
TREGIM NGA MYSLIM MASKA
Hajde, - i thashë dhe i futa krahun shokut të fëmijërisë. Erdhi nga Patra në pagëzimin e mbesës time. Kishim vite pa u takuar.
-Ku do të vemi?
-Këtu afër, në një tavernë gjuetarësh, buzë detit. Ka peshk cipu’ra të freskët, verë, raki, uzo, birra e ç’të duash ti. Kam vajtur dhe herë të tjera. Venë shpesh deputetë, ministra e ku di unë. Ka pak zhurmë, por do kënaqesh nga broçkullat, nga dhelprat me bisht të gjatë e të shkurtër etj.
- Nuk më pëlqejnë gënjeshtarët, - me tha shkurt Spirua.
- Ne jemi në tavolinën tonë në fund të fundit, dhe bëjmë ç’të duam. Dëgjojmë ose jo.
Këtë çast mbërritëm tek hyrja e tavernës. Spirua për pak ndali: Përballë, sipër banakut një shqiponjë krahapur në fluturim (e balsamosur). Në krahun e majtë të hyrjes një lepur dhe një dhelpër bishtgjatë, ndërsa në krahun e djathtë, brirët e bukur të një sorkadheje, zogjë dhe sipër tavolinës ku do të uleshim ( zakonisht ishte e rezervuar ) një papagall i madh nga ata që flasin, i balsamosur.
Bukur, - më tha Spirua, shoku im i rinisë. Përshëndeta me kokë dy- tre të njohur dhe u ulëm. Unë përball papagallit dhe Spirua në anën tjetër. Kur mbaruam gotën e parë me verë, ndezëm nga një cigar. Befas dëgjova një zë të largët, të mekur por të qartë. Instiktivisht, pa u vënë re nga Spirua, hetova rreth e rrotull. Asgjë. Sejcili në punën e tij.
-Unë po të flas, unë – më tha Papagalli. Më duket më paske harruar. Kemi bseduar shumë here bashkë. Vetëm me ty merrem vesh dhe me një tjetër, por ai s’është bërë i gjallë qysh atëherë që më vrau Vangjeli, dua të them më balsamosi . Vet e pata fajin, vet. S’thonë kot: “Koka bënë – koka pëson”. Tani shoh dhe dëgjoj, por s’mundem të flas. Po pëlcas! Po çmendem. S’paska gjë më të tmerrshme se memecllëku në këtë botë. E tmerrshme!
-Mos u mërzit, - i thashë për ta qetësuar, mos u mërzit, ç’e zuri njeriun dhe s’e hoqi. Ne ndenjëm pesdhjetë vjet shurdhmemec dhe ja ku jemi.
-Pa ndonjë cen s’keni ngelur, - më tha me qortim, dhe vazhdoi të përsëris: Vet e pata fajin, vet. Sa herë vinin ministra apo deputetë, ato që thoshshnin midis tyre ministrat sot, unë idioti, ua përsërisja dy të tjerve nesër, ç’të thoshin të nesërmen, i thoshja pasnesër. E Kështu me rradhë, gjersa një prej tyre ju ankua pronarit të tavernës, i cili menjëherë njoftoi Vangjelin, kushëririn e kryetarit të Bashkisë, të cilit i paska thënë te ma rregullonte qejfin d. m. th. të më katandiste siç më katandisi në një memec të perjetshëm.
Qënka i tmerrshëm memecllëku… Më mirë të më kishte vrarë…Dhe heshti. Mua m’u duk se po qante…Në sytë e tij sikur pash lotë.
Ja thashë Spiros të gjitha ç’bisedova me papagallin. Ky më pa pak i habitur dhe i merakosur duke më thënë:
-Të më falësh, por …s’më dukesh mirë!
-Shumë mirë jam – ia ktheva menjëherë.
-Që s’je mirë duket nga ç’bënë e thua. Ndoshta, - vazhdoi – nga streset, hallet, borxhi në bankë për shtëpinë që bleve ose puna e vështirë me orar të zgjatur, të katandisën të flasësh me vete, përçart…Bisedon me një papagall! Të ishte i gjallë ajde de…por ai është i vdekur, i balsamosur. Dhe më pa në sy me dhimbje. Pastaj më thua që je mirë, e ç’mirëzeza! – tha pas pak.
