
PEIZAZH NGA VLORA
Kanina tund një degë ulliri
Poshtë saj gëlon e ngrata turmë
Ç’bën me lavdinë që mban tek gjiri?
Paqen e mbjell dhe korr furtunë!
Eh, ky qytet, që ha vetveten
Dhe s’bën dot gjumë e prehje s’ka
Më zgjon ca dhimbje që nuk treten
Një plumb në shpirt nuk di nga ra!
Një foshnjë jetime i flet zotit
Por ai s’ndjen, s’afron mëshirë
Fatin gremis në pikë të lotit
Dhe shpresa thinjet në zinxhirë
Pulëbardha klith e kërkon shtigje
Hap flatrat ëndërra për liri
Një hark ylberi puth dy brigje
E unë mes tyre në vetmi...
Pse s’ka një varr të ri pashai?
As për Kainin s’ka qivur!
Mesjeta grindet me normandët
Me vraga gjaku në çdo gur
Kërkoj me ngulm ca gjurmë jete
Përtej trishtimit që më vret
Ç’është ky rënkim sa shtatë dete
Ringjallet Troja dhe buçet!
Vlorë, korrik 2020.