top of page

Petrit  Malushi: Simitet bajate  


Nga  Petrit  Malushi

 

Simitet bajate       

 

Brumë gatuajnë në furra, furrtarët

Shije i japin me ujë e kripë.

Të pjekura, të ngrohta qytetarët,

Të butat simite i blejnë përditë.

 

Ndodh, gatuhet dhe brumë i thartuar

Prej „mjeshtrash“, në furra politike.

Hyjnë në to e dalin të ngarkuar

Politikanë me bajate simite.

 

 

Bankomati  rënkon...

 

Përplotej dikur, në kohë të shkuara

Pas korrje-shirjeve në fund qershori,

Hambari me dhoga faqezdruguara,

Me të riun grurë që nga fusha korri.

 

Përplotet tani përditë bankomati,

Me kartëmonedha ngjeshur, stivuar.

Dhe firet e shteret si nga lugati,

Lëshohen mbi të gishta e duar.

 

Shtypen butona tak-tuk, tak-tuk,

Ndizen e fiken llamba sinjali,

Hyn një komandë, një tjetër u zhduk...

Tufa me lekë s´vonon të dali.

 

Aty nga mesnata  duke dremitur,  

Thellë bankomati rënkime lëshon:

„Me punë të ndershme“, ca të uritur

Thithin pangopshëm, qindra milion !“ 

 

“Bukurim !”

 

Porosit më të shtrenjtin kostum,

Te më i miri rrobaqepës i qytetit.

Blen krem, llak, shishe me parfum…

Dhe bojë e furçë tek ustai i parketit.    

 

Ngjyrën e flokëve, te parukieri 

E kërkon të ndezur, bishtketër.

Këpucët, lidhur në formë freri…

Të bukurojë “bashkëjetuesen gënjeshtër“

 

Fundi, në krye

 

Gjashtë vija poshtë dhjetës 

Qëndronte katra në shkollë.  

Ia shëmtonte faqen fletës,  

Vulën ngelëse kishte „njollë“ !

 

Mbaroi shkolla, “të dy notat”     

Në jetë ecën dhe vrapuan.

Katrën lart e ngritën “rrotat”,

Dhjetën në fund “e harruan”

 

“Padashur”

   

Në llogari-fitim për vete

“Padashur” dora i rrëshket,

Gjashtën kthen si nëntë, pa mbetje

Treshin e mbyll, e bën tetë.


Për borxhet që diku ka marrë

Jo një e dy por disa herë,

“Padashur” i vjen më për mbarë 

Të thotë „Borxh më kanë të tjerë !“

 

Për emrat që nder i kan bërë

E tradhëton shpesh kujtesa.

I fshihen si vijat në rërë,

„Padashur„ kjo ndodh nga ngarkesa!


“Jetëshkrim“

 

Të tijin jetëshkrim piramidë e ngriti,

U dergj me ditë përmbys mbi fjalorë.

Fjalë gjurmoi, qëmtoi, i siti,

“Të artë” e bëri, e gdhendi me dorë.

 

“Brezat ardhës për mua ta dinë!

Maja arrita, s’u ndala në jetë…

I lidhur veç me ndershmërinë,

I papërlyer, i thjeshtë, i drejtë…”

 

Qeshi redaktori për të zgjedhurat fjalë.  

Një mbrëmje i tha “O mendje dhelpër!

Ti, gozhdë do mbetesh ndër të gjallë,

Veç për mashtrime, jo për gjë tjetër!”

 

 

“Gozhdimi i kohës”

 

Butë, ngrohtë, ditë e natë

Mbi të sfungjertin divan

Shtrirë rrinte gjerë e gjatë,

“I palodhuri” punëharram.

 

Një mëngjes gjithë lagjen tundi

Lëshoi zë, brofi në këmbë,

Dembelisë i erdhi fundi…

“Sillni gozhdë, çekiç të rëndë !”

Rendën drejt tij tetë a nëntë,

Me çekiç e gozhdë ngarkuar.

“More i kanë ardhur mendtë !”

Dhe ia lanë veglat në duar.

 

Oh, ç´gëzim që ndjeu i marri !

“Kohën, tha, do ta gozhdoj !”

Hapi krahët si druvari,

Thellë në mur gozhdët nguloj.

12 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page