Optika qytetare dhe pozicioni intelektual i FATMIR TERZIUT


Kristaq Turtulli

Optika qytetare dhe pozicioni intelektual i FATMIR TERZIUT

Mendime për romanin ‘Grykës’ të shkrimtarit Fatmir Terziut

Kristaq Turtulli



Kam lexuar mjaft këto vitet e fundit mbi aktivitetin e rëndësishëm dhe përkushtimin intelektual të Fatmir Terziut. Një punë voluminoze, kritikë, analitike dhe studimore në shërbim të artit dhe të kulturës Shqiptare. E kam përshëndetur me shumë dëshirë dhe respekt aktivitetin e tij voluminoz, të papaguar por të një rëndësie të veçantë.

Dikur një ndërmarrje, një nismë të tillë organizohej nga institucionet shtetërore. Kish objekt dhe rëndësi të interesave të kohës. I shërbente me besnikëri qëllimit të atyre që e organizonin dhe drejtonin. Gjithsesi edhe nën presion politik dolën vlera të padiskutueshme dhe të pamohueshme. Arti i mirë me cilësi u reziston kohërave, lulëzon edhe në shkëmb.

Sot gjithçka është krejtësisht ndryshe. Ndodhën ndryshime të mëdha të mendësisë dhe të sistemit. Të dëshirës për progres, për të njohur botën, për tu pasuruar. Për të shkundur nga supet mykun e kohës. Të përshpejtimit, të amullinë dhe pështjellimin të periudhës së tranzicionit. Nuk është shumë e lehtë të përshtatesh. Të pranosh pa kompromis realitetin, të jesh i kthjellët, objektiv dhe i paanshëm.

Me ndryshimin e sistemeve sigurisht që ndryshoi optika, problematika, këndshikimi, u rit komunikimi, kërshëria. Molla e ndalur prej shumë vitesh u prek dhe u kafshua prej të gjithëve. Ndërkohë bota u bë çuditërisht shumë e vogël. Vërshoi letërsia, piktura, në atdheun mëmë, por edhe në mërgim. Në të gjitha skajet e globit, ku mundën dhe shkuan shqiptarët, por që mbartnin pas vetes një varg me ndjenja, përshtypje, dhembje, shqetësime, kujtime dhe mendime. Letërsia nisi të shkruhej e zhveshur nga kornizat e ngushta. Shitësve librarive u merret fryma, nuk mund të lëvizin prej peshës së madhe të librave. Por nuk mund të thuhet se çdo gjë që shitet dhe gjendet nëpër librari është grurë i cilësisë. Aty mund të gjesh shumë barishte që shiten për grurë, dhe misër, urof, tërshërë a ku di unë.

Ndërkohë përmbysen kultet e vjetra ngaqë i ka lodhur në vite e vite shkëlqimi i tyre. Ngrihen artificialisht dhe individualisht mbi këmbëza druri të pa latuar mirë, kulte te reja.

Kuptohet krijuesit kanë nevojë të shprehen, të pasqyrojnë jetën, ndryshimet, ngjarjet, emigracionin e madh, të shkuarën dhe situatat që përjetojnë. Gjithashtu lind nevoja se ata me pa tjetër duhet të gjykohen dhe të vlerësohen me paanësi dhe dashamirësi nga njerëz të kualifikuar për krijimtarinë e tyre, kur kanë vlera.

Pra ndjehet gjithnjë e më tepër nevoja e gjykimit dhe e evidentimit të kësaj kulture, arti dhe letërsie. E cila ka nevojë për seleksionim dhe përgjegjësi qytetarie. Kjo çështje mendoj se është shumë e rëndësishme, mbasi heshtja e mendimit intelektual dhe të kualifikuar u lejon, u hap udhë prishjeve të shijeve estetike, cilësisë, nuk vlerësohet e realja dhe e vërteta. Në rrjedhën e pandalur të viteve, brezat lëvizin, rriten, ndryshojnë , por kanë nevojë të mësojnë.

Një rol të rëndësishëm në këtë fushë, për evidentimin dhe pasqyrimin, të mendimit kritik të letërsisë. Me punën këmbëngulëse dhe voluminoze sigurisht që e ka intelektuali dhe krijuesi Fatmir Terziu.

Para disa ditësh më ra në dorë romani ‘Grykës’ I shkrimtarit Fatmir Terziut. Mërguar si shumë të tjerë, vite më parë në Angli. Libri është botuar në Shqipëri më 2010, nga shtëpia e njohur botuese ‘Lulu.

Me shumë dëshirë fillova ta lexoja librin ‘Grykës’.

Romani ‘Grykës’ qysh në titull duket intrigues. Të krijon menjëherë përshtypjen e etjes për përlarë gjithçka me grykësi përbindëshi. Paçka se në kopertinë prehet një femër e bukur gjithë pafajësi.