- Shumë mirë jam, këmbëngula. Ndoshta ke harruar. S’ke faj. U bënë shumë vite që s’jemi parë. Por… qysh në fëmijëri e kisha këtë dhunti. Me siguri e ke harruar gjersa po më bënë të lajthitur. Është dhunti e imja, përsërita. Jam panteist, d.m.th. kam aftësinë të bisedoj me zogjë, me gurë e me drurë, me të gjallë e me të vdekur. Dhe, kur ngrita gotën për të bërë gëzuar, Ai m’u duk se u trëmb, gjersa instiktivisht lëvizi karrigen mbrapa.
Në këtë çast në hyrje të tavernës u duk ish kryetari i bashkisë i shoqëruar nga djali i tezes së tij, Vangjeli, që kolegët i kishin ngjitur nofkën “Gënjeshtari i Madh”, këtij që balsamosi papagallin. Ish kryetari buzëqeshte, përshëndeste me kokë majtas e djathtas duke tundur dorën e djathtë në ajër, ashtu si udhëheqsit, se udhëheqsit e duan shuuumë popullin! Shkoi tek kryetari i shoqatës, ju dha dorën dhe tre- katër të tjerëve. Në moment erdhi pronari i tavernës, i cili i shprehu keqardhjen për tavolinën e rezervuar dhe tregoi me gisht nga neve. Nuk dinim gjë, u çfajësua.
-Asnjë problem, - tha ish kryetari. Do të ulemi te tavolina pranë tyre. Ju besoj e dini ç’tha Nastradini kur i kishin zënë qoshenë: “Qosheja është atje ku ulet Nastradini” dhe duke qeshur zunë vendet.
Kur servitori solli verë tjetër, shleva llogarinë.
-Sa vite ishte kryetar? –më pyeti Sotiri.
-Tetë vjetë. Është njeri i mrekullueshëm. Ka bërë shumë për qytetin tonë. Ka ndihmuar pa u kursyer sidomos të vobektit dhe të varfrit. E nderojnë dhe e besojnë të gjithë.
-Vangjel! – thirri me zë të lartë kryetari i shoqatës, - Pa na thuaj, çfarë pe sot? – me siguri ndonjë gjë të re të pa dëgjuar!
Vangjeli u ngrit në këmbë dhe pas një pauze të shkurtër, tregoi se kishte parë, lart në qiell, një qen që fluturonte duke lehur, dhe për këtë u betua me një “Më pafshi qorr nëse gënjej .”Plasi e qeshura, romuzet dhe duartrokitjet tallse.
-Shkurtoje ca bishtin e dhelprës – tha kryetari i shoqatës duke rrahur pëllëmbët.
-Nesër do na thuash se pe një buall që fluturonte duke pëllitur – tha një tjetër dhe qeshi me të madhe. Qeshën dhe të tjerët. Ndërsa një plak mbi të 75sat që më të shumtën e kohës e kalonte në tavernë duke pirë kafe me raki, pasi bëri kryqin, me fjalët gjysma - gjysma prej dehjes paska thënë: Ja, ku përfundoi i shkreti njeri, nuk di çfarë të besojë e çfarë të mos besojë. Hajde mere vesh këtë botë! Nga njëra anë e lëvdojnë, nga tjetra e shajnë, ca gënjejnë, ca mashtrojnë. Po! Ama unë e kam zgjidhur punën time… Menjëherë sa u ul Vangjeli, “i fyer që s’e besuan”, u ngrit ish kryetari i Bashkisë duke thënë:
-Po, është e vërtetë! E pash edhe unë! Ju e dini – vazhdoi, atje sipër, dhjetë minuta që këtu, është rritësi i qenve, Kosta. I rrit dhe i shet. Me këtë punë rron.E kam ndihmuar edhe unë kur isha kryetar. Sot, para se të vija këtu, parkova makinën te Kosta. Aty e parkoj gjithmonë. Sa dola nga makina dëgjova një kuisje qeni. Pash rreth e rrotull, asgjë. Lartë, - më tha Kosta dhe më tregoi me gisht qiellin. Një shqiponjë shtrëngonte mes kthetrave qenin që kuiste prej dhimbjeve.
