Piro Ahmetaj: Samiti Europës në 16 Maj, privilegj dhe sfidë serioze
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 hours ago
- 5 min read

Gjeneral ® Piro Ahmetaj: “Samiti Europës në 16 Maj, privilegj dhe sfidë serioze e RSh”
Siç është gjerësisht e mirënjohur, nesër, dt. 16 Maj, Tirana ka nderin të mikëpres takimin e 6 të Komunitetit Politik Europian. Në këtë takim (Samit në vijim) do marrin pjesë krerët më të lartë të 47 vendeve të kontinentit, pavarësisht nëse janë apo jo anëtare të Unionit Europian (BE).
Kujtojme se kjo platformë u krijua me iniciativën e presidentit francez Macron, vetëm 6 muaj mbas agresionit neo-nazist që Rusia-Putiniste ndërmori kundër sovranitetit të Ukrainës si dhe ndaj rendit global, vlerave të demokracisë, interesave gjeopolitikë dhe fuqisë ushtarake të Aleancës Euroatlantike (NATO).
Çështjet kryesore që do të diskutohen nga 47 liderët do të jenë paqja në Ukrainë, ekonomia, migrimi, fuqizimi i rolit të rinisë, me synim për të nxitur dialogun, besimin dhe bashkëpunimin midis të gjithë liderëve të kontinentit tonë, nga Londra në Kiev e nga Oslo në Ankara.
Që në krye të herës, nënvizoj se “organizimin e këtij Samiti në Tiranë” e çmoj si: “si kurajo serioze dhe sfidë që i bën nder Shqipërisë”. Kjo: “jo vetëm për peshën gjeopolitike, por edhe mundësitë që mund të mbajnë shpatullat e një vendi relativisht të vogël, si RSh”.
Ky është Samiti i parë i këtij niveli në vendet e Ballkanit, si dhe në momente historike të integrimit të RSh me BE. Pra, edhe për shkak të këtij Samiti, Tirana zyrtare do të vendoset në “top-news” të medias, kancelarive, ekspertëve/kolegëve në 47 vendet e Komunitetit Europian, përfshi Ballkanin.
Në kapacitetin e “Senior Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe USA/NATO-së”, në vijim po adresoj një përmbledhje rreth peshës gjeopolitike dhe sfidave të këtij takimi:
Së dyti, pa asnjë mēdyshje zhvillimi i këtij Samiti në Tiranë konfirmon edhe përkushtimin e Shqipërisë ndaj axhendës së integrimit në BE, pasi “RSh demonstron mbështetje të pakushtëzuar ndaj të gjitha angazhimeve dhe projekteve të Komunitetit Europian në interes të paqes, sigurisë si dhe në mbështetje pa asnjë kompromis deri në fitoren e Ukrainës, ndaj së keqes së përbashkët, ose Rusisë-Putiniste”.
Organizimi i këtij takimi në Tiranë, po ashtu, konfirmon vëmëndje gjeopolitike të shtuar. Si i tillë, do duhet përshëndetur pasi kjo ngjarje i bën nder flamurit tonë kombëtar, interesave dhe procesit të integrimit në BE.
Uroj të jem gabim, por ndoshta do duhet qartësuar edhe një pikëpyetje “cinike”: a ekspozohet, apo A/sa rrezikon RSh nga organizimi i këtij Takimi në Tiranë? Përtej mendjeve të ndryshkura, 34 vjet mbas rrëzimit të komunizmit, shpresoj të kemi zhvilluar një vetëdije kombëtare se: “ashtu si NATO, edhe BE nuk janë kurrëse një organizatë bamirësie që dhurojnë ndihma falas apo mbështetje politike”.
Ndërsa për sa: “ekspozimin e RSh në mbështetjen pa kompromis të Ukrainës”, theksoj se sigurisht RSh ka interesa gjeopolitike shtesë, përtej vendeve të tjera të NATO/BE. Kjo pasi, një “fitore e Rusisë në Ukrainë”, ndërsa do të ishte fatale për rendin global, Komunitetin Europian, Aleancën Euroatlantike, “do të ishte edhe më tragjike për interesat kombëtare të RSh në Ballkan, Mesdhe dhe në Adriatik”!
Së treti, organizimi i kësaj ngjarjeje madhore në Tiranë e gjej si: “mundësi e shkëlqyer për të promovuar peshën që mban RSh në paqen, stabilitetin demokratik si dhe axhendën e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Nga ana tjetër, kjo ngjarje e kthen Tiranën zyrtare në qendrën e gravitetit për zhvillimin e projekteve ekonomike të përbashkëta si dhe ndaj kërcënimeve konvencionale dhe atyre asimetrike, si dhe “terrorizmit, mbrojtjes kibernetike, emergjencave, ekstremizmit, krimit të organizuar, etj”!
Me këtë rast, sjell në memorjen strategjike rolin aktiv dhe performancën dinjitoze të RSh në Këshillin e Sigurimit të OKB-së; solidaritetin e pakushtëzuar ndaj angazhimeve të USA/NATO; mbështetjen për refugjatët si dhe kontributet më shumë se modeste që vijon t’i japë Ukrainës martire. Ndërkohë kjo ngjarje do të shërbejë edhe si eksperiencë e shkëlqyer për organizimin e Samitit të NATO-s në 2027, bashke me të edhe vizitën e Presidentit Trump në Tiranë.
