top of page

Në honet e Talentit dhe ujësive të Artit të Fjalës në kohë Diktature



(E fjalës dhe e artit të saj, në vend të një interviste miqsh në kohë, vend dhe hapësirë tjetër, sikurse ndodh të jetë me Mjeshtrin e Madh "Miho Gjini")


E përgatiti Fatmir Terziu


Durrësi, në atë cep, dukej si një govatë, ku e lara ishte vetëm një risi e njohur e kripës që kishte mbetur anës zhurmës, pikërisht aty ku ishte ngulur stenda e librit në dritëhije të „Vollgës“. Aty në atë stendë të madhe, edhe pse libri ishte kryefjalë e ditëve të atij Panairi, mjaft domethënës, të organizuar me risi të reja nga poeti Aqif Hysa, hapësirat e vogla kishin vend për ndonjë bisedë miqsh e ndonjë memorje në mjetet e teknologjisë moderne. Dhe biseda si bisedë, dhe fotot si foto, dhe miqtë e letrave si miq të rrinj e të vjetër shkojnë përtej memorjeve në shënime…Me Miho Gjinin, „Mjeshtër i Madh“, dukej sikur e „gurta“ e Athinës kishte lënë pak arsye për të ndjekur një risi të tillë, por që miti tashmë ishte thyer e respekti shënonte atë që i duhet në fakt një miqësie, që duhet e që ndoshta, do të shkojë më tej të shkruhet…Kur shkruhet gjëja e parë është pikëtakimi, koha, vendi dhe hapësira. E në këtë filozofi pikëtakimi edhe pse është nën muzikalitetin e stërkalave të Adriatikut, e nis memorjen nga gjitoni i Hotel „Adriatikut“ në një hapësirë, kohë e vend tjetër, pra nga Teatri „Skampa“ i Elbasanit, i viteve të para të tij, ku Gjini ishte dhe drejtori e aktori i parë i tij.

Ky pikëtakim shkon në shtratin e tij, edhe pse me një kohë pak më të gjatë, për të zbritur pak me kujtesë, e pak me imagjinatë, kujtime që rreken e zbresin të shkruhen pak e qartë në këtë datë. Si të tilla, pos fotos në kreun bashkëtingëllor të librave biseda sapo kishte nisur me gojë që të rishkruhej pikërisht sot. Dhe normalisht pyetjet janë vetëm një pasnajë, që shkon disi qëllimshëm në atë "ograjë arti", ku skena kishte dhe prapaskena. Në këto "ograja arti" vetë dritëhijet natyrshëm, nuk mbesin pas edhe atyre që ka krijuar vetë „Vollga“ e arnuar me qepena mbi këtë stendë të librit dhe po aq dhe vendi i artit në zemër të Elbasanit.


Ju thatë se jeta artistike e juaja nisi nga Elbasani, apo jo?


E saktë, por në këtë pikë jetënisja artistike natyrshëm kishte pika që më bëjnë të vendosë theksin. Thoma Deljana. Eh, Ai ishte një nga figurat më të respektuara e më të dashura prej meje, të asaj kohe të politizuar, që më ka mbetur ne mendje. Ashtu i thjesht, i dashur, me hunorin e hollë, me buzëqeshjen në buzë, që dinte të krijonte marëdhënie të rregullta e korrekte me punonjësit e Ministrisë së tij, deri tek mësuesi, artisti, kulturisti e amatori më i zakonshëm. Ai ishe që më zgjodhi për të punuar e drejtuar Teatrin Dramatik Profesionist „Skampa“ të Elbasanit. Kishte pritur sa të mbaronte shfaqjja jonë e diplomës „Shumë zhurmë për asgjë“ me tekst të Shekspirit të cilën e vuri në skenë regjisor-pedagogu ynë Kujtim Spahivoli, ku unë interpretova me shumë sukses një nga rojet e qytetit, së toku edhe me Robert Ndrenikën (si partner), dhe sa mbaroi shfaqja ai më priste përjashta, për të më uruar përzemërsisht dhe të më jepte njoftimin se isha tashmë në Teatrin e qytetit të tij.


Ku qëndronte ndryshesa tek kjo figurë dashamirëse e kulturës dhe artit?


