’’ armikut, diku në betejën e Maratonës.

Ama, Maratona është ku e ku larg nga ishulli Pelod dhe banorët e rethinave të tij.

Shto këtu që nuk harohet të përmëndet fakti se ky, Pani, na qënkish edhe një çikë si sahrosh, sepse kur pinte, shoqëronte nimfat në kortezhin e dehur të Dionisit.

Domosdo edhe duke sokëllitur, për ti dhënë një çikë ‘’shije’’ të pirit.

Jetën, përgjithësisht e kalonte në vetmi në kullota e pyje.

Flitet se ju shtuan atributet si në mjekësi, në pjellori, në gjueti etj etj, por këto duken më shumë si dekorata të dhëna pas vdekjes sesa si atribute të patura për së gjalli.

Po pse duhej të vajtohej në Liqenin prej Loti, xhanëm?

Që të themi se ishte bir i këtyre trevave dhe do vajtohej si për një bir të vendit, asnjë legjendë s’na e vërteton këtë.

10-Por në qoftë se nuk na ndihmon asnjë fakt për arsyen pse duhet të vajtohej në Butrint Pani i lindur s’di se ku dhe i vdekur gjithashtu, s’dimë se ku, duke kujtuar cilësimin e pilurjotëve si ‘’bij të këmbëcjapit’’, befas duket se gjejmë portën e arsyes së vërtetë të gjithë kësaj ndodhie.

Pani vërtet nuk lindi dhe as që vdiq këtu, por ama këtu kishte ‘’bijtë e tij’’, pilurjotët.

Dhe është normale që bijtë, kudo ku banojnë, në vëndlindjen e babait apo të ‘’emigruar’’ diku larg, të hapin mortin në shtëpinë e tyre, kudo e sido që ta kenë atë, të vjetër apo të re, për babain e vdekur (larg apo afër), pavarësisht se ku është varosur. Sa e sa morte janë hapur kështu në gjithë Bregdetin, jo vetëm në Pilur, për djemtë dhe burrat kurbetllinj të vdekur dhe varosur diku larg, në ‘’frëngji’’ apo në ’’të zezën Amerikë’’.

Por ama, morti është bërë në shtëpitë e tyre, dhe është hapur kur ka ardhur lajmi, pavarësisht se kur ka ndodhur gjëma,vdekja.

Dhe morti pilurjot bëhet sipas traditave të lashta edhe sot, në kohët moderne.

S’ka rëndësi kush e sjell lajmin e vdekjes në fshat. Me të mbritur lajmi, shtëpia e mortit hap dyert pas të trokiturit të tretë ose të thirurit të tretë.

Në mos gabohem edhe Thamosi pas thirjes së tretë u përgjigj.

Por le të vazhdojmë në Pilur pas dhënies se lajmit dhe hapjes së mortit.

Të tërë dynden te kjo shtëpi. Burrat në odën e burrave dhe gratë në dhomën e grave.

Ajo që është karakteristike në Pilur, është fakti se të gjithë vijnë te shtëpia e mortit me ‘’vaj në buzë’’, dmth vijnë duke vajtuar. Të gjithë vajtojnë gjatë ardhjes, pavarësisht moshës dhe afërisë me të ndjerin. Vajtojnë burra dhe gra, djem e vajza, pleq e plaka. Morti mer një karakter kolektiv, fshatçe. Kush ka një festë familjare, e ndërpret, kush ka një rrugë për të bërë për një hall a për një dert, detyrimisht e shtyn për më pas. Shtyhen mblesëritë e fejesat, hasmëritë e tregëtitë. Duket sikur jeta ( jo vetëm era) ka ndalur në vend dhe është grumbulluar çdo gjë te shtëpia e mortit.

Aty vajtoret ndihmojnë e ‘’vigjëlojnë’’ mbi ligjërimet e njera tjetrës, mos thotë ndonjëra diçka gabim, të tepërt, që ta korigjojnë edhe me sherr, po të jetë nevoja. Ato shoqërojnë vajtoren e radhës me rënkime, me gjeste çjerafaqe gjer në përgjakje e shkulje flokësh, pavarësisht se jashtë kësaj shtëpie edhe mund të kenë ndonjë qejfmbetje me njera tjetrën ose mund të mos flasin fare. Ama, ligjërimet e tyre, oh, ato ligjërime që të dredhin trupin e ta çojnë gjakun në fund të këmbëve, ato s’ja uroj asnjë lexuesi ti përjetojë.

Dhe në qoftë se ndodheni në një mort të tillë, ose u bie për hise një vajtim i tillë, që do t’ju bjerë të fikët, unë as që e diskutoj, por uroj që t’ju bjerë të fikët sa më shpejt, që të shpëtoni nga trysnia e një vajtimi të tillë. Kur u ka rënë të fikët burrave të Pilurit gjatë vajtimeve të grave pilurjote, atyre burrave të argasur e të sprovuar nëpër morte e nëpër gjëma, për ju s’ngelet gjë për të thënë.

Por ndryshe nga fshatrat e tjera të Bregut, edhe burrat e Pilurit shkojnë nëpër morte me ‘’vaj në buzë’’. Bile bile, në varësi edhe nga mosha e të ndjerit, e zënë vajin 50 apo 100 metra larg shtëpisë së mortit. Dhe për ta bërë këtë distancë, u duhet tre herë më shumë kohë se në ecje të zakonëshme, të ngadaltë. Por jo vetëm kaqë.

