top of page

Pak Platon


Pak Platon

Astrit Lulushi


Filozofi i lashtë Platon është autor i veprave filozofike me ndikim të pashembullt në mendimin perëndimor. Ai ishte student i Sokratit dhe mësues i Aristotelit. Shkrimet e tij eksploruan drejtësinë, bukurinë, barazinë, dhe përmbajnë diskutime në estetikë, filozofi politike, teologji, kozmologji, epistemologji dhe filozofi të gjuhës. Platoni themeloi Akademinë në Athinë, një nga institucionet e para të arsimit të lartë në botën perëndimore. Vdiq më 348 pes.

Për shkak të mungesës së burimeve parësore, pjesa më e madhe e jetës së Platonit është ndërtuar nga studiuesit përmes shkrimeve të tij, të bashkëkohësve dhe historianëve klasikë. Vlerësimet e historisë tradicionale thonë se Platoni lindi rreth vitit 428 pes, por shumë studiues modernë, duke gjurmuar ngjarje të mëvonshme në jetën e tij, besojnë se ai ka lindur midis viteve 424 dhe 423 pes. Të dy prindërit e tij vinin nga aristokracia. Babai i Platonit, Ariston, rridhte nga mbretërit e Athinës dhe Messenisë. Nëna e tij, Periktone, i përkiste familjes së mbretit Solon.

Disa studiues besojnë se emri "Platon", që do të thotë ‘shpatull’ ishte pseudonim, për shpatullat e tij të gjëra. Edhe kjo është e mundur.

Si me shumë djem të rinj të shtresës së tij shoqërore, Platoni mori mësime nga disa prej arsimtarëve më të mirë të Athinës, që në programet e tyre përfshinin doktrinat e Kratylusit, Pitagorës, dhe Parmenides. Këto ndoshta ndihmuan në zhvillimin e bazës që Platoni të studionte metafizikën (studimin e natyrës) dhe epistemologjinë (studimin e njohurive).

Babai i Platonit vdiq kur ishte i ri, dhe nëna e tij u rimartua me xhaxhain e saj, Pyrilampes, një politikan athinas dhe ambasador në Persi. Platoni besohet të ketë pasur dy vëllezër, një motër e një gjysmë vëlla. Shpesh, anëtarët e familjes së Platonit shfaqen në dialogët e tij. Historianët besojnë se ky është një tregues i krenarisë së Platonit për prejardhjen e tij familjare.

Si djalë i ri, Platoni përjetoi dy ngjarje të mëdha që i dhanë drejtimin jetës së tij. Njëra ishte takimi me filozofin e madh Sokrat. Metodat e dialogut dhe debatit të Sokratit e mahnitën Platonin aq shumë sa që shpejt ai u bë bashkëpunëtor i ngushtë dhe ia kushtoi jetën virtytit dhe formimit të një karakteri fisnik. Ngjarja tjetër domethënëse ishte Lufta e Peloponezit midis Athinës dhe Spartës, në të cilën Platoni shërbeu për një kohë të shkurtër. Humbja e Athinës i dha fund demokracisë, të cilën spartanët e zëvendësuan me një oligarki. Dy nga të afërmit e Platonit, Charmides dhe Critias, ishin figura të shquara në qeverinë e re të Tridhjetë Tyrantëve, sundimi i shkurtër i të cilëve shtypi ashpër të drejtat e qytetarëve athinas. Pasi oligarkia u rrëzua dhe demokracia u rivendos, Platoni shkurtimisht konsideroi një karrierë në politikë, por ekzekutimi i Sokratit në 399 pes, bëri që ai t’i kthehej studimeve dhe filozofisë. Pas vdekjes së Sokratit, Platoni udhëtoi për 12 vjet në të gjithë rajonin e Mesdheut, duke studiuar matematikë me Pitagoreasit në Itali, dhe gjeometrinë, gjeologjinë, astronominë dhe fenë në Egjipt. Gjatë kësaj kohe, ai filloi shkrimet e tij. Ekziston një debat midis studiuesve për rendin e këtyre shkrimeve, por shumica besojnë se ato ndahen në tre periudha. Apologjia e Sokratit duket se është shkruar menjëherë pas vdekjes së Sokratit. Tekste të tjera në këtë periudhë përfshijnë dialogjet, ku Platoni përpiqet të përçojë filozofinë dhe mësimet e Sokratit.

Në periudhën e dytë, Platoni shkroi mbi idealet qendrore të drejtësisë, guximit, mençurisë dhe moderimit të individit dhe shoqërisë. Republika u shkrua gjatë kësaj kohe me eksplorimin e qeverisjes së drejtë nga mbretërit filozofë.

Në periudhën e tretë, Sokrati zhvendoset në një rol më të vogël dhe Platoni i hedh një vështrim më të ngushtë ideve të tij të hershme metafizike. Ai eksploron rolin e artit, duke përfshirë vallëzimin, muzikën, dramën dhe arkitekturën, si dhe etikën dhe moralin. Në shkrimet e tij mbi Teorinë e Formave, Platoni sugjeron që bota e ideve është e vetmja konstante dhe se bota e perceptuar përmes shqisave është mashtruese dhe ndryshuese. Por besohet se ishte Aristoteli, shpikësi i logjikës moderne, që do t’i kundërvihej teorisë së dy botëve.

Kështu, mund të thuhet se bazat e filozofisë perëndimore u hodhën nga Sokrati. Platoni ishte studenti i tij më i mirë, i cili do të mësonte Aristotelin dhe ky do të mësonte Aleksandrin e Madh, që u bë kurora e këtij trinomi.


29 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page