Gjatë tre viteve të mia në atë qytet nuk do të gjeja asnjë kuadër drejtues si Thoma Deljana, perkundrazi, "kuadro" të rëndomta partiake, pa kulturën e duhur, fanatikë të partisë së tyre, aq sa njërin prej tyre, aktori Robert Ndrenika, që e sollën aty një vit pas meje, e mori si tip, për personazhin e vet të Kryetarit të Bashkisë, Filimonit në komedinë „Njeriu qe pa Vdekjen me sy“. Një tjetër prej tyre ,që kishte nen patronazh edhe Teatrin me Estradën, ishte krejtësisht injorant, aq sa më hoqi nga duart edhe pjesën e parë që kisha zgjedhur për të vendosur në skenë që e kisha si temë Diplome, duke thënë se "ti je i ri akoma, sa ke dalur nga bangat e shkollës e ka rezik të prishës fytyrat e aktorëve"!, Megjithatë, ë duhej të ulja kokën, të mos bëja debat me tadhe as me amatorët që më ishin dhënë në organikë, asnjerin me shkollë të lartë, perveç meje, Tomor Himçit e Qemal Mehmetit, duke vlerësuar edhe treshen e talentuar që gjeta aty: Haxhi Sejkon, Demir Hyskjen e Thanas Borodanin!.


Dhe pas kësaj skena ishte vendi ku gjenit qetësi, apo edhe diçka tjetër?


Normalisht, aty vura në skenë dy shfaqje: "Justina" të një autoreje finlandeze dhe "Kutia prej Argjendi" të Gollsuorthit, duke e plotësuar trupën edhe me aktorë të tjerë të aftë nga jeta. Gjate kësaj kohe shktruaja skeçe e komedi me një akt për estradat, komedi të plota (që u vunë në skenë, një në Teatrin "Andon Zako Çajupi" të Korçës e tjetra nga amatorët e Pallatit të Kulturës së Tiranës. Ndersa një dramë për fëmijë, u vu në skenë nga pionierët e Pallatit të Pionierëve të Tiranës. Këtyre viteve viteve i përket edhe botimi i librit tim të parë me artikuj kritikë, reçensione e vështrime rreth problemeve të para të teatrove e të estradave ("Trokitje në dyert e Teatrit") në vitin 1965, Ndofta kjo është edhe arsyeja që kishte ndodhur që Ministri Thoma Deljana të më tërhiqte në Tiranë, për të drejtuar botimin e tre revistave: "Teatri", "Estrada" dhe "Në skenën e Fëmijëve", nga që duhej repertot për teaotrot, estradat, shtëpitë e vatrat e kulturës nëpër rrethe, nën nomenklaturën e Shtëpisë Qëndrore të Krijimtarisë Popullore. Kjo e fundit varej nga Ministria e Deljanës. Gjatë kësaj kohe shkruajta dhe botova librin "Pas shfaqjes!", ku trajtoja pikërisht këto probleme, si edhe një pjesë për Teatrin e Kukullave që do të vihej në skenë nga Teatri i Kukullave të Durrësit. Por, menjëherë pas tre vitesh, po ky Ministër do të më emëronte Inspektor të Përgjithshëm të Teatrove e të Estradave te Republikës.


Çfarë të kujton: "Po ti Thoma, kur do flasësh?"


Përbërja e ministrisë që drejtonte Deljana ishte shumë heterogjene, po ai kishte kishte një takt të veçantë drejtues, duke sespektuar edhe aftësitë e seicilit, sidomos në bërhen dhe përgatitjen e raporteve, relacioneve, për Lartë e për Poshtë, rregullloret e urrdhëresat. Por, vetë ai sikurse të gjithë kuadrot e larta të asaj kohe, nuk dinin as të hartonin asnjë fjalim të tyrin, as ndonjë raport studimor. Më kujtohet se një ditë mbasdite, ai më thrri me urgjëncë në sallat e Ministrisë, gjatë seancave të pushimit të një Kongresi Partie dhe më thotë shumë i shqetësuar se Enveri i kishte thënë. "Po ti Thoma, kur do flasësh?".."Nesër shoku Enver , -i thashë, ndërsa unë s'kam përgatitur asgjë"!,,, Dhe ai qeshi nën buzë, me koinfidencë dashamirësie ndaj meje,,,

