PETRAQ KARAJA DHE FUNDI I PRONËS “SË PËRBASHKËT SOCIALISTE” (MEDITIME)
Nga Luan Çipi
Petraq Karajan e njoha qysh të vogël, kur nga ballkoni i shtëpisë sime, në lagjen Muradie Vlorë, e soditja gjatë kur stërviteshin në oborrin e shtëpisë fqinje të Suliotëve, së bashku me Vaso Sulin, shokun e tij të fëmijërisë, që tani nuk rron më. Ata, në murin e shtëpisë së Vasos, kishin sajuar një rreth hekuri me rrjet dhe nuk lodheshin duke gjuajtur e bërë kosha me një top basketbolli. Hera herës bëheshin deri dhjetë veta, duke përfshirë Petraq Trujën, Kristaq Lolin, Kristaq Pavlin, Lame Fandin, Qerim Vrionin, Bajram Balën, Nardi Gjylin, Hito Jazaj etj., nxënës gjimnazi dhe luanin basket boll me një kosh. Hera herës uleshin e bisedonin kokë më kokë. Mësonin e konsultoheshin, dëgjonin muzikë kryesisht italiane, bisedonin, këndonin dhe prapë loznin. Ishin një grup djemsh të zgjedhur deri në bukuri, shumë të këndshëm e të edukuar, me interesa të dukshme për librat, sportin dhe muzikën. Kishe qejf t’i shikoje, t’i dëgjoje e të shoqëroheshe me ta. Hidhesha nga muri në oborr dhe ndjeja kënaqësi të bëhesha si ata, 7-8 vjeç më i ri dhe të futesha në botën e tyre të dijeve, mjaftë të përparuar për kohën. Këta djelmosha edhe më pas, në rrjedhën e viteve, dominonin veprimtaritë sportive e kulturore të qytetit të Vlorës dhe të gjithë vazhduan suksesshëm universitetet dhe dolën mjek, inxhinierë e mësues të spikatur. U njoha më mirë e në vazhdimësi, me secilin prej tyre, duke ruajtur për ta, deri në ditët e sotme, nderim e respekt të konsiderueshëm. Petraq Karajan, inxhinier e administrator, pata fatin ta njoh edhe në punë të përbashkët, kur ai ishte teknolog në Fabrikën e Konservimit të Fruta Perimeve të Kombinatit të Konservave në qytetin e Vlorës, Drejtor në Fabrikën e Përpunimit të Qumështit të Rrethit të Vlorës, si dhe më pas tani vonë, si punonjës e pensionist në Tiranë. Nuk është fjala për t’i përshkruar e formuluar biografinë Petraq Karajas. Jam i bindur se ketë ai do ta bëjë vet, më mirë se çdokush, siç është tani modë nga shumë intelektual pensionist, po thjesht dua të paraqes sa dhe si mundem, tiparet karakteristike të tij, ato që mua më kanë lënë mbresa të posaçme, në dallim nga të tjerë bashkudhëtarë të jetës time, relativisht të gjatë.
Duke u thelluar në kohë për të kujtuar, hulumtuar e karakterizuar vlerat dhe cilësitë e rralla drejtuese dhe aftësitë e njohjen profesionale të teknologut ushqimor Petraq Karaja, nuk mund të mënjanoj punën e madhe të bërë nga brezi ynë fatkeq e shumë i vuajtur, me përpjekje madhore për mbijetesë në tërësi.
Më konkretisht e posaçërisht, dua të shpjegoj se bashkë me të, pata fatin të jem disa vjet në një qendër të madhe prodhuese e përpunuese, që u quajt Kombinati i Konservimit të Fruta Perimeve në Vlorë, ku përgatiteshin, konserva fruta perimesh, konserva peshku dhe mishi, nxirrej verë dhe raki rrushi, përpunohej qumështi i grumbulluar nga rrethi i Vlorës për prodhim disa lloj djathërash të fortë dhe te butë, gjalpë dhe gjizë, prodhohej gjithashtu marmelatë, salcë domateje, spec, qepë dhe presh i thatë, rrush i thatë, etj.
Në atë “Kombinat”, fabrika kryesore dhe më e madhe ishte ajo e Konservimit të Peshkut, importuar dhe ndërtuar me ndihmën e “Gjermanisë Lindore”. Prodhoheshin në masë konserva sardelesh me vaj ulliri të rafinuar, po edhe konserva me ngjalë të tymosur, me peshk ton dhe më pas me peshk nga liqeni i Shkodrës dhe i Pogradecit, si dhe me “Ballëgjerë” (me rasate, fillimisht ardhur nga Kina) të rritur artificialisht në rezervatet nga i gjithë vendi. Prodhimet ishin cilësore dhe kryesisht sardelet, ngjalat dhe toni eksportoheshin. Këtu u prodhuan dhe konservat e mishit të viçit, që destinoheshin kryesisht për repartet ushtarake dhe për Rezervën e Shtetit.
