top of page

Origjina e këngës iso-polifonike


Origjina e këngës iso-polifonike dhe ballafaqimet rreth saj- një libër i Timo Mërkurit


Kohët e fundit poeti dhe studiuesi i mirënjohur sarandit Timo Mërkuri botoi librim “Origjina e këngës iso-polifonike dhe ballafaqimet rreth saj” në vazhdën e botimeve të tij në studimin dhe mbrojtjen e këngës sonë “vënçe” të çertifikuar nga UNESCO si “Kryevepër shpirtërore e njerëzimit” me termin në gjuhën angleze “Iso-polifoni”, që në shqip ka kuptimin “Polifoni me iso”.

Studiuesi Mërkuri i kushton rëndësi faktit që kënga jonë iso-polifonike (polifoni me iso):

1-është shqiptare sepse ka lindur në trojet shqiptare në periudhat para-ilire dhe ka përhapje mbarëshqiptare, madje çdo krahinë ka variantin e saj të këngës polifonike me iso dhe çdo fshat ka nënvariantin e saj të këngës.

2-është me origjinë shqiptare sepse ka lindur nga shndrimi i ligjërimit vajtimor shqiptar në këngë, duke kaluar nëpër versionin e logatjes dhe ka për bazë rritjeje dhe zhvillimi familjen tradicionale shqiptare.

3-është vetëm shqiptare pasi asnjë popull nuk ka këngë polifonike me iso, madje as fqinjët tanë këngën e tyre polifonike nuk e kanë me iso, ose e këndojnë me iso vetëm në ato treva ku banojnë shqiptarët ose pasardhësit e tyre (arvanitasit, arbëreshët etj).

Si bazë themeli kënga polifonike me iso ka iso-n, traditë dhe term vetëm shqiptar, përkundër termit “polifoni” që është i huaj.



Si e tillë autori hedh poshtë pretendimet dhe teorinë e pabazuar dhe shumë të dëmëshme se gjasme kënga jonë polifonike me iso ka lindur në Labëri, nga popullsia labe dhe baza e saj është variant lab i këngës, prej nga e morën krahinat e tjera. Sipas kësaaj teze ngushtohet hapësira e këngës polifonike me iso në trevën e labërisë, ulet mosha e saj nga periudha e hershmërisë parailire në periudhën e mesjetës dhe zbehet vlera e saj si një krijim shpirtëror. Autori shpjegon se varianti lab i këngës është një “degë” e këngës polifonike me iso ( vençe), madje duke analizuar strukturën e këngës labe dhe duke e krahasuar me këngën himariote, çame apo të skraparit studiuesi arin në përfundimin se varianti lab është variant më i ri i këngës sonë polifonike me iso.

Studiuesi Mërkuri hedh poshtë tezat e sajuara se:

-kënga jonë “vënçe”e ka origjinën nga “koret kishtare bizantine” duke argumentuar se kënga kishtare bizantine është e mëvonëshme, pse ka lindur në shek IV të erës sonë, ndërkohë që kënga jonë në këtë shekull kishte aritur nivele të epërme të saj. Jo vetëm kaq, por argumenton se është pikërisht kënga kishtare bizantine ajo që ka huazuar nga kënga jonë polifonike me iso dhe përmend këtu ndikimin e durrsakut Jan Kukuzeli te kënga kishtare.

-kënga jonë e ka origjinën nga kënga e “sirenave greke” duke argumentuar se: sirenat janë mitologji ndërsa kënga jonë është realitet dhe se sirenat nuk janë “vetëm” greke. Kujtojmë “sirena e vogël” e Andersenit.

Autori shpjegon se muzikalisht iso-polifonia përbëhet nga polifonia dhe iso, ku polifonia përbëhet nga shumë zëra solo (poli+foni) dhe këta zëra solo janë marësi, pritësi dhe hedhësi të bashkuar. Iso nuk është zë solo i këngës, ai është zë grupi dhe përfaqson miratimin popullor që i bëhet polifonisë.

Një kapitull më vete zë në libër debatet e autorit me disa intelektualë që kërkojnë të ndryshojnë termin “iso-polifoni(polifoni me iso) në UNESCO për ta quajtur vetëm “polifoni” si gjithë këngët e popujve të tjerë, duke i eleminuar tiparin dallues nga popujt e tjerë të këngës sonë dhe sidomos duke i hequr nga emërtimin termin shqip “iso” dhe duke e lënë me një term të huaj dhe të përgjithshëm.

Replikat e autorit Mërkuri dallohen për thellësinë e mendimit, drejtësin e konkluzioneve dhe saktësinë shkencore.

Libri “Origjina e këngës iso-polifonike dhe ballafaqimet rreth saj” është shkruar me një finesë e kulturë qytetare dhe të tërheq në leximin e tij.

Agron Mema

01 gusht 2023

34 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page