Romanin ‘Grykës’ e lexon me ëndje nga faqja në faqe dhe është një libër bashkëkohor, interesant, i shkruar me kulturë, dhe përgjegjësi qytetarie. Libri ka intensitet, me digresione, kalime situatash, sjellje në kohë. Përshkohet në të një ankth i fshehur, që lëviz si eter nën dhe e nën lëkurë. Ky makth të merr me vete hap pas hapi në rrjedhën mëtejshme të ngjarjeve. Personazhet në libër paraqitin situata dhe momente të caktuara në funksion të shtjellimit dhe të qëllimit të autorit. Aty ku është dëlirësia, ndjenja intime, puthja, fshihet pasiguria, grykësia. Një teh i mprehtë, gjendet ndehur në erë.

Autori është i saktë, i kujdesshëm, inteligjent, vëzhgues në trajtimin dhe shtjellimin e veprës. Optika e tij e shikimit është e koncentruar në atë mesash të rëndësishëm që do të përcjellë tek lexuesi i sotëm i kualifikuar, i cili nuk pranon zgjatime dhe përshkrime të panevojshme. Grykësia nuk është diçka e pakapshme, ajo gjendet kudo nën lëkurë dhe ka një neps të papërballueshëm, për seks, pushtet dhe para. Fuqia e fshehur e grykësit ka pasoja fatale për jetën e njeriut dhe të shoqërisë. Diktatura është e mostër sikundër dhe grykësia sepse është pjellë e saj dhe sëmundje gërryese e demokracisë.

Romani ‘Grykës’ i shkrimtarit Fatmir Terziut përcjell tek lexuesi me finesë dhe vërtetësi ngjarje të ditës, të rëndësishme të periudhës post komuniste në të cilën po jeton vendi ynë. Fill pas trazirave paradoksale dhe aq shkatërruese për vendin tonë.

Të gjithë e përjetojnë situatën dhe gjendjen e sotme, por e rëndësishme është se sa je i aftë ta pasqyrosh, të jetë lexueshme, të lërë mbresa, ta përjetosh dhe të nxjerrësh mësime nga një vepër. Sepse ky është dhe vetë misioni i krijuesit, përcjellja dhe demaskimi në mënyrë emocionale i vesit, korrupsionit, banalitetit, falsivitetit, frikës, poshtërsisë.

Të shkruash thjesht dhe me sens do të thotë të shkruash bukur.

Qysh në hyrje të librit, gati si rastësisht nëpërmjet një bisede në dukje e thjeshtë, me të rëndomtën dhe delikatesën e moshës, midis disa vajzave të reja. Autori Fatmir Terziu me penelata të shkathëta, fraza të sakta ,të rrjedhshme hap ngadalë dhe me kujdes siparin. Na paraqet gjendjen, korrupsionin, degjenerimin, prostitucionin, frikën, vuajtjen e brendshme shpirtërore në të cilën ndodhen vajzat e reja dhe shoqëria e lodhur aq tepër me përmbysje dhe çmenduri nga periudha e stërzgjatur e kalimit nga një sistem në një sistem tjetër.

Në instancat më të larta të shtetit dhe të rendit gjendet gangrena e korrupsionit. Ajo endet, shtrihet dhe përtej kufijve të shtetit mëmë, në Maqedoni, Kosovë. Metodat dhe format janë të ndryshme, përfundimi është i njëjtë: ligësia dhe etja e shfrenuar, pa marrë parasysh asgjë. Por jo për të shuar kureshtjen e lexuesit, përkundrazi për ta ndezur atë, për të ndjekur me kujdes zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve.

Vajzat e reja duan ngrihen mbi të rëndomtën, të neveritshmen dhe të protestojnë. Mbasi janë ato të parat që e pësojnë për tu pasuruar dhe shuar epshet mbi supe dhe në trup.

Një sërë personazhesh të shfaqen përpara syve. Ata janë të portretizuar, të dhenë me vërtetësi dhe me detaje të sakta. Ja si e paraqet autori njërën prej tyre:

’Një njollë rozë dhe tejet delikate i shfaqej në faqen e majtë të saj. Goja e saj e plotëqeshur me një kërshërinë tërheqëse të bënte më tej të përhumbje. Ai mori frymë thellë e shumë shpejt. Rrëmbimthi nxori, ndoshta më shumë ajër nga sa thithi në çast. Ta dinte që ishte kaq e bukur kjo Monda Huta.’

Bukuroshja Monda Huta është një nga personazhet më interesante të librit të përshkruar prej autorit me dashuri. Ajo është një vajzë e zgjuar që përpiqet të ketë dinjitet, ta ruajë të pastër dashurinë në këtë amulli të pakuptimtë, ku njeriu për njeriun është ujk.