Natyrish që ia shkuruajta për gati katër orë i mbyllur në zyrën e tij dhe ai u qetësua pasi e lexoi. I dija të gjitha sloganet që ata përdornin dhe po ashtu ua shkrova...të nesërmen unë do të dëgjoja po këtë fjalim nga goja e Ministrit! Po kjo nuk qe asgjë para asaj që si mua dhe shokeëve të mi na tthërisnin edhe në Aparatin e K.Q të Partise për kesi punesh! Sa here ma thërriste bashkëshortja e te Madhit, N.H. ne K. Q. para çdo kongresi ku ne, si specalistë do të shkruanim pjesë, pjesë të fjalimit të të Madhit fare. E qëllonte qe ia thoshja këto Dritero Agollit, si edhe gjëra të tjera si këto, të cilat ai i shfrytëzonte për të shkruar "Shokun Zylo,,,,,!" .


Po fatet e kuadrove si përfundonin?


Mirëpo këta kuadro, ashtu sikurse erdhën edhe ikën. Shumica e tyre u katandisën si mos më keq, me shkarkime, dëbime, përbuzje, ndëshkime, e madje edhe përsekutime ekstreme, deri në burgime e pushkatime. Kështu do ta pësonte edhe Thoma Deljana, pasi u vu në shënjestër nga kritika që bëri i Madhi, pasi e pa Festivalin e 11 të Këngës ne Radio dhe Festivalin Komëtar të Teatrove, ku u vendos në shënjestër drama "Njollat e Murme" që ai e quajti revizionise, e u shkatërrua krejt Ministria, ca me shkarkime nga detyra, ca me transferime, ca nëpër internime e burgje. Në këto raste do ta pësoja edhe unë, që, nuk e pata frenuar e ndaluar fare, shfaqjen "Njollat e Murme" që në Korçë, të cilën na i sollën aty si e rregulluan Todi Lubonja me Fadil Paçramin e ku ne nuk flisnim dot asnjë fjalë, më përtej Kryeministrit Mehmet Shehu e Ramiz Alisë, Sekretarit të K.Q. të Partisë që e kishin duartrokitur atë ,, Kuptohej se, "lufta " atje, kishte të bënte midis figurave madhore e ne nuk hynim fare në punë. As ne dhe asnjë prej kuadrove, si Thoma Deljana, Mantho Bala, Esat Oktrova, Mihal Luarasi, Miho Gjini e më poshtë nesh.


Çfarë ndodhi pas dramës "Njollat e Murme"?


E, kur kërciti telefoni nga lartë dhe na thirën në zyrat e tyre të jepnim llogari, Thomai u pre në fytyrë e më tha i frikësuar: „Çfarë na bëre more djalë?!“, „Ah, more djalë pse nuk e ndalove këtë shfaqje që në Korçë?!“ Në atë mesele, Ramizi na tha se ne kishim shqetësuar Enverin, i cili kishte mbledhur në mesnatë Byronë Politike!? Ndërkohë, aty në zyrën e Ramis Alisë, Thomai e ndjeu veten shumë ngushtë. U shkarkua duke u shfajësuar se aty në ministri si specialistë kishte Miho Gjinin dhe Esat Oktrovën.

Atëherë Ramizi mu drejtua mua duke thënë të njëjtën gjë, e unë do të përsërisja po ato vërejtje themelore që i kisha thënë që në Korçë e që më thanë se ishin ndrequr. Mirëpo Ramizi, pasi u shpreh i nxehur se duhej ta kisha ndaluar, duke shtuar se ju nuk jeni vetëm specialistë të Ministrisë, por edhe të K.Q. të P.P.Sh.-së u shpreh ai. Unë e dëgjoja këtë për herë të parë. Sepse unë isha i vetëdijshëm se nuk kisha pranuar tëjem as dhe një anëtar i thjeshtë i asaj partie.