Fabrika të tjera ishin ato për Konservimin e Fruta Perimeve, Linja për prerjen dhe tharjen e qepës, specit kapi dhe preshit, si dhe Punishtja për Përgatitjen, Konservimin dhe Ambalazhimin e Ullinjve të kripur. Frutat, kryesisht mollët, vinin nga Korça dhe Kolonja dhe pjeshkat edhe nga Lushnja, Berati dhe Fieri. Po aty ishte dhe Fabrika e Konservimit të Mishit dhe Linja e Konservimit të Ngjalave të Tymosura. Një tjetër qendër e madhe dhe e rëndësishme, në të njëjtin territor ishte Fabrika e Prodhimit të Salcës së Domateve, e importuar dhe e blerë nga Kompania Italiane “Monte Katini”, ku, me domate të prodhuara në parcela të gjera në rrethet Lushnje, Fier e Vlorë, prodhohej salcë domatesh tepër cilësore. Ajo ambalazhohej në vazo e shishe qelqi, në kuti llamarine pesë kilogram, në fuçi druri pesëdhjetë kilogram dhe deri ne tubete alumini. Salca e domateve destinohej kryesisht për eksport në Gjermani etj., po dhe mbulohej nevoja për salcë në familjet dhe restorantet e gjithë vendit. Në sezonin veror ndihej piku i prodhimit dhe radha e makinave të ngarkuara me domate ishte hera herës në pritje për disa kilometra. Për të ngushtuar “kohën e pikut”, në Novosele, afër parcelave me domate, ishte ngritur një impiant, ku domatet shtrydheshin paraprakisht dhe lëngu i freskët, vinte në Kombinatin e Vlorës me autobot.
Në ndihmë të fabrikave të mësipërme, po aty ishin ndërtuar frigoriferë të mëdhenj me ngrirje të thellë, një termocentral, kaldaja të fuqishme për prodhim avulli, autoklava për zierje e sterilizim, si dhe laboratorë analizash të kompletuar me aparatura e reagjentë.
Për prodhimin e kutive gjithfarë llojesh, ishte një repart i posaçëm me tranxha e stampa dhe për mirëmbajtjen e makinerive dhe riparimin e përmirësimin e tyre ishte ngritur një Ofiçinë Mekanike e kompletuar me të gjitha makineritë e nevojshme, një Zdruktari për prodhimin e ambalazheve prej druri, Depo të shumta e të bollshme për lëndët e para, ambalazhet dhe produktet e gatshme si dhe Parku i Autotransportit. Jashtë territorit të Kombinatit, po në të njëjtin drejtim administrativ, ekonomik e financiar, ishin: Fabrika e Miellzimit të Peshkut në Zvërnec, Kantina e Verë Rakisë në Pusin e Mezinit, Kantina e Himarës, Fabrika e Marmelatës dhe reçelrave të Fikut në Spile, Fabrika e Përpunimit të Qumështit për prodhim djathërash dhe nënprodukte në lagjen Karabash dhe dhjetëra Baxho grumbullimi në të gjitha fshatrat e rrethit të Vlorës, si dhe Qendra e Prodhimit të Stafidheve të rrushit në Panaja. Në kohë sezoni, kur ngarkesa ishte maksimale, në Kombinat punonin mbi 1500 punëtorë. Prodhimet e Kombinatit të Konservave në Vlorë ishin cilësore dhe në masën 80% të tyre destinoheshin për eksport. Ishin delikatesa të preferuara deri në Evropën Perëndimore, sidomos konservat e sardeles dhe të ngjalës, salca e domateve me tubete dhe konservat e pjeshkës. Ato, jo vetëm kishin si lëndë të parë prodhime bujqësore e blegtorale bio, por i nënshtroheshin kontrollit të rreptë cilësor dhe analizave rigoroze laboratorike, në të gjitha fazat kyçe të procesit teknologjik. Kjo drejtohej nga kimisti Petro Koçi, ish pedagog i U. Sh. Tiranë, laureuar në Hungari dhe specializuar në Rusi, me gradat dhe titujt superior shkencor. Në këtë Kombinat Ushqimor punuan teknologë, inxhinierë dhe ekonomistë me përvojë dhe aftësi si: Yzeir Malilja, Dashamir Hadëri, Aristidh Frashëri, Agathokli e Natasha Loli, Perlat Rama, Bashkim Bregu, Rahime Nebiu, Viron Mitro, Liri Gjata, Nexhat Mersini, Zeqir Xhelo, Bashkim Curri, Klearko Gjidede, Nuri Hoxha, Pranvera Beqiri, Arjana Meksi, Roland Tafili, Shkëlqim Alimerko, etj.
I përmenda këta njerëz të nderuar me emër, sepse i kujtoj me nostalgji e dashuri, si pjesëmarrës direkt në këtë punë të mundimshme dhe si dëshmitar okular, për të vlerësuar përpjekjet dhe arritjet e specialistëve vlonjatë të kësaj qendre prodhimi, që duke përballuar pengesa, kufizime e vështirësi të shumta, u vunë në krye të ndërmarrjeve ushqimore të vendit, duke merituar disa herë nderimin në klasifikimet parësore të kohës.