Thënë sa më sipër, sigurisht për si-këto ngjarje me peshë gjeopolitike, KURRËSESI nuk vlejnë as privatizimi i axhendës së integrimit por as cinizmat bollshevike mbi “gjendjen së opozitës pas humbjes madhështore dhe mëkatare njëherësh të 11 Majit”, si dhe as shpërdorimi i Institucioneve dhe fuqisë së mbipushtetit, POR: “vetëm dashuria, nderimi për vendin, vizioni dhe përgjegjësia e lartë shtetërore ndaj interesave kombëtare, besimi në vlerat demokratike si dhe ‘bekimi ndaj partneritetit strategjik me SHBA, NATO-n dhe BE”.
Duke përshëndetur inisjatorët dhe organizatorët e këtij takimi në Tiranë, do të duhet që në krye të axhendës kombëtare të mbetet: “modernizimi i Sistemit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare, pra i konceptit, strukturave, kapaciteteve, balancat e pushteteve si dhe kulturën euroatlantike të bashkëpunimit”.
Së katërti, gjetjet dhe mesazhet e Samitit do të shërbejnë edhe si mesazhe Euroatlantike ndaj 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor: “për të mos u (sh)përdorur për interesat e Putinizmit; të mos frymëzojnë radikalët e tipit Dodik në Bosnjë; as axhendën e pushtetarëve të korruptuar dhe grupeve kriminale; si dhe të mos kërcënojë ushtarakisht statusque gjeopolitik dhe interesat e USA/NATO për paqen e rajonit”!
Me këtë rast, do të sillja në kujtesë se: “marrëveshjet për paqe të qëndrueshme nuk kanë për të funksionuar, pa shtruar si themele një paketë masash të mirëbesimit reciprok”. Krimea mbetet një mësim i madh, mbasi marrëveshja e Minsk/2015, jo vetëm nuk “prodhoi paqe, por ende po shpaguhet me gjakun e qytetarëve ukrainas dhe rusë”.! Prandaj, për aktorët zyrtarë, faktorët relevante dhe ekpertët/kolegët në 47 vendet do të sugjeroja:“për të forcuar më tej kohezionin midis vlerave; mbështetje pa asnjë kompromis Ukrainën deri në fitoren ndaj Rusisë, por edhe për përmirësimin e fuqisë ushtarake në mbrojtje të paqes, vlerave demokratike dhe interesave gjeopolitikë të BE/NATO në Europe”!
Së fundmi, duke u uruar mirëseardhjen kryetarëve të 47 Shteteve si dhe suksese stafeve organizatore, besoj se gjetjet e këtij Samiti do të shërbejnë për të zgjuar dhe zhvilluar një Leadership të Ri, me vision dhe përgjegjshmëri të lartë, vullnet, solidaritet si dhe projekte për modernizimin e aftësive ushtarake për t’u përballur me rreziqet konvencionale si dhe kërcënimet ndaj sigurisë, paqes, prosperitetit dhe stabilitetin demokratik në Komunitetin Europian, përfshi vendet e Ballkanit Perëndimor.
Po ashtu, nga Tirana, në 16 Maj, do të ndahen mesazhe të forta për 47 vendet e Komunitetit Europian (përfshi RSh), që ndërsa “Neo-Stalinistët e Kremlinit, Kim-Jong, Shtetet apo Organizatat Terroriste; Dodikët e droguar nga interesat e Kremlinit, jo vetëm vijojne të kërcënojnë sovranitetin e Ukrainës, paqen në Lindjen e Mesme, sigurinë në Europe si dhe axhendën e integrimit të Ballkanit Perëndimor, por sfidojnë seriozisht vlerat demokratike, interesat dhe fuqinë e Aleancës Euroatlantike (SHBA/NATO/BE)”. Prandaj do të duhet që bashkërisht: “jo vetëm të mbështesin me deklarata diplomatike Ukrainën, në këtë betejë për jetë a vdekje me të keqen e përbashkët, por të marrin barrën për të përmirësuar kohezionin, si dhe për të modernizuar sistemin e sigurisë në përballjen me neo-nazistët e rinj që po kërcënojnë më shumë se kurrë që nga Lufta e Dytë Botërore, interesat euroatlantike, vlerat demokratike dhe interesat jetike të qytetarëve”.
Po ashtu, shpresoj që mesazhet e këtij Samiti t’ju shërbejnë të rinjve dhe elitave mëndjehapura të 47 vendeve të Europës se: “paqja mbetet misioni i vetëm në mënyrë që siguria të konsumohet përtej historisë së përgjakshme, në interes të sigurisë së jetës, prosperitetit të qytetarëve si dhe perspektivës Euroatlantike edhe për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor”.
* Autori është Gjeneral ® Piro Ahmetaj:
Senior Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n, Zv/President i Këshillit të Atlantikut; dhe ish: Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD, Këshilltar i Presidentit, Zv/ShShPFA, Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.
Comments