top of page

PERGJIGJE KËRKESËS SË LEXUESVE TË "FJALA E LIRË"


Nga Fiqri Shahinllari

Disa miq e mikesha që pëlqyen shkrimin"Bisedë me bijën e Foqion Postolit" kërkojnë të dijnë dicka më shumë. Lexuesja Lidije Xhemali thote:Me erdhi keq që ky material ishte I shkurtër.. Ndersa shkrimtari Faruk Myrtaj, më ngjan se me bën sfidë duke shkruar midis të tjerave:...Si lexues mbetesh me ndjenjën e pritjes...Sigurisht ka për të ndodhur një gjë e tillë… Po ua plotësoj dëshirën miqvet të mi.

Sot e kësaj dite banorët floqarë i janë mirënjohës shkrimtarit e atdhetarit Foqion Postoli i cili heroinën kryesore të romanit “Për mbrojtjen e Atdheut,” Nicën e Naqos, e “krijoi” në Floq. Ishte hera e parë që përveç dokumentave zyrtare e statistikave fshati përmëndej publikisht në literaturë. Më pas, në literaturën shkencore emri i fshatit tingëllonte bukur edhe përmes varietetit të bimës “Misri i Floqit.” Nica e Floqit u bë e “famëshme” jo vetëm për kohën kur u shkruajt e u botua romani. Jehona e saj vazhdon e do të vazhdojë sepse ajo ka hyrë tashmë në histori. E them këtë me bindje të plotë pasi, vërtet Nica është figurë letrare,por ambienti, koha ku e kur veprojnë heronjtë e librit janë në kontekstin e vërtetësisë historike. Tabani i vepres letrare eshte historik pasi i përgjigjet atmosferës së kohës për të cilën shkruhet. Ngjarjet e viteve 1895, 1913, 1914 me pushtimin turk e masakrat e andartëve grekë në zonën e Shqipërisë së Jugut, zhvendosja e popullsisë së kësaj zone në “ullishtat e Vlorës” si muhaxhirë, djegja e shtëpive dhe e fshatrave të tërë siç përshkruhen në roman, janë fakte historike të njohura botërisht. Në vitin1914 kur Shqipëria u bë shesh lufte i fuqive të mëdha, Sali Butka mundi të sistemonte mijëra muhaxhirë në ullishtat e Vlorës. Gjatë viteve 1913-1914 për shkak të masakrave të andartëve grekë mbetën pa shtëpi e katandi 17 floqarë dhe u shkrumbua një shtëpi. Romani “Për mbrojtjen e Atdheut” për herë të parë u botua në gazetën “Dielli” më 1919 dhe u ribotua më 1943 në Shqipëri. Kur lexon këtë botim, kënaqesh me shprehjet dhe frazeologjitë e kohës. Autori ia dedikon këtë roman Frashërit prej nga kish origjinën. E shoh të arësyeshme ta përmbledh me pak fjalë subjektin e romanit “Për Mbrojtjen e Atdheut”: …Një ditë të nxehtë të korrikut të vitit 1895, Estrefi, djali i Rakip beut nga Frashëri që sapo kish kryer shkollën ushtarake në Stamboll, ishte duke shkuar mbi kalë në çifligun e të atit afër lumit Devoll, në fushën e Korçës. Në Qafën e Qarrit, gjatë rrugës Korçë–Janinë, siç quhej atëhere, Estrefit iu tha buza nga etja për ujë. Tërhoqi kapistallin e kalit dhe e ktheu atë djathtas për në Floq. Qëndroi në një shtëpi aty afër, në oborrin e së cilës ndodhej një grua plakë që tirte lesh me furkë. I kërkoi asaj me xhentilencë ujë. Brënda shtëpisë dëgjohej “melodija” e tundjes (dybekut) të bulmetit. Plaka thirri të mbesën, një vajzë të re, të bukur, sykaltër që t’i sillte ujë zotërisë që sapo kishte ardhur për të lagur buzën. Por vajza, me emrin Nicë, pasi mori porosinë nga gjyshja e saj,solli një stomnë me dhallë të freskët, në vend të ujit. Estrefi e piu me një frymë dhe fshiu buzët me kënaqësi. -Ç’doni prej meje si shpërblim për dhallin që më dhatë-pyeti Estrefi Nicën pasi e falenderoi më parë. -Një libër shqip-iu përgjigj Nica e Naqos nga Floqi. “Kjo është shqiptarkë, është lindur shqiptarkë dhe kërkon arsim në gjuhën e saj” mendonte Estrefi gjatë rrugës për në çifligun e të atit. Rrugës iu shfaq si fantazëm një grua e veshur me rroba të zeza, të çjerra, me leshra të përhapura e te shpupurisura e me lot në sy. Ajo bërtiste: “Përse më mohoni o bijt e mij?” Kjo grua ishte SHQIPëRIA… Pas qëndrimit 2-3 muaj në çiflig, Estrefi u nis për në Frashër,tok me Takon, mësuesin