Për të shpjeguar një nga vështirësitë e kapërcyera, si rezultat i kufizimeve, dhe detyrimeve ekonomike të asaj periudhe të çuditshme, dua të shpjegoj se: Për ngarkimin e anijeve të huaja, që ankoroheshin në Portin e Vlorës në pritje për ngarkesën e radhës me mallra eksporti të Kombinatit Ushqimor të Vlorës, sipas kontratës duhej respektuar një normë kohore në orë, që po të tejkalohej, ndërmarrja ngarkohej me gjoba të rënda portuale, aqsa i shkaktonin humbje të konsiderueshme, deri me ndikim në bilancin përfundimtar financiar. Për të mënjanuar këtë, në kushtet që numri i punëtorëve të përhershëm ngarkues (hamejve) që dispononte Kombinati ishin të limituar dhe të tjerë nga jashtë nuk lejohej të merreshin, ramë dakord me personelin inxhinero teknik e administrativ dhe punuam, në dhjetëra raste edhe ne, në pozicionin e hamallit, disa herë edhe në turnin e tretë pa ndërprerje.
Pas gati 30 viteve e kujtoj tani periudhën e ndryshimeve sociale dhe aludoj me dëshirën ëndërr, të isha në moshë pune, ta kishim sot atë ndërmarrje për ta drejtuar privatisht me të gjithë kolegët e mi të mrekullueshëm, pse jo edhe me të gjithë specialistët dhe punëtorët, (të papaguar e të pashpërblyer ndër vite, si e meritonin) duke qenë aksionarë në kapitalin e saj. Ndofta kështu duhet të kishin vepruar demokratët dhe pushtetarët e parë post komunist, por jo...
E shoh tani ish Kombinatin e Konservave Vlorë, të shtrirë në një sipërfaqe prej 20 hektarë, që për “Çudi të Zotit” ishte ndërtuar, (në pjesën më të madhe) në truallin pronë e ish tregtarit gjirokastrit-vlonjat, Kaman Çipi (babait tonë), krejtësisht të shkatërruar dhe vërtetë më mbushen sytë me lot nga dëshpërimi. Jo vetëm ajo ndërmarrje model, po me qindra të tjera njësi shtetërore rentabile, disa edhe me teknologji bashkëkohore, ferma bujqësore, parcela me agrume, ullinj e vreshta, u asgjësuan komplet dhe u shitën deri privatisht për skrap, me synimin “të shkatërrojmë çdo gjë komuniste dhe ta nisim nga kuota zero”. Mendoj se ky është një nga krimet e ideologëve nismëtarë, që po të gjykosh se një pjesë e mirë e tyre ishin komunistë dhe bijë të nomenklaturës drejtuese komuniste, të bën të mendosh se mund të jetë kryer, jo vetëm nga injoranca totale dhe padituria për perspektivën, por edhe qëllimisht, madje, ndofta paguar dhe nxitur nga dashakeqët shekullor, apo për interesat personale të tyre.
Për këtë meditim dhe shkëputje të gjatë të dhimbshme e nostalgjike, që lidhet me shkatërrimin e bazës ekonomike socialiste, më shtyu shoku dhe miku im Petraq Karaja, të cilit i kërkoj falje këtu, për kapërcimin në radhë dhe për kufizimin në vëmendje. Po, duke përfunduar, nuk mund të ri pa e falënderuar për bashkëpunimin e hershëm, Petraq Karajan.
Me këtë rast dua të shtoj se, Petraqi, ngeli jetim, se i vdiq babai në moshë të re dhe ishte merita e mësueses së mirë veteranes Marianthi Karaja, që, të dy djemtë e saj, Petraqin dhe Virgjilin, i rriti dhe i shkolloi me sakrifica e vështirësi, deri në diplomimin universitar: Petraqin për “kimi teknologji” dhe Virgjil Karajan, për “jurisprudencë”. Petraq Karaja u bë kështu, jo thjeshtë specialist e drejtues novator, por mbi të gjitha, ngeli deri në fund, një shok i rrallë e mik i mirë. Ai, në punë ishte një teknolog drejtues me fantazi dhe stil të veçantë, sepse dallohej për vendosmëri dhe optimizëm, që asnjëherë nuk thoshte “jo, nuk bëhet”, po kapërcente çdo lloj pengese e vështirësie dhe gjente rrugë e shtigje ligjore për të realizuar detyrat, duke sakrifikuar nga jeta personale e deri duke lënë mënjanë detyrat dytësore jetësore e familjare. Petraq Karaja edhe në jetë dhe në marrëdhëniet shoqërore e miqësore, ngeli gjithashtu një njeri i çiltër, korrekt dhe dashamirës, duke qëndruar për herë siç ishte i ri, në qendër të asaj shoqërie djelmoshash të mrekullueshëm vlonjatë, që tani janë pensionistë dhe që vazhdojnë ende të përhapin mirësi, kudo ku janë me banim në Vlorë, Tiranë, apo në disa shtete të botës.
Comentarios