ORAKULLI KOÇO QENDRO...


KOÇO QENDRO DHE MIHO GJINI

Intervistë nga Miho Gjini "Mjeshtër i Madh"


E vura veten në rolin e një njeriu pagan dhe vajta të falem në emër të Hyjnive që krijuan edhe TEATRIN, si një tempull të shenjtë.Jam munduar ta bëjë këtë gjithë jetën time, duke shkuar para tempujve të teatrit me shpirt të pastër. Jam emocionuar, qarë e qeshur, e jam falur me zemër në dorë para atyre që i kam quajtur "Orakull". Kështu,pa i përmëndur një e nga një, shëmbëlltyrat, në të dalë të Pandemisë, u ndodha në Delvinë e mbështeta dorën e zemrës tek busti i aktores Hajrie Rondo, së sapo ngritur dhe ja ku jam tani, para Delvinjotit tjetër: KOÇ QENDRO në Korçë, si të jem para një orakulli: të aktorit 95 vjeçar, që afroi shekullin në skenën e tij e po merrë përmasat e një të shënjtëruari, vetëm me nje rol, me Harpagonin e Molierit, si dikur Servantesi Spanjoll me "Don Kishotin e Mançës!" që ndeshej me mullinjtë e erës! * * * -Koço i dashur, jemi këtu, në këtë vënd të bekuar të Kishës së"Shën Gjergjit", ngritur që në vitin 1905 e prishur nga barbarët më 1971-shin,-edhe pse tani në një lulishte, për të folur me ty, si para një "Orakulli", po edhe si dy Delvinjotë të mirë, ti nga Senica e Rrëzomës e unë nga Piqerasi i Bregut të Detit... - Mirësemëkeardhur në derë e na u shtoftë jeta të dyve, se jemi vërtetë nga një "oborr", që dikur i përfshinte një administatë e që venim e vinin gjithë jetën. Se ishim një vrap pele largë!Ju piqerasiotët tek ne vinit dhe e bënit pazarin, herë me kafshë e herë me këmbë... - Kur leve Zotrote? -Më 5 të mjit, të motit 1927. Po në Delvinë e kam marrë erën e jetës, si fëmijë këmbëzbathur e herë me opinga llastiku veshur gjersa u bëra për shkollë e hoqa llastiqet e zogjve nga qafa! Qe kohë luftërash atëhere e nuk na qeshte buza shumë. E, sa u bëra 16 vjeç djalë, dola partizanë me shokë bashkë. -Të përfshin idealet e komunizmit edhe tya, o artist i lindur për artist?! -As që e dija se ç'është komunizmi, po dola malit, si të isha në një ëndër që feksi përpara syve... - "Me ideale ne gji",-si thotë edhe kënga, apo jo? --Ç'thua morre...Më përfshiu vrulli i atëhershëm..I riu si veriu. Mpleksur me ca trima që i pata shok të afërt e moshatar,-midis tyre edhe me Mitro Xhanin nga Piqerasi yt, me Memo Meton e me djalin e Jaho Gjolikut, Aliun, që u vra në kodrat e Shën Vasilit. Djem e shkuar djemëve. Trima të çartur. Që nuk e kursyen kurrë jetën e tyre për një ideal të pastër gjaku e vëllazërie... -Dhe e vazhdove jetën ushtarake edhe pas çlirimit të vëndit? -Po. Me gradën toger. Më emëruan si Shef i Shtëpisë së Oficerëve në Kavajë e më pas në Elbasan , deri në vitin 1953, kur kërkova vetë që të largohem nga karjera ushtarake.. -Po pse?..Si ndodhi kjo "hata"? -Nuk më pëlqente koburja në brez... Gjatë luftës i doja armët. Shumë herë i shkrepja në ajër, po kisha parë edhe sesi i'a drejtuan armën një shokut tonë e na i vranë pa gjyq fare.Më diktuan që në brez mbaja vetëm kllëfin e kobures dhe më leqendisën në një mbledhje, kur dikush më kishte propozuar të bëhesha komunist me tesër. Një tjetër tha edhe këtë: sikur gjatë provokacioneve të pasluftës në afërsi të Bilishtit, më ishin "dridhur këmbët nga monarkofashistët"!..E, pasi më thirrën edhe në një zyrë të veçuar të më "këshillonin", menjëherë e bëra "Kërkesën e Lirimit". Po pata edhe një arësye tjetër: Kisha parë në Bulevardin e Korçës një vajzë që më pëlqeu shumë e doja ta bëja shoqe jete... -As ajo,besoj, nuk e pëlqente koburen në brezin e uniformës tënde të oficerit?! -As ajo! Dhe ngaqë më ishte fiksuar në mëndje e në shpirt, ajo vajzë, nuk ma merrte mëndja se do kthehesha i gjallë nga Bilishti. Po Perëndia qe me mua, u ktheva dhe u fejova menjëhere me të! -Dhe hodhe rrënjë në Korçë që atëhere, ti Delvinjoti im? -Po.Fillimisht në Maliq, në Klubin e Bashkimeve Profesionale. Atëhere bënim estradë e provova të shkruaja e të lozja vetë në skenë, bashkë me Aleko Prodanin e më dukej vetja se lozja nën hijen e një lisi. Disa vite më vonë do të kuptoja edhe pse vinte si i trëmbur Alekoja. Kishte një "kleçkë në biografi" i ziu djalë që vdiq në skenë,duke interpretuar! -Edhe njohja ime me ju të dy, si artista estrade, prej këndeja fillon,-me sa me kujtohet , kur ju erdhët në një Festival të Estradave Profesioniste e Amatore që u zhvillua në Tiranë në mesin e viteve 60 të shkullit të kaluar, ku spikatën Melpomeni Çobani e Enver Dauti nga Estrada e Shtetit, Skender Sallaku e Koço Devole nga Estrada e Ushtarit, Tano Banushi nga ajo e Shkodrës, Myqerem Fera e Kruta nga Estrada e Vlorës, Ramazan Njala, Spiro Strati e Aishe Stari nga Estrada e Durrësit,Theofil Haxhijani nga Estrada e Sarandës dhe Koço Qendro e Aleko Prodani nga Estrada e Korçës. Kështuqë, jo vetem që të kishin bërë profesionist në estradë, qerata, po rrëmbeve edhe çmimin si aktori më i mirë i gjithe këtyre artistëve të humorit, bashkë me Melpomeni Çobanin nga aktoret..... -Po. Dhe fill nga ajo kohë, ne të dy, unë me Alekon, do të "gradoheshim" si profesionista nga Estrada e Qytetit të Korçës. Fillimisht me regjinë e Aleko Skalit, pastaj me atë të Thimi Filipit, gjersa erdhi nga shkolla e parë aktorëve që u hap në Tiranë Raqi Çili, me të cilin u vunë në skenë 17 premjera. -Po kalimi yt në Teatrin Profesionist, kur do të bëhej? - Me ardhjen e Piro Manit nga studimet e tij në Moskë. Ai më zgjodhi për personazhin krysor të komedisë së Shekspirit "Nata e Dymbëdhjetë", Sër Endriun, që u dha me shumë sukses e që pastaj u ndalua si shfaqje, nga Kontrolli Punëtor e Fshatar, që u krijua atëhere me porosi direkte të Udhëheqësit të asaj kohe, kundër ndikimeve borgjezo-revizioniste. Ata thanë se me pjesë të tilla mund të dëfrejë vetëm borgjezia! E, kur erdhën edhe brënda në teatër dhe e panë Piro Manin me flokë të gjata, thanë se, që nga regjisori dukeshin ndikimet e borgjezisë! Dhe e urdhëruan atë që të qethej! -Dhe e qethën ata?! -Pirua nuk pranoi. Ndërsa populli i Korçës e kërkonte shfaqjen me insistim që të jepej. Atëhere u gjënd një "kompromis" me Piron brënda Teatrit. Trajçia që dinte të qethte, i'u lut atij t'i merrte pak anët e flokëve me një gërshëre që e kishim në Robaqepësinë e Teatrit. Unë i'u afrova pranë atij dhe i thashë me zë të ulët se tani, kishte mbetur të kërkonin të qethnin edhe autorin e komedisë, po ta shihnin fotografinë e Shekspirit, me flokët më të gjata se të Piro Manit, që "ta kërkonin të gjëndej" e të qethej ehe ai "borgjez i fëlliqur" .Hahahahahahaha -Pra, ky do të ishte roli yt i parë si aktor i teatrit? -Jo. Roli im i parë, që do të quhet