Dhe heshta. Attëherë ai iu drejtua me ashpërsi Tefik Çaushit, i cili ishte Kryetar i Jurisë, duke qenë njëherësh edhe instruktor i K.Q. të Partisë, bile nën nomenklaturën e vetë Ramiz Alisë. Mirëpo ky person, aty do të ishte më kurajozi dhe i guximshmi kur tha: „Unë aty tek Ju i kisha sytë, Shoku Ramiz, kur e duartrikitët, pas Kryeministrit, që e ngriti edhe më lartë, si „gozhdë kundër revizionizmit“(!?). Befas ramizi u shkund dhelpërisht e tha se kishte duartrokitur „aktorët dhe jo dramën“. Më pas nisi stuhia kundër të gjithëve. Na sulmuan për „mungesë vigjilence“, duke na shoqëruar me gjashtë seanca me kritika e autokritika, shkarkime nga puna, dëbime, internime dhe burgime…

Fillimisht mua më shkarkuan nga Ministria e më dërguan të punojë si mësues në Shkollën e Mesme të Kulturës, ku pas tri vjetësh më kurdiset një letër anonime e internohem në Memaliaj. Dhe pas tre vjetësh pune në galeritë e minierës, me disa akuza qesharake e të motivuara burgosem.

Thoma Deljana nuk mundej të më mbronte aspak, sepse, pas meje do ë kishte edhe ai të njëtin fat afersisht si unë, por në mbledhjen e Kolegjiumit të Dikasterit të tij, kur u bë analiza e fundit, pas largimit tim, pasi e vlerësoi aty me ndershmeëri punën time 12 vjeçare, tha përfundimisht këto fjalë: "Ti je një kritik shumë i mire, i guximshëm, po edhe më i matur duhej të ishe. Dhe para se të qëlloje një herë, duhej të mateshe dhjetë herë!", Unë bëra një pauzë dhe i pashë që të gjithë sa ishin aty, drejtora, specialista e zyrtarët me rradhë, u ktheva nga ana e Ministrit dhe i thashë këto fjalë: "Po, e kjo fjala e poopullit , shoku Ministër, po unë asnjëherë nuk kam qenë dakort që të matem shtatë herë e të qëllojë një herë!", Ra heshtja, dhe i pari prej tyre që foli ishte vetë Ministri. Ai tha :"Kush janë këta?",,"Që të gjithe këta që të kanë mbetur këtu e që nuk janë prononcuar kurrë!" E u ngrita e ika , dhe ika duke lënë aty heshtjen që mbolla, për të mos u kthyer më në atë derë.


Po fati i Ministrit Deljana?


Mendoja se nuk do të kisha të bëja me këtë njeri të mirë, Thoma Deljanën, as si emër, po rasti e solli një të djelë, tek po lexoja në libër në fjetoren e punëtorëve në Memaliaj, ku më kishin degdisur e po shlodhja sytë, nga dritarja ime që shihte nga rruga, po kalonte bhë grua me tipare të njohura. Ishte Vergjinia Deljana, bashkëshortja e Ministrit tim. Një nga shokët dhomës që e pa turbullimin tim mu afrua e më pyeti "përse u turbullove kur e pe atëgrua?" dhe i thashë të vërtetën, se kush ishte, po ai dinte ca më shumë nga unë. Ajo bashkë të shoqin tashmë ishin internuar në Dhemblan, në malet e Salarisë dhe se ajo qe larguar prej tij, e kishte lënë tashmë vetëm, sepse i kishin treguar një studim që ai paska bërë për të ndryshuar sistemin 7 vjeçar, që e kishte lënë në zyrën e tij ministrja e emëruar nga Peshkopia, duke e quajtur si revizionim të tezave të K.Q. të Partisë.

Rrjedhimisht, sipas bashkëfolësit, e shoqja e kishte qëlluar atë me pëllëmbë dhe më pas e kishte lënë vetëm. Tani vazhdoi ai, Ministri yt, nuk është gjë tjetër veçse nje çoban me dhi. Që fshatarët e kishin siktirosur se kishte këputur një pras në arën e tyre, në një dtë zbori“.

Ai më pa me vëmendje dhe kërkoi kështu të dinte dhe se ç'mendim kisha për të...Mblodha veten dhe i thashë këto fjalë: „Thoma Deljana ka qenë një njeri i mirë, me humor dhe babaxhan"! Vetëm një vit me vonë, kur më arrestuan aty me akuzën për agjitacion dhe propagandë, mu bë e ditur se akuza e dytë që më bëhej pas të parës ("Jam denuar kot"!), që ajo për Thoma Deljanën (sipas fjalëve të mësipërme që i kisha shprehur provokatorit në fjetoren time, i cili më tha gjithashtu se ish-ministrin e kishte sikturosur një fshatar i atjeshëm tek e pa se gjatë pushimit të zborit ushtarak të këpuste një presh për të ngrënë bukën.

