top of page

Petrit  Malushi: Udhëtimi



 

 

         

Taksisti grek ishte burrë i moshës së mesme, ndoshta afër te gjashtëdhjetë vjeç. I saktë dhe i shkathët në timon. I qetë në lëvizje. Këmbente ndonjë fjalë me Lentin, se ne të tjerët nuk kuptonim asnjë fjalë greqisht. Drita e agimit të ditës së re po forcohej deri në shkëlqimin e plotë. Para filluam të shquanim rrugën me një asfalt të lëmuar e të pastër, pa gropa e gunga, me korsi të drejta, vijëzime e bordura anësore. Sytë na rroknin pyje të dendur me drurë gjethegjelbër e degë të ulura deri buzë xhades, lëndina e lugina plot bar, ara e fusha të sistemuara e të mbjella, faqe kodrash me pemë të ngarkuara nga frutat që jepnin shenjat e para të pjekjes, ndërtesa të bukura të veçuara e të grupuara. Shikonim si të shushatur. Me përjashtim të Lenit, për ne tre të tjerët, ky ishte kalimi i parë i kufirit dhe dalja e parë jashtë vendit. Zmadhonim sytë në maksimum për të kapur sa më shumë pamje. Nuk na besohej. Kishim dëgjuar nga të tjerë që këtej jetohej më mirë se nga vinim ne. Por përfytyrimi ynë ishte i kufizuar. Mendonim për disa njerëz të veshur mirë, për pallate e ndërtesa të bukura, makina luksoze, dyqane të mbushur me lloj-lloj gjërash … Por që edhe natyra të ishte ndryshe, këtë e kishim të vështirë ta besonim, edhe pse gjithçka po e shikonim drejtpërdrejt. Nuk mund ta mendonim se kishte rrugë pa gropa, pa asfalt të çarë e të shtrembër, pyje të paprerë, dru të padjegura e gardhe të parrafshuar, bar të rritur e të padjegur, faqe kodrash të pazhveshura nga drutë frutorë, pemë të ngarkuara e pa asnjë kokërr të këputur e degë të pathyera. Realiteti që po shikonim godiste furrishëm dhe pa ndërprerë mentalitetin që na kishin ngulitur për vite e vite se vendi ynë ishte i vetmi në kontinent ku jetohej mes të mirash e pa asnjë mangësi. Habitshëm, për një realitet shumë e shumë më ndryshe nga i yni, të cilin po e preknim për herë të parë në jetë, i hidhnim vështrime njëri-tjetrit dhe flisnim e komentonim për çdo pamje të re që na shfaqej përpara. Taksiti ishte krejt indiferent, mesa duket kishte transportuar shumë refugjatë, të cilët duhet të kishin shprehur habi, ashtu si edhe ne. Lenti na tha se keni për t’u habitur akoma më shumë kur të shikoni qytetet si Janinën, Artën, Patrën e Athinën. Janinën e kaluam ende pa i dalë gjumi mirë qytetit, kishte pak lëvizje, por na bëri përshtypje rregullsia dhe pastërtia e ndërtesave dhe rrugëve. Kujtuam Ali Pashë Tepelenën dhe na u duk vetja si pjesë e këtij qyteti dikur shqiptar. Vazhdonim ecjen. Përpara na u shfaq qyteti i Artës. I bardhë, i rregullt, sikur gjithçka e kishte ndërtuar një dorë e vetme. „Shiko,- i thoshim njëri-tjetrit,- sa e bukur ajo ndërtesa atje, sa i lartë ai pallati, sa e pastër kjo rruga, sa madhështore ajo kisha!“ Natyra këtej dukej sikur na falte më shumë gëzim. Taksisti ndaloi te stacioni i autobuzëve.

„Unë këtu kthehem”,- tha fare qetë dhe bëri shenjë me dorë nga autobuzët, për të treguar se më tej duhej të udhëtonim me linjën e tyre. U befasuam.  Lenti tentoi të komunikonte me të, duke këmbëngulur se e kishim paguar për deri në Athinë, por ishte e kotë. Prej mashtrimit të tij u gjendëm të katër në këmbë mes sheshit. Të ngarkuar me mllef, iu drejtuam sportelit për të prerë bileta deri në Athinë. Kruajtëm xhepat dhe mblodhëm dhrahmi sa për tre bileta. Si t’ja bënim? I rrahëm, e i rrahëm mendimet. Më në fund fitoi varianti i propozuar nga Berti. “Ikni ju të tre se unë do vij më pas. Ndoshta gjej ndonjë të njohur”. Ashtu bëmë. U sistemuam të tre në sediljet nga mesi autobuzit, por mendjen e kishim te Berti që mbeti aty. Dhe në të vërtetë, jo vetëm gjithë atë ditë, por edhe gjithë natën Berti e kishte kaluar në stolat e lulishtes, ku kishte fjetur gjumë i mbuluar me një fije plastmasi. Të nesërmen kishte guxuar e kishte hipur në një prej autobuzëve të linjës për në kryeqytetin grek. Fati e kishte ndihmuar, sepse nuk ishin bërë kontrolle. Po ashtu kishte rastisur edhe një bashkëqytetarin e tij, Vironin, i cili e kishte ndihmuar duke e mbajtur në dhomën e vet, deri sa arriti të vendoste kontaktonte me ne. Të gjitha këto i mësuam prej tij në ditët e mëvonshme. Ne të tre me autobuzin që hipëm në Arta, kaluam edhe pjesën e udhëtimit me traget në Patra, e pastaj vazhduam deri në Athinë. Kalimi me traget qe një tjetër befasi. Lenti na porositëte që të mos e shprehnim habinë në mënyrë aq të dukshme, sa të tërhiqnim vëmendjen e pasagjerëve të tjerë. Befasive tokësore iu shtuan edhe ato ujore, detet, gjiret, limanet, anijet, tragetet, motoskafet, varkat… Sa shumë! Të pambarimta! Segmente të gjerë, dendesi e madhe mjetesh, lëvizje dhe gjallëri. Athina! Para na u shfaqën një mori ndërtesash, çatish, objektesh, rrugësh, urash, mbikalimesh, nënkalimesh, stadiume, fusha aviacioni me forma e ngjyra të lloj-llojshme, konturet e një qyteti të stërmadh që vështrimi sado tejpamës të ishte, nuk mund ta kapte të plotë në çfarëdo pikë që të ndodheshe. Dallohej vetëm fillimi por kurrësesi fundi apo shtrirja gjerësore e plotë. Terminali i autobuzave ishte pika fundore. Zbritëm. Këmbët i kishim të mpira. Fqinji i Bertit mori drejtimin për nga adresa ku e prisnin duke u ndarë prej nesh. Unë dhe Lenti, me linjat e autobuzave urbanë, përshkuam pjesën fundore të udhëtimit, deri në lagjen “Glyfada”. Tek pallati, ku ndodheshin shokët, arritëm në orët e pragmbrëmjes.    

(Shkëputur nga novela „Djersë e derdhur në tokë të huaj“)

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page