edhe i fundit për mua ishte e mbeti Harpagoni i Molierit që do të vihej tre herë në skenë, në kohë të ndryshme nga regjisori Dhimitër Orgocka. Po, brënda kësaj periudhe kohore do të kisha role të ndryshme, si personazhe e karaktere njerëzor, sikundër ishin: roli i Kardinalit në pantomimën "Timonieri i Zotit", Liu Si Tungu në komedinë "Bota e tretë", Kiçka në komedinë " Kur komandojnë gratë", Shaba në komedinë "Aroganti"e tj. Pata role edhe në filmat tanë, me personazhe të tilla të karakterit, sikundr qenë Shefedini në filmin "Përballimi", Aleks Xinxa në filmin "Vendimi", Aleks Lili në filmin "Agimet e stinës së madhe"e Tosuni në filmin "I teti në bronx", Por, duke nisur nga viti 1978 "KOPRACI" do të mbetej si repertotri im më jetëgjatë e i përjetshëm. Nje tragjedi njrëzore që e bënte popullin të qeshte,- siç e cilësoi atë regjisori Sokrat Mio që kishte studjuar në Akademin Teatrore të Parisit, kur e pa shfaqjen tonë! -E di këtë. Qe një fat, jo vetëm për ty , po për gjithë Teatrin Shqiptar, prania e dy vëllezërve Mio, e Sokratit si regjisor i veprave klasike, edhe i të vëllait, Vangjushit, si piktor e skenograf. -Po, kur e bëra rolin para tij, dridhesha i tërri e u mbyta nga djersë të nxehta... Kulloja kur dola para tij."Paske djersitur,-tha ai, me një buzëqeshje të lehtë. Po ky rol nuk mund të bëhet pa u djersitur! Po nuk je keq, jooo, bile e bën shumë mirë këtë rol!". Kaq doja unë, që ta përsosja rolin tim nga shfaqja në shfaqje. Dhe vajtëm me frikë në Shkodër, për ta dhënë shfaqjen, sepse aty e kishte lozur aktori i tyre Zef Jubani me shumë sukses. Po, kur e pa Bep Shiroka, tha se ne " e kishim qarë fare!" dhe u "thyen dyert" që komedia të jepej 17 netë me rradhë". Po vulën do e vinte vetë Ambasadorja e Francës në Tiranë Marisa Dande, kur e pa të plotë shfaqjen në vitin 2019. "Sikur ta dinte Molieri,-tha ajo, se Harpagonin e tij e kishte të plotë këtu në Korçë, do të lumturohej!" -Sa here është dhënur kjo shfaqje? -364 here!,Disa nga personazhet largoheshin nga jeta, po unë mbeta, sikur te mos donte vetë Molieri që shfaqja e komedisë së tij të mos mbetej jashtë repertorit. Atë e pa e gjithe Shqipëria , në një turne të gjate, qytet me qytet,. Vetëm në Vlorë u dhane 24 shfaje , pa nderprerje, ndërsa në Durrës 16. Dhe rradha për biletat zihej që në orën 5 të mëngjesit" -Te kam ndjekur, miku im, gjatë karjeres tende e të kam kujtuar edhe kur më syrgjynosën, si një artist e njeri të përkor, gjithmonë elegant , me edukatë qytetare e me kulturë, edhe pse nuk munde të ndiqje shkolla te larta. Po asnjëhere nuk ke qënur i qete, si aktor, po edhe si krijues, autor i qindra skeçeve e i disa libreteve në estradën tuaj, po edhe i disa librave me karakter letrar, po edhe i disa monografive per teatrin e kolegët e tu. Nuk te zinte gjumi edhe per arshivën mandejë. Per ty Teatri ka qene gjithmonë si një TEMPULL I SHENJTË! Po, a nuk te duket se shteti, sikur mënjanohet, i mbylli estradat që populli i donte dhe sikur i "hoqi nga qafa e vetë" teatrot? Përse vallë, kjo rrënie e interesit? -Ç'të them! Estradat "fluturuan", po edhe Teatri ka mbetur keq, si të ishte "i njerkës!",rrethuar nga vështirësi të mbijetesës! Le të behen edhe eksperimente, po të mbetet teatri, si shprehje e jetës, e figurës njerëzore.