Personazhet në librin: ‘Grykës’ paraqesin shtresa dhe mendësi të caktuar. Të cilët jetojnë, lëvizin, ëndërrojnë, meditojnë, bëjnë të pamundurën për të plotësuar egon e tyre, duke mbartur mbas vetes të shkuarën afërt dhe të largët. Nuk është e lehtë që njeriu të shkëputet aq shpejt prej së kaluarës.

Nga kapitulli në kapitull paraqiten ngjarjet dhe situatat, me meditime dhe intensitet. Çifti Monda Huta dhe Tritan Begu përshkojnë në libër një linjë dhe zënë në vend të veçantë të tipizuar me vërtetësi. Të dy janë të dashuruar, i jepen njëri tjetrit, gjenden shumë pranë, nën presionin e së keqes përpiqen për realizuar më të mirën.

Ulko Copia është personazh interesant. Gjetja e kaut rrëmbimi dhe vendimi i të atit për ta bërë pastërma. Mbasi e kaluan kaun në provë. Protesta e heshtur e Ulkos për të mos e lejuar të bijën të shkojë aksioneve. Ai shkoi dhe u paraqit vete në sheshin e nisjen së vullnetarëve.

Personazhi i Subit, shefit të policisë është intrigues, dhenë me kujdes, i paskrupullt, tipik, i ardhur nga llumpeni, për tu ngjitur në karrierë dhe për tu bërë i pasur. Lidhja me të bijën e sekretarit të partisë përbën një shkallë ngjitjeje. Enigma e Zotit X, telefonatat e mugëta. Mbas tij fshihen të tjerë, që mbartin në mot të errët një thes me eshtra. Ja si e përshkruan autori:

‘Dy re u shfaqën menjëherë në qiell kur thesin e zi të mbushur plot me eshtra e plasën dy mushamaveshur në qoshin e asaj godine të braktisur vitesh. Dy retë e zeza në fakt vetëm sa imituan krokamën e korbave, që u shfaq, u dëgjua dhe u shua pas Kodrës së Mavijosur. Pastaj, e gjitha u tendos nën një thupër të zjarrtë, që u shkëput nga qielli e përfundoi aty ku zëri i kambanave dëgjohej çalë.

Pas tyre vjen fuqia absolute e ndëshkimit, në se prishet marrëveshja. Primitivizëm shtazarak i kohëve moderne. Të tjerë lëvizin në terr, përfaqësojnë regresin, janë grykës dhe nuk kanë asnjë shenjë njerëzore, mbasi grykësia të tjetërson. Të paditurit, të paparët dhe të tërbuarit janë më të rrezikshëm se bishat.

Konfuci i lashtë ka thënë: ‘Ruaju të pangopurit e të pushtetshmit më shumë se tigrit.

Natyrshëm të vjen mendimi se grykësia u ngjan metastazave të kancerit që mbështjell trupin e brishtë të shoqërisë të dalë prej një sistem të egër diktatorial dhe po shkon mbështetur mbi paterica drejt një sistemi tjetër. Por që i duhet të përshkojë një urë të gjatë për tu bërë vërtet vend demokratik. Krahët e metastazave lidhen, vijnë nxitimthi nga shumë skaje, anë dhe labirinte: inferioritetit, egoizmit, etjes për revansh, për pushtet. Kur njeriu del papritmas prej errësirës në dritë dhe ku elementet e shfrytëzimit dhe të shpërdorimit janë të skajshme.

Autori nuk hyn në hollësi të shtjellimit të ngjarjeve ai e lë të kuptohet. Janë zhdukur shumë vajza. Njëra prej tyre fatkeqja dhe naivja Mendo Bogjas që e donte aq çiltërsisht Subin, u gjend e mbytur në breg të detit, pranë saj u gjend ora e Subit, në një vajzë tjetër në ADN doli sperma e tij.

Në mbyllje të librit autori lë një dritë shprese. Një kontradiktë që ndodh, ku forcat e mirëfillta janë gjithnjë në pritje për të gjetur një udhëzgjidhje. Në Shqipëri krahas zhvillimeve të përshpejtuara, kristalizohet dhe një mendësi e re e cila shpejt a vonë do të jetë promotorë e zhvillimeve të mëvonshme të ngjarjeve. Uji që të pastrohet dhe të bëhet i pijshëm e kërkon dyzet guriçka. Dhe të shihet një progres, zhvillim dhe përparim e kërkon një kohë, duke mbartur mbas vetes besimin. Kjo shihet në dy propagandistët kryesorë të librit: Monda Huta dhe Tritan Beku.

#KRISTAQ #TURTULLI #grykes  #terziu

21 views

Shkrimet e fundit