top of page

"PANDOFLLA" POETIKE E FATMIR TERZIUT


PANDOFLLA POETIKE E FATMIR TERZIUT


Nga Timo Mërkuri


Duke lexuar poezine "Pandofla ime" të poetit Fatmir Terziut, publikuar te portal “fjala e lire” ndjen dhe kupton se ajo është një poezi modern që reflekton temën e emigrimit me gjithë pasojat dhe efektet që ai sjell, përshkruar përmes metaforave dhe simbolikës.


I-Qysh në vargjet e para: “Në kthim shkunda pandoflat e mia/grimca rëre të pavëna re nga sytë e mi ranë lirshëm /u bënë njësh me dheun ndanë strehës së shtëpisë në Londër/ binjakëzim, - thashë me vehte” autori përshkruan kthimin e tij në shtëpinë e re në Londër, ku qysh në hyrje të saj ai shkundi pandoflat e tij “të vjetra” që “u bënë njësh me tokën”, duke shprehur metaforikisht procesin e ndryshimit dhe “largimit” nga lidhjet me origjinën dhe identitetin e tij të mëparshëm. Kjo është e natyrëshme në emigracion ku itensiteti i jetës të le pak kohë për kujtime, mendime e përmallime nostaligjike, “grimca rëre” në jetën e përditëshme. Metafora “grimcat e rërës të pavëna re nga sytë” që bien, shfaqin një gjëndje të trishtuar të poetit dhe simbolizojnë ndarjen nga vendlindja dhe kthimin në një realitet të ndryshëm, më pak i njohur dhe më pak i dashur, që i krijon një mëdyshje mbi të ardhmen. Megjithë atë, këto “grimca rëre” që “u bënë njësh me dheun ndanë strehës së shtëpisë në Londër” nuk fundosen në harresë, por janë elementët e një “binjakëzimi” (binjakëzim, - thashë me vehte”, gjë që na dëshmon se poeti do vijojë të jetë një “ambassador” i vendit të tij me vendin që binjakëzohet. Kjo është e kuptueshme për personin e Fatmir Terziut, i cili në Londër është vërtet një Ambasador i kulturës shqiptare me ‘A’ të madhe, por mua më kujton edhe princeshën e Kaninës, Rugjinën e cila në prag të pushtimitn turk, para emigrimit në Korfuz mbushi disa arka me dheun e Himarës (prej nga iku) dhe la amanet para vdekjes që të mbulohej me dheun e atdheut që kishte nëpër arka. Fatmir Terziu ka marrë ‘dheun’ e atdheut, talentin e tij dhe në ‘të mbjell lule poetike dhe i dërgon në Atdhe gati përditë, si pëllumba të bardhë me mesazhe të ruajtjes së identitetit. Askush nuk do ti vinte faj edhe po ti haronte ato “grimca rëre”, sepse shohim që shumë burra shteti kanë haruar “male” atdheu e jo më kodra e brigje. Sa të bukura që janë ato “grimca rëre” që “binjakëzojnë” vendin tonë me Londrën, ato grimca që: “zgjoi heshtjen ngjyrë vjollce/të gardiolës simpatike /nën shiun e imët” dhe lulërojnë e aromatizojnë gjithçka londineze:“ku udha/ndryshe dhe magjike/ shkruhet si vetull e ndarë nga lumi Tamiz”. Ka dhe diçka që e lidh me “mua” këtë poezi, këto grimca janë “grimca joniane”, nga viset e mia, gjatë ardhjeve të tij tek ne në Sarandë: “Grimcat joniane lëvrijnë çrregullt /humbja e identitetit qenka një risk i forte/ndërsa shohin se si janë tretur/ mendojnë se kthimi s'qenka vetëm me lotë/por, ndiqka rrugën e fateve të vdekur”. S’di pse më dhëmbi shumë vargu :”mendojnë se kthimi sqënka vetëm me lotë”, më dhembi dhe më trishtoi. Por ti dërgomi dhe mua ti vesh një herë ato pandofla o Fatmir Terziu, pa do ti kthej me një “trastë” grimcash rëre, nga ajo më e imta që të mbetet edhe në trup e në roba., se boll na trishtove me vargjet : “E tashmë, grimcëzat shkulin mall prej shpirtit,/koha gdhihet e ngryset në një sfond si lopatë/në këtë udhë të quajtur të vështirë të kthimit/vetëm ylli i Mëngjesit që i ndjek nga lart” sepse nuk janë vetëm yjet që shohin nga lart, por edhe ne që ju shohim nga larg. Lerma mua “mëkatin” e pandoflës sate.