Më kishte këputur shpirtin kjo ndodhi e do ta kujtoja gjatë nëpër burgjet e diktaturës ku do të bëja edhe krahasimin e tmerrshëm me pikturën e Francesko Golas për Saturnin që hante bijtë e vet!,,,


Tani koha kishte pasuar atë vrullin tuaj rinor, le të kthehemi pas në Elbasan, si ju dukej vetja kur ju "imituat" pa dashje neo-realizmin italian dhe morët në skenë mjaft amatorë, sikurse kishin bërë Rossellini me shokë?


E para ishte Xheko Koçi. Nuk e njihja kur vajta në Elbasan. Por duhej të njihja si puna e saj, se aty ishte nevoja që të gjeja një aktore amatore të përshtatshme për shfaqjen e temës time të Diplomës „Justina“. Për të gjetur interpretuesen e këtij personazh-grua, që nuk e kisha në teatrin e sapokrijuar, nisa kërkimin që më solli drejt saj. E doja shumë këtë dramë psikologjike të shkrimtares dhe dramaturges finlandeze, Hella Vuolikit, të dënuar me vdekje në vendin e saj dikur, për idetë përparimtare, por nuk gjeja dot një të përshtatshëm në tetarin tonë të ri, sikundër thashë, më duhej të shfrytëzoja një grup amatorësh të marrë nga jeta e përditshme.

Kështu që edhe këtë Justinë, duhej ta gjeja nga jeta përreth. Duhej ta gjeja me po ato cilësi sikurse e kishte shkruar autorja: me botë shpirtërore, me psikologji e karakter të fortë, shta të lartë dhe të bukur, me forcë tërheqëse, si edhe me kryelartësinë që kanë figura të tilla grash, me të gjitha vlerat bashkë. A keni parë vallë në qytetin tuaj një personazh të tillë?

Pyeta dy miqtë e e mi të parë, që i kisha piketuar ndër rolet kryesore? Robert Ndreniken jo, se tani kishte ardhur, një vit mbrapa meje. Nuk mbaj mend se kush ma rekomandoi që të kërkoja pikërisht atë, edhe pse do ta kisha të pamundur, nënvizoi ai që më tha. E do të më duhej pastaj të gjurmon nëpr qytet çastet kur ajo do te shfaqej nëpr rrugët e qytetit… Dhe ky çast nuk do të vonohej. Xheko Koçi u shfaq diku, me pamjen e saj te një gruaje të bukur, plot hire, me shtatin e saj si selvi, me nje fizionomi krenarie të vlerave te saj. E ndalova me mirësjelljen një njeriu që ka mbaruar shkollën e lartë të artit, edhe ajo nuk më zmbrapsi.


Si ishte takimi me këtë amatore të mistershme?


E prezantova veten. Pas pak ia parashtrova edhe hallin tim që ishte, mbrojtja ime e diplomës si regjisor, dhe i thashë se kjo varej tashmë prej saj. I tregova se pjesën e parë që doja ta vija në skenë ma përlanë nga duart e nuk doja ta pësoja përsëri, thashë unë duke qeshur me trishtimin tim. Dhe tashmë kjo varej vetëm prej saj! Mbetëm ashtu nëkëmbë dhe nuk më shkoi mendja ta ftoja për një kafe. Ajo heshti pak, më pa me kureshtje dhe pastaj buzëqeshi lehtazi. Nuk kundërshtoi, por edhe as nuk pranoi. Më tha se do të mendohej, pasi kishte qenë disa herë në kinematë e Tiranës, por jo të mendonte se mund të interpretonte dikur e diku në atë skenë apo shesh xhirimi filmash!

Pranimi i saj për të marrë pjesë në këtë sprovë, duke qenë e para herë për të, më vuri në sprovë përgjegjësie edhe mua, duke marrë parasysh edhe rrezikun e dështimit. Po e gjitha kaloi mirë. ,,Nganjëherë amatorët janë më të mirë për të punuar me regjizorët, sepse janë të painfektuar nga veset e teatrit: teatraliteti, që të bënë ndryshe veprimet dhe marrëdhëniet me të tjerët, jo si në jete, duke krijuar artifice me zmadhimet, rimasat, deklamimet, shtirrjet. Ajo do te interpretonte vërtete nje grua te thjeshtë, një shërbetore në shtëpine e gjykatësit Robert Harmalllahti, po realisht një grua me dinjitet e karakter të fortë njerëzor, që bie viktime e këtij borgjezi të ri, i cili e braktisi atë për një kohë të gjatë, por që pas një ktimi disavjeçar do ta gjente tashmë Justinën e bukur me një djalë të lindur, Ollavin, e që ishte biri i tij, ndërkohë që ai tashmë vjen me bashkëshorten e tij të ligjshme, me të cilën ka dhe një vajzë, Rriken.

