Në 6 janar kujtojmë lindjen e një prej figurave më të shquara të historisë sonë moderne
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 1 day ago
- 3 min read

Theofan Stilian Noli (Janar 6, 1882 – Mars 13, 1965) mbetet një nga figurat më komplekse, më të ndritura dhe më sfiduese të historisë shqiptare. Ai ishte një personalitet i cili i tregoi botës se Shqipëria, pavarësisht vogëlsisë gjeografike dhe vonesës historike, kishte njerëz të aftë të drejtonin shtetin, të ngrenin institucione, të krijonin art e letërsi dhe të përfaqësonin me dinjitet një komb në arenën ndërkombëtare. Një nga përkthyesit më të shquar të Shekspirit, Cervantesit dhe Omar Khajamit, një udhëheqës politik me vizion dhe një figurë fetare që u bë simbol i identitetit shpirtëror shqiptar, Noli mbetet një nga kolonat e historisë intelektuale dhe shtetformuese të vendit tonë.
Noli është një paradoks i bukur historik: në një kohë kur rreth 80 për qind e popullsisë shqiptare ishte myslimane, kryeministri i vendit ishte një prift ortodoks që predikonte tolerancë, bashkim dhe qytetërim europian. Ai ishte një nga nismëtarët e krijimit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, duke e shkëputur jetën fetare nga varësitë e huaja dhe duke e lidhur atë me shtetin dhe identitetin kombëtar. Në këtë mënyrë, feja u bë për të jo pengesë, por mjet emancipimi. Me veprën dhe fjalën e tij, Noli i dha Shqipërisë një profil të ri kulturor.
Nëse sot shumëkush flet për rishikim historie, shpesh ky nocion keqpërdoret për të rrëzuar figura të mëdha dhe për të ngritur të tjerë sipas interesave të ditës. Në këtë klimë, shpesh vërehet një valë e fshehtë anti–Nolizmi, e cila vjen si nevojë për t’iu kundërvënë një personaliteti që nuk mund të privatizohet politikisht. Disa kritikë të sotëm tentojnë ta zbehin figurën e tij duke e etiketuar si të afërt me idetë e majta, duke nënvizuar episode të pjesshme dhe duke harruar veprën madhore atdhetare. Por historia shqiptare është manipuluar në kohën e Zogut, gjatë komunizmit dhe më pas; ndaj rishikimi i saj nuk mund të bëhet sipas dëshirave politike, por përmes komisioneve profesioniste dhe studimeve serioze. Vetëm kështu historia i shërben së vërtetës, dhe jo interesit të ditës.
Fan Noli është ndër të paktët personalitete që foli në Lidhjen e Kombeve me një forcë që ngjalli respekt dhe habi. Ai mbrojti kufijtë, identitetin dhe dinjitetin e Shqipërisë përmes një retorike të përkryer dhe një argumentimi të pakundërshtueshëm. Brenda një realiteti me injorancë të lartë, analfabetizëm dhe përçarje të thella politike e fetare, Noli diti të kristalizojë një ide të qartë: Shqipëria duhet të ecë drejt qytetërimit europian, por pa humbur shpirtin e vet.
Në fushën e letërsisë dhe përkthimit, ai mbetet një monument. Vetëm pak përkthyes kanë arritur të sjellin në shqip Hamlerin me atë ngarkesë filozofike dhe emocionale që Noli i dha vargut “Të rrosh a të mos rrosh”. Përkthimet e tij nuk janë thjesht transpozime gjuhësore; ato janë krijime artistike që e pasurojnë gjuhën shqipe dhe e vendosin në dialog me letërsitë më të mëdha të botës. Nuk është rastësi që përkthyesit shqiptarë dhe studiuesit ndërkombëtarë e kanë vlerësuar stilin e tij si origjinal, të guximshëm dhe modern.
Në politikë, Noli nuk ishte idealist naiv, por realist i guximshëm. Revolucioni i vitit 1924, pavarësisht mënyrës si është interpretuar në periudha të ndryshme, mbetet një përpjekje për të vendosur shtetin ligjor dhe për të ndalur arbitraritetin e bejlerëve dhe klikave feudale. Ai u përpoq të sillte frymë demokratike, ndonëse u përball me forca të brendshme dhe të jashtme që nuk e lejuan Shqipërinë të hynte në një kapitull të ri institucional.
Megjithë këtë trashëgimi, sot shpesh vihet re një heshtje e çuditshme e mediave dhe televizioneve ndaj figurave të tilla. Harresa kulturore dhe mungesa e vullnetit për të reflektuar mbi njerëzit që ndërtuan shtetin është një sëmundje e kohës sonë. Por personalitete si Fan Noli nuk mund të zhduken nga memoria historike: ato rikthehen gjithmonë, sepse janë të lidhura organikisht me fatin e kombit.
Në përvjetorin e lindjes së tij, përkujtojmë jo vetëm priftin, politikanin, përkthyesin dhe poetin, por edhe njeriun që i dha Shqipërisë vizion, kulturë dhe dinjitet. Noli është dëshmi se një individ, me ndërgjegje të pastër dhe dije të thellë, mund të ndikojë drejtpërdrejt në rrjedhën e historisë kombëtare. Kujtimi i tij mbetet i gjallë jo vetëm në arkiva, por edhe në ndërgjegjen e çdo shqiptari që beson se shteti ndërtohet mbi dije, etikë dhe dashuri për atdheun. I përjetshëm qoftë kujtimi i Theofan Stilian Nolit.









Comments