top of page

Oda dibrane


Oda dibrane

Këngëtari popullor Qerim Sula ishte një nga emrat e nderuar të Dibrës dhe të muzikës sonë popullore. U lind në Zallë – Dardhë të Dibrës në 12 prill 1951 dhe ndërroi jetë këto ditë. Edhe pse mbaroi shkollën mekanike, ai ishte dashuruar dhe i përkushtuar për muzikën, ndaj që në moshë të re u aktivizua me grupet amatore të Zallë –Dardhës. Ndërsa në vitin 1967 me ansamblin “Dibra”. Një vit më pas në 1968 bën prezantimin e parë në Festivalin e Parë folklorik të Gjirokastrës me këngën e Hazis Ndreut, ku u vlerësua me çmim të parë për interpretimin e tij. Ka marrë pjesë në të gjitha Festivalet Folklorike deri në vitin 2000. Është aktivizuar në mjaft trupa e ansamble si dhe ka qenë pjesëtar i Estradës Profesioniste të Peshkopisë. Ka kënduar në shumë skena të vendit por edhe jashtë shtetit si në Gjermani, Austri, Turqi, Belgjikë, etj. Në vitin 1981 ishte në Kosovë me ansamblin “Kukësi i ri”. Në repertorin e tij ka një numër të madh këngësh epike, duke qenë nga këngëtarët më të suksesshëm të trevës së veriut, i vlerësuar me mjaft çmime e diploma të ndryshme, në aktivitet kombëtare. Prej disa vitesh duke qenë në pension dhe qëndrim në Tiranë, me pasionin dhe shqetësimin e madh për folklorin dhe muzikën e bukur popullore shqiptare, ai kishte mundësinë të linte këtë intervistë për gazetari Abdurahim Ashiku.

Z. Qerim, kur e keni nisur karrierën tuaj si këngëtar? Ka qenë trashëgim nga familja apo dhunti e natyrës?

Qerim Sula: - Karrierën time si këngëtar e më vonë edhe si kompozitor e kam filluar që në moshë të re, në fshatin tim të lindjes, Zallë- Dardhë të Dibrës. Talenti im, në një farë mënyre, buron që nga familja ime, pasi familjarë të mi janë marrë me art dhe me kulturë. Kam kënduar fillimisht me grupet artistike amatore të zonës. Më

vonë, në moshë të re, më çuan në estradën profesioniste të Peshkopisë. Ua di për nder gjithë atyre artistëve të mëdhenj e të apasionuar që ishin me emër e figura të njohura në Dibër. Veçoj një artist të madh që nuk jeton më, Haziz Ndreun, i cili më zbuloi mua si talent dhe më vonë më çoi në Peshkopi.

Si artist, për herë të parë, kam dalë në skenë në vitin 1968, më këngën e Lam Dacit, një luftëtar dibran të cilit i këndohej kënga e kreshnikëve të maleve. Këtë këngë e bëri i ndjeri Haziz Ndreu. Kisha emocion se isha pjesë e grupit të Dibrës në Festivalin e parë të Gjirokastrës, por e realizova me sukses. Salla më priti shumë mirë, më uronin të gjithë dhe unë u hutova fare, se dija çfarë kisha bërë, isha vetëm 17 vjeç. Unë jam ndër artistët e paktë të këngës epike dibrane dhe asaj shqiptare. Gjithë jetën time artistike ia kam kushtuar historisë së popullit të Dibrës dhe të popullit shqiptar. Kam një jetë artistike 30-vjeçare, këngët që kam kënduar unë janë për heronjtë, luftërat, për qëndresën e popullit tonë gjatë shekujve.

Me thënë të drejtën Dibra ka nxjerr artistë të mëdhenj, si Haziz Ndreu, i cili nuk jeton më, një artiste tjetër e madhe është Liri Rasha, regjisori Skënder Cala, Vera Laçi, Arif Vladi, Caje Poleshi me këngën “O Mirë se na erdhe”, e cila u bë jehonë atë kohë, u bë hit i këngës popullore të Dibrës. Të gjithë këto artistë kanë dalë nga Zallë –Dardha, e cila është një vend që me të drejtë e kanë quajtur djepi i artit në Dibër, se aty është thesari i folklorit në Dibër. Zalle - Dardha gjithë Dibrës i ka dhënë kulturën dhe artin, e furnizonte me artistë, këngë e valle. Të shumë janë artistët nga Zall Dardha dhe unë e kam për nder të jem një nga ata.

Pra, para se të merrja pjesë në ansamblin “Dibra” unë kam marrë pjesë në Ansamblin “Kuvendi” të Zall - Dardhës, i dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri”. Atë kohë ky ansambël ishte ndër ansamblet më të shquar, të cilin e drejtonte Xhelal Çerpja. Talentet në Zall - Dardhë nuk kanë munguar asnjëherë ku mund të kujtoj këtu dhe Arif Hysën. Në këtë ansambël të kuvendit u aktivizonin edhe ato që nuk ishin nga zona si, Shaban Mziu, i cili ishte një rapsod shumë i mirë. Më pas shkova në ansamblin “Dibra” dhe atje u evidentova si këngëtar epik, atje vazhdova aktivitetin tim për 30 vjet, në estradën profesioniste të Peshkopisë. Gjatë kohës sime si profesionist kam marrë pjesë në të gjitha Festivalet Folklorike Kombëtare dhe në mjaft aktivitete ndërkombëtare, në takimet midis rapsodëve që organizoheshin në atë kohë e shumë të tjera. Jam dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të pare.

