SHPENDI TOPOLLAJ
ARBEN KRISTANI - PIKTORI DHE NJERIU I RESPEKTUAR
Nuk ka kaluar shumë kohë nga ekspozita e tij e fundit dhe ja ku vjen përsëri me këto punime të reja në vaj, akuarel dhe skulptura, miku ynë Arben Kristani. Çelet ekspozita e tij në një kohë gri, mbushur me mërzi e pesimizëm, dhe për të cilën ai vetë ka zgjedhur si laitmotiv, poezinë e parolierit të mirënjohur Jorgo Papingji, i cili shprehet se “Bota i vërsulet vetes dhe e vret”. Por artisti gjithmonë sheh përtej kohës që jeton. Madje ai sheh dritë, ngjyra, optimizëm dhe jetë edhe atëherë kur për të tjerët, është errësirë apo edhe shpresat janë fashitur. Dhe ndofta askund më mirë se te natyra, pra te peizazhi, nuk dallohet kjo dritë, këto ngjyra, ky optimizëm dhe kjo jetë. Ndaj dhe shumica e këtyre pikturave që po të shihni, janë peizazhe ose më drejtë vazhdim i asaj rryme që ndofta i pari e çeli francezi i italianizuar Claude Lorrain i cili përjetësoi mrekullinë e Kampanjës Romane, duke mbetur një nga penelët më të mëdhenj të paraqitjes realiste të natyrës. Piktori i shquar Eugene Delacroix, i cili pas fare pak ditësh ka 223 vjetorin e lindjes, një herë pati thënë se “Artistët që kërkojnë përsosjen në çdo gjë, janë ata që nuk mund ta arrijnë atë në asgjë”. Ndaj edhe Arbeni, teksa i ka rënë kryq e tërthor natyrës shqiptare, nuk ka synuar përsosmërinë, por atë që vetë krijuesi i kësaj rryme kërkonte, pra “Kushti i parë i një pikture është të jetë e pëlqyeshme për sytë”. Para nesh ai ka zgjedhur të na shfaqë të gjithë atdheun. Duke i parë tablotë e tij, sikur çmallemi me Tiranën, Shkodrën, Vlorën, Përmetin, Ersekën, Korçën, Gjirokastrën, Thethin, Bregun, Ardenicën, Bogën, Bënjën, Luginën e Vjosës, Poliçanin etj. etj. Madje, ai edhe kur del jashtë kufijve tanë shtetëror, si në Mal të Zi a Slloveni, kërkon, gjen dhe pikturon mjedise që kanë lidhje me historinë tonë, si kalaja e Teutës në Rizoni apo shtëpia prej nga doli Vitorio Karpaçi (Vittore Carpaccio), nxënësi i venecianit Xhentile Belini, që e njohim nga ai portreti i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti. Do gjeni këtu ndonjë natyrë të qetë, portrete si ai i Majlindës apo koka të gdhendura me dashuri në skulpturë për njerëzit e tij të afërt dhe do vini re se Arbeni hë për hë punon sipas këshillës së Dalisë: “Filloni të pikturoni si mjeshtrat e vjetër, pastaj bëni ç`të doni: do të jeni gjithmonë të respektuar”. Arben Kristani e ka kaluar me sukses këtë fazë me ekspozitat e tij, por edhe sikur të mos eksperimentojë rryma të tjera, do të mbetet për artdashësit, po aq i nderuar, i vlerësuar dhe i respektuar për këdo, pa harruar edhe vlerat e larta njerëzore të tij.
Comentarios