top of page

Perkujtohet ...


Perkujtohet 100 vjetori i lindjes se perkthyesit me te njohur shqiptar, themeluesit te tradites se perkthimit te letersise filizofike ne Shqiperi


Dy dite me pare ,teksa me erdhi nje ftese nga Kryetari i Bashkise Librazhd,z. Kastriot Gurra ne perkujtim te 100 vjetorit te lindjes se ketij njeriu te lene ne harrese ,dicka me ngacmoi per te sjelle ne kujtese vepren e ketij burri te mencur te Berzeshtes,emrin e te cilit mund ta mbante nje shkolle,apo biblioteka e qytetit te Librazhdit. Gjithesesi,me mire vone se kurre ! Nje nisme e tille duhet pergezuar ,sepse nuk eshte perkujtuar asnjehere ne keto vite dhe natyrisht qe figura te tilla do te gjejne vendin qe iu takon piedestalin e historise .

Sami Leka (Bërzeshtë, 12 prill 1922 - 13 maj 1979) është një nga përkthyesit më të njohur shqiptarë dhe themeluesi i traditës së përkthimit të letërsisë filozofike në Shqipëri. Ai lindi më 12 prill 1922 në fshatin Bërzeshtë të rrethit të Librazhdit. Sami Leka numëron mbi 100 vepra të përkthyera në gjuhën shqipe, por ato më të rëndësishmet të përkthyer prej tij janë: “Kapitali”, “Ideologjia gjermane”, “Lufta civile në Francë”, “Lufta e klasave në Francë”, “Mari dhe Pier Kyri” etj. Vdiq pas një sëmundje të rëndë më 13 maj 1979, në moshën 57 vjeçare. Vepra më e rëndësishme e përkthyer prej tij, e cila është arritja më e madhe dhe kulmi i tij si përkthyes i letërsisë filozofike, është "Kapitali" të Karl Marksit. Kjo vepër e madhe filozofike dhe e ekonomisë politike është cilësuar si një nga veprat më të shquara të filozofisë botërore, e cila edhe sot, pas më shumë se 150 vjetësh nga botimi i saj, studiohet në të gjitha universitetet e botës. Vepra e Marksit, teoria dhe filozofia e tij janë keqinterpretuar dhe shtrembëruar nga kundërshtarët dhe pasuesit e tij."Ironia e historisë, - shkruan Erih From, një nga filozofët më të mëdhenj amerikanë të shekullit të ?20-të, - është se megjithëse burimet shkencore ekzistojnë, bota e sotme nuk njeh kufi në shtrembërimet dhe interpretimet e pasakta të teorive të ndryshme. Përkthimet më të shquara janë shqipërimet e Fan Stilian Nolit, i cili arriti majat me përkthimet e veprave të autorëve më të famshëm klasikë të letërsisë botërore, duke krijuar edhe një traditë të shkëlqyer në këtë fushë. Kurse në fushën e literaturës së përkthimeve akademike, filozofike, ekonomike etj., kjo traditë pothuajse ka munguar fare. Në vitet ?30 të shekullit të kaluar, ekzistonin vetëm disa përkthime jo të plota, gjithsej rreth 30-40 faqe, të psikanalistit të shquar austriak, Sigmund Frojd, të përkthyera nga gazetari dhe intelektuali i mirënjohur Branko Merzhani. Kështu e gjen periudha e pasçlirimit këtë literaturë. Krijimi në vitin 1952 i një sektori të veçantë të përkthimeve të letërsisë filozofike e të ekonomisë politike, do të çelte rrugën e përkthimeve të asaj literature filozofike, e cila ishte e pranuar nga regjimi komunist.