A jeni i kënaqur sot kur hidhni vështrimin pas në karrierën tuaj artistike?

Ishte e vështirë që në atë kohë t’i thoje vetes artist, se duhet të plotësoje shumë kërkesa. Por më e rënda ishte se kënga censurohej. Duhet të përmendje Enver Hoxhën për ndryshe nuk të nxirrte kush në skenë. Por artistët, të gjithë ne së bashku, bënim gjëra shumë të bukura, kompozitorët punonin shumë. Ka pasur kompozitorë të shkëlqyer si Përparim Tomçini, Edmond Zhulali, ata ngelen për mua më të mirët, me të cilët kam pasur shumë sukses. Sot arti ka më tepër liri, por është harruar ajo që buron nga populli, folklori, arti po bëhet biznes. Kënga burimore e veriut ka ngelur pak në harresë, por jo vetëm ajo e veriut po edhe e Shqipërisë. Sot nuk po punohet më me talentet e rinj, madje edhe folklori i popullit po manipulohet, keqpërdoret. Më ven keq që nuk shfrytëzohen aq sa duhet ato burime se populli është thesar i pashtershëm.

Çfarë mendoni për festivalet e fundit folklorike, pasi ju keni marrë pjesë thuajse në të gjitha festivalet në vite?

Festivalet e fundit po mundohen të ruajnë ato vlera që ka populli, por nuk duhet të prishet folklori i popullit, sidomos gjatë përpunimit, siç ka ndodhur në shumë raste, se ai nuk ka vlerë më pastaj. Në të gjitha festivalet apo takimet kombëtare shikoj që nuk po i përpunojnë mirë këngët e vallet e popullit, rrallë herë ia arrijnë suksesit. Populli të bukurën e ka vetë, atë mund ta marrësh ta përpunosh po nuk duhet të prishet e bastardohet. Unë bëj thirrje që të bëhen sa më shumë takime, të bëhen gjëra të bukura për folklorin se ai është arti që ngelet. Bota e ruan me fanatizëm folklorin e vet. Ashtu duhet të bëjmë edhe ne.

Çfarë mendoni për ”Odën dibrane”?


”Oda dibrane” është një dhuratë e artistëve dibranë. Për mua është një vlerë që bëhet çdo vit, në të cilën marrin pjesë artistë nga të gjithë ansamblet, si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Aty tregohen të gjitha vlerat e folklorit të një kombi. Është gjëja më e bukur që është arrirë në këto vite dhe kjo falë drejtorit të Shtëpisë së Kulturës në Peshkopi, Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, kryetarit të Bashkisë, të cilët e kanë mbajtur gjallë jetën artistike të Peshkopisë dhe vetë “Odën dibrane”. Të gjithë biznesmenët kanë investuar për këtë që ajo të ketë vazhdueshmëri edhe në të ardhmen, pasi aty marrin pjesë të gjitha grupet, është një gjë e veçantë dhe një gjë shumë e bukur, pasi në këtë manifestim kulturor tregohen vlerat e Kosovës, e Jugut, e të gjithë Shqipërisë...

Cilat janë disa nga këngët tuaja më të mira ndër vite?

Kam kënduar shumë këngë, në repertorin tim kam mjaft krijime e bashkëpunime me kompozitorë të shquar, por do veçoj këngët “Zot t’i dalim këtij vatani”, këngaeFestivalit të Gjirokastrës në 1983 “Na knojnë pushkët nëpër kulla”, “Bini o ju trajma, bini”, “Ballë për ballë Dibra Dushmani”, “Më ka lind nana mos me vdek”, “Jam shqiptar dhe s’shuhem kurrë” e shumë të tjera të cilat janë disa nga këngët më të mira.

- A keni nxjerrë albume në këto vite?

Po, kam nxjerr një album me këngët e mia më të mira, ndërsa tani po punoj me Edmond Zhulalin për të realizuar diçka tjetër të bukur. Mendoj që të nxjerr një album tjetër dhe shpresoj të dalë me sukses.

- Kush janë disa nga emrat e spikatur me të cilët ju keni kënduar gjatë karrierës suaj të gjatë artistike?

- Unë kam punuar me shumë artistë, por veçoj Liri Rashën me të cilën kam qenë në Estradën profesioniste të Peshkopisë, me Arif Vladin një artist i kompletuar, kam punuar me Vera Laçin një këngëtare shumë e mirë, me Sherif Dervishin, me të madhin Haziz Ndreun, i cili ishte profesori ynë dhe të gjithë ne që dolëm në skenë, është puna dhe djersa e Ndreut.

Cili do të ishte mesazhi apo shqetësimi juaj si artist?

Mesazhi im ka të bëjë me këngën popullore shqiptare, ndaj iu drejtohem kompozitorëve, artistëve, Ministrisë së Kulturës e strukturave të tjera shtetërore e private që ta ndjekin, ta përpunojnë, ta kultivojnë këngën popullore. Të gjurmojnë artin, ta gjurmojnë thesarin e popullit, të nxjerrin në pah të bukurën, të merren me këngën popullore se është e bukura e kombit, pa art e pa kulturë nuk ka komb.

(Intervistoi: A. Ashiku)

74 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page