Ata nuk e kanë për ‘’turp’’ të vajtojnë me ligje edhe brenda shtëpisë së mortit, të hyjnë me ‘’vaj në buzë’’ në dhomën ku vajtojnë gratë dhe gjithashtu të dalin prej asaj dhome dhe të kthehen në odën e burrave duke vajtuar me ligje. Qoftë në shtëpinë e tyre apo edhe nëpër mortet e miqve.

Por për këtë temë kam shkruar disa herë, por ajo që dua të shtoj sot është fakti se ‘’vajtimi i burrave’’ është një ritual mortor shumë i lashtë. Gjurmën e fundit të tij e kemi te Barleti, kur përshkruan Lekë Dukagjinin duke vajtuar vdekjen e Skënderbeut në Lezhë.

Por kjo dëshmon se rituali i vajtimit të burrave dhe i vajtimit kolektiv ka qënë ritual i zakonshëm mortor, kudo nëpër trevat e banuara nga paraardhësit e shqiptarëve.

Arsyeja se pse egziston vetëm në Pilur të Himarës rituali i vajtimit të burrave, ndërsa ka mbetur gati në gjysmën e Shqipërisë, kryesisht në Shqipërinë Jugore, rituali i vajtimit kolektiv është një temë për studime të tjera dhe nga specialistë të tjerë.

Pra, në gjithë Himarën ishte zakoni të vajtohej në mënyrë kolektive si dhe të vajtonin edhe burrat. Dhe kur them Himara, kam parasysh 52 fshatrat e saj .

11-Legjenda e Panit të Madh nuk na flet për vajtim të burrave në veçanti, por as nuk i përjashton ata. Legjenda thotë;…Menjëherë u përhapën në të gjitha anët rënkime të dhimbëshme, sikur tërë toka të ishte në zi. Kjo në një variant. Ndërsa në variantin tjetër thuhet…Sakaq u dëgjua jo një, po shumë rënkime të thella, sikur shumë qënie të vajtonin së bashku…

Pra nuk përjashtohet fakti që vajtimi kolektiv të jetë i përbashkët, burra e gra.

Por gjithsesi është një vajtim kolektiv. Dhe vajtimi kolektiv është ngritur gjer në nivelin e artit pikërisht në Himarë, në atë trevë me 52 fshatra, në mes të të cilave ndodhen edhe Piluri im, i banuar nga ‘’bijtë e këmbëcjapit’’ por edhe Butrinti, ku u vajtua për vdekjen e ‘’këmbëcjapit’’.

Pra vajtimi i Panit të Madh është bërë në ‘’zonën’’ e Himarës, me zakonet e Himarës dhe normalisht, edhe pilurjotët ‘’bij’’, bashkë me të tjerë kanë vajtuar ‘’babanë’’ e tyre sipas zakonit. Them që ‘’pilurjotët bij vajtuan bashkë me të tjerët’’vdekjen e babait të tyre, Panit të Madh, sepse;

a-Vajtimi është bërë në Butrint, i cili ndodhet në zonën e Himarës, i banuar nga Kaonët, paraardhës të Himarjotëve (dhe të pilurjotëve) sipas zakoneve të Himarës (Kaonëve).

b-Në Himarë, si dhe në Pilur, në shtëpinë e mortit shkojnë për ngushëllim e për vajtim jo vetëm bashkëfshtarët, por edhe banorët e fshatrave të afërta dhe miqtë nga fshatrat e largëta. Kjo nuk është dëshirë, ky është një detyrim zakonor i gjithë trevës. Dhe ata nuk shkojnë për të bërë ‘’sehir’’, por janë pjestarë aktivë të ceremonisë mortore, në ngushëllim, biseda mortore, vajtim e përcjellje të të ndjerit në banesën e fundit.

c-Për rjedhojë llogjike, vajtimin mortor te Liqeni Prej Loti e kanë bërë të gjithë banorët e trevës së Kaonisë, pavarësisht se ai qe ‘’babai vetëm i pilurjotëve’’.

Këtë ndoshta ka dashur të evidentojë edhe legjenda e Plutarkut, qënien e bijve të Panit pranë këtij Liqeni prej Loti dhe ‘’artin’’ e të vajtuarit kolektiv të tyre.

Unë, edhe këtë evidentim e shoh te kjo legjendë, dhe do dëshiroja ta shihnit edhe ju.

‘’Me këto lloj rënkimesh, me këto lloj zërash të përvajshëm, me këto të qara kolektive mijravjeçare, është e lidhur origjina e iso-polifonisë së Pilurit, që konsiderohet si më e lashta në gjithë zhvillimin e polifonisë shqiptare’’ thekson me të drejtë Dr Vaso Tole në parathënien e librit ‘’Madhëria e saj-Kënga iso-polifonike’’.(T.Mërkuri, Sarandë 2005)

Emri i Liqenit prej Loti, kallamishtet si sinonim i Siringës etj, janë elementë ndihmës dhe plotësues për poetizimin e kësaj legjende.

Hipoteza e hedhur nga dikush, se gjoja Plutarku me këtë legjendë jep një dëshmi të këngës iso-polifonike në hershmërinë e saj, mendoj se nuk qëndron për një arsye të thjeshtë;

-Plutarku nuk flet gjëkundi te kjo legjendë për ndonjë lloj kënge apo të kënduari. Ai flet vetëm për vajtim dhe sidomos për vajtim kolektiv.

Është tjetër gjë pse kënga iso-polifonike e ka origjinën nga vaji dhe vajtimi.


26 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page