plak të çifligut po pa harruar të ktheheshin në Floq për të përmbushur dëshirën e Nicës për libra shqip. Rrugës, një gjarpër i mbështjellë kutullaç, trembi kalin dhe Estrefi ra pa ndjenja. Kish thyer këmbën e nuk ecte dot. Nica me gjyshen e vet u kujdesën. Kur erdhi në vete, Estrefit iu rrungullizën dy pika lot. Takua nxorri nga torba librat shqip dhe pyeti Nicën se nga kush e kish mësuar shqipen. -Nga i ndjeri im atë-iu pergjigj ajo. Pas disa ditësh, i shtrirë në minder, Estrefi doli jashtë në oborrin e shtëpisë, mbështetur te Nica e te Takua. Ai thithte erën e paqme dhe ngrohej në diellin e shijshëm të vjeshtës. Xheku dilnin ca re dhe nga pemët binin fletët e venitura. Sytë e tij u përpoqnë me sytë e Nicës dhe nuk çkëputeshin…Kur Estrefi I propozoi për martesë Nicës, kjo iu përgjigj se edhe ajo e donte Estrefin mirëpo kish tri pengesa:1. Ajo ishte fshatarkë. 2. Ishte e varfër. 3. Ishte kristiankë kurse ai ishte i pasur dhe mysliman. -Përpara dashurisë të gjitha kaptohen-tha i vendosur Estrefi dhe aty për aty i drejtohet Takos: “Jemi fatmirë se këtu në fshatin Floq, ndenjësit janë myslimanë dhe të krishterë dhe ndodhet hoxhë dhe prift këtu. Këta të dy të shkosh nesër t’i gjesh dhe t’i thërrasësh që të vijnë të bëjnë shërbesat fetare të martesës, pas feve që kemi… (faqe 37, bot. i vitit 1943) Dhe, pasi kandisën gjyshen e Nicës, të nesërmen vendosën që të martoheshin Estrefi me Nicën pa dasëm, pa miq, pa krushqi po plot dashuri. Dhe kështu, me bekimin e hoxhës dhe të priftit, në fund të një letre shkruar shqip nga Takua, morën bekimin e perëndisë të dy të rinjtë. Në fund të letrës u shkrua data: Floq, më 20 të vjeshtës së dytë 1895. …Shkuan në kullën e çifligut. Nica sillej mirë me bujqit por punonte edhe vetë. Qëndiste me sepetkë. Rakip beut, babait të Estrefit nuk i pëlqeu hiç kjo martesë e të birit dhe bëri çmos për ta prishur atë. Lajmëroi autoritetet turke për ta marrë në shërbimin ushtarak të birin. Me dëshirën e Rakip beut vjen një letër nga qeverija turke me anën e së cilës kërkohej që Estrefi të inkuadrohej në ushtrine turke pasi ishte oficer. Përgjigja e Estrefit ishte kjo: “Mjaft atë (baba), mjaft u derdh gjak shqiptari për Turqinë; që tani e tutje le të derdhet gjaku i shqiptarëve për Shqipërinë” (faqe 60, bot. i vitit 1943) Më 1897 horizonti politik nxinte sterrë midis Greqisë dhe Turqisë. Estrefi shkoi ushtar se kështu ishte dëshira e të atit…Nica lindi një vajzë në Frashër por i thanë se foshnja kish lindur e vdekur. Foshnjën e mori një evgjitkë, në shkëmbim të ca parave dhe kjo ua fali disa çobenëve…Nica e bërë helm e vrer u largua nga Frashëri. Në mes të pyllit e zuri tërbimi i natyrës. Rrufeja i dogji qepallat e kapakët e syrit që nuk i çkoliteshin. U ndodh një keckë në pyll që i lëpiu fytyrën, sytë. Nga kjo lëpirje Nicës iu hapën sytë. I dolën përpara andartët grekë. Ajo mbrohej me trimëri. Qeni i çkafët i Nicës çante ushtarët grekë. Kjo ngjarje që përshkruan F. Postoli ka ndodhur në vitin 1913...Historia vazhdon gjatë, e bukur e befasuese nëpër pyjet e Shqipërisë së jugut, me marrëdhënie të vështira me shqiptarët e shpërngulur nga halli në Ullishtat e Vlorës…dhe, më në fund vjen lumturia. Estrefi, pas shumë e shumë peripecish takohet me Nicën e me vajzën e tyre të rritur,gati për t’u martuar me një djalë tregëtari korçar… Kur përfundon së lexuari librin “Për Mbrojtjen e Atdheut,” të shkon mëndja te romani dramatik “Oxhaku” i Mihal Gramenos,shtypur në Selanik më 1909. Edhe ky autor përshkruan dashurinë e Malos, birit të Rushan Beut, me Vaidenë, një bijë populli (e bija e Shaqirit), nga një fshat i vogël që ishte nën hyqmin e Rushan beut. Ky Rushan beu, ashtu si Rakip beu i F. Postolit, bëri ç’ish e mundur për ta penguar të birin të