II-Poezia “Pandofllat e mia” është një poezi e qartë moderne e eksperimentimit me forma të ndryshme, siç janë vargjet e pavarura e të parregullta, që nuk ndjekin një model të caktuar, shkruar me një gjuhë të thjeshtë dhe elegante. Për nga stili dhe kuptimshmëria kjo poezi mund të krahasohet me stilin e William Carlos Williams ose T.S. Eliot, të cilët përdorën metafora dhe simbolika në poezitë e tyre.


Kështu, në vargun "grimca rëre të pavëna re nga sytë e mi ranë lirshëm", Terziu përdor një gjuhë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë në mënyrë të ngjashme me stilin e William Carlos Williams në poezitë e tij të famshme "The Red Ëheelbarroë" dhe "This is Just to Say". Siç Ëilliams e përdor vargun "so much depends upon" në "The Red Ëheelbarroë" për të theksuar rëndësinë e një situate të thjeshtë, kështu edhe Terziu përdor fjalën "zgjoi heshtjen ngjyrë vjollce / të gardiolës simpatike" për të dhënë një vlerë emocionale të ngjashme në objekte të thjeshta në poezinë e tij.


Po kështu, në poezinë "The Ëaste Land" T.S. Eliot përdor shumë eleme-nte të ndryshme stilistike, të tilla si fragmentimi i gjuhës dhe marrja e citateve nga shumë burime të ndryshme. Terziu përdor disa elemente të ngjashme stilistike në poezinë e tij "Pandofla ime", duke përdorur një shumëllojshmëri të citateve dhe referencave për të krijuar një atmosferë të ndjeshme, që ka qasje me atë të Eliot në "The Ëaste Land". Në vargun "shkruhet si vetull e ndarë nga lumi Tamiz", Terziu përdor një referencë gjeografike të ngjashme me Eliot, i cili shfrytëzoi shumë referenca kulturore dhe gjeografike në poezinë e tij. Sigurisht që Fatmiri mund të mos i ketë parë këto afëri pse ai shkruan në stilin e tij , në vijueshmë –ri, pa parë se me cilin ka qasje apo afëri, shikim që sigurisht do ta frenonte, por ne që e shohim nga larg shohim që kjo është një rritje e ngjitje e poezisë së tij, e bukur, dinjitoze që na ngazëllen. Askush nuk mund ti thotë një shqiponje që ngjitet në qiell fluturim se dikur aty kanë fluturuar edhe shqiponja të tjera, shqiponjat atë mission kanë, të fluturojnë, sepse atë dinë të bëjnë mirë, bukur, me art e finesë dhe …të jetojnë në fluturim.


III- Fatmir Terziu flet me figura letrare në poezinë e tij, të cilat janë të shumta dhe përdoren me qëllim të pasqyrojnë emocionet dhe ndjenjat e poetit, si dhe të ndjekësve të tij. Metafora e pandoflës së tij është figura kryesore e poezisë dhe përshkruan ndjenjën e humbjes së identitetit në një qytet të huaj, duke i shpërndarë grimcat e vet dhe duke u përballur me sfida të reja. Pandofla është një figurë simbolike që përfaqëson identitetin dhe origjinën, ndërsa ngjeshja e saj “me dheun ndanë strehës” në këtë qytet të huaj pasqyron ndjenjën e humbjes dhe ndarjes nga rrenjët e tij.

Ssimbolika e "gardiolës simpatike" në vargun e tretë përshkruan natyrën që shfaqet në Londër dhe vargu "që i yshti për vete t'i shëtisë pikave të reja turistike" përshkruan ndikimin e reklamave në këtë metropol dhe rëndësi-në e qytetit në jetën e poetit.


Vargu "Dhe sytë treten nën të njëjtin qiell" dhe simbolika e dallgëzave në vargun e pestë përshkruajnë ndjenjën e vetmisë së poetit në Londër, ndërsa vargu " ata luten të rikthehen tek Joni/malli u ndrit në sy/dhe u duket sikur pandofli/i ka shkulur si mish nga trupi i tij " përshkruan ndjenjën e mallit për brigjet joniane, që mua më shkaktojnë mornica në trup.


Në vargun e shtatë, poeti përshkruan ndikimin e mjegullës dhe shiut në qytet dhe vargu "ndjekin udhën e tyre që i lodhi i bëri copë" përshkruan ndjesinë e lodhjes dhe stresit të jetës në këtë qytet.