Ky rikthim dhe ky ndërrim raportesh krijoi rrethana të tjera, gjendje tjetër shpirtërore, marrëdhënie të tjera e revoltë ndaj braktisjes, mungeses së pergjegjesisë e cënimin e dinjitetit njerëzor. Dhe këtu do të qëndronte roli i debutimit të saj më këtë psikologji dramatike, që Xheko Koçi do ta kapërcente me sukses, pas një pune intensive, provash të gjata, midis artistësh tashmë profesionist, sikundër ishte partneri i saj Demir Hyskja në rolin e Gjykatësit, Thanas Borodani në rolin e Doktorit, si edhe të artistëve që erdhën nga Shkolla e Lartë: Robert Ndrenika në rolin e Ollavit, djalit të Justinës, edhe të Shpëtim Shëmilit në rolin e Pastorit.


A kishte sukses shfaqja?


Shfaqja pati sukses të plotë,. Pedagogët e mi, Andrea Malo, Kujtim Spahivogli e Naim Frasheri, që erdhën në vlerësimin e pagëzimin tim si regjisor, e vlerësuan shumë Xheko Koçin, si një nga aktoret më të mira të trupës së re, kur ajo e bëri këtë rol si një hobi të vetën, duke iu përgjigjur kështu edhe kërkesës sime e të Teatrit. Pas kësaj nuk kam mësuar më për jetën e saj. Aq më tepër edhe për vetë jetën time, që u rrokullis drejt zeros, nga ndëshkimi i egër i Diktaturës!


Po ndonjë tregues tjetër dhe diçka më shumë për rolin e pasionantëve?


Tomor Himçi, ishte një nga ato, shok i klasës time, i transferuar edhe ai në Teatrin "Skampa", me profilin e vet të aktorit dramatik, po edhe të dramaturgut, që në shkollë rrëfente pasion e inteligjencë, i rregullt e korrekt. Kështu do të vazhdonte edhe në Elbasan, me role të një niveli të admirueshëm, po edhe me dëshirën në dramaturgji, Gjithësesi, sa qëndrova e punova unë aty nuk pati ndonjë evindentim të vlerave të tij profesionale. Më pas shkroi edhe disa drama, të cilat ju vunë edhe në skenë e disa jo. Prej tyre kam lexuar njërën prej tyre, që mendonim ta titullonim "Krimbat e tokës", e cila kishte një zhvillim dramaturgjik, po më duhej ti bëja vërrejtjen e përgjithshme, se ajo kishte një farë plagjiature me drama të tjera, reminishenca, ngjashmëri skenash e marrëdhëniesh, po gjithësesi i thashë se mund të vihej në skenë, për dialogun e mirë dhe tensionin dramatik që krijohej,, Nuk mbaj asgjë tjetër në mendje për të...


Duke përfunduar


Natyrisht koha ka bërë të vetën. Fjalët janë disi në një kënd artisti dhe domosdoshmërisht një fisnik sikurse ndodh të mirëkuptohet kërkon që shumë prej tyre të mbeten enigmë, por ja që marr guximin ta shkel këtë dhe të mendoj se duhet të dalin e të njihen nga lexuesi dhe nga brezat, që fjalët të mos ndëshkojnë më artin e lirinë e fjalës. E kështu nga zhurma strkalore ndanë „Vollgës“, teksa shkruaja e rishkruaja këtë histori narrative në formë interviste, ndjeja se Tamizi kishte shukamën e vet të pëshpërritjes, atë që vetëm ujësitë e ndajnë në mejanin dhe hapësirën e Tokës ku banojnë vetëm mëkatorë. Të tjerat janë në një linjë me „Mjeshtrin e Madh“, që ndjeu dhe ndjen se ka bërë më të mirën në artin e Fjalës.

@copyright #fatmirterziu

120 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page