martohej me Vaidenë. Përpjekja e tij nuk pushoi edhe kur Vaideja u bë me fëmijë…Malua ishte nën armë në ushtrinë e huaj. Ngjarjet rrjedhin në mënyrë të tillë sa Malua mori vesh sikur Vaideja kish vdekur dhe u betua në Grykë të Qarrit (nënvizimi im-F. SH), për ta shkuar jetën nëpër male si hajdut me emrin Asllan. Ndërkohë, Rushan beu, 80 vjeçar ishte emëruar kajmekam i Korçës por i penduar nga të këqijat që kish bërë gjatë jetës, donte të bënte më pas vetëm të mira. Ai kish dëgjuar për hajdutin zemërmirë me emrin Asllan, që në fakt ishte i biri i tij, Malua por qeveria e Kostandinopojës kish urdhëruar asgjësimin e tij. Nuk është vendi për t’u zgjatur më tej. Fundi është si në prrallë, i lumtur, por unë po përpiqem të sjell në vëmëndjen e lexuesve disa fakte, të cilat, paçka se janë letrare, ato në kontekstin e ngjarjeve historike marrin rëndësi në këto shënime. Estref beu I Foqion Postolit, kalon me kalë nëpër Qarr e qëndron në Floq ku martohet me floqaren Nicë. Malo beu i Mihal Gramenos betohet si hajdut në grykë të Qarrit të Floqit për të shkuar jetën nëpër male me emrin Asllan. Është vendi tani të sjell tani një fakt real. Thanas Floqi, për të cilin do të flasim në një kapitull tjetër, sjell në kujtesë një episod që i kish ndodhur më 1910 në shkollën shqipe të Cakranit të Mallakastrës ku ai jepte mësim. Një ditë i ish paraqitur një 30 vjeçar i veshur si kolonjar i cili donte të mësonte për të shkruar e lexuar shqip…. Kur ish larguar, pas disa muaj mësimesh, mysafiri i kish treguar emrin e vërtetë M. A. Kjo e kish çuditur Thanasin sepse emri ishte i dëgjuar si i një kusari dhe krimineli në zë. Mirëpo M. A e kish qetësuar duke i thënë:” Tani e tutje do t’i shoh e do t’I bëj punët si shqiptar e jo si kaçak malesh…” Xexeja, siç i thoshim ne Sabiresë, bashkëshortes së Rakipit e xhaxhaicës së Xhelos, në një nga përrallat e saj të shumta që ne i përpinim, heroin kryesor kishte trimin me fletë Asllan që ishte zot i maleve të Qarrit, Floqit, Pepellashit, Kozelit. Taborreve turq që vinin të kërkonin nizamë e taksa ai u përgjigjej me pushkë. Bënë e ç’nuk bënë pushtuesit otomanë për ta shtënë nën thonj Asllanin por ai ishte si era, fup këtu e fup atje pas shkëmbit e pas pyllit e njerëzit e sulltanit nuk e kapnin dot. Asllani me shokë i sulmonte andej nga armiqtë nuk e prisnin. Fshatarët vazhdonin të qetë punën e tyre duke mbjellë e korrur. Dhanë e morën turqit por e kishin kot. Atëhere vjen oferta prej Stambollit që Asllani t’I linte të qetë turqit, se ata do ta bënin komandant ushtrie! Asllani ish tallur me këtë propozim… Të shkojmë më tej. Kristo Floqi, në dramën kuptimplote të tij në vargje në katër akte: “Fe e Kombësi” -1909 shtjellon ngjarjen në fshatin shqiptar më 1831, kur një bej i ri mysliman me emrin Gani bie në dashuri me vajzen Maro, e krishtere, shërbëtore në sarajet e të atit të Ganiut. Të gjitha këto ngjarje që përshkruam, siç e vini re, zhvillohen aty nga fundi i shekullit të 19-të e fillimi i shekullit të 20-të. Perandoria turke ishte në grahmat e fundit. Borgjezia evropiane kish shtuar orekset aneksioniste në kurriz të shqiptarëve. Shkrimtarët patriotë ishin në krye të luftës për të emancipuar ndërgjegjen e popullit në luftë për liri. Kjo duket edhe në ndërthurjen e dashurisë së Nicës me Estrefin, të Malos me Vaidenë, të Ganiut me Maron me temën e lëvizjes patriotike. Estref beu po edhe Rushan beu, më parë mizorë e kokëkrrisur gjunjëzohen më vonë e, nën ndikimin e vajzave fshatare, si Nica floqare e të tjera me radhë, ata marrin rrugën e pendimit dhe “thithin” ndjenjën e dashurisë për Atdheun,për njerëzit e varfër e të vojtur. Fiqri Shahinllari {Marrë me shkurtime nga libri Lis në shkëmb")

59 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page