PARDESYJA
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Aug 13, 2020
- 4 min read

NGA HASAN KOSTRECI
PARDYSYJA
(Tregim)
Ishte viti gjashtëdhjet e dy kur qemë prishur me Bashkimin Sovjetik dhe për momentin ndihej një farë liberalizimi dhe këtë unë e vija re gjithashtu edhe në Elbasan, sepse tek hotel turizmi, kish filluar, pothuajse çdo natë, që të luhej muzikë e huaj; Filmat që çfaqeshin në kinema qenë o italjanë, o francezë, bile dhe amerikanë; Në kopertinat e librave të reklamuara në vitrinën e të vetmes librari që ndodhej në qëndër të qytetit, shiheshin mjaft emra autorësh të huaj të përkthyer në shqip, por këtë fenomen e shikoje edhe tek ish shokët e shkollës së mesme që aktualisht ishin në universitet në Tiranë, të cilët kishin ndryshuar jo vetëm modelin e veshjes dhe të flokëve, por edhe këndonin apo vëshëllenin këngë të huaja; Diskutonin me njëri tjetrin për artistë të ndryshëm, ndërsa vetëm unë, konstatova, që kisha mbetur njësoj.
- Pse kështu? – më pyeti njëri prej tyre, që e dinte se isha arsimtar.
- Në atë fshat të thellë të Gramshit, ku jam, sigurisht që kështu mbetesh – iu përgjigja.
- E nuk keni ju atje as shtëpi kulture dhe as radio? – pyeti ai përsëri, nga që nuk e dinte, si duket, gjëndjen e fshatit.
- E kemi, në fakt, në vatrën e kulturës një radio me vajguri, po le që na tymos sa herë që e ndezim, po mezi kap edhe Tiranën – i thashë
- Po pastaj, mirë ne që jemi studentë, po edhe ti me rrogë, akoma me këtë pallto që e ke patur qysh në shkollë do mbetesh – shtoi dhe hodhi vështrimin nga jaka, e cila kishte nisur të rripej.
Akuza e tij qe pak ofenduese, por diçka të drejtë edhe kishte, sepse vërtet që konditat e mija familjare qenë mjaft të vështira, por si djalë i ri, që isha në atë kohë, vetëm nëntëmbëdhjet vjeç, duhej, sadopak, që të mendoja edhe për veten, prandaj i ngacmuar edhe nga vërejtja e tij, vendosa që të bëj një pardesy, por sipas një modeli që ia kisha parë një kushëririt tim, të cilit i kishte ardhur nga Italija.
- Më sill dokun, astarin dhe modelin, vetëm sa ta shoh dhe ta qep unë – më tha usta Spiro, një rrobaqepës i njohur në atë kohë në Elbasan që e kishte dyqanin tek “Kristoforidhi”.
Në “Mapon” e qytetit kur shkova të pyes, nuk gjeta, pothuajse asgjë dhe vetëm në Fushë Mbret i bleva si dokun, ashtu edhe astarin, ndërsa disa unaza metalike, më premtoi se do m’I bënte një shok që ishte mekanik..
- Kur mund ta marr? – e pyeta usta Spiron.
- Kur të vish herën tjetër nga fshati, e ke gati – më tha e pikërisht mbas një muaj, ajo kishte përfunduar dhe nga që më rrinte edhe mirë, kur e povova, dola me të veshur qysh atë natë.
- Ua, sa e bukur! – më thanë komshijtë, të cilët ishin të parët që ma panë dhe mbasi u thashë faleminderit, mora drejtimin për nga bulevardi kryesor, ku krahas xhiros, bëhej edhe ekspozimi i veshjeve.
- Të paska ardhur, me siguri, nga jashtë, ë? – më pyeti një grua që ishte gjithashtu arsimtare në Gramsh.
- Jo, është qepur këtu – e kundërshtova.
- Nuk më besohet – tha ajo dhe ma shikoi edhe njëherë si përpara, ashtu dhe mbrapa
- malli i huaj, po i huaj mbetet dhe jo si këto tonat që….- ia lashë fjalën përgjysëm, sepse s’i mbushej që s’i mbushej mëndja që e kisha qepur këtu, prandaj u ndava dhe kalova nga trototuari mos takoja shokët me të cilët, uleshim tek hekurat e lulishtes, pothuajse për natë, por për çudi, ate mbrëmje nuk pashë asnjë, prandaj, përpara se të kthehesha në shtëpi, vendosa që të bëj edhe një xhiro deri tek Ura e Zaranikës.
- Shumë e bukur dhe ta gëzosh – më tha të nesërmen edhe shitësja e djathit, kur i shkova ta pyes, se kur mund t’i vinte furnizimi – po si ka mundësi, që ta paskan prurë, tamam sipas trupit. Ke andej me siguri ndonjë xhaxha apo hallë? – u bë ajo kurioze
- E kam qepur këtu dhe nuk kam asnjeri jashtë shtetit – iu përgjigja pak i nervozuar, sepse një deklaratë e tillë në atë kohë qe me zarar.
– Mos ki frikë se nga mua nuk të gjen gjë – më tha dhe mbasi doli nga banaku, më erdhi pranë - po a më bën një nder dhe i thuaj për disa ilaçe që nuk ka këtu? – më pyeti, por nga që në dyqan u futën edhe të tjerë, i thashë “ditën e mirë” dhe dola.
- Mos bëra gabim që e bëra me gjithë këto xhingla e mingla? – i thashë një mbrëmje mamasë, por ajo vetëm më vështroi, vuri buzën në gas dhe s’më ktheu përgjigje.
- Mos u mërzit, por e kam për detyrë që të them diçka – më ndaloi mbas ca ditësh në rrugë edhe një i afërmi ynë dhe burrë moshuar.
- Urdhëro - iu përgjigja.
- Më vjen keq se je i ri dhe ke dëshirë që të vishesh, por me një baba që ka vetëm pak vite i liruar nga burgu dhe një vëlla që e ke në burg, nuk mendoj se të takon të bësh xhiro me këtë pardysy në bulevard.
- E kam qepur këtu, por vetëm modeli….- provova t’i thosha por ai më ndërpreu.
- Pikërisht për modelin e kam edhe unë fjalën – tha dhe mbasi më dha dorën, u largua.
Kaluan dy muaj dhe kur erdha përsëri për pushimet e dimrit, pashë që të dy prindërit nuk qenë edhe aq në humor dhe dukeshin të mërzitur.
- Si është puna, u ka ndodhur gjë? – i pyeta.
- Komshija që është edhe antare e këshillit të lagjes, na erdhi para disa ditësh e na pyeti në se a kishim njeri jashtë shtetit – më tha mamaja.
- Dhe si iu përgjigjët.
- Realitetin, që nuk kemi, por mendoj, se dikush i ka ngacmuar – shtoi dhe u ngrit e më përqafoi
– Po ti mos u shqetëso, sepse këta kështu provokojnë – shtoi edhe im atë.
- A do më bësh një nder? – i thashë të nesërmen usta Spiros kur i shkova tek dyqani me pardysynë në dorë - hiqja, të lutem, manshetat, unazat e metalike, spaletat e bëje, mundësisht sa më të thjeshtë.
- S’e kuptoj, po vetëm këto e bëjnë që të duket sikur të ka ardhur nga jashtë – m’u përgjigj ai i habitur.
- Pikërisht këtu qëndron edhe problemi, sepse e ke bërë tamam si të jashtëme – i thashë dhe ai nga që e kuptoi se si ishte puna, s’e zgjati, por u ngrit, mori gërshërët e ia nisi punës.
Comentarios