-Isha në kuzhinë po përgatisja ushqimin për qentë, kur dëgjova kuisjen e dhimbshme. E njoha nga zëri klyshin. Rrëmbeva menjëherë çiften. Kur mendova se bashkë me shqiponjën do vrisja dhe klyshin që e doja shumë, hoqa dorë. S’më ndahej tërë ditën, loste me mua. Pastaj, më vetëtiti në mendje gjoba, dhjetë mijë evro, se shqiponjat janë në zhdukje. Pash ç’pash u ula në stol. Bëra një cigare me duart që më dridheshin duke thënë me vete : Kur s’do, s’do. Bjeri po deshe murit me kokë! E doja dhe më donte shumë, - vazhdoi Kosta. E kisha si një bebush të vogël. Një muajsh ishte. Shpesh flinte me mua. Pasi më lëpinte faqet, më përqafonte me putrat e buta dhe e zinte gjumi. S’më vjen keq për katerqind – pesëqind evro që mund ta shisja. Nuk do e shisja. Kisha vendosur ta mbaja për vete. Dhe fshiu sytë me kurrizin e dorës. Nejse, se të mbajta këtu. Klyshin e pa dhe Vangjeli. Sa iku, po të pret aty poshtë.
-E ngushëllova, dhe u largova me një ndjenjë të hidhur në shpirt. Ja kjo është e gjitha…
-Aaa, kështu po! – thanë të gjithë pothuajse me një zë dhe duartrokitën. Pas pak u ngritën në këmbë me gotat në dorë dhe bënë gëzuar nga larg me ish kryetarin e Bashkisë.
-S’qënka gënjeshtar Vangjeli, siç ma bëre ti, - më qortoi Sotiri duke më parë në sy. Heshta. Ç’t’i thosha! Ndezëm nga një cigar dhe vazhduam të pinim shëndete, gjer në çastin që ish kryetari së bashku me Vangjelin, u ngritën për të dalë. Menjëherë pas tyre dolëm edhe ne duke u thënë një “Natën e Mirë” të pranishmëve. Kur u largua rreth njëzetë – tridhjetë metra nga taverna, ish kryetari i tha Vangjelit:
-Këtë herë të mbulova, se Kosta ka dy vjet që ka vdekur…( isha në varrimin e tij )dhe qentë i morri i vëllai në fermën e tij, në një fshat afër Larisës. Gënjeshtra është bërë pjesë e karakterit tënd. Ti s’rri dot pa gënjyer. Gënje, por jo në qiell, në tokë. Në tokë gënjejnë të gjithë: Fshesarët, deputetët, ministrat, bile dhe Presidenti. Dhe njerëzit, jo vetëm që nuk i shajnë e fyejnë, përkundrazi, i duartrokasin…
Maj 2020, Athinë.
I nderuar z. Athanasiu! Falnderimet e mia te perzemerta, per komentin e tregimi tim
"Papagalli dhe klyshi fluturues" , suksese ne krijimtarine tuaj brilante. Respekt, perqafime, Myslimi.
Xing.
Është në natyrën e tregimit, rrëfimi i tipareve të kohës. Miku ynë Myslim, shquhet në finesën e zbardhjes së ngjyrimeve të tilla, ashtu si edhe vendosjes së tyre në odën e sinqeritetit ku shqyhen maskat. Urime! /Xing.
Shume te nderuar miq te mi shpirterore, Z. Terziu dhe Z. Gjergji! Shkrimtare te shquar te letrave shqipe bashkekohore! Mirenjohje per angazhimin dhe per vleresimin e tregimit tim
"Papagalli dhe klyshi fluturues". Ju perqafoj, MYSLIMI.
Tregim fort i këndshëm dhe i shkruar me mjeshtri. Siç e thotë dhe z.Terziu të tilla krijime janë vetëm "të kohës moderne, të ditëve tona ". Autorit i mjafton një mjedis gjahu (skenë e botës tonë), ku gjenden kafshë e zogj të balsamosur, por edhe njerëz që janë bërë njësoj nën epideminë e gënjeshtrës e mashtrimit. Plaga e tjetërsimit është dhënë me finesë e elegancë, me dhimbje e humor bashkë.
Urimet më të përzemërta i dashur Myslim! Kozmai.
Fatmir Terziu:
Tregime të tilla nuk lexohen thjesht, as nuk mund të thuhet se tregime të tilla janë shkruar thjesht, lehtë. Janë tregime të kohës moderne, të ditëve tona, ku tregime të tillë shkruajnë vetëm ata që dinë ti shkruajnë me prodhojnë me mendje, ti gatuajnë në zemër e të na i sjellin natyrshëm si Myslim Maska në letër. Nuk mund të them se kam lexuar shumë si këto tregime.