top of page

Në kujtim të artistit Gjergj Rodhe


Në kujtim të artistit Gjergj Rodhe


Deti më frymëzon, tokën e dua se më rrit drurin që më ushqen



Fatmir Terziu



Takimin me artistin që në Sarandë e quanin ‘Burri që i flet qelqit dhe drurit’ e bëmë jo me pak shpoti në vitin 2009-të. Vërtet kjo ishte një ndjesi. Një ndjenjë artisti që në fjalën e tij, që në shikimin. Etij, që në respektin e tij… Ishte një ndjenjë që burronte nga shpirti i tij. Një ndjenjë që lexohej mes disa detajeve, por ndër më kryesoret ishin dy. Të paktën dy pikasa unë.

Fjalën e tij të qetë dhe duart e tij, që edhe në tryezën e kafenesë buzë detit, dukej se lëviznin duke stiluar qelqin dhe drurin e asaj tabakaje me të cilën kamerierja e bukur na serviri kafenë. E ndërsa ky njeri me dy cilësi të radha, mjeshtri i gdhendjes në dru e në qelq, Gjergji Rodhe, tashmë ka marë lamtumirën e përshpirtjes disa vjet më parë, me qytetin dhe qytetarët që i donte shumë, në mjedise arti dhe në kënde kulture ka lënë pavdekësinë e tij.


Duart ku përthyhej respekti artistik i fjalës


Dhe unë nga larg i shoh ende të lëvizin si atëherë në atë Gusht me vapë, duart e tij të qeta e të palodhura, ku përthyhej respekti i fjalës së nxjerrë me peshën e maturisë dhe pjekurisë. ‘Burri që i flet qelqit dhe drurit’ është vërtet në një kënd të tillë të respektuar, në një kënd ku ai skaliti mjaft vepra të cilat kanë udhëtuar edhe larg kufirit të Sarandës, edhe më tutje Atdheut. Dhe natyrshëm ai ka lënë veç veprës së tij edhe respektin e padiskutueshëm në mjediset kulturore dhe intelektuale të Sarandës.

Teksa shkruaj këto radhë për këtë figurë të skalitur në art, natyrshëm më shkon mendja tek ajo tavolinë e kafe “Bar-Maliqi”, aty ku edhe arti që sillte bisedën e bënte kafenenë të fliste më ngeshëm, të shijonte dyfish. E kujtoj shakanë e Maksit, ndërsa edhe nënqeshjen e tij me një rit vlere e të prekshëm deri në detaj: ‘po kur të zverdhet deti, si do të bëhet?”. Dhe ai me shaka po të tipit të tij shtoi: “Ja do thërrasim dete të tjera në ndihmë të bëjmë ngjyrimin e duhur...”


Nuk e linte pas dore edhe detin


E ndërsa ai ishte i lidhur mjaft me drurin, ai kurrë nuk e linte pas dore edhe detin. ‘Deti është frymëzimi im. Ai më shlodh, druri më ushqen, dhe ndjen gëzim mes tokës që laget dhe rrit drurët e bëshëm....” Dhe unë me respekt kështu do ta kujtoj këtë emër artisti, intelekt, figurë të talentuar të Sarandës.

Gdhendja, punimi artistik, thurja, formësimi i qelq-qeramikës, latimi i drurit, dekorimi i objekteve, e të tjera procese të një arti të veçantë, janë dhe do të mbeten në memorjen time gjatë.

Ai bën pjesë tek ata mjeshtër të rrallë, që në art dinë të gërshetojnë realen me surealen, ndjesoren e spiritualen, me historinë dhe mitologjinë. Një gdhendës në dru, si ai është mjeshtri me duar të arta dhe me mendje të qartë e të pasur. Ndaj ai ishte dhe mbeti i tillë.


Vend-ekspozimin dëshmia e gjallë


Duhet të lëvizja me kujdes, në vend-ekspozimin e tyre, pasi në të katër faqet e murit, në tavan, të varura, në aneks, në paradhomë, mbi tavolinën ku pihet kafe, ishte shenja e lkëtij talenti, që i kalonte të gjashtëdhjetat atëherë. Nuk i pëlqente politika. Madje, nuk i kishte pëlqyer kurrë. Arti po. ‘Doja ta mbushja Sarandën me imazhe artistike. Ishte një duf i brendshëm, që gati sa s’më shpërthente”, më tha ai atëherë, pikërisht atëherë kur kafja jonë mbeti gjysëm e pirë, falë nxitimit për në udhën e largët...


Konkluzion


Dhe unë e di se miqtë e mi të Sarandës, të njohur e të panjohur, e mjaft të tjerë do të kenë bërë detyrën e asaj kafeneje, atij meraku që ndoshta mbeti disi në ajrin e ngarkuar nga vapa. Fryma ende e shijon atë kafe..., ndërsa duart e tij duket se ende bëjnë art, atje lart, ku prehet shpirti i tij i paqtë. Ai e donte kaltërsinë, e donte bukurinë dhe ndaj mbeti dhe fitoi pavdeksinë.

17 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page