top of page

Panajot  Zoto: Haxhi   Shehreti  më quajnë, i varfër nga  sevdaja.

ree

( ky shkrim  është pjesë e librit, në proces, “Kujtesa historike  e një qyteti”)

 nga Panajot  Zoto-

 

 

Burime historike  citojë këto fjalë ( në titull), me të cilat është identifikuar  Haxhi Shehreti, pas të cilave vijon thënia : “Delvina  është vendi im  dhe  ky është emri im”.

Ishte Delvina e  fundshekullit të 18-të. Delvina e haneve të tregtarëve,e myderrizëve dhe  poetëve që dëgjonin zërat e jugut e që më pas do të frymëzonin Pashanë e Janinës. Delvina ,me kodrat kurorë jo largë detit, me zanatçinj e tregtarë që përhumbeshin nën hijet e xhamive osmane dhe me rrugicat ku fëmijtë dëgjonin rrëfime për pushtetin në Janinë, që e lindi një zë , një  njeri  me emër të madh,jeta e të cilit  mbetet veç në fragmente të historisë  së kohës  që jetoi.

Ishte ndër më të mëdhenjtë  kronikan me emrin  Haxhi  Shehreti,  një emër  ky që rridhte nga ambiente ku të diturit, poetët dhe shërbyesit e oborrit gjendeshin shpesh në të njëjtën  hapsirë, siç ndodhte  edhe me tregtarët e ushtarët.

E njohur si një qendër e rëndësishme në përhapjen e kulturës osmane në jug të Shqipërisë, Delvina e  fundshekullit të 18-të ishte një qytet i zgjedhur për ndërveprime  të ndryshme fetare dhe administrative. Ishte ky mjedis  ku  lindi dhe u  rrit Haxhi  Shehreti, në një familje (sipas burimeve historike) që kishte lidhje me traditën lokale  e , pse jo, me medresetë, shkollat dhe  institucionet fetare që ofronin mundësi për arsimim  e kontakte intelektialësh të kohës.

Nuk dihet si,por  është fakt  që ky  poet e kronikan  i shquar i kohës, shërbeu në oborin e Ali Pashës për vite të tëra. Ishte një ndër personat ‘më të besuar’ të Pashait të Janinës , shpesh  edhe në rolin e këshillëtarit të tij.  Haxhi  Shehreti  përmendet, në disa dokumente,  si bashkëmoshatar dhe njohës i Ali Pashës që në rininë e tij. Roli i  Haxhi  Shehretit lidhet ngushtësisht me oborin e Aliut dhe administratën e tij.

Qëndrimi pranë Ali Pashës , besnikëria dhe devotshmëria për  t’i shërbyer atij për vite të tëra, i dhanë Haxhi Shehretit mundësinë që talentin  ta  përdorte për të  shkruar  jetën e  sundimtarit të Janinës, duke  e përjetësuar atë në vargjet e poemës epike  të njohur si “Alipashiada”,një kronikë letrare kjo që përshkruan veprimet e Ali Pashës dhe  gjithçka që ndodhte në oborin e pashallëkut të Janinës, e parë nga këndvështrimi i tij. Poema në fjalë flet për fushatat ushtarake, ngjarrje politike dhe  lëvizjet e  Ali Pashës në periudhën e sundimit të tij.  Nga kjo pikpamje  mund të thuhet se  Shehreti nuk ishte vetëm poet, por edhe  letrar ushtarak e politik dhe  disa burime thonë se ka qënë  edhe në rolin e ndërmjetësit  apo  korespondimit, pra një lloj “sekretari apo ndihmësi politik”. Por, në disa burime Haxhi Shehreti përmendet edhe si ministri më i besuari i Ali Pashës në listën e emrave të shquar nga Delvina,pjesë e oborit apo territorit të pashallëkut të tij.

 Eposin e tij Haxhi Shehreti e shkroi në gjuhën greke dhe  njihet si “Alipashias”. Në një shkrim  anglisht thuhet se “ eposi ‘Alipashiada’ është përshkruar si epoka e shekullit të XIX, shkruar në gjuhën greke nga Haxhi Shehreti”. Ndërkaq  historiani grek Niku Ziagu, që shkroi  librin historik  “Rezistenca e  suliotëve dhe  Llambro Xhavella”, e përmend  Haxhi Shehretin duke thënë se  “Ai nuk kishte të drejtë që thoshte (në Alipashiada): shiko si e sjell koha,/ si e sollën vitet, /të ushqehet ujku me qengjin,/ gjoni me  bilbilin..”. Sipas Ziagut, në atë poemë glorifikohej shteti, që paraqitej i sigurtë, ndërkaq  diheshin dhe ndjeheshin pasojat e  një “tiranie të pa turp”.

Haxhi Shehreti përfaqëson një urrë midis  kulturës shqiptare dhe obortarisë osmane në Shqipërinë jugore, duke qënë se ishte  shqiptar mysliman  dhe që shkruante greqisht për një udhëheqës shqiptar. Roli i tij  tregon një dimension të kulturës shumëgjuhëshe dhe shumëetnike që ishte praktikë në atë kohë dhe në zonën e jugut, ku  greqishtja konsiderohej dhe ishte gjuhë e letërsisë, osmanishtja  gjuhë e administratës dhe  shqipja gjuhë e popullit.

Poema “Alipashiada”  tregon ,së pasi se  Haxhi Shehreti nuk ishte vetëm një qytetar i zakonshëm, por një person që kishte njohje të mjedisit politik dhe kulturor të kohës dhe, së dyti,faktin që ai zgjodhi fjalën për të reflektuar realitetin e kohës.

Të dhënat e pakta dhe shpesh kontradiktore nuk  qartësojnë shumë aspekte të jetës së këtij njeriu emblemë. Nuk dihet saktësisht datëlindja ,ndonëse , sikundër përmendëm më lart, thuhet se ka qënë  bashkëkohës  dhe në një moshë  rinie  me Ali Pashën. Thuhet gjithashtu se vdiq  rreth vitit 1819  (tre vite  para vdekjes së AP), por  nuk ka të dhëna të sakta për familjen, kush ishte  babai, shtëpia, rruga apo lagjia e banimit në Delvinë. Burime  bëjnë me dije se  ka qenë në oborin e  Aliut të paktën deri në vitin 1912.

 Po më pas?

Sipas një burimi,  në një artikull  që i dedikohet  poemës “Alipashiada”, thuhet  se  Haxhi Shehreti vdiq në vitin  1819 në Shqipëri, ku kishte një post të rëndësishëm  por me të ardhura të pakta. I njëjti burim shpjegon se  vdekja e tij erdhi pasi ishte në varfëri të plotë dhe i verbër. Thuhet, gjithashtu, se kjo  gjendje varfërie  vinte nga fakti se “mbi shpatullat e tij patën rënduar hallet e një familjeje prej 12 fëmijë”, gjë që e çoi atë në fund të jetës,për shkak të një varfërie të skajshme,në një vdekje të heshtur. Thuhet se është varrosur në vendlindje,në Delvinë.

Nga gjithëçka  përmendëm  dhe  cituam rezulton se Haxhi Shehreti është një figurë me shumë vlera njohëse, që kontriubon në trashëgiminë kulturore të Delvinës, si një vend me personalitete të rëndësishme. Vepra dhe përmendjet  për të ndihmojnë në njohjen  dhe qënien krenar për historinë e këtij vendi.

 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page