PASAPORTA IME
Në duart e mia, gjaku i babait të plagosur
Gjaku i gjyshit të vrarë buzë Drinit,
Në duart e mia, mijëra yje të gjakosur,
Në duart e mia, kënga e tim biri.
Në fletët e saj pranvera,
Në vijat e saj hullitë e tokës
Në kapak si në krye të oxhakut
Shqipëria ime, më e mira e botës
LINDJA E FOSHNJËS
Dhe tha një shkrep:
Këtu lindi Skënderbeu
Dhe tha një curle:
Këtu mori frymëzim Naimi
Dhe tha një pishë:
Me degëzën time flamurin tundi Ismaili
Dhe djepi tha:
Nga shekulli në shekull do të tund fëmijën
Nga shekulli në shekull
Shqiptarët i lind nga rrënja e vet, liria.
ELEZ ISUFI
Dikush tha për të: gjenerali me shajak
Dikush e quajti harushë mali
Piskama e tij zemrat i ndezi flakë
Ngriti nga varri edhe plakun edhe djalin!
TEK MONUMENTI “NËNË SHQIPËRI”
Varret e dëshmorëve i ngritën nga fshati
Atë natë nuk vuri gjumë në sy xha Reshati
Ai donte t’i kishte ditë e natë para sysh
Ndaj rrugën drejt tyre mori sërish.
Të nesërmen në mëngjes u gdhi në qytet,
Tek varret e dëshmorëve, tek vëllezërit e tij.
Nuk ishte vetëm ai që bënte nderim,
Por edhe shtatorja “NËNË SHQIPËRI”.
NË SE SKËNDËRBEU...
Në se Skënderbeu ka të ftohtë,
Malet veshin tërë gjethimin
dhe me të e mbulojnë.
Në se Skënderbeu ka zjarrmi,
Pyjet fëshfërijnë
dhe ballin i freskojnë.
Në se Skënderbeut i pihet ujë,
Gurrat çahen te këmbët e tij
E gurgullojnë.
Në se Skënderbeu do që të flejë,
Toka dhe nëntoka hesht
E për të jatakun shtron.
Në se Skënderbeu do që të shohë,
Dritaret hap pranvera
E zemrave të luftëtarëve.
Në se Skënderbeu do që të luftojë
Kali e pret atë në prag.
Shpata e rëndë rrugën merr
Që nga muzetë europiane
Këtu tek malet e veta.
BALADË PËR HAJRULLA TOLLEN
(Majorit që ra në krye të detyrës,
përballë shovinistëve sllavo-maqedonas)
Ç’është ai në majë të malit?
Kush e vrau e kush e ndali?
Askurrkush atë s’e ndal
S’ndalet shqipja lart në mal
Syri i tij rreze drite
Pushka e tij gjëmim prite.
Dorë e hasmit, moj e mallkuar
Ti u shofsh siç je shuar
Kali i tij hingëllin
Ulërin e qan si fëmijë.
Shqiponjë e malit seç loton
Mbi pushkën e tij vigjëlon.
ADEM JASHARI
Ai nuk studioi në Akademinë Ushtarake
Një akademi kreu me Isa Boletinin
Armiqtë ja njohën grykën e sertë
Gjeneral u bë në fushën e luftimit
Ai njihte të gjitha armët e luftës
Të gjitha variantet i vuri në zbatim
Betejat e bënë strategun e Kosovës
Kosova e ngriti në piedestalin e lirisë.
JUSUF GËRVALLËS
Skuq Bistrica nga gjaku yt
Than bozhuri ne Dukovik
Ngriu tingulli në flautin e vogël
Loti i vajzës në qerpikë.
Mbete ti Jusuf Gërvalla
Pishtar i Kombit në pavdekësi
Kurrë nuk vdes zemra e poetit
Kurrë nuk vritesh ti, o liri!
Kënga jote piskamë mali
Nga Presheva në Prevezë
Këndon për ty vajza dhe djali
Trashëgon nga brezi në brez.
Këndojmë për ty, biri i Kosovës
Këndojmë me pushkë dhe me sharki
Trimat s’qahen, trimat nuk vdesin
Shqiptari rilind kur vdes për liri.
MESAZH MIQËSIE
Në ka në botë një tokë me ngjyrë gjaku
Kjo është toka e Shqipërisë
Në ka në botë një komb kaq shumë të ndarë
Ky është kombi shqiptar
Në ka në botë një shpend me dy krerë
Kjo është shqiponja e Shqipërisë
Në ka në botë një mesazh të
miqësisë
Në Shqipëri më parë se kudo ai do të shëndrrisë.
FLAMURI
Fluturo mbi male, shqiponjë e lirë
Liria për ty, ajri që thith
Atdheu yt, Shqipëria e shqiponjave
Mu në mes të saj. krahët i ka shtrirë
Ulur mbi gjak, gjaku të rinon
Rritur mbi plagë, plagët të lartojnë
I thuaj botës mbarë: “Jam Shqipëria”.
Comments