Kjo solli edhe lindjen e një tradite të re përkthimi. Tematikat e veprave të përkthyera kanë qenë të ndryshme. Kishte vepra të mirëfillta shkencore, filozofike, politiko-shoqërore, historike, ekonomi politike, shkrime kritike për letërsinë dhe artin, për zhvillimin tekniko-industrial etj. Përkthimet e këtyre veprave u kryen përmes vështirësive të shumta, pasi ishte hera e parë që përkthehej kjo lloj literature në gjuhën shqipe, kur në vendin tonë mungonte tradita dhe, ajo që është më e rëndësishme, mungonte terminologjia e duhur në këto fusha. Vaso Koroshi, ish- shefi i sektorit të përkthimit në Shtëpinë Botuese "8 Nëntori", në kujtimet e tij, lidhur me rrugëtimin që ndoqi përkthimi i letërsisë filozofike, shkruan se këto "vështirësi ishin të mëdha, pasi ishte hera e parë që jepeshin në gjuhën tonë vepra të tilla. Tek ne mungonte terminologjia në këto fusha, teori të tilla ishin të panjohura me botime, sapo filluan të ktheheshin nga jashtë shtetit specialistët e parë të këtyre fushave që kishin studiuar në universitetet jashtë shtetit dhe universiteti ynë akoma s?kishte filluar të përgatiste kuadro për këto fusha".Në këtë sektor u grumbulluan përkthyesit më të mirë shqiptarë, profesionalisht të aftë, që e çmonin dhe e kuptonin rëndësinë e kësaj pune, të cilët hodhën themelet e një tradite të re në fushën e përkthimit të veprave filozofike. Puna e përkthyesit të veprave filozofike ishte e vështirë, delikate dhe me shumë përgjegjësi. Vaso Koroshi, duke folur për vështirësitë e mëdha që hasnin gjatë punës së tyre të përkthimit, ka theksuar përgjegjësinë e madhe që kishin si sektor, si dhe rrezikun për pasojat që vinin nga kjo përgjegjësi. Ai, shkruan Koroshi, "ishte një sektor me shumë-shumë përgjegjësi dhe, për atë kohë, mjaft delikat".Materiali i përkthyer do të kalonte nëpër shumë e shumë "filtra" të zyrave të Komitetit Qendror të PPSH e të Institutit të Studimeve M-L. Çdo gabim që do të dilte nga shtypi, qoftë ai gramatikor, apo edhe një lapsus, do t?i kushtonte shumë rëndë përkthyesit dhe redaksisë.Një nga përkthyesit e parë e më të spikatur, që hodhi themelet në fushën e re të përkthimeve të literaturës filozofike, ka qenë Sami Lutfi Leka. Rexhep Hida, ish-përkthyes në Shtëpinë Botuese "8 Nëntori" dhe sot drejtor i Shtëpisë Botuese "Fan Noli", shkruan se, për themelimin e sektorit të përkthimit, "gurin e parë themeltar e vë Sami Leka. Ky sektor me përkthyes të zotë si Sergei Sherko, Mina Qirici e Meseret Kumbaro, me një drejtues të rrallë si Vaso Koroshi, i ngjante një vargmali hijerëndë, ku padyshim në majë të kreshtës qëndronte mjeshtri i madh Sami Leka". Sami Leka dhe një pjesë e kolegëve të tij, u ndanë nga kjo jetë me brengën dhe pengun e madh se kurrë nuk u afirmuan si shqipërues letrarë, duke iu mohuar e drejta më e rëndësishme e krijimtarisë, ajo e autorësisë së krijimit të veprave të përkthyera prej tyre, të cilat ishin krijime të mirëfillta letrare. Vetëm pas viteve ?90 u përkujtuan në shtypin e lirë, në gazeta, emrat e disa prej përkthyesve të letërsisë filozofike, duke vlerësuar punën e madhe që ata kryen për kthimin në gjuhën shqipe të veprave më madhore të letërsisë filozofike botërore. Nëpërmjet shkrimeve u zbulua brenga e madhe që kishin pasur përkthyesit shqiptarë të letërsisë filozofike, të cilët, me gjithë punën e madhe e të jashtëzakonshme që ata kryen për gati 40 vjet, për fat të keq mbetën anonimë. Emrin e Samiut si përkthyes e kemi hasur spontanisht në dorëshkrime të ndryshme, në kujtime, dokumente, artikuj gazetash etj. Kështu, p.sh., në vitin 2002, prof. dr. Eduart Sulstarova, djali i tezes i Sami Lekës, na vuri në dispozicion një dokument shumë të rëndësishëm të ruajtur prej tij, që mbante datën 14 maj 1979, e cila përmbante fjalën e mbajtur në ditën e varrimit të Sami Lekës, në të cilin shkruhej: "Gjatë një periudhe 30-vjeçare ka bërë një punë voluminoze të pastër, me mjeshtëri e cilësi të lartë për përkthimin e mjaft veprave madhore, siç është Kapitali, Ideologjia gjermane etj., duke dhënë kështu një kontribut të shquar edhe për pasurimin e gjuhës shqipe me shprehje, terma filozofike, të ekonomisë politike etj.".

43 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page