Në vargun e tetë, poeti përshkruan ndjenjën e humbjes së identitetit dhe ndërkohë vargu "ndiqka rrugën e fateve të vdekur" paraqet ndjenjën e dëshirës për të gjetur rrugën e tij.


Autori përdor vargje të shkurtra dhe të gjata, fjalët janë të kuptueshme nga masa e lexuesve dhe gjuha e tij është tërheqëse dhe e lirshme. Ai përdor ndërthurjen e vargjeve të gjata dhe të shkurtra në mënyrë që të krijohet një efekt emocional në lexues.


Vargu i poezisë përdoret me një qasje të ndjeshme dhe kuptimplotë, në mënyrë që të shprehë ndjenjat e poetit me ngjyrë dhe emocion. Përdorimi i rima dhe ritmit, si dhe stili i poezisë janë të vlefshme për të krijuar një atmosferë të përshtatshme.

Gjuha e poezisë është e thjeshtë dhe e kuptueshme, por me një ngjyrë emocionale që sjell përpara lexuesin mallëngjim. Përdorimi i fjalëve me ngjyrë dhe emocionale, siç janë "malli", "ndjenjat e humbjes" dhe "fateve të vdekur", tregon qëllimin e poetit për të shprehur emocionet dhe ndjenjat që ai ndjen. Në disa vende, përdoren edhe fjalë të rralla si "gardiolë" dhe "binjakëzim", por përdorimi i tyre nuk krijon një pengesë në kuptimin e poezisë. Poeti përdor edhe rima në disa vende, si në vargun "ku udha / ndryshe dhe magjike / shkruhet si vetull e ndarë nga lumi Tamiz", duke e bërë poezinë më të këndshme për të dëgjuar.

Për përfundim, poezia "Pandofla ime" e Fatmir Terziut është një poezi moderne që duhet lexuar patjetër, madje duhet rilexuar për të ndjerë dhe për ta shijuar si dhe për të kuptuar se poezia e Fatmir Terziut po ngjitet me kënd pranë vertikales në kuotat e epërrme të artit modern, duke mbetur përherë një poezi shqipe, një poezi e bukur që I flet shqip artit dhe kulturës europiane dhe botërore.


Lexojeni, nuk shpenzoni gjë, veçse fitoni shumë.



Sarandë më 29 prill 2023


____________________POEZIA E FATMIR TERZIUT______________________


Pandofla ime Nga Fatmir Terziu


Në kthim shkunda pandoflat e mia grimca rëre të pavëna re nga sytë e mi ranë lirshëm u bënë njësh me dheun ndanë strehës së shtëpisë në Londër binjakëzim, - thashë me vehte, ashtu ngishëm zgjoi heshtjen ngjyrë vjollce të gardiolës simpatike nën shiun e imët që i yshti për vete t'i shëtisë pikave të reja turistike që pasqyrohen reklamave në një metropol që lëviz ku udha ndryshe dhe magjike shkruhet si vetull e ndarë nga lumi Tamiz. Dhe sytë treten nën të njëjtin qiell mbi grimcat e mbërthyera nga dallgëza të tjera notojnë në vetmi koloviten mbi shtresa betoni ngado që shiu ngre rrëkeza të reja ata luten të rikthehen tek Joni malli u ndrit në sy dhe u duket sikur pandofli i ka shkulur si mish nga trupi i tij. Kthimi u duket larg teksa shohin qiellin e ngarkuar me hekur dhe këngët e zogjve në erë të ftohtë stolitë që shtron mbrëmja në ndonjë qafë të dehur u bëhet mal ranor mbi kokë ndërsa miliona sy nga dritaret e mbushura me mjegull ndjekin udhën e tyre që i lodhi i bëri copë. Grimcat joniane lëvrijnë çrregullt humbja e identitetit qenka një risk i fortë ndërsa shohin se si janë tretur mendojnë se kthimi s'qenka vetëm me lotë por, ndiqka rrugën e fateve të vdekur. E tashmë, grimcëzat shkulin mall prej shpirtit, koha gdhihet e ngryset në një sfond si lopatë në këtë udhë të quajtur të vështirë të kthimit vetëm ylli i Mëngjesit që i ndjek nga lart për grimcat e rërës bëhet kordinatë, ndërsa pandofla ime është në hall mos me këtë prurje të stisur ka bërë mëkat?

51 views1 comment

1 Yorum


kadritarelli
29 Nis 2023

Urime per kete shkrim analitik, lidhur me poezine e Fatmirit, ku metafora i jep jete mendimit dhe vargut. Problemet e kohes ngjalli frymezim, shpesh i qeshur, me shume i trishtuar dhe plot dhimbje.


Beğen

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page